E enjte, 18.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nga kamikazët japonezë të Luftës së Dytë, deri tek terroristët islamikë

E enjte, 25.09.2008, 12:32 AM


Një përpjekje për të shpjeguar përdorimin e taktikave vetëvrasëse të luftës. Që nga kamikazët japonezë të Luftës së Dytë, deri tek terroristët islamikë të kohëve të sotme

KAMIKAZET/Arma e fundit

Nga Skuadroni "Leonidha", tek fanatikët e bin Ladenit

Pilotët kamikazë të Japonisë si dhe sulmet e trye vetëvrasës kundër anijeve luftarake amerikane në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore mbeten një prej kujtimeve më terrorizues të kësaj lufte. Sot, shtatë vjet pasi pilotë kamikazë (këtë herë terroristë islamikë) vranë me mijëra vetë në Nju Jork dhe në Uashington, dhe teksa terroristët kamikazë vrasin me mijëra civilë të pafajshëm në të gjithë botën, është e rëndësishme të theksohet se historia e tregon qartë që, ata të cilët përdorën në mënyrë sistematike mjetet vetëvrasës të luftës, në fund të fundit e humbën luftën.

Kamikazët, që do të thotë "Erë hyjnore" ishin përpjekja e fundit e Japonisë për të ekuilibruar disi avantazhin teknologjik dhe material gjithnjë në rritje që forcat amerikane kishin teksa përparonin drejt Japonisë. Aktika e sulmeve të kamikazëve u sugjerua në 19 tetor të vitit 1944, nga zëvendësadmirali Onishi i Marinës Japoneze, në kohën kur ai u ngarkua që të komandonte sulmet nga ajri kundër flotës së madhe pushtuese amerikane të Filipineve. Pasi mori detyrën, Onishi kuptoi se kishte në dispozicion më pak se 100 avionë në gjendje pune për ta përmbushur atë. Nuk ekzistonte asnjë mënyrë për të fundosur, apo qoftë edhe për të dëmtuar rëndë flotën amerikane sipas taktikave tradicionale, kështu që admirali kishte nevojë për një shumëfishues forcash, një mënyrë për të arritur një fuqi sulmuese shumë herë më të madhe, nga ajo forcë që kish në dispozicion.

Zgjidhja ishte e qartë. Armët e komanduara ofrojnë një saktësi dhe rrezikshmëri shumë herë më të madhe se sa armët e pakomanduara, duke prodhuar kështu një dëm shumë më të madh për njësi armatimi dhe për sulm. Armë të tilla tashmë ekzistonin dhe ato kishin më shumë se një vit që ishin vënë në veprim, por jo në Japoni. Forca Ajrore Gjermane po përdorte me sukses bombat Fritz-X të komanduara me rreze lazer kundër anijeve luftarake dhe aeroplanmbajtëseve që nga shtatori i vitit 1943, por Japonia nuk e dispononte një armë të tillë, dhe kështu admirali Onishi propozoi që pilotë vullnetarë të pilotonin avionët e tyre të pajisur me bomba përgjatë të gjithë rrugës deri në një përplasje shpërthyese me anijet luftarake në shënjestër. Ata do të shërbenin si një sistem drejtimi njerëzor, duke u kthyer kështu në "bomba inteligjente". Në kuptimin e drejtpërdrejtë që ka kjo fjalë...

Taktika e re u përshtat në mënyrë të menjëhershme. Një numër i madh pilotësh, fillimisht të kualifikuar dhe pilotë me eksperiencë dhe më vonë edhe kadetët e tyre me një stërvitje minimale u thirrën për të dalë vullnetarë. Ata u caktuan të bëhen pjesë e grupit të "Sulmit Special", emri zyrtar i njësive të pilotëve kamikazë. Qëllimi dhe motoja e tyre ishte: "Një pilot - një anije".

Për të rritur mundësitë që pilotët kamikazë të penetronin me sukses në perimetrin e ngjeshr të mbrojtjes së Marinës amerikane të përbërë nga avionë gjuajtës dhe anije me kundërajrorë, dhe për të arritur në anijet kryesore që ndodheshin në qendër, mundësisht tek aeroplanmbajtësit, japonezët përqëndruan shumicën e sulmeve të kamikazëve gjatë betejës së Okinavës në dhjetë valë sulmesh. Në këto valë sulmesh pati një përzierje të sulmeve me kamikazë me ata tradicionalë, në një përpjekje për të bombarduar rëndë mbrojtjen amerikane. Këto valë të mëdha sulmesh, që u pagëzuan me emrin Kikosui (Krizantema pluskuese) ishin gjithashtu të koordinuar me operacionet japonezë të marinës dhe ata në terren gjatë betejës së Okinavës, e cila ishte edhe beteja e fundit e madhe.

Në të parën e këtyre valëve të sulmeve kamikazë, 355 pilotë kamikazë sulmuan Flotën amerikane pranë Okinavës, bashkë me 341 avionë jokamikazë dhe në bashkëpunim me një sulm detar, i cili përfshiu edhe superanijen luftarake Jamato. Rezultati këtij sulmi masiv nga ajri ishte gjashtë anije të fundosura dhe dhjetë të dëmtuara rëndë.

Kur Japonisë i mbaruan avionët e zakonshëm për pilotët kamikazë, avionë më të ngadaltë stërvitorë u përdorën. Një tjetër avion që u përdor ishte Okha (lule qershie), arma më e fundit e Japonisë. Okha ishte e projetuar në mënyrë të veçantë si një raketë kamikaze. Ishte një avion i vogël-raketë me një mbushje rakete prej 1200 kg tek hunda, i cili transportohej nga një avion bombardues dhe lëshohej 20-30 milje larg nga shënjestra, aty ku piloti kamikaz ndizte predhën e raketës dhe e drejtonte atë nga shënjestra. Në pikiatën e vet përfundimtare, Okha arrinte një shpejtësi prej 576 milje në orë, shumë më e shpejtë se çdo lloj avioni tjetër, por shumica e tyre u qëlluan dhe eleminuan nga avionët gjuajtës amerikanë, madje që përpara se të lëshoheshin nga vionët bombardues.

Në total u lëshuan afro 5000 pilotë kamikazë, shumica në betejën e Okinavës, e cila konsumoi pjesën më të madhe të burimeve njerëzore dhe materiale të fuqisë ajrore japoneze. Rezultati i këtyre përpjekjeve të tyre ishin 36 anije amerikane të fundosura dhe 368 të dëmtuara. Mizoria dhe egërsia që përjetonin tek shihnin njëra pas tjetrës valët e sulmeve të pilotëve kamikazë që afroheshin vetëtimthi në mesin e një breshëri predhash kundërajrore, si dhe shpërthimet e mëdhenj që pësonin i terrorizoi amerikanët, por fushata e kamikazëve nuk e arriti qëllimin e vet strategjik të ndalimit të përparimit të amerikanëve. Sulmet ajrore të amerikanëve u përqendruan tashmë kundër bazave ajrore të kamikazëve në jug të Japonisë, me qëllim reduktimin e numrit të tyre. Japonia e humbi betejën e saj të fundit, pavarësisht sakrificës së madhe të luftëtarëve të vet fanatikë, dhe e humbi luftën.

Të tjerët

Shpresa e dëshpëruar e japonezëve se lufta vetëvrasëse ishte mënyra e duhur për të shmangur humbjen, bëri që ushtria dhe Marina japoneze të përshtasnin taktika dhe armë të tjera të luftës vetëvrasëse. Në terma ushtarakë, ideja ishte e ngjashme në shumicën e rasteve, përdorimi i qenieve njerëzore për të drejtuar në mënyrë precize një armë të fuqishme shpërthyese deri tek shënjestra, me qëllim që të realizohet një goditje e drejtpërdrejtë vdekjeprurëse. Duke bërë këtë, ata synonin ta shndërronin një armë të thjeshtë në një "bombë inteligjente" të komanduar. Japonezët përdorën edhe këto armë e taktika vetëvrasëse, të gjitha me më pak sukses se sa sulmet e avionëve të drejtuar nga kamikazët:

• Motobarkat me eksplozivë - një përshtatje japoneze e motobarkave origjinale italiane me eksplozivë. Ndërkohë që, komandot detarë italianë përdornin motobarkat me eksplozivë të pajisura me sedilje të posaçme, të cilat hidheshin jashtë në rast sulmi, japonezët i përdornin ato si armë vetëvrasëse. U prodhuan mijëra të tilla, por shumcia u ruajtën për pushtimin e pritshëm të Japonisë. Ato fundosën tetë anije amerikane. Kjo armë u përdor shumë herë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si me sedilje që nxirreshin jashtë, ashtu edhe si armë vetëvrasëse. Hera e fundit që janë përdorur ishte kur në 12 tetor 2000, terroristë kamikazë të al-Kaedës përdorën një të tillë për të sulmuar dhe dëmtuar rëndë destrojerin amerikan USS Cole në Aden, Jemen.

• Silurët vetëvrasës - Kjo armë në fakt u parapriu sulmeve me avionë të komanduar nga kamikazë. Të quajtur "Katen", këta ishin silura të zmadhuara, të përshtatura me një kabinë të vogël si dhe një periskop për atë që i komandonte, si dhe me karburant dhe oksigjen shtesë si dhe një kokë rakete me 1530 kilogramë mbushje. Ato lëshoheshin nga një nëndetsëse apo anije e modifikuar. U prodhuan qindra të tilla, por ato arritën të fundosin vetëm dy anije amerikane.

• Nëndetëse të shkurtra vetëvrasëse - me një normë shumë të lartë humbjeje gjatë përdorimit të tyre fillestar, më vonë u prodhua një model vetëvrasës, që mbante eksplozivë në vend të silurave.

• Zhytës kamikazë që mbanin eksplozivë - nuk para u përdorën shumë dhe dëmtuan vetëm një aeroplanmbajtëse.

• Këmbësorë kamikazë që mbanin mina antitank - arma vetëvrasëse e ushtrisë japoneze. Qëllimi dhe motoja e tyre ishte "Një ushtar - një tank".

• Në përgjigje të zbarkimit të amerikanëve në Okinava, që pritej të ishte hapi i fundit përpara një pushtimi të plotë të Japonisë, Komanda e Lartë e Japonisë urdhëroi në 6 prill 1945 që taktikat e luftës kamikaze të zbatoheshin nga të gjithë degët dhe njësitë e forcave të armatosura japoneze. Ditën tjetër, pas kësaj komande, superanija japoneze e luftës, Yamato, anija më e madhe luftarake e ndërtuar ndonjëherë dhe e pajisur me armën më të madhe që ishte prodhuar deri atëherë, u dërgua në një mision vetëvrasës vetëm vajtje në Okinava. Qëllimi i saj ishte jo vetëm të shkatërronte sa më shumë anije amerikane që të ishte e mundur, por edhe të haste qëllimisht në tokë në Okinava me qëllim që fundosja e saj të ishte e pamundur, kështu që do të ishte në gjendje të vazhdonte të luftonte deri kur të shkatërrohej plotësisht. Plani dështoi kur madhështorja Yamato u pikas dhe më pas u fundos nga një sulm masiv nga ajri, përpara se të mbërrinte në Okinava.

• Një tjetër taktikë vetëvrasëse e përdorur në këtë frymë ishte me avionë gjuajtës që përplaseshin me bombarduesit e rëndë amerikanë, në vend që të hapnin zjarr kundër tyre. Gjermania naziste stërviti gjithashtu dhe vuri në përdorim pilotë kamikazë pak përpara dorëzimit. Njësia e parë kamikaze japoneze, Skuadroni Leonidha, u krijua si një skuadron vullnetarësh brenda degës së misioneve specialë ajrorë të Luftëaffes. Arma e saj ishte një version i komanduar nga njeriu i raketës gjermane V-1. Njësia u stërvit dhe arriti statusin operacional, por miratimi për ta përdorur atë në luftime nuk u dha asnjëherë, kryesisht për shkak se në dispozicion kishte armë të tjera të përparuar gjermane ajër-tokë, që e bënte operacionin një humbje të panevojshme të jetëve të pilotëve. Arsenali gjerman i armëve të përparuara ajër-tokë përfshinte bomba të radiokomanduara, raketa të radiokomanduara, si dhe Mistelin, një bombardues mesatar pa pilot me një mbushje të madhe bërthamore që pilotohej nga një pilot i ulur në kabinën e një avioni gjuajtës i montuar mbi bombarduesin pa pilot. Pasi komandonte bombarduesin drejt shënjestrës finale, piloti shkëpuste gjuajtësin dhe rikthehej në bazë, ndërkohë që bombarduesi pa pilot përplasej dhe shëprthente kur ndeshte shënjestrën. Në kontrast të thellë me pilotët kamikazë që kishin kryer stërvitje minimale, këta bombardues pa pilot komandoheshin nga pilotë me shumë eksperiencë, të cilët arritën vërtetë një përqindje të lartë suksesi, duke fundosur anije dhe shkatërruar ura strategjike.

Njësia tjetër kamikaze gjermane, e cila mori pjesë në fakt në luftime ishte gjuajtsi 300 i Luftëaffes (JG300), i cili u përgatit pak përpara fundit të luftës për të përdorur taktikën goditëse kundër bombarduesve të rëndë të aleatëve. Kjo taktikë u përdor vetëm disa herë dhe nuk ishte shumë e suksesshme.

Shpjegimi ushtarak dhe kulturor

Arsyetimi ushtarak për përdorimin e mjeteve vetëvrasës të luftës, të të gjithë llojeve, si historikisht ashtu dhe sot është i thjeshtë. Kur planifikojnë sulme kundër atyre që konsiderohen shënjetra armike me vlerë të madhe, planifikuesve ushtarake, shpesh herë u mungojnë burimet e përshtatshme ushtarake që nevojiten për të patur sukses. Kjo mungesë normalisht plotësohet me shkathtësi dhe talent ushtarak, si dhe nga një sakrificë më e madhe prej ushtarëve. Por në rastet ekstreme, dhe nëse misioni nuk anulohet për shkak të mungesës së burimeve, kërkohen veprime ekstreme, masa që nuk do të përdoreshin nëse do të ekzistonin alternativa më të mira. Kjo është e vërtetë si për një planifikues që planifikon të sulmojë një shënjestër ushtarake, ashtu edhe për një udhëheqës terrorist që planifikon të kryejë vrasje në masë ndaj civilëve.

Sa kohë që kishin forca ushtarake relativisht të shumta, qoftë edhe të papërshtatshme, japonezët nuk përdorën taktikat vetëvrasëse. Sakrifica po, por jo vetvrasje. Ata nisën të përdorin kamikazët vetëm atëherë kur disavantazhi i tyre u bë kaq i dukshëm e rëndues, saqë edhe sakrifica e ushtarëve të zakonshëm nuk mjaftonte, dhe një armë e re radikale do të ishte thelbësore. Në mungesë të saj, ata përdorën pilotët kamikazë.

I njëjti lloj arsyetimi vlen për terroristët vetëvrasës. Në sulmin e parë të al Kaedës në Qendrën Botërore të Tregtisë, atentatorët përdorën një autobombë dhe jo shoferë kamikazë. Duke qenë se ai atentat nuk arriti dot qëllimin e misionit, i cili më vonë edhe u zgjerua madje, dhe përderisa arsenali i al Kaedës nuk përmban ndonjë raketë apo avion bombardues, mënyra e tyre e vetme për të shkatërruar Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin me burimet që kishin, ishte të shndërronin avionët e mëdhenj civilë në raketa gjigande të komanduara nga pilotë kamikazë.

Ideja që masa të tilla ekstreme përdoren vetëm kur planifikuesit ushtarakë vlerësojnë se kjo është alternativa e tyre e vetme, dhe jo thjeshtë një çuarje dëm e ushtarëve të motivuar demonstrohet qartë nga përdorimi selektiv i taktikave kamikaze nga ana e atyre që e bëjnë, apo që e kanë bërë në të kaluarën. Dy shembuj:

• Ndonëse gjermanët stërvitën pilotë kamikazë dhe i përgatitën për përdorim armët e tyre, ndonëse përdorën pilotë kamikazë kundër bombarduesve të rëndë, gjermanët praktikisht e braktisën këtë armë në favor të Mistelit, një alternativë më premtuese dhe në fakt më e suksesshme.

• Pasi tronditën botën e lirë me një seri sulmesh kamikazë anëembanë botës, terroristët e al Kaedës demonstruan qartë, përmes një serie sulmesh jokamikazë se, ndonëse janë të prirur të hidhen në erë, e bëjnë këtë vetëm kur e konsiderojnë të domosdoshme.

Elementi tjetër i rëndësishëm i luftës kamikaze është arsyetimi kulturor. Lufta kamikaze përdoret vetëm nga shoqëri njerëzore, të cilat përballen me një rrezik të menjëhershëm që ata e perceptojnë si kaq të madh, saqë besojnë se mund të shkaktojë shfarosjen e tyre, qoftë kulturore ose fizike, apo një shkatërrim të ngjashëm masiv.

Në një situatë të tillë, dorëzimi, apo qoftë edhe një kompromis me armikun thjeshtë nuk është një opsion. Dhe nëse situata ushtarake është e tillë që nevojitet lufta kamikaze, atëherë shumë ushtarë që besojnë se ata ose famijet e tyre janë gjithësesi të dënuar, dalin vullnetarë për misione vetëvrasës. Nuk është marrëzi, është një sjellje normale dhe e arsyeshme në një situatë ekstreme, e cila ose është demonstruar, ose pranuar teorikisht nga të gjithë kulturat njerëzore. Mbani mend aktorin Bruce Willis dhe Harry Stamper në filmin "Armageddon"? - një njeri që shpërthen një bombë dhe bashkë me të hedh në erë veten për të shpëtuar njerëzit, që do dhe njerëzimin nga shfarosja, në mungesë të alternativave të tjera. Eshtë një shembull i përsosur i një ushtari vetëvrasës amerikan.

Pjesa më e rrezikshme dhe tragjike në këtë arsyetim të taktikave kamikaze të luftës është se rreziku që i shtyn shoqëritë njerëzore të përdorin taktikat vetëvrasëse është i perceptuar, dhe perceptimi mund të jetë fals, dhe mund të jetë i influencuar. Publikut japonez iu shpëla truri për vite të tërë nga liderët e vet fanatikë, që të besonte se një humbje, e para në historinë e gjatë japoneze të izolimit, do të shkaktonte shfarosjen e popullit japonez. Numri i madh i viktimave mes pilotëve japonezë kundër një force shumë të madhe të armikut, që gjithashtu vrau një numër shumë të madh miqsh dhe të afërmish të tyre në shtëpi, bindi edhe më tej shumë pilotë japonezë se ky rrezik ishte real. E një perceptim të tillë të situatës së tyre, preferenca që të vdesin pak më herët si pilotë kamikazë me qëllim që të shpëtonin shumë të tjerë ishte një zgjidhje e kollajshme për shumë prej tyre.

Rreziku nuk është e thënë të jetë ushtarak. Për terroristët fanatikë të al Kaedës dhe popullsisë që i mbështet ata, me një kulturë që është jo vetëm dhunshëm jotolerante, por edhe disi ksenofobe, siç ishin japonezët, prania e huaj në tokën e trye, qoftë edhe e civilëve dhe penetrimi i muzikës së huaj, modës, letërsisë, medias dhe sidomos ideve të huaja moderne, të gjitha perceptohen si një rrezik kulturor i patolerueshëm e madje edhe si sulm i qëllimshëm. Kështu, ata kryejnë një Luftë Botërore kundër atyre që i perceptojnë si armiq, dhe në mungesë të armëve të përparuara që kanë armiqtë e tyre ata nuk hezitojnë aspak të përdorin taktikat vetëvrasëse të luftës aty ku e konsiderojnë të domosdoshme, për të vrarë civilë si dhe për të blerë bileta avioni drejt shënjestrave të tyre si një zëvendësues i volitshëm i armëve me rreze të gjatë veprimi.

Duhet të kujtojmë se historia tregon se, të gjithë ata që kanë përdorur taktika vetëvrasëse në mënyrë sistematike dhe të përsëritur e kanë humbur luftën e tyre, dhe shpjegimi për këtë është i thjeshtë. Ata i kanë përdorur, sepse ishin shumë më të dobët se armiqtë e tyre, teknologjikisht, ekonomikisht e si rrjedhojë edhe ushtarakisht, përndryshe nuk do t'u duhej të luftonin në këtë mënyrë.

 

 

Ana tjetër e medaljes. Pilotët kamikazë nuk shkonin të lumtur drejt vdekjes

Nata para fluturimit të fundit

Pavarësisht testamenteve të shumtë të botuar, fotografive dhe filmave që tregojnë pilotë të buzëqeshur që përshëndesin teksa nisen në misionin e fundit, një përshkrim i rrallë i natës para nisjes tregon një tjetër histori. Rrëfimi është në një letër të 21 qershorit 1995, të shkruajtur nga Kasuga Takeo, i cili në atë kohë qe 85 vjeç, drejtuar Umezava Shozos. Kasuga ishte i ngarkuar të merrej me ngrënien, larjen, pastrimin dhe nevojat e tjerë të pilotëve kamikazë në bazën ajrore Tsuchiura. Në letër ai përshkruan natën përpara fluturimit të tyre të fundit:

"Në hollin ku mbaheshin festat e lamtumirës, oficerët e rinj pinin "sake" të ftohtë natën para fluturimit. Disa e rrëkëllenin me një frymë; të tjerë e pinin me gllënjka. I gjithë vendi shndërrohej në kaos të vërtetë. Disa thyenin llampat elektrike me shpata. Të tjerë ngrinin karriket për të thyer dritaret dhe grisnin mbulesat e bardha të tryezave. Ajri mbushej me një përzierje këngësh ushtarake dhe mallkimesh e sharjesh. Ndërkohë që, disa bërtisnin të zemëruar, të tjerë qanin me të madhe. Ishte nata e tyre e fundit e jetës. Mendimet për prindërit, fytyrat e tyre, fytyrat e të dashurave dhe buzëqeshjet e tyre, një lamtumirë e trishtë të fejuarave - gjithçka u kalonte nëpër mendje si një kalë i tërbuar që rend papushim. Ndonëse supozohej se ata ishin të gatshëm të flijonin rininë e tyre të shtrenjtë mëngjesin e ardhshëm për Japoninë perandorake dhe për perandorin, ata qenë të mëdyshur mes asaj që mund të shprehin fjalët - disa duke vendosur krerët mbi tryezë, disa duke shkruajtur testamentet, të tjerë duke medituar duarlidhur, të tjerë duke u larguar nga holli, e të tjerë duke kërcyer si të marrë e duke thyer vazot me lule. Të gjithë u nisën me shiritin e diellit që lind në kokë mëngjesin tjetër. Por kjo skenë dëshpërimi nuk është rrëfyer asnjëherë. Unë e pashë me sytë e mi, teksa kujdesesha për jetën e tyre të përditshme, e cila konsistonte nga një stërvitje shumë e zellshme e kombinuar kjo me ndëshkime të rëndë truporë, si një rutinë e përditshme.

Kasuga Takeo nuk e mori kurrë veten nga rrahjet e panumërta që pësoi në bazë. Eprorët i thanë se ndëshkimi trupor do të rrënjoste tek ai "një frymë ushtari luftues". Letra e tij është e paçmueshme për përshkrimin se sa të dëshpëruar ishin pilotët natën para vdekjes.

Pilotët kamikazë ishin të destinuar të vdisnin. Që nga momenti që merrnin detyrën, ata nuk i përkisnin më kësaj bote. Ata nuk mund të riktheheshin nëse nuk ishin në gjendje të gjenin armikun. Një i diplomuar në Universitetin e Vasedës që vazhdonte të rikthehej pa gjetur armikun u qëllua për vdekje herën e nëntë që u kthye. Disa përpiqeshin të uleshin në ujë, pranë bregut.

Pilotët kamikazë ishin si ushtarët romakë që përmenden në odën e Horacit. Në tekstin e plotë, fraza e famshme pro patria e Horacit pasohet nga një paralajmërim:

E ëmbël dhe me vend është të vdesësh për vendin tënd

Por vdekja do të vijë shpejt pas atij

Që largohet; Vdekja e kap nga prapa

Gjunjëve të tij që dridhen dhe e merr me vete

Ushtarët kishin mbërritur në një pikë pa kthim

Ditarët e këtyre të rinjve ofrojnë një dëshmi elokuente që bie ndesh si me stereotipin jashtë Japonisë, ashtu edhe propagandën që qarkullon nga ushtria japoneze: pra që ushtarët kamikazë vdisnin të lumtur për perandorin. Disa, si për shembull Sasaki Hachiro dhe Hayashi Tadao hodhën poshtë ideologjinë me në qendër perandorin. Të tjerë u përpoqën ta pranojnë, por nuk ishin në gjendje. Siç e ka dëshmuar Hayashi Ichizo: "Duhet të ketë një lloj paqeje mendore kur i përkushtoj jetën time perandorit... Me thënë të drejtën, unë nuk mund të them se dëshira për të vdekur për perandorin është e sinqertë, që më buron nga zemra. Megjithatë, është vendosur që unë të vdes për perandorin".

Duke mos patur zgjedhje tjetër përveç çuarjes deri në fund të misionit të ngarkuar, pilotët kamikazë riprodhuan ideologjinë imperialiste në veprim, ndonëse refuzuan ta pranojnë atë në mendjen e tyre.

"Unë nuk mund të parashikoj rezultatin e betejave ajrore, por bëni gabim nëse i konsideroni operacionet e sulmeve specialë si metoda normale. Mënyra e duhur është të sulmosh armikun me aftësi dhe të rikthehesh në bazë me rezultate. Një avion duhet përdorur shumë herë. Kështu luftohet një luftë. Përndryshe, nuk mund të presësh përmirësimin e forcës ajrore. Nuk do të ketë përparim nëse pilotët vazhdojnë të vdesin".

Lejtnant Komandant Ivatani

Ah, dy shpirtëra kanë zënë vend në zemrën time! Në fund të fundit, jam vetëm një qenie njerëzore. Ndonjëherë kraharori më rreh fort kur mendoj për ditën që do të fluturoj në qiell. Stërvita mendjen dhe trupin aq fort sa munda dhe pres me ankth ditën kur duhet t'i përdor me kapacitet të plotë në luftim. Mendoj se jeta dhe vdekja ime i përkasin misionit. Megjithatë, herë të tjera mendoj me zili për ata shkencëtarë që qëndrojnë në shtëpi (të përjashtuar nga shërbimi)... Një prej shpirtërave të mi sheh nga qielli, ndërsa tjetri është i tërhequr drejt tokës. Uroj që dita kur mendime idiote më trazojnë do të kaloj shpejtë".

-Sasaki Hachiro (pilot kamikaz)

"Unë nuk mund ta çmoj më Japoninë. Lufta nuk është për të mbrojtur vendin, por rezultatin e pashmangshëm të mënyrës si Japonia është bërë një komb... Ndiej se më duhet të pranoj fatin e brezit tim për të luftuar në luftë dhe vdekur aty. E quaj "fat" përderisa duhet të shkojmë në betejë e të vdesim pa qenë në gjendje të shprehim opinionin tonë, kritikojmë dhe argumentojmë protë dhe kundrat, dhe të sillemi sipas parimeve. Të vdesësh në luftë, të vdesësh me kërkesë të kombit - nuk kam aspak ndërmend ta çmoj këtë; është një tragjedi e madhe".

-Hayashi Tadao, 12 Tetor 1941



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora