E hene, 20.05.2019, 09:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Fetah Sheholli - Akull e zjarr

E diele, 03.03.2019, 10:34 AM


FETAH SHEHOLLI, “AKULL E ZJARR” (PËRMBLEDHJE POETIKE)

Shkruan Zymer Mehani

Autori Fetah Sheholli, në përmbledhjen poetike “Akull e zjarr” e ka formuar fizionominë e tij të poetit, duke u mbështetur në koncepte të qarta poetike, që mjeshtërisht i ka shprehur në vargjet e veta.

S’do mend se qysh në kontaktin e parë me poezitë e autorit Sheholli, do të na bie në sy se ai si poet identifikohet me vendin e vet, duke e shfaqur dashurinë dhe mallin ndaj tij. Kështu në bazë të një ndërlidhshmërie të tillë, poeti ka arritur ta krijojë lirikën e atdhedashurisë, që zë vend qëndror në përmbledhjen poetike “Akull e zjarr”. Prandaj edhe motivi atdhetar (i atdhedashurisë) është lajtmotiv i poezive të tij.

Në aspektin tematiko-motivor, autori Fetah Sheholli do ta trajtojë me sukses metaforikën e shprehjes së tij, duke e ruajtur me kujdes linjën ndërlidhëse me tërë sistemin figurativ dhe kështu do të krijojë një vizion të tërësishëm me plot nuanca e trajta të ndryshme të preokupimit tematik.

Disa nga figurat dhe shprehjet e përgjedhura të autorit Sheholli, mund t’i quajmë fjalë-çelës, të cilat i ka përdorur në poezitë e veta, siç janë p.sh.: toka, qielli, kulla, vatra, mali, kodra, ara etj. etj. Përveç këtyre, ky autor do të përdor edhe figura dhe shprehje të tjera poetike, që e pasurojnë kuptimin simbolik të poezisë së tij.

Në poezitë e këtij krijuesi, kulla dhe kalaja janë figura simbolike, me të cilat evokon lashtësinë dhe qëndresën e shqiptarëve gjatë shekujve, por edhe si vizion për të ardhmen, ngase vetëm të fortë dhe të bashkuar mund të hecim para si komb, e ky fakt është edhe ideali poetik i poetit Sheholli.

Përveç kësaj, fjalët-çelës, me të cilat shfaqet vizioni i njëjtë poetik i autorit Fetah Sheholli, janë edhe figurat: deti, dielli, çatia, majat e lisave etj. Po, ashtu në vargjet e veta ky autor paraqet edhe mjaft fjalë tematike, që plotësojnë kuptimin e përgjithshëm të preokupimeve krijuese të tij. Shprehje të tilla, janë psh.: mërgimi, lufta liria...

Ndjenja e optimizmit dhe e shpresës shfaqen po ashtu shpesh në vargjet e autorit Sheholli, siç është edhe e kaluara heroike dhe e ardhmja e popullit tonë, që është mishëruar në qenien e autorit. Duke vjershëruar për të kaluarën heroike dhe të përgjakur, poeti evokon imazhe pikëlluese dhe të tendosura, por edhe krenare. Preokupime të tilla shfaqen në një mori poezish të këtij autori, siç janë: “Shqiptarisht”, “Flijimi planetar”, “Nëntori i Tretë”, “Çamëri, plagë e hapur”, “Ilirida” etj.

Në këto poezi shprehet qartë ndjenja e admirimit të poetit ndaj atdheut dhe bijve e bijave të tij luftëtarë.

Në kontekstin e përgjithshëm poetik të përmbledhjes “Akull e zjarr”, nuk është vështirë të nxirret përfundimi se atdheun poeti e ka admiruar, prandaj edhe e ka madhëruar në ligjërimet e tij poetike. Por, atdheu, nuk e ka vetëm bardhësinë, shkëlqimin, që na bën të lumtur, ngase atdheu ngërthen në vete edhe anët e zbehta të ca njerëzve, që na pikëllojnë, siç janë korrupsioni, hajnia, tradhtia, bashkëpunimi me armikun etj.etj.

Poeti Fetah Sheholli, në disa poezi të tij shpërthem me gjuhë thumbuese, herë-herë edhe me plot mllef ndaj ca dukurive të këqija njerëzore. Preokupime të tilla artikullohen nëpërmjet të shprehjeve figurative, të ndërtuara mjeshtërisht. Në këto ligjërime poetike, poeti me nota sakrastike kritikon ashpër njerëzit, sidomos pushtetarët, të cilët për interesa subjektive kanë humbur dinjitetin njerëzor, ngase lakmia dhe  veset tjera ua kanë verbuar sytë dhe ua kanë bërë mendjen dhalë.

Në vëllimin “Akull e zjarr” të Fetah Shehollit bien në sy, po ashtu, tekste, trajta dhe elemente poetike, që ndryshojnë mes vete. Po ashtu, kemi edhe laryshi vargjesh, strofash e rimash, që vëllimit ua shtojnë vlerën edhe më shumë. Në kontekstin e përgjithshëm krijimtaria poetike e këtij autori gërshetohet në një tërësi, ku si bosht qendror tematik ka shtegtimin e lirshëm imagjinativ drejt ardhmërisë së shndritshme dhe të lumtur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT