E enjte, 28.03.2024, 11:21 AM (GMT)

Kulturë

Bashkim Saliasi: Poezi që shigjetojnë të keqen dhe afirmojnë përvoja e vlera

E marte, 26.02.2019, 07:25 PM


Poezi që shigjetojnë të keqen dhe afirmojnë përvoja e vlera

Duke lexuar krijimtarinë poetike të shkrimtares Emine S. Hoti

Nga Bashkim SALIASI, gazetar e shkrimtar, Tiranë

Këto ditë mora në dorë, dhuratë nga miku im Viron Kona, librat e shkrimtares shqiptare-norvegjeze me titull “Pyesni zemrën”,  “Feniks” dhe  “Simfonitë e jetës”. I vendosa në bibliotekën time për arsye se kohën e kisha të zënë. Sime shoqe, Angjelinës, i tërhoqi vëmendjen libri me poezi i titulluar “Feniks” dhe iu fut leximit. Pas rreth dy orësh ajo më afrohet ngadalë për të mos më tërhequr vëmendjen dhe nisi të bëj vlerësimin e saj të përmbledhur në pak fjalë:

-Ja vlen të lexosh këtë shkrimtare dinjitoze dhe të drejtpërdrejtë, - tha ajo.

Pasdite nisa të lexoj njëri pas tjetrit të tre librat e zonjës Emine S. Hoti dhe, teksa në mbrëmje vonë mbylla faqen e fundit, ndjeva se kisha ofruar rreth vetes një botë shpirtërore të mbushur me ndjenja të thella shpirtërore, mendime, shqetësime dhe emocione. Në secilin libër gjeta të veçantën e vet, si në stilin e të shkruarit, ashtu dhe në mënyrën e ndërtimit të vargut.

Shkrimtarja është e drejtpërdrejtë dhe, në poezitë e saj, ndien puhizat e pranverës që të ledhatojnë me freskinë e tyre, por dhe të ndriçojnë mendjen. Ashtu si sythet e pemëve që shpërthejnë ngadalë dhe marrin jetë me ardhjen e pranverës të ndihmuara nga ajri i ngrohtë, edhe në poezinë e z Emine S. Hotit ndien ngrohtësinë e shpirtit dhe ëmbëlsinë e përcjelljes së mesazhit nga autori te lexuesi, qetë dhe ëmbëlsisht, ndërkohë që te personazhet, portretizimet dhe ndjenjat që ata shfaqin, gjen dashurinë dhe mirëkuptimin, tolerancën dhe respektin njerëzor, e mbi të gjitha lirinë dhe dashurinë për vlerat e vërteta njerëzore dhe virtytet, që duhet të karakterizojnë njeriun e mirë.

Frymëzim, për shumë nga poezitë z Emine është vet jeta e saj, ngjarjet që kanë lënë gjurmë në kujtesë e që shkrimtarja me penën e saj ka ditur si t`i skalisë dhe t`i latojë për t`u dhënë formë dhe përmbajtje që mbeten në kujtesë.

Në parathënien e librit të tërheq vëmendjen vlerësimi i thelluar në syrin e kritikut letrar të shkrimtarit Viron Kona, i cili shkruan: “Hoti zbulon edhe në këtë vëllim të ri një botë të pasur shpirtërore, ku mendimi artistik merr krah dhe ka peshë të veçantë, teksa i gjithë vëllimi përbën një mozaik, ku harmonizohen bukur tema të llojllojshme për jetën e sotme, tërheqin vëmendjen forma dhe stili interesant i të shkruari, pikëzime detajesh si dhe ngjyrime tërheqëse e të pashlyeshme për lexuesin”

Poezitë që e bëjnë autoren Emine S. Hoti edhe më të dashur për lexuesin, janë shpërthimi me realizëm dhe me guxim i ndjenjave të saj të brendshme. Ajo pasqyron vërtetësinë dhe jetën e përditshme pa e zbukuruar dhe anashkaluar, ndërkohë që, me anë të fjalës, godet vesin dhe shpërndan mesazhe mirëkuptimi e dashurie për njerëzit, që ta duan dhe ta respektojnë njëri-tjetrin dhe të mos shpërdorojnë mirëbesimin dhe dashamirësinë. Por, poetesha ka kurajën edhe të ngrihet si një luftëtare për mbrojtjen e të drejtave e lirive të femrave dhe barazinë e të drejtave të tyre me burrat. Në këtë aspekt autorja shigjeton të keqen, por edhe afirmon përvoja dhe arritje, vlera shkëlqimtare.

Ndaj dhe pas leximit të librave të kësaj autoreje, lexuesi bie në mendime dhe parasysh i shfaqet rrugëtimi, ku edhe ai është pjesë e tij, sepse aty është jeta me të mirat dhe mangësitë e saj, por dhe me sfidat që doemos duhen përballuar.

Në poezitë e Emine S. Hotit ndien se dashuria njerëzore triumfon mbi urrejtjen, liria  mbi shtypjen dhe paqja mbi skllavërinë.

Nga këto poezi buron një lumë i qetë, plotë jetë i ndjenjave dhe emocioneve dhe të bënë të mendosh për të ardhmen duke e hedhur pas krahëve urrejtjen dhe mllefet.

Një vend të rëndësishëm në librat e kësaj poeteje zë dashuria për vendlindjen. Autorja është e drejtpërdrejtë në përshkrimin e vuajtjeve dhe fatkeqësive që ka kaluar por ajo tamam si një “feniks” ka ditur të ngrihet dhe t`i bëj ballë jetës me stuhi dhe furtuna të dhimbshme, duke mos e kthyer kokën pas, por duke parë ngaherë progresin e jetës.

Së fundi dua të them se ia vlen që të marrësh në dorë veprat poetike të z Hoti dhe t`i lexosh me ëndje sepse ke se çfarë mëson nga kjo poete e talentuar, që ka ditur t`i bëj ballë jetës duke u përballur me stuhitë dhe furtunat, por dhe duke çarë gjithnjë përpara me forcën e shpirtit dhe të dashurisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora