E enjte, 25.04.2024, 08:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Vetëgjyqësia

E marte, 19.02.2019, 08:29 AM


VETËGJYQËSIA

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Gjykatësi Astrit Mali, pas mbylljes së seancës, hyri në studio. La çantën mbi skrivani dhe vari togën e zezë në kremastar, por derën nuk e mbylli. Priste të vinte Mara, një paditëse , grua e re me dy fëmijë, që priste të divorcohej me të shoqin.Zonjë Mara, zonjë Mara, moj e bukur dhe e mirë! Të kujt ishin këto vargje,nga leximet e hershme dhe pse ju kujtuan pikërisht tani? Ndoshta të Hajnes, por  ajo ishte dona Klara. Eh, sido që të paskish qënë, bukuria e saj, s’mund të barabitej me hirin dhe rrëzëllitjen e Marës, që sapo hyri në studjo. Personazh me te tillë bukuri ai s’kishte patur gjer tani. Ajo hyri me droje, e në studjo u bë dritë. Shtathedhur, belhollë, elegante, floket e gjatë e të lëmuar me reflekse platini qarkonin ovalin e fytyrës së hijshme ku vihej re njëfarë hije mërzie të pashpresë.Në fytyrën e saj kish dy gjëra që i jipnin bukuri: sytë e mëdhenj e të dritësuar,sido pak te trishtuar, e buzëqeshja e vetvetishme. Veshja e puthitur pas kurmit linte të nxirte në pah linjat e përkryera si të një balerine. Dekolteja pak e hapur, linte të dukeshin fillimet e cicave me reflekse qelibari.

Edhe pse s’ishte hera e parë që e shihte, gjykatësit i mbetën sytë dhe psherëtiu: oZot! Bukuri të tilla janë krijuar për të tortuar sytë e burrave.Ai ndjeu tronditje, një zjarrmi të brendshme trallisëse si një ethe zilepsëse dhe kuptoi se e dëshironte këtë grua. Nuk e ftoi të ulej. E zhbiroi me sy. Kishte maninë që me vështrimin, sit ë ishte me rreze rontgen, t’i zhvishte femrat. Rrobet e saj ranë në fund të këmbëve. Eh ç’pamje! Mbeti cullak si një shtatore e mermertë me bardhësi verbuese. Cicoret e zeza mezi i mbanin cicët e gufuara, që po ti shtrydhje dukej se thithat do të nxirnin qumësht. Breçkat e kuqe prej dantelle, nuk arrinin ta mbulonin tërësisht seksin. Këmbët ishin një mrekulli dhe të pasmet si dy mollë. Zanë mali, sirenë deti? Ishte pamje emocionuese, nxitëse. E mblodhi veten, shkundi kokën. E veshi. Ajo, e bezdisur nga shikimi i tij lakmues vazhdonte të qëndronte më këmbë, në pritje të bisedës. Avokati fërgëlloi, shkoi te bufeja dhe hodhi ne gotë dy gisht uiski. I ofroi dhe Marës por ajo e refuzoi. E piu me etje ,me dy hurba. Ngrohtesia e alkolit iu përhap nëpër rrëmba dhe ai u ndje mirë e mendjekthjelluar.Përsëri iu kujtua vargu i një poezie që kushedi qyshkur e kishte lexuar:”Besoni: gra pa faj nuk ka mbi dhe!”  E ftoi Marën të ulej në kolltukun kundruall skrivanisë.

Seanca gjyqësore, për të disajtën herë, për divorcin ishte shtyrë. Përveç çeshtjeve të ngatërruara pronësore, më e vështira ishte ajo e kujdestarisë për dy fëmijët. Ish bashkëshorti e tha shkoqur e pa droje: një nënë kurorëshkelëse, ishte një shembull i keq, çoroditës, që nuk kishte të drejtë morale, të rriste dhe  edukonte fëmijët e tij, e plot të tjera fjalë fyese e të padenja, që e bënë Marën të zemërohej e të  skuqej, atë të protestonte dhe gjykatësin, të ndërhynte dhe t’i priste fjalën.

-Si i bëhet? Kujdestarinë e fëmijëve duhet ta marr patjetër. Cila është zgjidhja- pyeti Mara.

Gjykatësi hapi një dosje, beri sikur diçka kërkonte, pastaj mendueshëm e qetësisht, nisi të fliste:

-Eh, fëmijët. Thonë që ata janë të ngjitur me shpirtin e që për ta prindi jep edhe jetën. Thonë, por unë s’e kam provuar. Ime shoqe qëlloi beronjë, barkthatë. S’kemi fëmijë.Ama s’jam pa fëmijë, por ata janë hedhur si vezët e qyqes në folet e zogave të tjera! Besoj e kupton se ç’dua të të them. Çështja jote nuk është pa zgjidhje. Ama çmimi që duhet paguar, është i lartë.

-Thuaje, sado  e sido që të jetë.

Nga kjo përgjigje ai mori zemër.

-E pakta tri mijë euro, me kaqë ia verbojmë sytë trupit gjykues.

-Shumë!- kundërshtoi ajo- E ç’drejtësi është kjo? Sido qoftë do ta mendoj, mbase më ndihmojnë vllezërit.

Ai buzëqeshi me cinizëm.

-Të rren mendja, zonjë. Drejtësi s’ka patur asnjëherë. E drejta i është dhënë atij që ka pushtetin dhe atij që paguan. Por, në rastin tuaj ka edhe më.

-Ç’na qenka?

Ai e pa drejt në sy dha i tha pa iu dridhur qerpiku:

-Te besh dashuri me mua!

Ajo brofi nga kolltuku si ta kish pickuar gjarpëri. Kaq i pafytyrë, kaq i paturp, vulgar dhe harbut! Eh, në dorë të kujt kishte rënë drejtësia! Por e mblodhi veten. Ia kishte nevojën. Megjithatë e pyeti e mllefosur:

-Je gjë i dehur?

-Aspak. Më i kthjellët se kurrë.

Ai u pushtua nga deliri mashkullor dhe u ndez nga epshi që e nxiti t’i buronte nga goja një ligjëratë vetmburrëse, si e mësuar përmendësh, që ai ua kishte deklamuar edhe femrave të tjera:

- S’po të kërkoj kushedi se çfarë. Për ty, besoj, s’jam as i pari dhe as i fundit. -Pa që ajo u prish në fytyrë.-Ti s’me njeh mirë.Po bëre dashuri me mua, do më njohësh, do të zbulosh ato vlera që s’i di dhe s’ke si ti dish.Të garantoj: jam mashkull i devotshëm,i hatashëm, një mashkull potent dhe njëherësh me autoritet, institucional.Kur nisa karrierën, më emruan në një qytet të vogël në very.Gjykoja dhe merrja vendime si të isha Zoti: pafajësoja të fajshmit dhe fajësoja të pafajshmit.Dollarët dhe eurot lumë.Me katër gjerdanë ari të trashë në qafë e byzylykë në duar, ylli I bulevardit. Lekët lumë. Gra e vajza si ti deszha dhe kur ti desha. Seksi me  mua, është njëhershe shkarkim stresi, kënaqësi, shfrim dufi, art dhe qetësim e paqe shpirterore. Zbulim i lojrave që e kthejnë aktin seksual në fantazi.-Heshti për një çast që të shihte efektin e fjalëve, pastaj vazhdoi me vetbesim, i bindur se po thoshte të duhurën: - Kam parë botë, kam bërë dashuri në Amserdam, në Paris e Londër. Shumë femra këtë e dinë,(Se qyteti ynë është i vogël dhe më ka dalë nami) më qepen pas, më lusin, më vinë nga mbrapa. Ke një rast të artë që të vjen një herë në jetë. Do bëj që për ty, të zbresin yjet nga qielli. Është një nga kënaqësitë e jetës që s’duhet ta humbasësh!

U egzaltua nga ato që thoshte, u ngrit, doli nga prapa skrivanisë dhe iu afrua, me atë pamje lutëse e të çakërdisur prej maniaku si në prag çmendurie. Marën  e trembi pamja e tij dhe u tërhoq dy hapa prapa.

-Shih këtu:- ai kapi me dorë aletin nën pantallona, që ishte tendosur nga eksitimi,- i madh dhe i fortë si betonarme, kape po deshe që ta shohësh! Nuk do të çoj në ato motelet e ndyra. Është rasti të vish në vilën time. Jam vetëm. Gruaja ka shkuar në Milano te e motra. Eja, mos u druaj, përqafomë!

-Mjaft! –thuajse klithi ajo  dhe i gjuajti  një flakërimë sa i hante pëllëmba.Sytë i lëshuan shkëndija. Vuri dorën në faqe dhe si të mos kishte ndodhur gjë, tha i ngërdheshur:

- Ah nuk do!E paske dorën të rëndë. Epo mirë, Astriti pret,Astriti fal. Jam i duruar. Si I thonë: i duruari i fituari. E di që do pendohesh. Jo, mos folë.Nuk dua asnjë përgjigje. Unë pres, mendohu për fëmijët e tu. Do të mërr në telefon. Dije, pasi të bëjmë dashuri bashkë, çështja jote është e fituar. Fëmijët do t’i kesh në shtëpi. Që të marrësh duhet të japësh. Ah edhe një fjalë për herë të fundit: do të bësh dashuri me mua?Ja ku po ta them: pasi të bëjmë dashuri , do kthehesh e rikthehesh tek  mua, gangsteri, si një manare e do më lutësh e përgjerohesh, por atëhere s’do të dua unë.

Mara, që ziente nga zemërimi, e fyer në personalitetin e saj, që po e trajtonin si kurvë, hapi derën me vërtik dhe doli.

-Do të marr në telefon- dëgjoi që po i thoshte si përcjellje.

Marës, para syve iu bë një perde tymi e mjegulle, ishte si e pezullt, nuk shihte ku shkelte. U përmend kur para këmbëve i frenoi një makinë dhe një e sharë vendshe.

Kaluan dit. Marës vazhduan ti vinin mesazhe. E njëjta kërkesë këmbëngulëse. Ajo nuk i ktheu përgjigje. Durimhumbur, ajo u mendua gjatë dhe vendosi tu hapej vëllezërve. Dhe këtë e bëri një pasdite në verandën e kafe “Belvedere”. Të dy vëllezërit Gjoni, Marku, kirurg që kishte bërë emër, rreth të dyzetave  dhe Pjetri, më i ri, sipërmarrës në importin e mallrave ushqimore, porositën kafe dhe xhin tonik, kurse Mara një lëng portokalli të saposhtrydhur.

-Si shkoi gjyqi?- pyeti doktor Marku.

-Keq. U shty edhe një muaj tjetër. Problemi janë fëmijët.

Në ndërkohë ciati telefoni i Marës. Kishte ardhur një mesazh. Ishte ai që për të sajtën herë, këmbëngulte në kërkesën e vet.

-Kanë dalë edhe kërkesa të tjera. Gjykatësi kërkon tre mijë euro dhe një gjë tjetër, që s’ma nxë goja, por e keni të regjistruar  këtu- dhe ia dha Markut telefonin. Ata dëgjuan në heshtje regjistrimin dhe pastaj lexuan mesazhet.

-Pa shih! Ai plehra, i pafytyrë, i kursit të plepave, e ndjen veten të fuqishëm si zoti. Maskarai. Këtë gjyq po na e kthen në çështje nderi.Dëgjojmë përditë për këta hamshorë. Për ta në kodin civil duhet të kishte një nen që t’I dënonte me tredhje.Çdo dënim tjetër është i pavlerë.

-Si thoni, çduhet të bëj me këtë të palaço? Ta demaskoj, ta bëj publike, të kërkoj ndryshimin e trupit gjykues?

-Jo,-tha Pjetri- mbaje me shpresa, si i thonë fjalës, hiq e mos e këput. Asnjë veprim. Të tjerat na i lerë neve.

Kështu e bënë.

Ishte pasdite dhe gjykatësi Astrit Mali po gatitej për të dalë, kur tingëlloi zilja e fonisë te porta. Ai pyeti se kush ishte. Mark dhe pjetër Gjoni, qe përgjigja.Shtypi butonin e automatit dhe hapi portën. Vizitorët ngjitën shkallët dhe u ndalën në verandë. I zoti i shtëpisë i mirëseardhi dhe i ftoi në sallon. Astriti i njihte për fytyrë , e dinte që ishin vllezërit e marës, po ndonjë muhabet s’kishte me ta.

-Me se mund tu shërbej? Ndonjë gjë për të pirë:raki, uiski, xhin apo konjak?

-Faleminderit. Asgjë.

-Besoj jeni të shqetësuar për gjyqin e motrës suaj.

-E vërtetë. Kemi ardhur tu ftojmë që të darkojmë bashkë. Ta bisedojmë punën mbarë e prapë , e të bëjmë pagesën që i keni kërkuar Marës.-Foli Pjetri qetësisht.

Nuhatja e hollë e rrezikut dhe dyshimit , prirja profesionale për të parë me ndërdyshje atë, që fshihej pas fjalëve, që thuheshin, bëri që gjykatësi ta refuzonte me mirsjellje ftesën.

-Ju falemnderit, jam i nderuar nga ftesa që më bëni, por nuk mund t’ua plotësoj dëshirën. Sapo do të dilja. Kam një takim me një funksionar të Ministrisë së Drejtësisë.-Gënjeu ai.

-Ti do të vish me ne.Duhet ta bisedojmë.Boll u zvarrit kjo kërkesë divorci.Duhet ta bisedojmë. Telefonoji funksionarit dhe shtyje takimin.

- Gjë që s’bëhet.

-Bëhet, bëhet.

-Nuk shoh ndonjë arsye.

-Kurse ne e shohim atë arsye. Ti ,zotri, do të vish me ne. Ke për të parë që darka do të jetë e këndshme dhe e pasur. Aty do të jetë edhe Mara, që na ka folur me shumë simpati për personin tuaj.

Ajo fjala “Zotri” e shqiptuar me theks, ia shtoi më shumë dyshimet gjykatësit. E dinte që në bisedën e fundit me Marën, i kishte dhënë ca si tepër gojës. Mbase,ajo kuçka e kishjte regjistruar dhe u kishte treguar të vllezërve.

-Të më falni, keni ardhur në kohë fare të papërshtatshme. Mua më duhet të dal. Jeni të lutur që edhe ju të ngriheni.

Pjetri i hodhi një vështrim pyetës Markut dhe ai pohoi me kokë.

-Ti do të vish me ne. Me hir apo me pahir.

-U thashë dhe po e përsëris, gjë që s’bëhet-ngriti tonin gjykatësi për tu rrëfyer se po e humbiste durimin.

Pjetri nxori revolverin dhe ia tundi para fytyrës. Gjykatësi u tromaks, iu prish çerja, iu shtrembërua  goja.Po kjo ç’ishte?

-Hiqe atë revolver- u hkërrye ai.

-Veri duart prapa!

-E dini ç’jeni duke bërë? Po konsumoni veprën rrëmbim personi, po I thoni derë së burgut hapu. Në në kodin penal….Por nuk mundi ta vazhdonte fjalën sepse Marku ia mbylli gojën me një fashë natriban, teksa Pjetri i lidhi prapa shpine duart. Gjykatësi u perpoq të kundërshtonte me ca tinguj grykorë dhe të gjuante me shkelma.

-Urt, zoti gjykatës! Nuk të bëjnë dobi kundërshtimet dhe vicklat-mori e tha Marku dhe e pa me shpoti përzier me zemërim.

Pjetri e futi makinën brenda avllisë, teksa Marku, që ia kishte vënë revolverin në brinjë e urdhëroi gjykatësin të dilte në oborr. Aty hapën bagazhin dhe e flakën brënda gjykatësin si një deng me lecka. Kapaku u mbyll dhe makina u nis. Gjykatësit i erdhi për të vjellë nga era e benzinës dhe  ndjeu se një send metalik e vriste në shpinë . Nuk e kishte idenë e venddodhjes, por sa kohë makina ecte shtruar, kuptoj se po ecnin në autostradë. Ca më pas, makina mori kthesë dhe nisi të troshitej. Kuptoi se kishin hyrë në rrugë fshati të pashtruar. Së fundi u duk se udhëtimi i  skëterrshëm mbaroi. Frenat kërcitën dhe motorri u fik. Kapaku i bagazhit u hap.

-Dil!-urdhëroi Pjetri-por me duar të lidhura ai s’po mundej, ndaj e ndihmoi për të dalë.

Gjykatësit i vrau sytë shkëlqimi i dritës, por mundi të shihte që ndodhej jashtë qytetit, në luginën e lumit, në shpatin e kodrës së butë, në oborrin e një vile të vetmuar dykatshe, zbukuruar me cedra dhe trëndafilë që rrethohej nga vreshti . Hynë në katin e parë. ishte kabineti privat i kirurgut Mark Gjoni. E urdhëruan të ulej në divan. Me të vllezërit u bashkua dhe Mara. Të tre u ulën kundruall gjykatësit. Ai me shënja të kokës dhe tinguj grykorë po u lutej që t’ia lironin gojën dhe zgjidhnin duart. Por mbeti pa përgjigje.

-Ti e di, dhe në s’e di mësoje: që ne jemi malësorë dhe kemi një ligj tonin, Kanunin e Maleve dhe do të gjykojmë me akt padinë “Për nderin e marrun” të motrës sonë, që ti u solle me të si të  ishte femër e përdalë. Dhe kanuni thotë se: dy gisht nder Zoti na i ka dhanë në ballë. E nderi i marrun lahet me gjak. E në mos e bafsh, mbaje për turp ballin e vruguem.

Pjetri  nxori dhe uli mbi tryezën e vogël revolverin, që nën dritën e fortë të ndriçesve shkëlqente me ca reflekse llullaqi. Gjykatësi u lemeris, në sy i lexohej tmerri ndaj asaj që e priste. A thua ky të ishte fundi: një plumb ballit dhe flakja në gropën e plehrave ku do ta hanin qentë!Emër shuar, varhumbur.Askush si kish pare e askush s’do ta  kërkonte. E pwrse? Për një zuskë. Trupi iu ftoh dhe nisi të dridhej.

-Vendosëm që të të dënojmë me kastrim. E di çështë kastrimi? Heqja ose nxjerja jashtë funksioni e testikujve, apo siç u thotë populli, herdhe,bole apo koqe? Një operacion i vjetër sa bota. Në popull ka emra të ndryshëm; tredhje, skopitje, çjerrje. Është praktikë e zakonshme për demat që të bëhen qe për zgjedhë, për hamshorët që të bëhen kuaj  pune, për derrat e majmërisë por edhe për burrat, në vendet e lindjes. Gjith ata që shërbenin në haremin e sulltanit ishin të tredhur dhe quheshin Eunuk. Kjo bënte që ata të shërbenin me devocion.Kjo s’bëhej pengesë që prej tyre të  dilnin vezirë e pashallarë dhe quheshin  Eunuk Pasha. Edhe për ty s’do të jetë pengese të bëhesh kryeprokuror apo kryegjykatës. Asnjë rrezik për jetën, veçse njeriu bie në paqe me veten dhe shpëton nga nxitjet e demonëve të seksit. Ti, Mara, që je ndermarruna, si thua, i takon ky dënim?

-Zotria, ka të drejtë të zgjedhë, ose një plumb kokës, ose dënimin tjetër, që si rrezikon jetën-tha ajo dhe mori revolverin dhe ia vuri në tëmtha. Si thua ta shkrep?

Gjykatësit iu shqyen sytë, e uli kokën me vërtik dhe thuajse u shtri përtokë dhe po përpëlitej. Tingujt mohues grykorë, që s’arrinin të ktheheshin në fjalë refuzimi e tmerri, që i pasqyrohej në gjithë pamjen, shprehnin mospranim dhe frikë. Mara e la revolverin në tryezë.

-Frikacak, burrec, s’ta mban hë, i mbushe poturet. Revolverit ia kam hequr fishekët dhe shkrepje nuk do të kishte.

Gjykatësin e futën në dhomën e operacioneve, të cilën e ndante nga salloni një perde e rëndë kadife ngjyrë allë. Me gjithë kundërshtimet e mundshme, e shtrinë në tryezën operatore dhe i lidhën duar e këmbë. Gjykatësi , i llahtarisur si të ishte në thertore, pa sesi doktor Marku veshi bluzën e gjelbër, vuri kapuçin, vendosi maskën, lau duart në sqoll dhe veshi  dorezat e llastikta. Veprimet i bënte aq qetësisht e ngadalë, qëllimisht, sa gjykatësit i dukej se po shihte një film me xhiro të ngadalta. Ishte fillimi i torturës së tmerrshme që s’i dihej fundi. Pastaj, po aq ngadalë ai nxori nga sterilizatori dhe i vuri në një tabaka nikeli një e nga një instrumentat  që nën dritën e abazhurit të fuqishëm feksnin si pasqyra: bisturi, gërshërë, pinca ,kapse metalika, gjilpëra, katgut, tampone pambuku, garza dhe pajisje të tjera. Ishin mjetet e torturës, mendoi ai, si pajisjet e inkuizitorëve mesjetarë, mungonte vetëm turra e druve. Në hundë i vunë një tampon me eter.Ia shqiti fashën e natirbanit dhe I liroi gojën. Pastaj doktor Marku, që të sigurohej për efektin e narkozës, i bëri ca pyetje kot së koti: si ia quanin prindërit, kur dhe ku kishte lindur, etj. që ai iu përgjegj me gjuhë të trashur. Më pas i tha të numëronte. Numëroi gjer në një far vendi.  Humbi ngadalë vetëdien dhe si të ishte i papeshë voziti në një hon të errët dhe ra në  gjumë të thellë.

Mara ndezi makinën dhe u hodh deri te kasapi që të merret një porosi që kishte bërë.

Pa e ditur sesa ndenji ashtu, gjykatësi u përmend nga era shpuese e amonjakut në hundë. E kishin zgjidhur dhe kuptoi që gojën ia kishin liruar. Iu desh një valë herë të përmendej dhe të kuptonte ku ishte. Dhimbja therëse në fund të barkut, midis kofshëve, e kujtoi ku ndodhej dhe çfarë kishte pësuar.

-Mbaroi-tha doktor Marku.- Shkoi mirë, pa asnjë ndërlikim. Me shëndet! Mund të çohesh. Vishi pantallonat por me kujdes se mos lëndohesh.

Bëri si i thanë. Sytë i mbetën në koshin e hedhurinave ku ishin flakur shuka pambuku dhe garza të përgjakura.Ishte gjaku i tij. Ngau shalëhapur për në sallon duke u mbajtur me duar në mure.

-Ulu në divan se ende s’kemi mbaruar.

-Kriminelë, egërsira, primitivë të mykur, malokë.Duhet të kalojnë tre breza që të bëheni qytetarë! Keni për të ma paguar! Do t’u vras me dorë time!

-Doktor Mark,sa koston operacioni-pyeti Gjoni.

-Për zotrinë, meqë ka simpati për motrën tonë po e ulim pak çmimin, mjaftojnë njëmijë euro. Do t’ia zbresim nga çmimi që ka kërkuar për gjyqin. I detyrohemi vetëm dymijë euro.

- Marë, thirri Gjoni.  Miku ka uri. Mos na korit. Miku nuk lihet të ikë i pangrënë.

Mara erdhi nga kuzhina me një tabaka në dorë. Në tabaka ishte një pjatë dhe gatesa e ndrequr me salcë dhe erza, avulli që dilte sosh, shpërndante aromën e mirë. Nuk mungonin  peceta thika dhe dy pirunë. Gjykatësit i mbetën sytë në të. Ishin dy herdhe, pak stërgjatshe, të çara me thikë dhe të fërguara. Po e detyronin të hante vet-veten. O tmerr, o llahatrë!

-Ha, janë të shijshme si tru.

-Më mirë vdes!

-Leri fjalët e mëdha-dhe Gjoni  ngrehu këmbëzën e revolverit dhe ia drejtoi. Ose ha ose vdis. Zgjidh e merr!

Gjykatësi i zbetë si meit, preu një copë dhe me duart që i dridheshin e futi në gojë, por pa arritur ta përtypte. volli sa nxori zorrët nga sytë i rrodhen lot.

-Më vrisni, këtë s’e bëj dot!

-E ke kot-tha doktor Marku- këtë tjetrën po e ha vetë-preu një copë, e ngjeu në salcë dhe filloi ta përtypte gjithë ëndje- Ëëëë, sa e mirë! Në kodin penal, në s’gabohem, s’ka ndonjë nen për antropofagi[1]. Ngreu se do të shpiem në shtëpi.

E ulën në ndenjësen e pasme.Maqina dolli nga rruga e pashtruar, hyri në autostradë dhe mori drejtimin për në qytet. Kur hynë në oborrin e vilës, e mbajtën nga krahët që të ngjitej nëpër shkallë dhe e ulën në divanin e sallonit

-Dhe shiko të bëhesh burrë i mirë-  i thanë dhe ikën.

Gjykatësi u shtri në divan, por s’ishte rehat, qëndroi ndënjur. Pushtoi kokën me të dy duart dhe I hipi një e qarë. Qau dhe lotët i rridhnin çurk. Qante për veten, për jetën e tij të shkatrruar e turpëruar. Petrit Eunuku, ky do të ishte mbiemri i tij i ri. Më mirë të kishte vdekur.E ç’i duhej jeta me atë gjymtim të mynxyrshëm .Kishte vetëm një zgjidhje, të ikte nga sytë këmbët, sa më larg në fund të botës, në Alaskë, në Australi….Dikur, kur nisi të binte muzgu, u kujtua të shihte veten. Uli pantallonat dhe mbathjet. Fashat ishin të përgjakura, binte era jod. Zgjidhi me kujdes fashën e penisit, që kishte qënë mburrja dhe krenaria e tij.

E kishin bërë synet! kishte rrethprerje por plaga ishte e lehtë dhe  gjakrrjedhja kishte pushuar. Hoqi fashat e poshtme. Në pasqyrë pa që kishte dy prerje vertikale, por plagët nuk ishin të thella. Nuk kishte qepje. I preku me dorë. O çudi! Herdhet ishin aty, të dyja. Që të bindej ,i shtrëngoi me pulqer dhe dy gishtat e tjerë. Ndjeu dhimbje.

Mbushi vaskën me ujë të ngrohtë dhe u zhyt në të. Uji I ngrohtë ia shkrifëroi  trupin. U fërkua sa lëkura iu skuq, mëndja  shkoi për keq. Mund të kishte ndonjë mënyrë të sofistikuar për ti shburrëruar meshkujt, pa i hequr herdhet, si ato që përdornin veterinerët për qentë. E pushtoi ankthi. Kishte një mënyrë për ta provuar. Ai nisi të masturbohej. Nuk kaloi shumë dhe  ndjeu atë gjëndjen molisëse të ngrohtë e ëmbëlcake që i pushtoi trupin dhe lëngu i bardhë veshtullor i spermës u derdh me curril. Ai klithi me ngazëllim. Operacioni ishte një simulim. Kuptoi që edhe herdhet që I kishën dhënë për të ngrënë ishin marrë nga ndonjë dem, dash, apo dreqi e di se nga ç’kafshë . Dolli nga banja. U fshi dhe veshi  pizhamet.Gojën e kishte të tharë e një hidhësirë si prej ndryshku. E ndjeu të nevojshme të pinte. Piu me etje uiski drejt nga shishja. Mendimet i kishte të pështjelluara. Në jetën e tij kishte ndodhur një përmbysje. Ai nuk do të ishte më ai i pari. Sot i kishin tredhur trutë. Nuk do të bënte padi. Do të plaste skandali dhe reputacioni i tij merrte fund dhe do ta flaknin nga gjyqsori. Atë që ndodhi e dinte vetëm ai dhe vllezërit Gjoni. Edhe atyre nuk u leverdiste ta përflisnin. Ra në gjumë të thellë, me ëndrra të ankthshme. U zgjua të nesërmen pasdite. Ishte e hënë, për fat atë ditë s’kishte ndonjë gjyq për të gjykuar.

Janar-shkurt 2019.


[1] Kanibakizëm-njeringrënie.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora