E enjte, 28.03.2024, 10:39 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Prof. Dr. Rexhep Krasniqi - bir shpirti i Bajram Currit

E hene, 18.02.2019, 03:32 PM


PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT

Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë

Nga Frank Shkreli

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi.  Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar.  Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Por kush ishte Prof.  Dr. Rexhep Krasniqi?  Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë.   Siç shkruan – në vend të parathënies -- edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit.  Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”.  Në mungesë të prindërve  Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë.   Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938.  Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie.  Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë.  Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi:  “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar  në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941.  Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq.  Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij.  Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull.  Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët -- ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre.  Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York.  Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit.   Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim.  Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak.  Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje.  Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar.  Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”.  Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”.  Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.”   Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë.  Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal -- janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme.  Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit  kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe.  Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili -- përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës -- kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë -- me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili    me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim -- po tu ishte dhënë mundësia -- do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin -- të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike,  të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore.  Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora