E enjte, 28.03.2024, 11:47 PM (GMT)

Kulturë

Pjetër Cara: Vargje për vlerat e kombit

E premte, 01.03.2019, 09:04 PM


Pjetër Cara

BUQETË  VARGJESH  PËR  VLERAT  E  KOMBIT

TUNGJATJETA  DRITERO  AGOLLI!

Tungjatjeta Dritero!

Në kujtesën e botës ju keni hyrë

me këngën kushtrim e baltën e Devollit.

Prandaj mos u prish aspak në fytyrë,

se nuk i lëmë bubazhelët të fyejnë nderin e trollit!

Vërtetë demokracia na mësoi si ta mundim frikën,

por Ti në zemrën e popullit e ke ngulur karrigen...

Tungjatjeta Dritero!

Si nuk iu tha gjuha bubazhelit

kur një ditë villte vrer aty te sqolli:

“Korba e sorra dëgjoni, qysh “kriminelit”

i ngjante ky Dritero Agolli...?!

Por fjala jote bubazhel është si kakërdhia e urrejtjes

që e bën këlyshi kur ngordh nga hija e vdekjes.

Tungjatjeta Dritero!

Këngët tuaja të nxjerra nga goja e ujkut

janë veshur si për festë thjesht’ e bukur

me një copë pëlhurë të përgjakur të luftës.

Janë rreshkur brazdave me parmendën e bujkut,

Gatuar në magjet shqiptare me majan e bukës

dhe duke mbledhur lëndinave nektarin si flutur.

Prandaj në altarin e kohës të ngjiti e vërteta,

se mediokritetin e rrahe sa munde me purteka.

Tungjatjeta Dritero!

Mos u mërzit se ç’ thotë ky bubazhel.

Këngët tuaja u rritën në strehët e shtëpive,

u thekën mbi malet ku dielli syrin e çel

dhe shpërthyen me sythët e njomë të hardhive.

Këngët tuaja si demon shaluan lartësitë

që balli i kombit të kishte më shumë dritë.

Tungjatjeta Dritero!

Këngët tuaja e burrëruan njerinë,

e freskuan me flladin e gurrës popullore,

i futën në deje e në gjak trimërinë

dhe në shtigjet e dritës e morën përdore.

Me zjarrin e vargjeve e ngrohët bubazhelin e gjorë

kur binte shi dhe kur çirrej tufani me borë.

Tungjatjeta Dritero!

Ky bubazhel qenka debil i shkreti,

apo mos ka luajtur sonte nga feqiri?

Kënga jote gjëmon brigjeve si tallaz deti

kur rreziku i frynë bulçitë te briri.

Ti u rrite si fije bari nëpër gurë

dhe kulaçi i Adheut të bëri burrë.

Tungjatjeta Dritero!

Ju e ndatë shpirtin tuaj nga trupi...

Veç nga truri i kombit nuk ndaheni kurrë!

Bubazhel, si nuk të ra pika nga turpi,

ty që në gjendjen civile nuk njihesh si burrë?

Poeti u tret lëndinave të poezisë për të moçmen

dhe si qiriu po shkrihet tani në libra për të sotmen!

Tungjatjeta Dritero!

Barrët e shekullit i mbajte mbi supe

dhe mendimet nuk t’i poqi kush në hell.

Rrugës së lodhshme kurrë nuk u tute

e në syt’ e armiqëve paqe ke mbjell.

Fjalën shqipe në zemër me ylbere e gatove

dhe me mushtin e vargut tënd na ëmbëlsove.

Tungjatjeta Dritero!

Ku ishe futur dje ti fatzi bubazhel

kur me Zylon luftonte ashpër Driteroi?

Dhe thahej si trari në hije mbi çengel

kur zhurmën e erërave të dikurshme ty të kujtoi?

Hostenin e sarkazmës ua nguli fort hijeve të shkuara,

mbi fytyrën e Nënës mos të skuqnin vezë të helmuara.

Tungjatjeta Driteroi!

Ia këndova këngët tuaja bubazhel fakirit

e i thashë që ato tërë jetën e grisën errësirën.

Të qartë ia bëra, se ke qëndruar mes “kufirit,

ku ndaheshin e keqja me të mirën”.1

Se kënga jote më shumë se një margaritar shkëlqen,

Andaj mos të shikojë “hirin, se të zotin në libra e gjen!”2

Tungjatjeta Dritero!

Këtij bubazheli që bluan mllefe në mokër

dhe për Yjet ditën kërkon të endë qefinë,

do t’i themi:”Nu ke vend në sofër,

se me ne do të rrijë Ai që e bëri vërtetë historinë!”

Pusho Dritero n’përjetësi të marrësh një sy gjumë

në zemrat tona, se je lodhur kaq shumë!

MIRËSEERDHE, KADARE !

Në përvjetorin e lindjes së tij, me respekt e mirënjohje!

Pyesje dikur pse mendoheshin malet,

kurse dhimbja e tyre ikte nëpër botë!

Dashuria e atdheut shpërthen e nuk ndalet

që sot zemrën tënde sërishmi ta ngrohë...!

Dimrat janë arratisur larg matanë reve

e voglushët kërkojnë t’u tregosh një përrallë.

Argjiroja e djeg flakë mallin e Aneve

dhe malsorët etjen ta shuajnë me një dhallë...!

N’Dardani çdo dit’ për ty grisen daullet

e krushqit zbukurohen me palët e flamurit.

Mirënjohja juaj për miqt’ mbi varret përkulet,

kurse dasmat i qethin spic mustaqet e burrit...!

Me ankth po të pret edhe zilja e shkollarëve

t’u japësh një kronikë të thekur për shekullin.

Muza shqipe të pret te Lidhja e Shkrimtarëve

që gur’ të çmuar sërish të latosh për tempullin...!

Kainit thon’ se ia ka marrë puplat era

dhe memurët e pallateve rrëzave fshihen...!

Sot me lule të freskëta po të pret pranvera,

ndërsa diku afër në xhade ylberet ndizen...!

Fama e penës tënde e solli Doruntinën

dhe hingëllima e kalit ësht’ zhdukur me natën...!

Në syt’ e t’ardhmes Manushaqja me Trëndelinën

kanë nisur një koncert plot këngë për paqen...!

Patjetër në zemrën e kombit je ulur vendçe

e për hallet e tija bisedoni me kohën...!

Një perlë Mashkullore ose diku prej Bënçe

me kujdes nga guna e shekullit pastron llohën...!

Të gjithë të duam, Kadare...

Me lulet në maj, n`mot me re!

MIRËMËNGJES, NËNË  MARA!

Me shumë dashuri e mirënjohje nënave veterane!

Plagët e luftës të thernin në zemër...,

i morën të ndjerët kur fekste liria!

Ndonëse në shpirt t’u ngul fort një emër,

ece mes breshërit mbi shkarpa e karthia!

Kur mësove dje abacen’ e jetës,

balli t’ndriste si livadh me lulkuqe.

Ankthet i fshihje nën zhgunin e t’vjetrës

që na la pas një vandak plot me huqe.

Errsira e shekujve të ngrinte prita

me gardhe thashethemesh e intrigash.

Ty nuk ta bëri tërrt syri nga frika

kur shpagimi bënte gjueti shtrigash...!

E nise yryshin porsi rrufeja

me i ngrit lapidar emancipimit.

Prapambetjen e verbonte e reja

që vinte mbi krahët e përparimit...

Ta themi mes nesh, hatri mos të mbesë,

se ndonjë ashkël s’e gdhende dot kurrë!

T’keqen e përzure me besa-besë...

përmes dallgëve t’jetës porsi burrë!

Dje e shponim shpesh me hosten imazhin

e gjumit që zbriste shpejt mbi qepalla,

se hokat e ëmbla, porsi silazhin,

tër’ natën grinin një deng me kopalla!

Prej frikës iknim vrap si çilimitë,

kur ngulje këmb’ se kështu thot’ partia...!

Çuditesh që s’i bëre mir’ llogaritë,

mësime të tjera paska historia...!

Mundimet i fale kësaj njerzie

me çliruar t’ardhmen nga ferexheja.

Nderimin mbrujm’ me grimca dashurie...,

mos harro, t’vjetrën e qorton e reja!

Ndodh t’rendim pas berihajt te ograja

lëmejtë e kohës fort për t’i shirë...

T’lutem, mos bërtit që u prish dynjaja,

plot gjëra na mëson jeta e lirë!

Kur brazdave t’kohës breznit’ e ardhme

do ta mbrehin vrullin të shkojn’ përpara,

te dritaria e shpirtit si këng’ e paçme

do t’vij’ urimi: mirëmëngjes, nën’ Mara!

?

TE  VARRI  I  PARTIZANIT...

Baladë

Zhduket në rè si një lepur i trembur

drapëri i hënës këtë  natë prilli.

Në ato hone ëndrra i kishte mbetur,

përmbi varr vajton koha si bilbili!

Siç lë tymi zjarrin, i iku fryma

me kokën t’ mbështetur n’ qytën e pushkës!

Gëzhojat e luftës i mërdhihte bryma,

i përgjakur rend çlirimi përmes fushës!

Katër dekada e zgjuan mëngjeset

me aromë lulesh mbi piedestal…

Një natë me reshje e sulmuan streset,

pllaka e relike ia hodhën në mal!

Nga dregëzat e plagëve rridhte gjak

mbi barin e njomë t’ djegur nga mllefet.

Ç’ t’i bësh, kur harbuti të bitis’ në prag,

me qefin dhimbjesh i mbështjellim dertet!

Shporru çudi, kujtimi për të rënët,

në syt’ e mëngjeseve qenka tretur!

Me lisat në male i zgjasin rrënjët,

mbrëmjeve n’ altare ylber kanë mbetur.

?

... QË   ZAMBAKËT    LULZOJNË

Këngë

Ku shndrit dielli në syt’ e maleve,

Ku del hana si harku i drapërit,

Ku nusron guri i Shqipeve,

I përkëdhelte shteti i Arbërit!

Në fusha e kodra përbri malit

mbinë themelet e Perlatit...

K’tu çel’ syt’ jeta e Preng Palit

mes lëndinave larg prej fatit...

Çlirimtarja e ngroh me fjalë

për shumë drama të mjerimit,

Si të gatiteshin n’mal me dalë

ball’ kulçedrave të pushtimit...!

Dheu rënkonte prej robërisë...!

Zemra e trimit si flakadan,

bashk’ me vrullin e shqiptarisë

digjnin të keqen porsi vullkan!

Shpresë-besim i fal me vete

dashuria e nanë Marës...

Besë-trimni si amanete

i jep Pali, kur nisej drejt brigadës!

Gjëmon moti në fund të dimrit,

Partizanët çajnë stuhinë...!

Shqipja pret dit’n e çlirimit,

këmba-këmbës e ndjek tradhtinë...!

Errson malin tisi i natës,

bora e shkurtit e ngrin’ kallkan...!

Rend i pari n’krye të brigadës

si rrufe, bashk’ me yllin partizan!

Larg diku, buz’ malit Skënderbej

armiqtë pritën kishin ngritur...!

Vrulli i Prengës seç shpërthej

shpejt trathtinë me e krasitur...!

Përpinë kreshtat zemërimi

edhe krismat e ndezën malin...!

Në krah t’ fitores erdh flijimi...,

Përjetsia muar Preng’ Palin...!

Refreni

Në kujtesë të mban Mirdita,

Trimërit’ tuaja shpejt e zgjojnë...

Liris’ jetën seç ia shndritka

gjaku yt, që zambakët të lulzojnë...!

TE SHTËPIA E LIDHJES...1

Ankthi ndër mote mua më trette

që pak çaste të pushoja në Kosovë.

Dhe shpeshherë mendoja me vete:

a ishin tharë zambakët n’Shtimje e Slivovë?  2

Kjo dëshirë vazhdonte çdo ditë refrenin,

shpresat e çonin atë drejt zgjidhjes...

Dhe ja, erdhi çasti, ta puthja Prizrenin,

musht historie të pija te shtëpia e Lidhjes...

Në rrugicat e ngushta, në kalldrëmet e bukura,  3

mikpritjes që në Zhur i digjej xhani...

Dhe përshëndetjet më rrethonin si flutura,

kurse Ymeri priste me Vokshin te shatervani.

Beslidhja kish ngjeshur armët n’trup të Shqiponjës  4

e në Bistricë po lante shpatën Skënderi...

Kudo mprihnin dhëmbët të vegjëlit e ulkonjës

dhe shekulli Therandën në zemër e theri.

Grykave t’Karadakut ecte Dibra me kësula t’rrafshta  5

e Frashërit me trimat ia hapte shtigjet fukaraja.

Drejt Gjakovës zbriste Drenica me tirqe të trasha,

ndërsa demoni i kryegritjeve thërriste nga kalaja...

Krenaria jonë u përqafua me burrërinë shqiptare  6

dhe drejt zemrës së Kosovës ikte me flatra...

Të rënët në Prishtin’ e gjuanin robërin’ me batare,

ndërsa kureshtja si mace na lëpihej përmbrapa...

1. Shtëpia e Lidhjes– Shtëpia, ku u mblodh Lidhja Shqiptare e Prizrenit. 2. Shtimja e Slivova– treva të Kosovës, ku më 25.03.1881 Dervish Pasha turk me ushtri të armatosur e me tradhti pushtoi Shkupin dhe pas luftimeve të përgjakura në Shtimje e Slivovë, hyri në Prizren.

3. Zhuri– fshat i Prizrenit. Ymer Prizreni– ish klerik patriot e kryeministër i parë i qverisë së LShP. Sulejman Vokshi– ish drejtues i LShP e ish ministër i Mbrojtjes së kësaj qeverie. Skënderi– Gjergj Kastrioti Skënderbeu, hero i kombit. Bistrica– lumë. Theranda– emëri i Prizrenit në kohën e antikitetit, ku banonte fisi ilir i Dardanëve. 5. Karadaku e Dibra, Gjakova e Drenica- treva të Kosovës. 6. Prishtina– kryeqyeti i Kosovës me një kontribut historik për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e saj.

O,  P R I T E,  A Z E M    G A L I C Ë N !

Mos ma shaj Arifin, ore lab i qeshur,

se porsi dashin verës, kam për të qethur.

Me sokllimën “prite Azem Galicën”,

mbi Kosovën trime Ai e shkrin ngricën.

N’shekuj Dardania ec me këmb’ të plasura,

del nga dheu iliri me buz’  t’ përgjakura.

Kandar’ i historis’ godet Evropën plakë,

se zemra e Kosovës digjet nëpër flakë!

Bjeshkët mbush me plag’ nga lubia e vjetër,

varre, vetëm varre, nxijnë në çdo metër!

Rënkon tok’ e lasht’ nga mijra amanete

se syt’ ua përvëluan krajl e dovlete!

Mos ma shaj Arifin, labi shakaxhi,

se për bes’ dyarin ta bëj shkrumb e hi!

Miqësi mbi plehra, jo, nuk mund të rritet,

as gjuha e një kombi me gërshërë s’pritet!

Nuk ka vend për vete krajli n’zemër të tij...

Kosovari ngren male me dashuri.

S’e duron kafazin se është shum’ fsnik,

i buzqesh vëllazërimi fort mbi qerpik.

Nuk u meket zëri, as bien’ në gërb,  1

se e vranë frikën që në Stari Tërg.

Kosova, lajtmotiv i trimërisë epike,

që e ndezi prush epokën historike.

Prej Sharrit në Prizren i mbulon një flamur,

nga Ulqini n’Manastir jeta mbet uverturë.

Prandaj lab i qeshur, ne nuk ndjejmë ndryshe,

veç si kosovarët, kur fluturojn’ si qyqe.

Që s’punojn’ për krajla, ia kan’ thënë globit,

dhe po qe nevoja gjoksin ia vënë topit...

Leri bijt’ e Lokes të rrinë në hall të vet,

se “nga një pashà e kanë gatit për vjet”.  2

Refreni i lubisë: asimilimi,

qiellit kosovar po vjell gjak tërbimi!

Mesazhi i Kosovës po e shkrin ngricën:

hej, po ma zure diellin, prite Azem Galicën!

Mos ma shaj Arifin, labi i Kuzbabasë,

se ta nduk thëllënxën në syt’ e dynjasë.

Digje curlën tënde nëpër ligjërime

me një himn të zjarrtë për Kosovën trime!

1. Azem e Shota Galica (Kosovë) – luftëtarë për liri e pavarësi kombëtare, heronj të popullit.

2. gërb – kërdhokulla, këllqet. 3. varg i një kënge popullore që këndohet në veri.

KRAJLIT  IA  NUMROI    LULE    BALLIT

Mëngjeseve sykaltër e netëve me ngrica

sa herë me shokët dilnim bashkë në shërbim,

Më dukej se zbriste, si dikur, nga Drenica

Shota mes trimave si më i bukuri trim.

Furtunave kur shkonim shpesh në Has

të zinim pritat me vrap shtigjeve në currat,

Më dukej se vinte ngadalë e buzagaz

dhe për lirinë Ajo kuvendonte me burrat.

Tek hapnin taraca, ku rritet boronica,

çikat trpojane në faqe të malit,

Jehonte fort zëri i saj larg nga Mitrovica

kur krajlit ia numroi në lule të ballit.

Pranverës mbi supet e Kukësit të ri

çdo natë hedhin lule kumbulla e molla,

Ndërsa Shota kreshnike në piedestal rri

dhe shmallet përjetësisht me syt’ nga Kosova.

Kur vjen vapa dhe zverdhen fushat me grunja,

larg e lëshon piskamën, si dikur gjer në re...

Dhe në krye të kollonës del nga Fushë Kruja

të përshëndesë me këngë bukën e re...

1.Shota Azem Galica- luftëtare për liri e pavarësi, heroinë e popullit.

DO  T’I  ÇELË  LULET  MOLLA...

Në Dardani...

gjuha e flakëve në mes të drekës

sytë e ditëve desh t’i përzhiste!

Kur po shihte ëndrra, zërin e jetës,

me top egërsia fort e godiste!

Në Dardani...

shkrumbonin kudo dhe fijet e barit,

gjithandej pemët lotonin nga tymtaja!

Meraku i grave mekej prej të qarit,

ninulla mbi djep u shua nga hataja!

Në Dardani...

ishin malcue plagët e Azemit!

Thell’ varreve gjëmonin amanetet!

Kollitej historia prej veremit,

ngujimi në pragje përcillte dertet!

Në Dardani...

ankthi i fëmij’ve dridhej si shelgu

futur strehëve diku nëpër shkolla!

Zërim i t’rënëve jehon te bregu:

“Përsëri do t’i çelë lulet molla!”

DRENICË,  GJAKU  YNË...

Tis i nxirë i padrejtësive të kohës

sot ty të shenjtëroi emër e fytyrë!

Atje mbi lulet hidhej furia e llohës,

ndonëse më thellë zemrave kishe hyrë!

Iku dashuria nga qenia e harbutit,

çmenduria e shekujve mëni barbarinë.

Lëvrinin mllefet poshtë velit të virtutit,

Lavdisë, vdekja i mohon ceremoninë!

Nëna i tregoi që herët kufijt’ flirtit,

murtaja i poq zemrat flakës së barutit!

Ti i këpute, si dikur, vargojt e shpirtit,

s’mund të flinte fati urave të tabutit!

Thërmove sakrificat në goj’ të lubisë,

bukurin tënde lakmojnë tragjeditë.

Ajo ësht’ betim e luft’, drit’ e barazisë,

ndër mote si lulnajë do shpërthej’ çdo ditë.

Oreksi i dinakëris’ gëlltit dështimet,

Cinizmi shoven përvesh turijtë me tallje...

Vullneti i grabitësit lyp si pron’ gëzimet,

Harron miti, se nuk ka varre pa ringjallje!

Predhat e urrejtjes n’vigjilje t’pranverës

u vërsulën ta verbonin dritën e syve!

Por vijnë martirët me stuhitë e erës,

Rrjedh gjirit të nënave qumshti i çudive!

Gjëmët e ngjirura në sup të hidhrimeve

ngadalsin’ e botës gjuajnë me shuplakë!

N’studiot diplomate kapriçot e mashtrimeve

po luajnë symbyllazi dit’ edhe natë.

Zgalem në horizont po klith përkushtimi:

Honeve të dyshimit jo të bjer’ liria!

As e vërteta jote të vuaj’ nga lëngimi,

N’altar të vlerave mbetet përjetësia.

Për Ty e përzhiti ky afsh dhembshurie

ballin e qëndresës të popullit tim!

Mençuria mbledh kudo grimca mirësie

larg e larg nëpër botë për të gjet shpërim.

Besimi për të vërtetën ec mes plumbave,

Dhimbjet na tronditën, ah, porsi tërmete!

E ardhmja po vjen mbi krahët e pëllumbave,

Pra, trimërohu motër, se na ke me vete!

Ëndrrat e brishta, jo kurrë, nuk do të vriten,

sado t’i kafshoj’ uria me ligësinë!

Majave të Dardanisë madhështit’ rriten,

Qerpiku i voglushit shkruan historinë...

Vërtet’ je krenaria, adhurimi ynë,

që pulsojnë trimëri damarit të mëngjesit!

Për ty dashuria kurrë nuk e mbyll synë,

le të lindin shpresat pa zalinë e stresit...

Fluturon kjo këng’ e ngrohtë si rekuiem

te plagët e tua që t’i lidhë frakturat...

Britma e çlirimit për Loken është melhem,

do të shporret e keqja ashtu si diktaturat!

TELAT  E  KITARËS

Jusuf e Bardhosh Gërvallës me dhimbje e dashuri!

Bredh jehona e telave të kitarës

lëndinave të buta të shpirtit tim...

Leht’ e dhel zëri i djalit të Gërvallës

zemrën e Nënës, të mbytur në vajtim!

Tingujt e trishtë pushtojn’ fusha e kreshta,

njerëzinë pa dashur seç e rrënqethin!

Mesazhet vijn’ si luftëtarët në rreshta

dhe trishtimin me frikën kare i qethin!

Ah, këta tela kitare, shum’ larg diku,

ekzekutuan simfoninë e zharritjes!

Nuri i Kosovës mos t’kthehej në kërcu,

e ardhmja t’rritej brazdave të përtëritjes!

S’ndryshket, as thyhet tastiera e kitarës...

Po qe nevoja damarët tan’ i bëjm’ tela:

Përjetësia ta përcjell’ thirrjen e Gërvallës,

që kurr’ robëria të gdhihet mbi thela!

Ah, këta tela kitare, botën peshë

e ngritën kur lind dielli e kur fryn stuhi!

Shpirtërat i dogjën flakadan si eshkë,

hirin si ushqim për rrënjët tua, i liri!

NË AEROPORT...

Mirënjohje për Kadri Zekën e bashkëshorten e tij, Saime!

Gëzimi vrapoi mjaft larg i drithëruar

të përcillte në Zyrih dritën e syrit!

Vërtetë te holli zemrën ma ka lënduar

fisnikja syzez’, si kokrra e ullirit!

N’bebëza dukeshin branat e trishtimit

të shkaktuara nga krismat e lanetit!

Lule t’freskta shfaqen rrokjet e betimit

vënë si kuror’ te koka e kiametit!

Mirësia si mjalt mirnjohjen na fali,

ndërsa dituria ngjitej në t’përpjeta...

Pyetja miqësore zërin n’buz’ e ndali:

“A s’të kujtohet ndopak njaj Kadri Zeka?!”

Mornicat me gjemba fort ma shpuan kujtesën,

e ardhmja me çdo kusht i takonte Lokes!

Nuk i përfilli kamxhikët, as dhe shqotën,

plagët liris’ ia lidhi me tufat e xhokes!

Rasti na përshëndeti se s’kishte më nge,

keqardhjen e kurajon i nisa në Bern!

Vëllaz’ria m’pëshpëriti: “quhet Saime!”

Kur pezmimi i saj fluturoi në Lucern...!

MOS  MA  PREK  HISEN  E  DIELLIT...!

Kosovë,

plis i përgjakur i Dardanisë!

Mirënjohja përkulet ndaj trollit të djegur,

lidhur në shekuj me shiritat e zisë...!

Gjëmët tua botën e kanë tretur,

t’i fshinte lotët me pëllëmbën e saj

që e ardhmja mos të shkrihej në vaj...!

Kosovë,

hiseja më e plleshme e Ilirisë!

Armët i vare mbi supet e maleve,

Shënjestrën e ngule në ball të historisë

kur dertet ngrinin në çadrat e karvaneve.

Kancelaritë i gërvishti emri yt,

koha mos ta hidhte litarin në fyt...!

Kosovë,

djep shpresash e këngësh epike

krijuar mbi pentagramet e luftërave!

Rrëke gjaku e bëmave heroike,

fush’ ëndrrash n’hambarin e drithërave.

N’batak hidhërimi, n’merat’ e gëzimeve,

thell’ e ke shtrirë boshtin e rrënjëve...

Kosovë,

rogë vuajtjesh në hartën e Evropës

dërmish nga prangat dhe përndjekja!

Rreze mençurie në podjumet e botës,

n’murin e vendosmëris’ thyen kokën vdekja.

Kultura bëri roje pranë gjumit të fëmij’ve,

sa herë të shqyen kthetrat e hipokrizive...!

Kosovë,

sa bisht përdredhur paska qenë historia,

të mos i dëgjonte dufet e rënkimeve

që ndër mote të dhuroi padrejtësia

kur mblidhte kafshatën krenaria e dhimbjeve!

Sot zëri yt veshin ua shurdhon tokës e qiellit:

“Kush mos të ma prekë hisen e diellit...!”

NJË  PËLLUMB  TREGON...!

Fshehur në gjethet e selvisë,

struk një pëllumb me bisht të ndukur.

Tremb nga krismat e gjëmët e zisë,

te kafazi më s’ishte dukur!

Flur mbi male e vrap në fusha

me zemër të dridhur pa ndalim.

Te selvia e pret gëmusha,

në shtetin Amë ka gjet pushim...

Ndonëse vaj me lot e lanë,

dyert e zemrave janë hap këtu!

Dhembshuria e merr pranë,

i lëmon puplat me gugu...

Llahtaria e kish këputur,

i trishtuar nis me treguar:

“Mijra bebëza në dhe futur,

flaka e tymi i ka mbuluar!

Rend laneti me urë në dorë,

tok’ e shtëpi i bëri shkrumb!

Më te mrizet nuk ka këmborë

dhe bilbili në pyje humb!

Nëpër kopshte e nëpër shkolla

gëzimet s’mblidhen sërish tok!

Trimërinë e kall grykholla,

topi i hasmit s’e mposht dot!

Edhe çerdhet bashkë me varret

sot laneti i ka përdhosur!

Tek ujvara po vjen të shmallet

hitoria e sakatosur!

Dashuria mbi altar salikon

përjetësin’ e çdo martiri!

Veç urrejtja larg në front turfullon,

në beteja u flijua më i miri!

Plagët i therin bac Azemit

me sokolat në pritë ngujuar!

Tret Polluzha prej veremit

thërret Jasharët me luftuar!”

Historia i tundi gishtin:

“Na i la trojet lashtësia!

Ik lanet, mos e dridh bishtin,

se nuk vriten ëndrrat e mia!”

Menjëherë ndjeu lehtësim

kur e dhelte fort shoqëria:

“A dalim pakëz në fluturim

të shikojm’ si ësht’ Shqipëria?

Largo dhimbjen pëllumb i mirë,

Shpresat çelin bashkë me lulet!

N’çerdhe t’vjetër shko me dëshirë,

se Kosova kurrë s’përkulet!”

D A R D A N I..

Tmerri kthetrat i ka shtrirë

mbi çdo fshat e mbi çetinë.

Treten shpresat në hap’sirë,

kosa e vdekjes bën kërdinë!

Shkretuan vatrat, zharritën lulet,

gëzimet morën arratinë...!

Pëllumb’ i paqes shpejt do ulet

mbi Prizren e mbi Prishtinë.

S’bëri Lokja natë të qetë,

donin t’i vidhnin krejt lirinë!

Në damar rrjedh gjak i njejtë

dera hapur për vëllazërinë.

Një mëngjes rreh flatrat gëzimi

nga një çadër në fushë Devoll...!

Për ditlindjen e një kërthini

sihariqi erdhi në holl!

S’don me ditur ç’bën zamani,

përjetësia çel sythe të reja.

I buzqesh jetës fort Dardani,

porsi dielli që del nga reja!

Ngrihen gotat gjer në Drenovë

për këtë trashëgimtarë!

Do ta djegim në Kosovë

për mijëra lindje si ushtarë!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora