E shtune, 21.09.2019, 03:56 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kur kështjella shndërrohet në kala, kurse gjella në vakt

E merkure, 27.02.2019, 08:36 PM



Kur kështjella shndërrohet në kala, kurse gjella në vakt (arab. kohë)

Nga Gani Mehmetaj

1.

Gjatë punë sime në përgatitjen e librit ”Qytetet antike e mesjetare të Dardanisë e Shqipërisë” në veb faqe, portale, Vikipedia, madje edhe në punime shkencore shqiptare nuk e gjeta asnjë kështjellë antike e mesjetare nga Shkupi në Gjirokastër me emërtimin shqip kështjellë, kështjella, por me emrin turk kala. Ndër të rrallët është Ismail Kadare që e emërton romanin e tij "Kështjella", ndërsa sikur t'i përmbahej Fjalorit të Shqipes së Sotme , do ta quante me fjalën turke "Kalaja".

Nuk është vështirë të dihet si u zëvendësua fjala kështjellë me fjalën turke kala, por është e pakuptueshme pse sajuesit e Fjalorit të Shqipes së Sotme nuk e hoqën këtë fjalë të huaj nga shqipja. Kala-ja, shkruan FSHS është: "vend i rrethuar me mure të larta e të trasha dhe i pajisur me mjete luftarake për t'u mbrojtur për një kohë të gjatë". Disa faqe më vonë edhe për fjalën shqipe kështjellë-a , prapë e shpjegon me fjalën turke kala: "e pajisur me mjete luftarake etj."

E di që po deshe ta ndërtosh një fjali me bie fjala “Kështjellarët ishin trima” nuk është vështirë, mirëpo nuk e kam idenë si do të thuhej me fjalën kala” “Kalaistët, apo kalarët ishin trima!’ Pse duhet të dalim qesharak me një fjalë që s’ke si e ndërton një fjali.

2.

Hëngri vetëm dy vakte, e hasa në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Po u përkthye fjala vakt nga arabishtja në shqipe dmth hëngri vetëm dy kohë. A hahet koha në vend të shujtës, gjellës, ushqimit? Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme, koha, vakti, hahet që ç'ke me te në trajtën arabe origjinale, sepse në shqipe del qesharake!

Prandaj filmat e Digit Albit të mërzisin me përkthimin prej idiotësh kur në vend të thonë hëngri një shujtë, një ushqim a një gjellë, ia fusin hëngri një vakt!

Fjalori i Shqipes së Sotme shujtën, ushqimin, gjellën e ka zëvendësuar me fjalën arabe vakt ( dmth kohë) . Shpjegim i FSSH-së: Vakt, i (bisedore) shih kohë, vakti i drekës, kohë e caktuar kur hahet dreka", që shqip i bie kohë e kohës. Apo koha kur hanë kohë!

Dhe përkthyesit e filmave pastaj e përdorin vakt e pa vakt, sikurse ua ka ënda t'i thonë arabisht, në vend të thoshin kohë e pa kohë.

Në fëmijërinë time mësuesit tonë të mirë, ish nxënës të shkollave të Ernest Koliqit, "vaktit" të FSSH-së i thoshin shujtë, ushqim, gjellë (shujtë mëngjesi, ushqim dreke, gjellë darke etj.)

Fjalori ynë i pandryshueshëm thotë se shujtë, gjellë, ushqim është krahinorizëm, kurse vakt, bisedore, prandaj e përdorin i madh e i vogël në Shqipëri vakt në vend të shujtës, sepse në Dardani e Maqedoni askush nuk e thotë hëngra dy vakte, por hëngra dy shujta a hëngra dy gjella.

3

Çakmak- u, mjet i vogël xhepi për të bërë zjarr, shkruan në Fjalorin e Shqipes së Sotme. Çakmak është fjalë turke, ndërsa fjalori nuk e thotë. Ndërkaq për fjalën shkrepës, shkruan se është kleçkë druri e lyer në maje me një lëndë që merr flakë lehtë duke u fërkuar. Në fëmijërinë time e kemi dalluar fije shkrepëse (kleçkë me parafinë, sipas fjalorit ) nga shkrepëse, një kuti e vogël metalike me vajguri e strall brenda, kryesisht prodhim austriak, me të cilën pleqtë tanë e ndiznin duhanin kontrabandë e cigaren e fabrikës. Kishim edhe kuti shkrepëse me 50 fije të lyer me parafinë, që dallohej nga shkrepëse e nga fijet e shkrepëses.

Kamerierët e bregdetit shqiptar nuk të kuptojnë kur ua kërkon shkrepësen, por të marrin vesh më të parën kur u thua turqisht çakmak. Për krahasim e pyeta këto ditë kamerierin torbësh (goran) turqisht folës në Shkup: Si i thonë turqisht shkrepëses? - Çakmak, - ma ktheu me të parën. Turqisht folësi e kuptonte fjalën shqipe shkrepëse dhe nuk të shihte si hut, ndërsa kamerieri shqiptar pa u skuqur të thoshte se nuk të kupton, fol shqip, ndërsa shqip sipas tij ishte çakmak. Shqip është edhe sipas Fjalorit. Ndërkaq, të gjithë shqiptarët sipëri Drinit që janë mbi 3 milion fjalës turke çakmak, shkrepëse i thonë edhe sot e kësaj dite.

Kështjella e Krujës a kalaja e Krujës?



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT