E enjte, 25.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Guximi i tepëruar i Kadrisë

E merkure, 20.02.2019, 08:00 PM


GUXIMI I TEPËRUAR I KADRISË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Deklarimi serbez i Kadri Veselit nga tribuna e Parlamentit të Kosovës, se "unë kam luftuar me pushkë në dorë në luftën e Kosovës", e konsiderojmë si guxim të tepëruar, në gënjeshtrën e tij të madhe-bjeshkë, madje publike. Kjo na kujton një bisedë në mes të një serbi dhe të një shqiptari:

Serbi: "Përse lufton ti?"

Shqiptari: "Për bukën e gojës. Po ti përse lufton?"

Serbi: "Për ndër e lavdi".

Shqiptari: "E po gjithëkush lufton për atë që i mungon".

Ngulmimi i përsëritur i Kadrisë, për t`i bindur shqiptarët, për "luftën" e tij të pa bërë, po e vënë në pozitë qesharake kryeparlamentarin, të dyshuar për shumëçka.

Tashmë dihen të gjitha lëvizjet, rrugë-hyrjet në Kosovë, shoqërimet dhe qëllimet "eskursioniste", të Kadrisë me Hashimin e tij dhe ndoca nga shokët e tyre. Ishte Fahrudin Gashi, hafije me kartelë i Serbisë dhe kriminel, i dënuar, për vrasjen, të paktën, të dyfishtë dhe tentim-vrasjen e një tjetrit shqiptarë, i cili i priste në kufi, i shoqëronte dhe i garantonte, që "nuk u hynë ferrë në këmbë", gjatë qëndrimit në Kosovë.

"Eskursionet", më saktë, ekspeditat ndëshkimore në Kosovë, edhepse të rralla, të Kadrisë me Hashimin, kishin për mision hapjen e burgjeve rurale, kidnapimin, burgosjen, dajakosjen e deri ke vrasja, siç janë rastet e Jakup Kastratit, kryetar i LDK-së në Malishevë, Cen Deskut, me shokë. Eliminimi fizik i gardës së vjetër drejtuese të LPK-së në Kosovë, Behajdin Hallaçi, Shaban Shala, Ismet Jashari-Kumanova dhe të tjerë.

Kundërshtia e të gjitha akteve shtetformuese, që nga Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990 dhe veprimet tjera pasuese, të bëra nga Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja e Tij; sabotimi i financimit të Kosovës, për mbijetesë; prishja e Marrëveshjes të Osllos, për rrjedhojë, mosbashkimi i faktorit politik e ushtarak; ekzekutimi zyrtar në Tiranë i Ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi, oficerëve Ilir Konushevcit, Sadri Ramçaj dhe të ushtarakëve të tjerë të FARK-ut; vrasjet e listuara të organizuara, gjatë dhe pas luftës, të kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, janë sabotim i hapur i luftës në Kosovë.

Këto dëshmi faktike, të marra së bashku, dhe mijëra të tjera, të pa thëna, flasin për guximin e tepëruar të Kadri Veselit, kur lanson gënjeshtrën publike, shumë herë të përsëritur, sikur ai dhe Hashimi paskan luftuar!? Dhe kjo gënjeshtër bombë, nga pozita e kryeparlamentarit, në kohë digjitale, sikur të bëhej fjalë për prehistori, epokën antike, diskrediton dhe përtokë, turpshëm, Vesel agën me "komandantët" e Rogner-it.

Sikur nuk i mjaftonte turpërimi i parë, ai vazhdon marrëzinë e dytë:"Edhe tani po të fillojë lufta, unë dhe Hashimi do të jemi të parët, që do ta japim jetën në luftë për liri", - thotë, plot fodullëk, Kadria! Për 20 vjet radhazi, ishin thirrur në luftën Kadria me shokët e tij të LPK-së. Por,  kur filloi lufta, krerët e LPK-së puçiste, nuk hynë në luftë!!! Ata u vetemëruan shefa shtabistë e "komandantë" pa ushtarë. Kur luftëtarët, në frontin e luftës, nuk pranuan të udhëhiqen nga shtabistët e Rognerit, i vunë në pritat e policisë serbo-sllave, duke spastruar terrenin për karrierën e tyre të ardhshme të përgjakur.

"Komandantët" e LPK-së, për 20 vjet rrjesht, kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë kalemxhinjtë e tyre, për t`u bërë pjesë e luftës të pa berë dhe të pa qenë. Ndonëse nuk arritën ta bindin opinionin e brendshëm për "luftën e tyre heroike", ata, me buxhetin e shtetit, paguan gazetarë të huaj mërcenarë, për ta mashtruar opinionin e jashtëm, se, gjoja, ata "vinin në pushtet nga frontet e luftës, kundër Serbisë pushtuese!" Hajde rrenë, hajde! Pra, kanë vendosur për të hyrë, falsifikueshëm e dhunshëm, në historinë më të re të Kosovës!

Familjet e kriminelëve, provokojnë familjet e viktimave

Për dy ditë radhazi, tellalli zyrtar, RTK-ja, zhurmoi zbulimin e madh: "Nazim Bllaca spiun i UDB-së!?" Çfarë risie ka në këtë "zbulim" të bujshëm?! Fundja, Bllaca ishte ushtar i UÇK-së, pa pushtet e grada. Çfarë spiunimi mund të bënte ai?! Kush nga shqiptarët u beson tellallëve të qeverisë, në RTK-në e tyre e tyre partiake?! Një montazhë amatoreske e hiç bindëse. Pse kalemxhinjtë e porositur nuk merren me komandantët spiunë të Serbisë, të cilët, nën urdhërat e pushtuesit, sabotuan dhe dështuan luftën në Kosovë?!

Realisht, RTK-ja, para se të merret me ushtarët, duhet të merret me shefat e tyre hafije. SHIK-u është krijesë e LPK-së me Sigurimin e Enverit, Serbinë dhe aleatët e saj, armiq të Kosovës. Atëherë çfarë kishte dje dhe çfarë ka sot të fshehtë Kosova, kur SHIK-u, aleati i Serbisë, vazhdon të jetë në pushtet.

Pas emisionit të porositur dhe fort të dyshimtë, sepse komunistët gënjejnë edhe Perëndinë, të transmetuar nga RTK-ja zyrtare-partiake, familjet e kriminelëve faktikë, të dënuar ose në arrati, për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, me urdhër të shefave të tyre "komandantë", viktimat i quajnë spiunë dhe dëshmitë e Nazim Bllacës të montuara.

Nuk merrem nëse SHIK-asi Bllaca është spiun apo jo, sepse "ai stan, atë bylmet ka", ngaqë SHIK-u është organizatë armike e Kosovës. Por, ajo që nuk mund të mohohet, është se të gjitha dëshmitë e Nazim Bllacës kanë rezultuar, absolutisht, të sakta dhe rrast të argumentuara, sepse edhe vet ai ishte pjesë e krimit dhe në çerdhën e kriminelëve.

"Skorpioni" dhuratë për Bllacën, qartëson gjithëçka

Kur shefi i kishte dhënë armën "Skorpion", për ta vrarë ish-nëpunësin e Sigurimit të Kosovës, Ibush Kllokoçin, anëtari i SHIK-ut,Nazim Bllaca, e ekzekutoi atë, madje, brenda dhomës të shtëpisë, në prezencë të familjes! Kur shefi i dorëzoi armën Bllacës dhe urdhërin e prerë për vrasjen që duhet ta bëjë, i tha se "secili anëtar i SHIK-ut duhet me vra!" Prandaj kemi thënë dhe e përsërisim se SHIK-u është organizatë vrastare, kriminale e terroriste, që ka vrarë e terrorizuar shqiptarët, sa të pambrojtur, aq edhe të pafajshëm.

Rrjedhimisht, të gjithë shokët e bandës të Bllacës dhe të bandave simotra, janë plaçkitës, haraçxhinj, kidnapues, maltretues e vrasës mizorë, të ushtarakëve FARK-istë të Ibrahim Rugovës dhe të  luftëtarëve e veprimtarëve politikë të LDK-së. Plotësimi i këtyre kushteve, i ka bërë ata pjesë të SHIK-ut, pjesë të krimit. Dënimet që kanë marrë kriminelët e SHIK-ut, nuk janë reale, në raport me krimet serike të bëra nga ata. Thjeshtë, janë masakër e drejtësisë, tallje me popullin viktimë.

Rishikimin e të gjitha gjyqeve, të kriminelëve të SHIK-ut dhe të tjerëve, përkatësisht, të masës së dënimit të tyre, duhet ta kërkojnë prokurorët. Por, jo këta të emëruar nga krerët pushtetarë aktualë, që janë, hiç më pak, se shefa të SHIK-ut, por, ata që duhet të kalojnë në sitën e Vetingut, testimit moral e profesional. Kjo duhet të jetë edhe kërkesë e shoqatave civile, që nga ajo e "Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut" dhe të jera, të pa ndikuara nga zyrtarët aktual, me barrën e dyshimit të bazuar të krimeve monstrume.

Kërkim-falja e familjeve të kriminelëve,  familjeve të viktimave, domosdoshmëri

Është e drejtë e familjeve të kriminelëve të dënuar dhe të atyre që presin gjykimin, skajshëm, të vonuar, për të kërkuar prishjen e gjyqeve të bëra, me shpresë pafajësinë e njerëzve të tyre. Por, assesi nuk u lejohet t`i akuzojnë viktimat e bijëve të tyre bastardë, si spiunë. Aq më pak, kur dihet se këto viktima ishin luftëtarë të UÇK-së të FARK-ut dhe luftërat dhe betejat e tyre kanë emra vendesh dhe datime, ku dhe kur janë zhvilluar.

Ajo që duhet ta bëjnë familjet e kriminelëve të dënuar, më e pakëta, është kërkim-falja ndaj familjeve të viktimave si dhe kompensimi, për humbjen dhe dhimbjen e përjetshme të shkaktuar.

Së pari, kjo do të ishte fisnikëri elementare;

së dyti, do ta zbuste ndjenjen, gjithnjë të mundshme, të hakmarrjes kanunore, që do të hapte plagë të thella ndërshqiptare.

Në të kundërtën, provokimi, lëndimi i familjeve të viktimave, nga familjet e persekutorëve vrastarë, që kanë filluar të bëjnë, pasi u trimëruan, qëllimshëm, nga një montazhë, edhe pse i bërë me shumë përkujdesje, në stilin monist enverist, çalonte shumë, i vinte erë e pështirosur.

Në botën demokratike, një vrasje e bërë me listim, e organizuar ngeshëm, normal, ndëshkohet me burgim të përjetshëm, atje ku është abroguar ligji i dënimit me vdekje. Kjo nuk ka ndodhur në Kosovë, sepse shefat urdhërdhënës, janë përkujdesur që  ushtarët e tyre ekzekutues, të marrin dënime të lehta, madje, në të shumtën e rasteve, simbolike. Ndërkohë, kriminelë në liri, bilëz, edhe në pushtet, janë shumë qindra, për të mos thënë, mijëra!

Ilustrojmë: Mbi Fahrudin (Faruk) Gashin, rëndojnë dy vrasje dhe një tentim-vrasje. Dënimi vetëm 18 vjet burg! Ndërsa ndihmësi i tij vetëm 6 muaj burg!!! Komenti është i tepërt!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora