Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Sythat parapranverorë

| E premte, 01.03.2019, 09:24 PM |


Sythat parapranverorë

Nga Blerim Rrecaj

Po fryn një erë e lehtë parapranverore. Drunjët janë mbushur me sytha si lloj frutash të vogla e të freskëta, të kuqëllimta e bardhoshe që të dhurojnë kënaqësi embëloshe duke i soditur, diku duken si qershi, diku si shega, e diku si thelba hudhrash e koka qepësh të reja. Sodit çaste në këto ditë, fresko mendjen, zemrën, sytë...Para pak ditësh kjo binte në sy, e dje e sot te këta sytha që po ngrenë kokën kanë vërshuar një grumbull bletësh që s'u zihet vendi vend, që krijojnë një pluhur të lehtë e të mezi vërejtshëm poleni që bie dhe të cilin e end andej-këtej veku i kësaj puhie paksa të vakët, e shëndritëse me ritme e rreze dielli që krijojnë dritë-hije të këndshme. Trumcakët e pëllumbat të disponuar për fluturime sikur të kishin dalë nga ëmbëltoret, e si t'i kish qerasur kush me tullumba e limonada u japin krahëve sikur të ishte farë feste, a farë dite e shënuar, me mjaft entuziazëm e energji. Në degën e një fidani që po rritet, skaj një qoshku të një oborri shkolle, të thurrur me tela metalikë, është kah rri një pupël e bardhë, e buta pupël shpendi, e cila është mbështjellur fort për copës së kësaj dege horizontale me një syth të paçelur në majë, si e tërhequr nga farë force magnetike, cilën e ledhaton kjo puhi paksa e vakët, valë-valë, me dashuri e më mall. Më tej, në një tjetër mjedis, një merimangë, kacavirret për një fije të hollë e të gjatë, të një tufe lulesh ngjyrë hirtë, si një lloj përzirje ngjyrash, e të kaltërtës e të gjelbërtës vezulluese, mbledhur si iriq, të cilat janë në rrugë të mbarë për të çelë, e për t'i ngritur dhe fije tjera, lart si antena, për të tërhequr flutura e bletë, e insekte me a pa fletë. Këto pamje hapësirash të ngushta, që na mbledhin, e paksa na ushqejnë, na bëjnë të ëndërrojmë syhapur, me sytë katër, derisa hyjmë rrugëve të tollovishme (me shqetësime për pluhurin e pragpranverës) për shije stinësh të tjetërllojta, duke e ditur se të mbërthyer nga vargu i halleve të pandashme shoqërore, kombëtare e personale s'do ta kemi lehtë, e kushedi sa kohë do bartim zingjirë të tillë për trupshpirtrat tanë t'rënduar e t'lënduar thellë. Sidoqoftë sërish shkoi dhe ky shkurt 28 ditësh, dhe hyjmë e po rrugëtojmë drejt stinës reale e simbolike të gjallërisë...E kush e tha, që ne shqiptarët e kemi një shprehje të rrallë, kur e pyesim tjetrin, a njëri-tjetrin: "A je gjallë!..."