E marte, 19.03.2024, 01:59 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Beqir Cikaqi: Unë biri yt Kosovë - kudo që ndodhem për ty festoj!

E shtune, 02.03.2019, 05:21 PM


UNË BIRI YT KOSOVË – KUDO QË NDODHEM PËR TY FESTOJ!

Përvjetori i 11-të i Pavarësisë Kosovës në Itali

Nga Beqir Cikaqi

-  Planifikimi ...

Përvjetori i Pavarësisë Kosovës këtë vit për mua ishte diçka e veçantë. Për ta festuar vendosa ti  bëjë mbi shtatëqind kilometra rrugë (nga Shtutgarti i Gjermanisë deri në Treviso të Italisë). E si mos të ndien kënaqësi të veçantë kur feston mes miqsh, kolegësh, familjar, bashkatdhetar, etj. Këtë e planifikoja muaj më parë me kolegë e bashkëpunëtor kur vendosëm që edicioni i radhës ORA LETRARE – 2019 të organizohet pikërisht me 17 Shkurt 2019, dhe nikoqire të jetë Shoqata Kulturore DARDANIA e Montebellunos së Trevisos. Duhet falënderuar profesorin tim nga gjimnazi i fillim viteve të 80-ta z. Faik Tafolli, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Shoqatës DARDANIA, që e bëri të mundur sigurimin e lokalin shumë të përshtatshëm për zhvillimin e kësaj veprimtarie, në Musano TV.

Përndryshe ORA LETRARE në Itali, është një veprimtari e formuar para disa viteve nga krijuesit letrar që jetojnë kryesisht në provincën e Trevisos, Padovës e Viçencës, në të cilin marrin pjesë poet e shkrimtar shqiptar nga e gjithë Italia e më gjerë, por edhe ata vendor italian e të tjerë.

- Mbrëmja e së shtunës dhe paraditja e së dielës ...

Në mbrëmjen e 16 shkurtit 2019 së bashku me familjarët që jetojnë në Itali, madje edhe me nipin vetëm tremuajsh Harisin, festuam në Bassano del  Grappa së bashku me miq e bashkatdhetar në Mbrëmjen Festive të organizuar nga Shoqata “Bashkimi Kombëtar”, ku për disa vite isha mësues i shkollës shqipe që vepron në gjirin e kësaj shoqate. Kisha kënaqësinë ti takoja  kolegët, ish nxënësit, prindërit, drejtuesit e shoqatës dhe shumë bashkatdhetar tjerë. Ishte vërtetë mbrëmje festive, ashtu sikur din ta bëjnë organizatorët me traditë të dëshmuar në organizime të tilla. U recitua nga nxënsit e shkollës shqipe, u këndua, u hedh vale, u pre torta e pavarësisë... Atmosferën e mbante të elektrizuar gjithnjë këngëtarja Elhame Ahmeti dhe grupi muzikor i Arben Nexhipit.

Paraditen e 17 shkurtit 2018 e planifikoja takim kafeje me disa miq që kemi kohë pa u takuar, ani se komunikojmë përmes internetit herë pas here. Nuk mund të i anashkalojë pa i përmendur tre prej tyre, Naser Jasharin, te i cili kam banuar në vitet e para të vendosjes sime në Itali, Feim Përzhakun i cili më kë ndihmuar shumë në rregullimin e leje qëndrimit tim në Itali përmes kompanisë së tije, e që me kalimin e viteve e mora të drejtën e nënshtetësisë së dytë- italiane. Si dhe, bashkatdhetarin Murat Bytyqi, i cili ka një piceri në biznesin e tij familjar dhe është i gatshëm vazhdimisht ndihmojë në organizimet e aktiviteteve, sikurse që e bëri edhe atë ditë kur siguroi pica për të gjithë mysafirët e Orës Letrare – 2019. Kur i tregova z. Bytyqi në bar-kafen afër picerisë së tij, se në Orën Letrare do të prezantojë librin tim më të ri  NJË PASION I USHTRUAR, u emocionua, i shkëlqeu fytyra, sikur të ishte libri i tij! E kur ia dhurova një kopje, pasi kërkoi të ia firmos, u ngrit në këmbë me libër në dorë, duke iu tregoi të pranishmëve se kush është autori i këtij libri, dhe njëkohësisht më prezantoi me fjalë madhështore, duke u gjendur edhe vet i suprizuar!...

- Pasditja kulturore artistike ... III

Në orët e para të pas ditës me familjarët e mi që janë këtu në Itali,bashkëshortja (ime), djali (më i ri nga fëmijët tjerë) me nuse dhe nipi tremuajsh, u nisem për te vendi i mbajtjes së Orës Letrare. Mendova të jem i pari aty, sepse ashtu e kërkon arsyeja pasi jam ideator i inicimit të kësaj veprimtarie, natyrisht i mbështetur nga kolegë, miq, e bashkatdhetar tjerë. Se do të jem i pari te vendi i mbajtjes veprimtarisë, dështova, sepse aty në parkingun e lokalit gjeta  poetin, krijuesin, edhe mikun tim  nga Lezha që jeton në Verona, të nderuarin Tonin Nikolli me bashkëshorte dhe vëlla. Pa përfunduar përshëndetjet me miqtë që kishin ardhur nga Verona, arritën pjesëmarrësit tjerë, Ramiz Gashi me vëlla Pajtimin e vajzë Shpresën, poetja Trandafile Molla me bashkëshortin Ramazanin nga Novara (mbi 350 km), poetja Miradie Avdullahi me bashkëshortin Feratin, profesori Ndue Shabaku me bashkëshorte, e  kështu me radhë... Me drejtuesit e Shoqatës DARDANIA i bëmë konsultime e fundit rreth mbarëvajtjes së kësaj pasdite kulturore duke e stolisur edhe sallën me flamuj e pankarta të veçanta. Ndërsa me dy moderatorët e kësaj pasdite kulturore artistike, zonjat Sanie Berisha dhe Edlira Shehu formatizuam mënyrën e promovimit të librit tim “Një pasion i ushtruar”. Përndryshe këto dy zonja kam bashkëpunuar edhe vite ma parë në organizime të veprimtarisë të komunitetit ton shqiptar në Montebelluno TV më gjerë.

Me sugjerimin e poetit Tonin Nikolli, e përkrahur njëzëri edhe dy anëtarët tjerë të këshillit organizativ të Orës letrare Avdi Beqiri dhe Faik Tafolli, pasi i treti anëtar isha unë, vendosëm së pari të bëhet promovimi i librit, e në pjesën e dytë prezantimi i poetëve e me punimet e veta...

- Promovimi i librit ...

ORA LETRARE – 2019 u hap nga dyshja modeluese Edlira Shehu dhe Sanie Berisha, për të ia dhenë fjalën profesor  Faik Tafollit, në cilësinë e nikoqirit dhe kryetar i Shoqatës DARDANIA të Montebellunos TV. Ai i falënderojë të pranishmit, poetët, dhe të tjerët, i cili potencoi se: “ Shoqata ka pasur llojë-llojshmëri të aktiviteteve, por një veprimtari e tillë i ka munguar deri tani, andaj ndiejmë kënaqësi dhe jemi munduar të iu krijojmë kushte për mbarëvajtje. Prindi i gëzohet sukseseve të fëmijës së tij, gjenerali i krenohet sukseseve të ushtarit, e mësuesi i gëzohet suksesit të nxënësit të tij, sikurse edhe unë që ndiej kënaqësi  për promovimin e librit, autor i së cilës është një ish nxënës i imi, e tani edhe kolegë e bashkëveprimtar”, u shprehë ndër të tjera në fjalën hyrëse profesor Faiku. Për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie kontribut të veçantë dha edhe Shoqata “Bashkimi kombëtar” nga Bassano del Grappa që kanë një bashkëpunim të mirëfilltë me shoqatën si motër nga Montebelluna, andaj përshëndeti edhe  kryetari z. Avdi Beqiri, i cili njëkohësisht është edhe autor i një libri dhe anëtar i këshillit organizativ.

Në këtë ditë festive pata kënaqësinë edhe më të veçantë kur bëra promovimin e librit NJË PASION I USHTRUAR. Është ky libri i gjashtë me radhë që doli nga shtypi në javën e parë të shkurtit 2019. Botuese STAR GRAF –Ferizaj(Kosovë).Që në fillim të gjithë të pranishmit u pasuruan me nga një kopje të librit që promovohej. Krahas falënderimit të shtëpisë botuese  që e përshpejtoi botimin e librit, e falënderojë shumë edhe poeten e nderuar Miradije Avdullahi në recensimin e librit. Poetja Miradie Avdullahi edhe sot e kishte fjalën kryesore në promovim, i ndihmuar edhe nga Pajtim Gashi, që lexonte pjesë nga materiali i librit. Ndër të tjera zonja Miradie Avdullahi pasi kishte zgjedhur disa fjalë për autorin dhe librin, :“ Libri është i formës publicistike, ku janë të përfshira 10 intervista me personazhe të profileve të ndryshme, disa prej të cilëve janë këtu të pranishëm, si Avdi Beqiri, Bashkim Bekteshi,Gjin Shani etj. Libri përmban edhe shtatë reportazhe(një për SHSH MP të Montebellunos), dy rrëfime, një kronikë të zgjeruar dhe personalitete im memorial, ... u shpreh ndër të tjera recensentja e librit. Rreth librit u prononcuan me opinionet e veta për librin e promovuar, poeti Tonin Nikolli, Trandafile Molla poete, kritiku letrar Ndue Shabaku, Ragip Thaqi, etj.

Si autor i librit u ndjeva i emocionuar por edhe i privilegjuar, sepse promovoj këtë libër para profesorit tim e nxënësve të mi; para krijuesve e poetëve, para kolegëve e bashkëveprimtarëve, para të tjerëve e familjarëve,që në këtë mjedis kisha edhe nipin e vogël tremuajsh...

Para se të përfundojë promovimi i librit, në shenjë falënderimi e respekti ia dhurova Shoqatës DARDANIA disa ekzemplar të librit, që me kënaqësi i pranoi kryetari, prof. Faik Tafolli. Ndërsa promovimi i këtij libri përfundoi  me melodinë e “Bareshës”luajtur për mrekulli me violinë nga Kleopatra Hajdini, nxënëse e Shkollës shqipe që vepron në gjirin e Shoqatës DARDANIA.

Vazhdimi emocionues i ORËS LETRARE ...

Në vazhdim filluan paraqitjet e krijuesve, duke filluar nga poetja Trandafille Molla - Baja, fituese e disa çmimeve në atdhe e diasporë në konkurset letrare, e cila e shoqëruar nga bashkëshorti  z. Ramazan Baja, një ish oficer shtabi me detyrën e mjekut, tani në pension, e nderoi veprimtari, e pasuroi aktivitetin letra, por edhe i emocionoi të pranishmit. Andaj ORA LETRARE vazhdoi me emocione. Edhe vet poetja nuk mundi ti përballoj emocionet, deri sa i doli në lehtësim poetja tjetër e pranishme Miradie Avdullahi duke e lexuar një poezi nga libri i mikes poete Trandafile Molla.

Nuk është i panjohur edhe për publikun e këtushëm, poeti Tonin Nikolli, i lexoi pesë poezit kushtuar Kosovës në pesë përvjetorët e fundit. Fituesja e Çmimit të parë në në Edicionin e parë të konkursit “Fjalët e shpirtit” Edona Thaqi u paraqit me poezi për  Vëllezërit Gërvalla. Ndërsa, Shpresa Gashi, fituesja e Çmimit të Dytë në konkursin “Fjalët e shpirtit” me poezi për Nënën. Me një këngë të bukur u prezantua Enesa Sahiti, nxënëse e Shkollës shqipe e Bassanos. Krijuesja e vargut poetik Tevdie Beslimi mungoi  fizikisht, por poezinë në formë recitali e paraqiten grupi i nxënësve të shkollës së Montebellunos. Me një esse për Jusuf Gërvallën u paraqit Ragip Thaqi, mësues i shkollë së Bassanos. U lexuan edhe tri poezi të dërguara përmes postës elektronike të krijuesve: Zelfije Zmalaj (Therandë), Izet Shala (Malishevë) dhe Demir Reshiti (Prishtinë).

Një personalitet i heshtur, që vetëm dëgjonte dhe vazhdimisht shkruante. Nuk e kërkoi fjalën, por e obliguam ta marr. Nuk foli gjatë, por saktë, ... nuk i la anash as fjalët miradije për veprimtarin, ideatorët, nikoqirët, organizatorët, mandej për poetët, nxënësit, studentët dhe publikun e pranishëm ... për çka mori duartrokitje nga të pranishmit, e ky ishte kritiku letrar, profesor Ndue Shabaku.. Veprimtarinë e përshëndeti edhe Bajram Desku, mësues në shkollën shqipe”Nënë Tereza” Quinto TV

Në këtë veprimtari kulturore poetike, pos librit të promovuar, unë prezantova edhe poezinë “Katrahurë e papërsëritshme”, me çka u mbyll edhe edicioni ORA LETARE – 2019.

- Mbrëmja festive familjare ...

Nikoqiri i Orës Letrare( Shoqata DARDANIA, për mysafirët siguroi pije freskues dhe kafe, ndërsa në bashkëpunim me  Re di Pizza që menaxhon Murat Bytyqi (nga Semetishti i Therandës) iu afruan darkë, për çka mysafirët u falënderuan dhe shfrytëzuan kohen për bisedë të lirë deri në fillimin e mbrëmjes festive, ku shoqata e planifikuar ta shpalos programin kulturor-artistik e argëtues me moton: Mbrëmje festive familjare - 11 VJET PAVARËSI ! E veçanta e kësaj mbrëmje ishte prania komplete kryesisë së LASH-it  për Itali e kryesuar nga  zonja Ariana Kosova.

Në orët e mbrëmjes, lokali u mbush nga bashkatdhetar të moshave të ndryshme. Ishte e pa mundur të gjithë të sigurojnë ulëse, andaj shumë prej tyre qëndruan në këmbë. Edhe mbrëmjen festive e modeluan Sanije Berisha dhe Edlira Shehu. Të pranishmit i përshëndeti kryetari shoqatës DARDANIA, profesor  Faiku. Mandej përshëndetën edhe disa  kryetar shoqatash të pranishëm. Pjesa e parë e mbrëmjes ishte i pasuruar recitime e interpretime të valleve nga nxënësit e shkollës shqipet, grupi i valleve e grupi rapsodëve i shoqatës të udhëhequr nga Ali Kurti, si dhe këngëtari i mirënjohur Gjin Shani. Derisa në pjesën e dytë të kësaj mbrëmje festive  të pranishmit u argëtuan me zërin e këngëtarit të mirënjohur Beqir Telaku, i ardhur enkas nga Sllovenia, duke zgjatur festa deri në orët e mesnatës.

Ishte kronologji e një fundjavë vërtetë festive me veprimtari dedikuar 11-të vjetorit të Pavarësisë Kosovës në Itali, dhe do ta përfundojë me mesazhin e urimit: Unë biri yt Kosovë – kudo që ndodhem  për ty festoj!

Fund –Shkurt 2019



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora