Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bamir Topi: Një realitet i ri në Shqipëri

| E enjte, 25.09.2008, 12:11 AM |


Presidenti Topi
Një realitet i ri në Shqipëri

Nga Bamir Topi

Më lejoni që të konfirmoj angazhimin e Shqipërisë për një OKB të fuqishme dhe koherente, të aftë për të përballuar me sukses sfidat e reja, me të cilat po ndeshemi aktualisht. Ne mbështesim plotësisht nismat dhe veprimet e përbashkëta për të forcuar paqen dhe sigurinë kolektive, për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm e afatgjatë, për të promovuar të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne e shikojmë reformimin e Organizatës në të gjitha aspektet e saj vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, dialogut dhe konsensusit.

Lufta globale kundër terrorizmit, veçanërisht, nëpërmjet garantimit të një përgjigje efektive ndaj këtij kërcënimi kolektiv kërkon që OKB-ja të vazhdojë të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Shqipëria ka përmbushur në mënyrë aktive detyrimet dhe përgjegjësitë e saj në luftën globale kundër terrorizmit në zbatim të Strategjisë Kundër Terrorizmit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të miratuar unanimisht më 8 shtator 2006.

Shqipëria vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe me gjerë nëpërmjet politikës së saj të moderuar dhe konstruktive. Ajo kontribuon me trupa paqeruajtëse në kuadrin e OKB-së dhe të organizatave të tjera të sigurisë si në Afganistan, Irak, Gjeorgji, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe, kohët e fundit dërgoi 68 trupa në përbërje të EUFOR-it në Çad. Shqipëria po punon për rritjen e kapaciteteve të brendshme kombëtare, për një prezencë më të madhe në ndihmë të paqes e sigurisë globale nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara, në fushën e operacioneve paqeruajtëse.

Shqipëria është bërë tashmë pjesë e sistemit të Koherencës Gjithëpërfshirëse për reformimin e OKB-së, duke iu bashkuar vullnetarisht Programit "Një OKB". Ajo mbështet plotësisht këtë projekt dhe bashkëpunon aktivisht me agjensitë e OKB-së, për mënyra të reja partneriteti në fushat e zhvillimit, asistencës humanitare dhe mjedisit. "Një OKB" po zhvillohet në respekt të plotë të sovranitetit kombëtar, pronësisë kombëtare të zhvillimit dhe në përputhje me nevojat dhe prioritetet e vendit tonë, sidomos integrimit në Bashkimin Europian dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Si vend pilot ne ndjejmë përgjegjësi dhe do të bëjmë gjithçka është e mundur ta shndërrojmë këtë nismë në një sukses të prekshëm.

Në vendin tim, Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit nuk shihen vetëm si objektiva zhvillimi, por si mundësi për zhvillim. Shqipëria ka "kombëtarizuar" OZHM-të, duke hartuar dhe ndjekur zbatimin hap pas hapi strategjitë zonale të zhvillimit si dhe ka shtuar një objektiv më tepër, atë të qeverisjes së mirë. Nisur nga përvoja e deritanishme, arritja e OZHM-ve në vendet me të ardhura të vogla e të mesme kërkon mbështetje të vazhdueshme nga lidershipi kombëtar dhe përdorim më efikas të burimeve, një partneritet të ngushtë mes gjithë lojtarëve-qeverisë, komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile.

Ne jemi shumë aktivë në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve dhe kemi bindjen se tashmë kjo nismë përbën një instrument politik të Kombeve të Bashkuara për të ndërtuar paqen, në kuptimin më të gjerë të këtij termi. Në vijim të këtij angazhimi, Shqipëria ka përpiluar një Strategji Kombëtare të Dialogut Ndërkulturor, e cila reflekton traditën shumëshekullore të harmonisë fetare dhe mirëkuptimit të plotë.

Ndryshimi i klimës përbën një shqetësim dhe kërcënim global dhe si i tillë ndikon edhe vendin tim. Shqipëria e konsideron këtë si çështje prioritare, duke e vlerësuar edhe në kuadër të zbatimit të programit "Një OKB". Ajo i bashkohet me vendosmëri komunitetit ndërkombëtar në sfidën kundër ndryshimeve globale të klimës dhe modestisht kontribuon në reduktimin e kuotave të emisionit për një të nesërme më të mirë dhe më të zhvilluar.

Kriza botërore e ushqimit vazhdon të jetë një nga sfidat më komplekse, me të cilën përballet njerëzimi. Kjo krizë nuk prek vetëm shëndetin dhe mbijetesën e miliona njerëzve në gjithë botën, por kërcënon direkt stabilitetin politik e ekonomik global dhe vë në pikëpyetje serioze arritjen e OZHM-ve. Shkaqet e kësaj krize janë të shumta dhe komplekse dhe si të tilla kërkojnë një përgjigje shumëplanëshe, koherente dhe të mirëkoordinuar. Vendi im përshëndet themelimin nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të Task Forcës së Nivelit të Lartë mbi krizën botërore të ushqimit.

Shqipëria ka ndërmarrë një program të plotë reformash institucionale, ekonomike dhe ligjore. Nëpërmjet tyre ne synojmë shndërrimin e saj në një vend tërheqës për investimet e huaja, me një treg të hapur për iniciativën e lirë. Kam kënaqësinë të pohoj se raporti i fundit i Bankës Botërore e rendit Shqipërinë të dytën mes vendeve që kanë kryer reforma të suksesshme për të lehtësuar bërjen e biznesit gjatë periudhës 2007-'08. Shqipëria ka marrë statusin e vendit me të ardhura të mesme dhe beson se ky progres duhet të konsolidohet në përputhje me sfidat e reja të zhvillimit. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim ka përcaktuar vizionin tonë për 7 vjetët e ardhshëm: Një vend me standarde të larta demokratike, me garanci të plotë për liritë themelore të njeriut, me zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm me perspektivën integruese në NATO, në BE dhe të harmonizuar me OZM-të, një vend me një jetë më të mirë dhe më të sigurt për brezat e ardhshëm.

Me Bashkimin Evropian, Shqipëria ka një marrëdhënie solide dhe të pakthyeshme. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është udhërrëfyesi ynë dhe objektivi parësor, është mbyllja e procesit të ratifikimit brenda këtij viti. Vendet e BE-së dhe Komisioni Evropian kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në Shqipëri. Ne i jemi përgjigjur këtij kontributi jo vetëm me mirënjohjen e natyrshme, por me angazhime konkrete, me programe pune të përbashkëta e të bashkërenduara si në fushën e mirëqeverisjes, funksionimin institucional, zhvillimin ekonomik, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. etj.

Rruga e Shqipërisë drejt integrimit të plotë euro-atlantik është e mbështetur gjerësisht nga publiku shqiptar dhe gjithë spektri politik. Në veçanti marrja e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, nënshkrimi i protokolleve të aderimit në Aleancë më 9 korrik 2008, procesi në vazhdim i ratifikimit shënon një arritje historike për Shqipërinë, një vlerësim të realitetit të ri dhe të prekshëm shqiptar. Shqipëria do t'i përgjigjet këtij vlerësimi me më shumë përgjegjësi dhe vendosmëri ndaj detyrimeve që lindin nga anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancë, i cili do t'i shërbejë sigurisë dhe paqes jo vetëm në rajonin ballkanik, por edhe në hapësirën mesdhetare dhe më gjerë.

Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Ajo nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal, duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Europës Juglindore. Ky angazhim po i shërben promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë, ndërtimit të besimit mes vendeve të rajonit, stabilitetit si dhe integrimit të plotë të të gjitha vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike. Sfida të tilla si lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, përhapjes së armëve dhe menaxhimi i kufirit kanë karakter ndërkufitar dhe mund të përballohen vetëm me veprime, nisma e angazhime të përbashkëta. Ne do të vazhdojmë të luajmë të njëjtin rol konstruktiv për të mirën tonë dhe të të gjithë rajonit.

Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishme politik të këtij fillim shekulli në rajonin tonë. Kosova e pavarur dhe demokratike, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, përbën simbolin e investimit më të suksesshëm të komunitetit ndërkombëtar drejt zbatimit të shtetit të së drejtës, për stabilitet, paqe aftgjatë e zhvillim në Ballkan e më gjerë.

Pavarësia e Kosovës e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës, i konflikteve ndëretnike, i spastrimeve e gjenocidit etnik, përmbush dhe respekton vullnetin e lirë të një populli për t'u shkëputur nga zgjedha politike, nga padrejtësia historike, nga pamundësia për zhvillim. Kosova nuk udhëhiqet më nga Jugosllavia e dështuar, as nga jugosllavët e rinj të moderuar, por nga parimet e Evropës së civilizuar dhe të OKB-së së universalizuar.

Shqipëria ka inkurajuar dhe inkurajon popullin dhe Qeverinë e Kosovës në përkushtimin e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumëtnike ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banor i saj e ndjen veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij. Kushtetuta e re e Kosovës dhe Paketa Ahtisari, përmbush standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe ofron mbrojtje të gjerë për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë, në veçanti, për serbët e Kosovës.

Ne jemi të bindur se, në vijim të udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, do të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura për përfundimin, sa më shpejt që të jetë e mundur, të rikonfigurimit të pranisë së OKB-së dhe shtrirjen e Misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, duke shmangur kështu çdo vakum pushteti, çdo mbivendosje kompetencash dhe parandaluar çdo tentativë regresive kundër këtij procesi euro-atlantik pavarësisht nga dirigjohet ajo.

Shqipëria i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetues, politike, demografike, etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik, sui generis, dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben, as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij.

Çdo ndërmarrje kundër shëndoshjes së shtetit të Kosovës, politike, ekonomike, ushtarake apo diplomatike, nuk është veçse përpjekje e pashpresë kundër proceseve integruese, në NATO e në BE të rajonit tonë, investim regresiv kundër investimeve dhe progresit, për të cilat kemi kaq shumë nevojë dhe aq më pak, ajo nuk mund të shitet si vlerë e Bashkimit Evropian. Ëndrrat historike nuk duhet të errësojnë vizionin për të ardhmen.

Shqipëria është e bindur se njohja e shtetit të ri të Kosovës është në interes të Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të gjithë fqinjëve të afërt ose të largët të saj, të Evropës dhe të hapësirës mesdhetare. Prandaj Kosova, ky realitet i ri politik, ekonomik dhe social, meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtar i Organizatës sonë të Kombeve të Bashkuara. Ju bëj thirrje të pranoni me realizëm këtë zhvillim të pakthyeshëm, duke e njohur dhe e mbështetur Republikën e Kosovës.

Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në arritjen e idealeve të OKB-së, duke besuar plotësisht në rolin aktiv të komunitetit ndërkombëtar në përballje me sfidat e sotme globale. Për të realizuar këtë mision, ne, të gjithë së bashku, duhet t'i japim gjithë mbështetjen e gatishmërinë tonë kësaj Organizate, e cila mishëron bashkimin jo vetëm të vlerave, por edhe aspiratave universale të njerëzimit.

RD