E premte, 29.03.2024, 11:23 AM (GMT)

Mendime

At Zef Pllumi: Periudha njiqindvjeçare e tranzicionit

E enjte, 25.09.2008, 06:00 PM


At Zef Pllumi
Periudha njiqindvjeçare e tranzicionit

Ngs At Zef Pllumi

Pothuej po mbushen njiqind vjet që në vendin tonë në Vlonë u shpall pavarësia e jonë kombëtare nga Ismail Qemal Bej Vlora, i rrethuem nga përfaques të tjerë nga të katër anët e Shqipnis. Kje nji çast historik, tue mos marr parasysh se si e kush e organizoi.
Vendi ynë mbas nji robnie osmane gadi pesëqindvjeqare shpallej i lirë e i mosmëvarun, "kështu thotë dokumenti zyrtar".
Simbas mendimit tim, kjo asht e meta e madhe e politikës shekullore që u shpall shtet në veti pa u interesue përpara se ku janë kuadrot drejtues të vendit. Kjo lojë vazhdon gjithnji edhe sot në politikë. Tashti vjen puna! U shpallë Shqipnia në vete. Po kush do ta drejtonte. Vetëm mehmurët e Turqisë. Po mehmurët kishin baben mbret tue vdekë edhe aq ma teper kurrkush nuk e don vdekjen në shtëpi të vet sepse ajo sjell shum ndryshime. Nuk asht puna te financat të cilat duhen të përballohen, por asht te trashigimia e pushtetit të një mbreti të vdekun. Atëherë mehmurët e vjetër të Turqisë, tue mos u gjetë të aftë me e përballue situaten e re shpallën "kohën e Tranzicionit", që të përgaditeshin për nji shtet të ri europian.
Për rrethana të turbullta që kaloj jo vetem vendi ynë por e gjith Europa, kjo periudhë tranzicioni u zgjat deri në vjetin 1920. Mbas Konferencës së Versajës në të cilën u konfirmuen kufijt e Shqipnis të paracaktuem në Konferencën e Londres 1913, shqiptarët menduen të formonin nji shtet demokratik e ma vonë u banë "zgjedhjet të lira të parlamentit" ndër të cilat shqiptarët nuk ranë kurr në ujdi për nji "Kushtetutë demokratike". Mbas shumë aventurash politike fitoi Ahmet Beg Zogolli i Matit, i cili me aftësitë e me inteligjencën e tij personale formoi nji ndër diktaturat e para të Europës me synim që të krijonte nji Shtet modern Europian, por i cili në të vërtetë nuk mund emancipohej nga mentaliteti feudal mesjetar.
Mbas nji aventure pesëmbëdhjetëvjeçare tranzicioni vendi ra nën okupacionin fashist Italian e kështu filloi nji periudhë tjetër tranzicioni fashist. Falë Zotit, nuk vazhdoi aq gjatë, mbasi u dorzue në fillim të shtatorit 1943.
Shqiptarët përsëri menduen me e formue nji shtet por kje krejt kot, sepse lufta civile në Shqipni ishte acarue aq shum sa nuk i lente vend asnji dialogu. Ajo përfundoi me fitoren e komunistave të Josif Broz Titos që kishte emisarët e vet në Shqipni, e këta ia dorzuen pushtetin Enver Hoxhës.
Që në fillim të vitit 1945 ai shpalli epokën e tranzicionit të madh për të shndrrue Shqipnin nga një vend i mbrapambetun agraro-feudal në nji shtet nga ma modernat e botës, tue detajue ma së miri me plane pesëvjeçare staliniane.
Kjo periudh e tranzicionit komunist vazhdoi pothuajse 50 vjet deri sa mordja natyrale bani të veten tue zhduk fizikisht diktaturen e cila përfundimisht u shue në vitin 1990-91.
Kishte ardhë koha e ndrrimit të diktaturës me pluralizmin politik. Partia e punës në fuqi e drejtueme nga Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha e Fatos Nano e pranuen si të domosdoshme këtë shndrrim, por në vend që të banin nji pluralizëm të vërtetë në Shqipni banë nji pluralizëm komunist të drejtuem nga qeveria e Fatos Nanos dhe opozita demokratike e Sali Berishës pa i sjellë popullit kurrgja të re.
Ky pluralizëm politik u shndrrue ma tepër në nji kacafytje personale antagoniste pa ide të vërteta demokratike. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse intelektualt shqiptarë nuk e njifshin me të vërtetë se çka ishte demokracia: vijshin gati të gjith prej shkollave të partisë së punës së Enver Hoxhës.
Skandalet e Parlamentit Shqiptar sot janë evidente para gjithë popullit shqiptar, i cili e sheh sesi "lufta" parlamentare asht ma tepër personale sesa ideologjike.
Ligjet themelore demokratike siç asht ai i kthimit të pronave pronarve të vërtetë si dhe shpërblimi i të dënuemve politikë gjatë kohës së diktaturës ende sot nuk kanë gjetë vendin e duhun.
Politikanët shqiptarë gjithnji mendojnë se politika asht rrenë e kurrgja tjeter.
Njerzit e politikës shqiptare tash 16 vjet rresht kur shkojnë me urue Bajramin ose Pashkët t'vetmen gja që premtojnë asht kthimi i pronave komuniteteve fetare, por në të vërtetë deri m'sot nuk asht paraqitë në parlament asnji projekt-ligjë për këtë problem.
Po t'i pyesesh privatish të pergjigjen: se nuk mund të bahet dallim ndërmjet komuniteteve fetare dhe popullsisë, e cila ka vuejtun të njëjtin fat. Në të vërtetë në të gjithë ligjet shtetnore si në lindje ashtu në perëndim komunitetet fetare gëzojnë privilegje.
Tash 16 vjet ne kemi fillue nji periudhë të re tranzicioni, gjoja për të rivendosë demokracinë e vërtetë në Shqipni. Por ky tranzicion për shkak të konflikteve dhe kompromiseve personale duket se do të vazhdojë shumë gjatë.
Popull shqiptarë, nuk mund të vazhdohet ma në rrugën e tranzicioneve politike, hapni sytë se po bahen 100 vjet që u shpall pavarësia e Shqipnisë dhe ende nuk asht krijue nji shtet ligjor. Vendi sundohet jo me ligje, por me urdhnesa. Jo se nuk ka ligje, pse në letër kemi ligje shum të mira e moderne europiane, po kush i kqyr e i respekton ato?! Por kemi gjithashtu edhe ligje diktatoriale komuniste të bame edhe sot në kohen e pluralizmit politik në Shqipni. Ku përveç ligjeve ma tepër sundon Maliqi me urdhnesa.
Tranzicione politike kaq të gjata nuk duhet të vazhdojnë ma për mos daçim të mbetemi shenj për keq në Europë e në botë.
Popull shqiptarë me anën e lirisë së votës n'kjoftë se ja del me e fitue mund ta ndrrojsh këtë gjendje përndryshe je i humbun, dhe kot s'koti i thue vedit shtet, derisa nuk mbrrin me krijue nji shtet ligjor.
Po flitet se duen me shtue edhe dhomën e Senatit. Nuk jemi kundër kësaj, por, me konditë që në ketë dhomë senati mos të kenë të drejtë me marrë pjesë neokomunistat e këtij pluralizmi 17-vjeçar. Por në kjoftë se aprovohet nji dhomë Senati ajo duhet të zgjedhet nga shoqnia civile, e cila nuk kanë marrë pjesë deri sot në ketë politikë neokomuniste.
O Shqiptar, hapni sytë se ku po shkoni!

(Marrë nga revista "Hylli i Dritës", nr 2, 2007)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora