E marte, 19.03.2024, 08:36 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Pusi që lahet vetë e lanë dhe kujtesën tonë

E hene, 18.02.2019, 08:36 PM


PUSI QË LAHET VETË E LANË DHE  KUJTESËN TONË

NGA PËLLUMB GORICA

Ka disa veçantira historike që, të tërheqin vemendjen me shfaqjen e tyre, me kreativitetin, misteret dhe kumtimet e padeshifruara. Është një përbashkësi kulturash e kohërash të lashta që të imponohen. Ndaj, gjithmonë i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese drejt tyre, aq më shumë nëpër monumente, si ura të lidhura me historinë. Ishte dëshira nxitëse, me ambicje që ndizte dritën e saj për të vizituar “Pusin që lahet vetë”, këtë toponim të habitshëm në Skampinin e lashtë. Më shoqëroi mikun im, elbasanasi shpirt fisnik Bardhul Toda,ky njohës i historisë së lashtë të qytetit të tij.

Nga qendra e Elbasanit, u nisëm bashkë me Bardhulin. “Pusi që lahet vetë” ndodhet në një nga lagjet e vjetra, pa e humbur fqinjësinë me kalanë e lashtë. Trungjet e drurëve anës rrugës, si cung të kalojnë para syve, e të kujtojnë radhët e një ushtrie të gatshme për paradë. Ndërsa në kurorat e shpalosura të degëve, fërshëllente era që fryn nga Krasta.

Për “Pusin që lahet vetë”, është folur e shkruar shumë dhe janë prodhuar histori të mahnitshme deri në kufijtë e legjendës, siç ndodh zakonisht për vende të tilla, të cilat ndihmojnë të njohim më mirë të kaluarën e largët. Me ato çka më kishte rrëfyer miku im, Bardhuli, kisha krijuar një ikonë idilike e përrallore për të.

- Të gjithë jemi kureshtarë, kur dëgjojmë histori të mistershme, - thotë Bardhuli, -aty ku përzihen kufijtë kohorë, që të nxisin shpirtin në përsiatje të thella, e shtojzovallet si në rrëfenja shfaqen me purpurin fluid dhe hidhin valle.

Histori që flasin nga largësia

Kur rrëmon në thellësinë e erërave të largëta, të gurëzuar në humbjen e gjurmëve, nis e përjeton historinë përmes rrëfimeve që gërvishtin përfytyrimet. Diku kam lexuar se një popull, për të njohur më mirë trashëgiminë e tij, nuk duhet të harrojë historinë e tij. Duke pritur të shuaja kureshtjen për këtë vend, për ta prekur me sytë e mi e për të ditur më shumë jo vetëm të kaluarën e tij, por edhe misteret shoqëruese,‘‘humba’’ si padashur mes përfytyrimeve që s’kishin të sosur. Bardhuli e theu heshtjen time, kur makinën e ndali në një shesh të vogël, të shtruar me gur të lëpirë, të rrethuar nga shtëpi të vjetra, me tjegulla të kuqe mbuluar e përbri njëra- tjetrës, duke abroguar pak banesa që lartohen dy-tre kate. Dielli i stinës i ndriçonte me një dritë verbuese. Pranë kangjellave të një vile të bukur dhe një rrapi që ngrihej si monument me degët e panumërta, që e bënin më interesante vendodhjen e pusit. I gdhendur me mjeshtëri të rrallë e të lakmueshme për syrin e njerëzve, ai sot është një ndërtim i ri, por që fsheh mrekullinë e krijimit origjinal, e padyshim, është një përpjekje e lavdërueshme në emër të ringjalljes së vlerave tona.

Pikërisht këtu, në këtë shesh të kalldrëmtë lagjeje, ngjizet historia e pusit. Është elementi kohë që krijon histori e cila dalton shenjat e saj mbi trashëgiminë e shekujve, por ndodh që kjo në shumë raste, nxiton për të fshehur edhe gjurmët. Kur dëshmitë e së kaluarës shkatërrohen me dashje, nga pamëshirshmëria e hipokrizisë së kohës, apo nga neglizhenca vrastare e pushtetit, që e transformon të vjetrën, dhe i zhduk gjurmët, lind pyetja: A jemi ne në gjëndje t’i kthejmë, apo sëpaku t’i riformësojmë nga zeroja këtë? Dihet që koha, (luftërat, tërmetet e ndryshimet drejt së resë), me metamorfozën e saj në shekuj ndërton e transformon (edhe shkatërron), ndoshta edhe për t’i fshehur me harresë.

“Pusi që lahet vetë”, thuhet se ka një histori të mistershme dhe të largët orientale. Ai ishte ndërtuar në mesin e shekullit XV, (rreth vitit 1460) në ato kohëra të trazuara, me luftra e lëvizje të huajsh, që kishin zënë të gëlonin në qytet, si kudo në trojet e Ilirikut të lashtë. Shumë nga ata vinin nga vendet arabe dhe Turqia megjithëse kishte edhe nga ata që nuk dihej se nga vinin. Sipas historive të përcjella gojarisht, dy besimtarë turq, Hyseni dhe Dylgjer një ditë u panë këtu. Hapën me shumë mundim një pus, ç’ka vlente më tepër se çdo gjë tjetër, që mund të ishte bërë. Uji ishte jetëdhënës për qytetin që po zgjerohej edhe jashtë kalasë së lashtë, me të ardhur nga krahinat rreth e rrotull tij. I punuar me kujdes të veçantë sipas një tradite të njohur, ai u hap dhe ju shërbeu jo vetëm banorëve, por edhe një xhamie të ndërtuar afër tij.

Sitemi i vjetër pas viteve 1944, i la vendin një sitemi të ri, në një periudhë vrullesh heroike siç u quajtën, me ndryshime të theksuara në jetën sociale të qyteteve dhe fshatrave, në luftë ndaj fesë e zakoneve prapanike. Ai sistem komunist, nën emrin e luftës ndaj fesë, riteve dhe festimeve, si opiume për popullin, vështirë të kujtohet me nostalgji për diçka të mirë, kur mendon se shkatërroi deri në papërfillshmëri, jo pak objekte të trashëgimisë fetare: kisha, xhami, teqe, duke i kthyer gradualisht në rrënoja. E qëllimshme, ishte edhe zhdukja e pusit, si një objekt që i shërbente besimtarëve pas faljes së mëkateve në xhaminë e lagjes. Ishte zakon i përditshëm i besimtarëve të lanin duart e fytyrën me ujin e pusit. Kjo bëri që pushtetarët ta mbyllnin pusin, të cilin e shihnin si një shënjtëri monumentale. Ai u mbush me mbeturina, duke u degraduar deri në rrënim total. Vetëm toponimi “Pusi që lahet vetë”, do të mbetej,më pas në kujtesë të përhershme. Edhe kur erdhën ndryshimet demokratike, jo pak vite kaluan në heshtje për pusin. Njerëzit kishin mbi kokë problemet e përhershme të ditës, por tashmë më të mprehta. Askush nga institucionet e mbrojtjes së monumenteve apo pushtetit lokal nuk kujtoheshin për atë, si një vend me histori të kaluar të qytetit. Për të mos e lënë të harrohej, Ibrahim Bitoci, një nga banorët e vjetër të lagjes, me bamirësinë e tij, në këtë botë të egër biznesi, më shumë se një dekadë më parë, i ktheu vlerën pusit në identitet, me një ndërtim të ri e të përsosur. Ai dhe djemtë e tij financuan për gërmimin e tij, e pastruan nga gjithë ato mbeturina të depozituara ndër vite. Nuk kishte kohë për të humbur, sepse autentikja e tij nuk mund të kthehej si më parë për shumë elementë, por kur përpjekjet bëhen në përshtatje të zhvillimeve moderne ato marrin kuptim. Sa mirë, sa mirë, thoshin banorët kur kalonin aty! E sikur kjo nuk do të mjaftonte vetëm me hapjen e pusit ata e sistemuan sheshin duke e shtruar me gurë të lëmuar lumi.

Aty ku shtojzovallet dilnin nga nata

Kureshtja jonë teksa vërtiteshim në sheshin rreth pusit dhe fotografonim atë krijesë të rilindur, tërhoqi vëmendjen e disa banorëve të lagjes, e sidomos të të moshuarëve, të cilët u afruan menjëherë. Takojmë Luan Qatipin dhe Besnik Narazanin, burra me rrudha të lexuara, që pesha e viteve i ka falur edhe pamjen e sotme të moshës fisnike. Pa ngurruar, ata nisën përcjelljen e rrëfenjave nga kujtesa e tyre, të shoqëruar me lëvizje të duarve dhe të kokës, qysh i kanë dëgjuar nga prindërit, gjyshërit e të moshuarit e tjerë. Nuk mungojnë edhe zhargonet, që me sa duket elbasanasit i përdorin ende, për të treguar në origjinalitetin dialektor dhjetëra rrëfenja që gërvishtin misterin e pusit, të përzier me fakte e emra, duke të futur thellë në shekuj miteriozë. Ndërsa duke i dëgjuar ato, ne sikur i përjetojmë të gjalla para syve largësitë e thella të kohërave, të ndërthurura aq bukur dhe interesante, si vetë historia e pusit.

Ndaj nuk mund të shuhen nga kujtesa këto rrëfime, që burojnë nga trashëgimia e brezave, që ndoshta nuk mbarojnë kurrë, ose skanë lindur për të qenë të tilla. Megjithatë, ngjarjet e ndodhura gjatë shekujve të treguara, me një filozofi aq të mprehtë, shpesh ngatërronin kufijtë e reales me përrallën, të thurura me lloj- lloj elementësh të çuditshëm, të zmadhuar nga fantazia e shfrenuar, të cilat i afronte padija e shpjegimit të fenomeneve dhe bestytnive në errësirën e kohëve.

-Në ato kohëra që mund të thuhen të largëta- e nis bisedën Luani -, dy udhëtarë nga Turqia një ditë hodhën një sqepar dhe një mistri, prej floriri që ranë këtu. Ata u bënë me krahë pëllumbash të bardhë dhe ndaluan mbi këtë shesh për të hapur pusin. Gurët i merrnin me të vetmen mushkë në Zaranikë. Ngulën një hu rrapi dhe lidhën kafshën e punës mbrëmjeve kur pushonin. Huri hodhi shtat e u burrërua, si dru i lartë për të marrë në mbrojtje pusin me hijen e tij, duke e bërë atë një vend të freskët në lagje, qoftë në orët e nxehta të verës, por edhe me afrimin e mbrëmjes. Kur mungonin kafenetë, ky vend ishte në atë kohë më i parapëlqyeri. Këtu kemi dëgjuar qindra tregime nga të parët tanë. Kujtimet janë të shumta e shprehin vetëm mall. U rritëm e jemi çlodhur duke kaluar brez pas brezi me lodra, këngë, halle e gëzime thonë ata. Pleqtë dridhnin cigare dhe kuvendimi merrte udhë pa fund. Ata jo vetëm rrëfenin ngjarje të ndodhura në të kaluarën e largët, që duket se kishin lënë gjurmë, por e kthenin atë edhe në tribunë opinionesh të realitetit të kohës. Të rinjtë bënin shakara dhe ia merrnin këngës që buçiste deri vonë.

Vëmendjen ta tërheqin zhurma të lehta, siç janë gurgullimat që vijnë nga thellësitë e errëta të pusit. Uji kishte një dukuri interesante, që kohë pas kohe shpërthente e rridhte rrugëve, si një rreke që ngazëllehet. Ndërkohë janë fjalët, rrëfimet e treguara e stertreguara që i japin kësaj dukurie një shpjegim interesant. Kjo ndodhte rrallë, nga ndikimi hyjnor i baticave dhe zbaticave të hënës, që përcaktonte daljen e tij në sipërfaqe. Një fenomen fantastik, të cilin kush e kishte parë, ishte mahnitur me këtë vetpastrim të pusit, si vetpastrimi i damarëve të Liknidës së lashtë falë zotërave dhuratë i kësaj treve. Madje ky fenomen në shekuj i cili i ka dhënë emër këtij pusi, është krejt i qëlluar. Nuk dihet se kush e quajti “Pusi që lahet vetë” dhe kur e mori këtë emër. Gjithsesi emër tjetër me kuptim më të plotë s‘mund t’i gjendej. Pra, ka disa ndërtime, të shkatërruara nga faktorë të ndryshëm, që mbesin në emërtime kornizë, si pergamene të së shkuarës.

Besniku sjell të tjera dëshmi interesante.

- Shumë gjurmë janë përgjumur nga harresa, e kushtëzuar kjo prej kushteve e rrethanave që vendos koha, - thotë ai. Pusi është i thellë dhe i thurur me mure guri të trashë e të thatë. Pusi ishte aq bujar, sa gjithë lagjia merrte jetë prej tij. Të pije ujë prej këtij pusi nuk kishe të ngopur se është sa i lehtë aq dhe freskues. Kur u rihap pusi, pothuajse në fund të tij ishte një dritare e vogël (ose xhep muri nëse mund ta quajmë kështu), në të cilën u gjetën një sqepar dhe një mistri, jo prej floriri, të cilat mendoheshin që mund të ishin të ustallarëve që e kishin ndërtuar.

I dëgjon copëzat e rrëfimeve rreth pusit, thënë shkurt dhe këndshëm për të rindërtuar historinë e tij, si një mjeshtëri e asaj kohe, që me duart e saj në shekuj krijoi kryevepra dhe thuri rrëfime interesante. Të gjitha këto i mëson nga bashkëbiseduesit e moshuar, autoktonë të këtij qyteti, aq sa mbetesh gojëhapur. Dhe ec e mos u beso rrëfimeve të tilla, ku dëshmohen fakte, të cilat i prunë aq interesante sa të lexosh dhjetëra shënime, të shkruara nga autorë anonimë.

Fatmiri, që deri në ato çaste kishte ndenjur i mënjanuar në bisedën tonë, e rriti interesimin kureshtar për ta dëgjuar.

- Këtu, - thotë ai, shtojzovallet dilnin nga nata, të bukura e të bardha, duke ia kaluar bardhësisë vetë. Pleqtë e moçëm betoheshin se i kishin parë me sytë e tyre. Ndaj shumëkush mendonte se ishin shtojzovallet, që ujin e nxirrnin nga pusi, e zhdukeshin pa gjurmë kur kalonte dikush.

Tregohej një legjendë e bukur, që ka ardhur deri në ditët tona, me djallëzinë njerëzore brenda saj.

“Një vajzë jetime, e urdhëruar prej njerkës detyrohet që natën të shkonte e të shihte shtojzovallet, kur dilnin nga pusi. Njerka e dinte, se nëse dikush i shikonte shtojzavallet, dhe po të tregonte, do të vdiste. Kështu, një mesnatë, ajo detyroi vajzën e burrit të dilte natën e të shkonte tek pusi. Njerka i kërkoi të tregonte vajzës çfarë kishte parë. Për të mos folur me askënd nga frika se vdiste vajza heshti. Njerka i tregon babait të saj, se ajo kishte ikur natën jashtë, e nuk dihej, se ku ka shkuar. Nën dhunën e egër të babait, që kërkonte arsyen e ikjes, vajza tregoi për shtojzovallet, që laheshin, loznin e hidhnin valle në rrjedhën ujit si kristali. E kështu vajza mori mallkimin e të rrëfyerit dhe vdiq.”

I prekur nga fjalët e legjendës nisa të murmuroja këngën e vjetër, të kënduar nga ustai i këngës elbasanase, Isuf Myzyri,  e cila mbetet një nga më të dashurat për elbasanasit autoktonë.

"Unë e kam shtëpinë te pusi që lahet vetë

nëna më ka vdekur, me babanë kam mbet

… mjerë unë o nëne, më ka zënë veremi

…amanet mre shokë në dhe të më shtini"

***

Asgjë tjetër nuk mund ta bënte më të bukur këtë ardhje të beftë, aty te “Pusi që lahet vetë’’. Ajo më krijoi një ndjesi ndryshe, me copëzat e historive dhe misteret e zhbiruara shqiptare. Unë sikur i përjetoja me krenari, si vetë rrjedhat e shekujve, që as edhe një libër nuk do të mjaftonte për të shkruar rreth tij. Ato të kujtojnë se gjallojnë, me paevitueshmërinë e papërfillshmërisë së kohës, se vetëm vlerat e rralla të krijimeve të popullit e sjellin atë kaq të veçantë dhe origjinale mes nesh.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora