E merkure, 24.07.2019, 01:30 AM (GMT+1)

Personalitete

Hysen Kobellari: Ramadan Sokoli, dijetari dhe atdhetari shembullor

E marte, 19.02.2019, 01:29 PM


RAMADAN SOKOLI (1920-2008), DIJETARI DHE ATDHETARI SHEMBULLOR

Nga Hysen Kobellari

1- Profesor, të njohu bota ! …

Ishte fillimi i korrikut 2006 kur drejtuesja e Institutit Amerikan të Biografive (ABI) Znj.Miçëll, në emër të institucionit, ndër më të famshmit në botë, i dërgoi profesor Ramadan Sokolit shkresën zyrtare ku e njoftonte se ABI e pati shqyrtuar veprimtarinë e tij të shumanëshme e të gjatë kërkimore-shkencore nëpëmjet Drejtorisë Ndërkombëtare të Ekspertëve dhe Ekspertizave, pjesë e këtij institucioni. Projekti synonte koleksionimin e biorgafive shkencore të shkencëtarëve dhe ekspertëve më të shquar në botë. Emri i dijetarit tonë të njohur u përfshi në “Lista e Ekspertëve më të Respektuar në Botë”, e cila përfaqëson elitën e ekspertëve më të njohur si autoritete të padiskutueshme në fushat e tyre, zëri dhe kontributi i të cilëve është konsideruar si maja më e lartë për dijet shkencore dhe eksperiencën.

Pata fatin ta njoftoj i pari profesorin për këtë sukses dhe t’ia transmetoj vlerësimin e Znj. Miçëll, “ … si një nga ekspertët më të respektuar në botë… ; biografia juaj e publikimeve do të bëhet e njohur botërisht nëpërmjet botimeve speciale dhe për ta zyrtarizuar këtë status, Ju do të pajiseni me një Çertifikatë, e cila iu deklaron si autoritet ndërkombëtar dhe ekspert në fushën tuaj dhe do të jetë si garante e reputacionit të fituar në botën e specialistëve dhe profesionistëve më të shquar të planetit.”

Profesor Ramadanit i ndriti fytyra fisnike; buzëqeshja pas gëzimit të merituar ia hijeshoi edhe më paraqitjen prej njeriu të urtë, të ditur e të durueshëm. Pasi falenderoi Zotin për këtë vlerësim njerëzor, dijetari më zgjati një tufë letrash dhe një fotografi shumë të bukur të Taxh Mahallit, në Indi, të cilën e pat ndërtuar shekuj më parë oparaku Mehmet Isai nga Shkozanji. Ai e dinte origjinën time oparake dhe ma paraqiti studimin e vet si një zbulim interesant, për të rritur krenarinë dhe respektin e njerëzve ndaj të parëve tanë dhe ndaj atdheut tonë … Kështu kishte vepruar urtari ynë shembullor edhe me zbulimin e jetëve dhe veprave të muziktarëve të lashtë Niketë Dradani, Jeronim Eusebi, Jan Kukuzeli e Gjergj Danush Lapaceja; arkitektëve Sinan Aqif, Mehmet Sedefqari, Arkitekt Sinani, etj. Ai ishte i lumtur dhe mirënjohës që Allahu e kishte mbushur plot inspirim ato vite të fundit, duke e lehtësuar, ndihmuar e frymëzuar të kërkonte e të zbulonte thesaret e fshehura të muzikës, folklorit, kulturës dhe traditave të vyera të kombit tonë të lashtë.

Lotë gëzimi e krenarie rrodhën faqeve të rreshkura të profesor Ramadan Sokolit, dijetarit dhe atdhetarit shembullor …

2- Simpozium Shkencor Ndërkombëtar për nder të Prof.R.Sokolit …

Është bërë zakon që ne t’i vlerësojmë njerëzit tanë të talentuar e të shquar pasi më parë ata t’i ketë çmuar bota. Kështu ndodhi edhe me Prof. Ramadan Sokolin. Pas gjysëm shekulli veprimtarie të palodhur studimore shkencore iu dha titulli Porfesor nga Akademia e Shkencave, duke e bërë Akademik. Por menjëherë pas vlerësimit të merituar nga ABI për njërin nga baballarët e shkencave albanologjike shqiptare, në nderim të kontributeve të madha të Prof.Ramadanit nga Qendra Shqiptare e Dokumentimit dhe e Komunikimit për Muzikën Rajonale (DCCRM) u organizua një Simpozium i nivelit ndërkombëtar. Kjo ndodhi në tre ditët e fundit të shtatorit 2006 në hotel “Pameba” në Golem-Durrës nën okelion : “Muzika Qytetare në Ballkan”. Morën pjesë nga Kuvendi i Shqipërisë vetë Kryetarja e asaj kohe, përfaqësues të lartë nga MKRS, Akademia e Shkencave e R.Sh, nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës Tradicionale (ICTM), nga Instituti “Gëte” – Zyra Rajonale Selanik, nga Shoqata Ndërkombëtare e Muzikologjisë me qendër në Austri (IMS), nga ambasadat e Gjermanisë dhe Austrisë, etj.

Referuan aty personalitetet më të larta studimore e shkencore nga SHBA, Slloveni, Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani, Itali, Gjermani, Bosnjë-Hercegovinë, Zvicër, si dhe tetë kumtues të shquar nga vendi ynë. Aktiviteti u vlerësua maksimalisht për nivelin e lartë shkencor ku etno-muzikologjia shqiptare dhe traditat e shkëlqyera të muzikës sonë qytetare morën vlerësime të merituara, duke u trajtuar me skrupulozitet dhe respekt të veçantë për vlerat unikale dhe kontributet madhore në visarin e kultures ballkanike, europiane dhe mbarëbotërore. Specialistët u bindën se simpoziumi shënoi nivelin më të lartë të përgatitjes dhe prezantimit të shkencave albanologjike dhe të etnomuzikologjisë shqiptare në veçanti, zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë; meritë kryesore atje pati stafi përgatitor dhe studiuesit shqiptarë që i dhanë tonin atij dhe ku Prof.Ramadan Sokoli shqëlqeu si pararendësi dhe kultivuesi i denjë i brezave të afirmuar studiuesish e kërkuesish shqiptarë…

Ja, disa nga librat e botuar të prof.Ramadan Sokoli :

1 – Les Dances Populaires et les Instruments musicaux du Peuple Albanais, – Tiranë 1958;

2 – Albanieske narodnie pesni – Tiranë 1965

3 – Figura të ndritura (Jan Kukuzeli e Andrea Aleksi) Tiranë 1965

4 – Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologji – Tiranë 1965

5 – Chansons Populaires Albanaises – Tiranë 1966

6 – Metodë për Fyell – Tiranë 1970

7 – Vallet dhe Muzika e të Parëve Tanë – Tiranë 1971

8 – Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia Tiranë 1975, 1984, 1987, 1991

9 – Figura e Skendërbeut në muzikë – Tiranë – 1978

10 – Gjurmime Folklorike – Tiranë 1982

11 – Këngë Patriotike – Tiranë 1985

12 – Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar – Tiranë 1991

13 – 16 Shekuj., -Tiranë 1995

14 – Përrallëza dhe Gojëdhëna në Botën Shqiptare – Tiranë 2000

15 – Antifonari i Durrësakut Gjergj Danush Lapacaja – Tiranë 2001

16 – Pjesë Shqiptare për Fidanishten e Pianistëve të Rinj – Tiranë 2001

17 – Përtej 16 Shekujve – Tiranë 2002

18 – 20 Miniatura Pianistike – Tiranë 2002

19 – Krijime dhe Flijime – Tiranë 2003

20 – Këngët Popullore Qytetare Shkodrane, - Tiranë 2007, etj.

Profesor Sokoli ka pa botuar shumë stidume të fushave të ndryshmet dhe mbi 12 mijë vargje të këngëve të rralla popullore, epike e lirike, mijëra fjalë të urta e të rralla të leksikut të vjetër të gjuhës shqipe, përralla, anekdota, rrëfenja, idioma, legjenda; një thesar i vërtetë për studiues, shkrimtarë e poetë …

Ai na shfaqet si nistor i zbulimit të vlerave të mëdha , gjë që dëshmohet në studimet dhe shkrimet e botuara që ai ia fali shkencës folklorike dhe kulturologjike shqiptare, më mirë se kushdo tjetër, si rizbulime të vlerave që rrinin në përgjumje…

“Ramadan Sokoli- jeta dhe vepra”, monografi nga Osman Xhatufa, -Tiranë 2008.

Prof.Ramadan Sokoli ka një veprimtari të gjerë shkencore dhe artistike si etnomuzikologji, histori arti, gjurmime folklorike, krijimtari muzikore, etnokoreologji popullore, logografi, etj., me një shtrirje mbi gjysmëshekullore nga shek.XX dhe në fillimet e shek. XXI…

3- Nga trëndafili çel trëndafil …

Kronikani i njohur turk Evlia Çelebi ka shkruar në memuarët e tij edhe për familjen Sokoli, duke e përshkruar atë si pronare e madhe tokash. Dikur ajo njihej me llagapin Dervishaj dhe të gjithë madhorët e saj kishin marrë mësime fetare e laike në kolegje e universitete të dëgjuara të asaj kohe, në lindje dhe perëndim. Pa u shtyrë thellë në kohë, shënojmë se gjyshi Hodo Pashë Sokoli, ose Hodo Beg, që ishte baxhanak me të famshmin Oso Kuka, kishte kryer Akademinë Ushtarake të Stambollit. Hodo Begu është ndër personazhet më simpatikë të veprës “Lahuta e Macisë” dhe historikisht i pari hierark i perandorisë turke që flaku spaletat dhe u priu kryengritësve shqiptarë në revolta pas vendimit famëkeq të Kongresit të Berlinit, që shiti Ulqinin, Plavën e Gucinë tek malazest, me miratimin e Portës së Lartë. Tradhëtisht ai u rrëmbye e iu dha armiqve, të cilët e zhdukën pa lënë gjurmë …

Sokolajt kishin në Shkodër një shtëpi famëmadhe mikpritëse dhe atdhetare, me selamllikun e njohur, me kopshtin botanik e zoologjik, me pemët frutore e lulet erëmira. Aty ishte lindur Isufi, ose Jusufi, babai i Ramadanit, që u shkollua në Shkodër dhe Stamboll; njeri me ndjenja të forta fetare dhe atdhetare. Në rininë e hershme ai u vendos në Bosnjë dhe në Mal të Zi, pastaj u kthye në Shkodërlocen dhe u martua me një vajzë nga familja e njohur tradicionale Juka, e cila quhej Aishe, më 1913. Nga kjo martësë erdhën në jetë 9 fëmijë: 3 djem e 6 vajza; Ramadani ishte i dyti i vëllezërve dhe i pesti i fëmijëve.

Pushtimi Italian (1939-42) e bëri Jusuf Sokolin me bindje dhe aktivitet antifashist dhe u internua dy herë në gadishullin Apenin; në atë kohë Ramadani studionte në Konservatorin e Firences dhe shkonte ta takonte të atin në vendin e internimit. Edhe Aishja gjatë gjurulldive në qytet të Luftës së Parë Botërore u burgos dy herë nga austriakët…

Ramadani filloren e kreu në vendlindje dhe që në klasën e dytë mësoi notat muzikore, duke luajtur në disa vegla muzikore me tela dhe frymore. Gjimanzin e shtetit e mbaroi po në qytetin e lindjes më 1939. Adoleshenti i talentuar bënte pjesë në Bandën frymore të Qytetit të Shkodrës, e famshme për kohën e vet. Safetja, njëra nga motrat e Ramadanit kishte një zë të ëmbël e hyjnor, kulturë të gjerë muzikore; ata së bashku me shokë e shoqe të tyre bëni shpesh minikoncerte në mjedise familjare. Ishte 16-17 vjeç kur filloi të kompozojë këngët e para, të thjeshta por shumë të ëmbla për veshin e dëgjuesve të kulturuar: Zanusha; Turtullesha; Rritu mollëzo ! …; Blegëron delja; Jelino; Lulja me erë, së cilës në Luftën e Kosovës iu ndërrua teksti në patriotik … Në koncerte apo në Radio Tirana këto krijime njiheshin si pa autor, si këngë popullore. Kot nuk thonë në Shkodër se “Nga trandafili çel trandafil …”

Gjimnazin e kreu me rezultate të shkëlqyera dhe fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence për flaut(fyell) dhe Kompozicion, pa bursë, me shpenzimet e tij.. Aty muzikanti i talentuar pati shoqëri të madhe me të rinj moshatarë si Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin, Qemal Draçinin, Musine Kokalarin, etj. Në Bolonjë ishte internuar i ati, të cilin Ramadani shkonte ta shihte shpesh.

Kthehet në qytetin e lindjes më 1944 për shkak të luftës me shumë dëshirë e plot pasion për të bërë gjëra të mëdha, si shumë të rinj të moshes së tij, por fatkeqësisht këtu gjeti një realitet krejt tjetër. Në fillim të vitit 1945 u burgosën të gjithë meshkujt e familjes. Vetë Ramadani bëri burg politik deri në vitin 1950 me disa akuza, për agjitacion e propaganda, për pjesmarrje në Kryengritjen e Postribës; midis të tjerash se e donte Kosovën … Vëllai i tij Ibrahimi i diplomuar për drejtësi në Beograd, aderuar në Lëvizja e Legalitetit, bëri plot 27 vite burg, bashkë me gruan e tij Shane Hasan Dostin, burgosuer edhe ajo për faje e bindje politike.

Ramadani punoi në kanalet e kënetës së Bedenit të Kavajës. Më i vogli i tre vëllezërve, Hodua u ridënua në burg me revoltën e Spaçit dhe vetëm në fund të vitit 1990 u lirua, më ndërhyrjen e Kadaresë, mik i ngushtë i Ramadanit. Prindrit e tyre, Jusufi dhe Aishja u ndanë nga jeta njëri pas tjetrit më 1957, në bringë dhe pikëllim…

4- Mësimet e burgut; punë, durim dhe shpresë tek Zoti …

Burgu është shkolla e jetës, kandari i burrave, ku meson shumë gjëra dhe njeh më mirë vetveten, thoshte shpesh profesor Ramadani. “Bash në rrethana të tilla, kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelë prej tyre lendë të vyer. Mu aty, duke hulumtuar visarin tone kombëtar, të trashëguar gojarisht brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit.”, shprehet profesori i famshëm për zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm.

Pas daljes nga burgu, më 1951, ai u vendos në Tiranë, si për t’u shpëtuar disi kthetrave të luftës së klasave. Kishte formuar një kulture të madhe në fushat e folklorit dhe muzikologjisë, e cila i shërbeu si lendë e parë për hartimin e dy teksteve shkollore dhe për hedhjen e bazave të etnomuzikologjisë. U martua me Znj. Lili nga dera e njohur e Petrelajve, me të cilën pati dy vajza …

I vetëm dhe pa asnjë përkrahje, veç shpresës tek Zoti, të cilin e besonte thellësisht, trokiti dyerve të administrates për të kërkuar ndonjë punë që kishte të bënte me muzikën. Hyri në Filarmoninë Shqiptare, për shkak të mungesave të mëdha për specialist aty, por u pushua shpejt, sapo u mor vesh biografia e tij si “armik klase”. Rifilloi punë si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës Tiranë, nga 1952-4, pastaj u pushua përsëri. Liceu Artistik kishte shumë nevojë për mësimdhënës, prandaj Ramadani punoi aty me përkushtim deri në vitin 1980, kohë kur doli në pension, ku dha mësime në lendët flaut, folklore muzikor, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome, etj. Paralelisht ai jepte mësim edhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vite me radhë ku ngriti disa laboratorë tepër të pasur me instrumente të larmishme si dhe me regjistrime fonetike të motiveve të ndryshmet popullore të inçizuara dhe transkriptuara gjatë dy ekspeditave që kishte udhëhequr në gjithë Shqipërinë : Ekspedita Shqiptaro-Gjermanolindore dhe ajo Shqiptaro-Rumune me albanologë dhe studiues të njohur si Erik e Maria Shtolkman dhe Vilfrid Fiedler në 1957 si dhe me një grup studiuesish dhe albanologësh rumunë, ndër të cilët me Znj. Comischell më 1959 …

Ishte President në disa Festivale Folklorike …

Disa dokumentarë televizivë u realizuan me nismën e Prof. Ramadanit për Jan Kukuzelin, Niketë Dardanin, arbëreshin Lorenc Tardo e muziktarin Gjon Kujxhia, ku dolën shumë probleme serioze me koret fetare të ardhura nga Vatikani …

Disa vlerësime kolegësh dhe mirenjohje të tjera ...

“Profesor Ramadan Sokoli është shkencëtar i palodhur i tipit klasik-tradicional”

R.Munishi

“Profesor Ramadan Sokoli është figurë e ndritur e rilindësit të shekullit XX-të”

V.Tole

“Personalitet poliedrik në kulturën tonë kombëtare”

A.Uçi

“Ashtu si Hahni, që njihet si babai i shkencave albanologjike, edhe Ramadan Sokoli do të mbetet si babai i shkencës së muzikologjisë.”

Th.Kacorri

“Vepra e tij “Prozodia dhe metrika” është një nga përpjekjet e suksesshme e nga më seriozet gjer më sot për të depërtuar nëpërmjet muzikologjisë në botën e pasur e të shumanshme të vargëzimit popullor.” Gj.Zheji

- Laurohet si Profesor më 1995 dhe bëhet Akademik;

- Emri i Ramadan Sokolit përfshihet në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara të Shekullit XX, përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Kembrixh, Angli;

- Tirana i dha atij titullin “ Mirënjohje e Tiranës”;

- Shkodra dhe Vlora e shpallën “Qytetar Nderi”;

- “Mjeshtër i Madh i Punës”, nga Presidenca, 2002;

- “Nderi i Kombit”, Presidenti i Republikës, 2010, me rastin e 90 vjetorit propozuar nga nxënësit e tij të shumtë.



(Vota: 34 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT