E shtune, 20.04.2024, 04:34 AM (GMT+1)

Speciale

Muhamet Pirraku: Areali etnik i shqiptarëve te Çabej sipas etnonimeve

E enjte, 25.09.2008, 07:04 PM


Eqrem Çabej
AREALI ETNIK I SHQIPTARËVE TE ÇABEJ SIPAS ETNONIMEVE

Nga Muhamet Pirraku

Gjatë punës shkencore me përkushtim në lëmë të gjuhësisë krahasuese, të etnolinguistikës, të etimologjisë, të etnologjisë, të kulturologjisë, të historisë, të letërsisë, të traditës etj., Çabej i evidencoi shumë thërrime e copa të unazave të këputura "të varganit të copëtuar" të historisë shqiptare mesjetare, siç ka konstatuar ai, dhe ato me mjeshtëri të madhe i piku, i ngjiti, i bëri hallka për të qenë. Sot e mot, nga vepra e tij një zë i thërret studiuesit: Merreni e lidheni varganin, bashkoni copëzat e truallit etnik shqiptar, nga fillet e periudhës historike deri në fille të kombit shqiptar, kohë kjo rreth 4000-vjeçare!

Rikonstrukimit historik të arealit etnik shqiptar Çabej iu qas me ballafaqim të fakteve historike, arkeologjike, etnologjike, gjuhësore, gjeografike nga dy rrafshe kohore: të periudhës ilire me ato të periudhës së kombësisë shqiptare për të rikonstruktuar arealin etnik shqiptar të periudhës bizantine, ku janë evidente unazat e këputura të varganit të historisë së popullit shqiptar ekzistues brenda universumit kulturor, fetar e shtetëror romej rreth njëmijëvjeçar.

Pak të dhëna faktologjike historiografike, arkeologjike, gjeografike dhe gjuhësore të shpërndara të kësaj periudhe, Bardit tonë i shërbyen si shtylla për t'i vënë harqet me projeksion ylberi, prej stadit historik ilir në stadin e kombësisë shqiptare, të dokumentuara forcërisht. Duke i vënë lidhjet e fakteve të dy periudhave të skajshme, rrezatoi dritë mbi qenien e "shpirtit kombëtar" të popullit shqiptar të stadit të bashkësisë së popullit brenda universumit bizantin.

Me përqasje sintetike historiografike, etnologjike, gjeografike, gjuhësore krahasuese, etnolinguistike e etimologjike të toponimeve, të etnonimeve dhe të antroponimeve të evidencuara në literaturën dhe në burimet epigrafike të universumeve helene, romake e romeje, i përcaktoi pikat më të skajshme të dëshmive për gjuhën lashtoilire parashqipe dhe arealin etnik ilir parahistorik dhe historik. Areali gjuhësor lashtoilir arriti në thellësi të Evropës, deri në Beskide e Karpate dhe nga Alpet - në brigjet lindore të Apenineve, kurse areali etnik ilir i periudhës së universumeve helene e latine shtrihej në lindje të Adriatikut, nga Istria deri në Jon, kurse në hinterland territori në jug të Danubit, në perëndim të Moravës Jugore e të Vardarit dhe në veri të Gjirit të Artës.

Areali i shqiptarëve të periudhës së kombësisë shqiptare sipas etnonimeve të shqiptarëve të shqyrtuara nga Çabej, del shumë më i vogël se ai i periudhës ilire të universumeve helene e latine. Sipas llogaritjeve të mia, ky areal kapte rreth 125.000 km2. Areali etnik ilir ka pësuar ristriksion të madh nga ana veriore, verilindore e veriperëndimore. Çabej nuk u ndal gjatë në shkaqet që sollën këtë gjendje: tërheqja e kufijve të Perandorisë Bizantine nga veriu në drejtim të qendrës, integrimi i realiteteve të reja etnike në vendet ilire në simbiozë të anasve me të ardhurit, me ndërmjetësimin e universumit kristian etj.

Kufiri i arealit etnik shqiptar i periudhës së kombësisë nuk do të ndryshojë në jug, në jugperëndim dhe në juglindje, duke mbetur në Moravë e Vardar, Gjirin e Artës dhe në gjatësinë e bregdetit Jon e Adriatik nga Preveza deri në afërsi të Gojave të Kotorrit. Në ruajtjen e kufirit të arealit etnik shqiptar në këtë anë ndikoi afërsia me qendrën perandorake - me administratë shtetërore e me kishë të patrazuar as në fazën e integrimit të të dy kombësive fqinje - shqiptare e greke, në fille të depërtimit të administrimit perandorak osman në ish-arealin perandorak romejo-bizantin.

Areali etnik shqiptar i periudhës së kombësisë shqiptare të bashkëjetesës së tre, përkatësisht pesemërshit etnik për shqipatarët: dardan, alban, epirot, maqedonas dhe shqiptar në vështrimin shkencor të Çabejt është diçka më i gjerë se areali i njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë së periudhës kombëtare shqiptare të shtrirë midis shkallëve 39 e 43 të gjerësisë veriore sipas Hahnit dhe të shkallëve 17 e 20 të gjatësisë lindore me gjatësinë më të madhe 1250 km dhe gjerësinë më të madhe 100 km sipas Sami Frashërit. Njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë në këtë periudhë kishte rreth 115.000 km2. Së këndejmi, rrodhën konstatimet e mbështetura të Çabejt për restriksionet e trevës etnike shqiptare historike përballë tezave sllave e greke për ekspansionin shqipar jashtë trevës së "Shqipërisë së vërtetë", ish-visi antiko-mesjetar iliro-arbëresh i Albanonit - Arbenit.

Këto rezultate i arriti me punë këmbëngulëse, me analiza sintetike të emërtimeve të vendeve, të maleve, të lumenjve, të emrave të fiseve shqiptare mesjetare dhe të emrave etnikë krahinorë të periudhës së kombësisë shqiptare, fillimisht me një përforcim të qëllimshëm të etnonimit alban, arban, arbënesh dhe arbëresh - për emër "nacional" gjithëshqiptar për periudhën.

Them "fillimisht" për këto fakte: Çabej, që nga viti 1939 deri më 1977, disa herë iu kthye ndriçimit etimologjik, etnolinguistik, etnologjik dhe gjeopolitik të toponimit dhe etnonimit: Albanon, Arbanon, albanoi, alban, arban, e të sajesave të tjera nga këto, dhe ajo që duhet të theksohet është fakti se me këto probleme, etnolinguistike në rend të parë, u mor në funksion të luftës, pra, si paradigmë të prof. Shefki Sejdiut, kundër tezave sllave për ardhjen e shqiptarëve nga Albania e Kaukazit, diçka para sllavëve të Jugut ose njëkohësisht me këta, e të vendosur në arealin e Principatës së Arbenit, prej nga, sipas tyre, në shekujt XIV - XVIII u zgjeruan në Epir e Greqi, Peoni e Maqedoni, Dardani e Serbi, Diokle e Mal të Zi.

Dhe, sikur kur e arriti besimin se teza ilire e prejardhjes shqiptare kishte dalë fituese - se "njësia etnike e kulturhistorike" e shqiptarëve ishte integruar brenda "njësisë gjeografike" iliro-shqiptare, Doajeni i albanistikës do t'i korrigjojë, në heshtje, disa mendime e konstatime të mëhershme dhe pa zhurmë do ta barazojë kohën dhe shtrirjen për vise të caktuara të toponimit dhe etnonimit "nacional" arbën - arbër me Epir-epirot, e shqiptar, duke i lënë pak si të përfolur, në heshtje, etnonimet, thënë me nocionin e Çabejt - "kombëtare": dardan dhe maqedonas. Ky i fundit, madje, si në garë me emrin etnik shqiptar, qëndroi në përdorim ndërkombëtar, mbase edhe të brendshëm, popullor, ekuivalent për emër nacional të shqiptarëve nga formatet alban arban, epirot dhe shqiptar gjatë shekujve XV-XVII, i pranishëm në përdorim të jashtëm përfundimisht deri më 1812. Të rikujtojmë konstatimin e Skënderbeut, të Petancios e të Bogdan Maqedonasit.

Madhori ynë, i evoluoi mendimet e veta edhe për rrethanat e daljes në dritë dhe për shtrirjen e emrit ilir, sikurse edhe për daljen në dritë dhe për shtrirjen e emrit shqiptar, vërtet i vetmi ky që mund të quhet kombëtar për pasardhësit iliro-pellazgjik. Në këtë mënyrë, Çabej, do t'i afrohet një dyzine dijetarësh evropianë, sllavë e shqiptarë, që vepruan deri pas Luftës së Dytë Botërore. U largua nga ata për problemin e vendit të integrimit të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar historik, duke paraqitur, me forcë, për vend të formimit të gjuhës e të popullit shqiptar historik tërë arealin etnik shqiptar ekzistues në kohën e tij.

Dihet se të gjitha gjuhët universale e nacionale, madje edhe gjuhët e librave të shenjtë, të gjithë popujt dhe të gjitha kombet të integruara me evolucion ose me revolucion, thënë kushtimisht, kanë Piemontin e vet. Së këndejmi, Viseve të Dardanisë dhe të Peonisë antike nuk mund t'u mohohet roli i Piemontit shqiptar historik, madje as të kombësisë shqiptare. Dhe, Çabejin e Madh në një hap të tillë e shtyri një kërkesë politike e paartikuluar. Shqipëria e vitit 1913 u bë, nga Evropa, jashtë Piemontit të Shqipërisë Etnike, ndaj në Shqipërinë shtet sikur ndihej kërkesa politike për Piemontin brenda arealit shtetëror, ndonëse në botë ka disa shtete jashtë djepit të integrimit të popullit e të gjuhës.

Të përmendim edhe faktin se Çabej e mbylli jetën dhe veprën pa rënë në hullinë e pionierëve dhe të themeluesve të albanologjisë moderne nga Tunmann e Mash te kurora Hahn, me ndjekësit e shumtë evropianë, sllavë, arbëreshë e shqiptarë, për prejardhjen pellazgjike të shqiptaro-ilirëve.

Mirëpo, këtu, të më lejohet të shtoj dy gjëra: Çabej nuk dyshoi në ekzistimin e lidhjes iliro-pellazgjike në rrafshin e kulturës materiale e shpirtërore, por la të këputur lidhjen gjuhësore, meqë prejardhjen e gjuhës pellazgjike e quajti problem linguistik të hapur. Intimisht, ndërkaq, profesor Çabej, më se një herë, në nëntor të vitit 1979, në Vjenë, më ka thënë: "Njëherë, koha po e kërkon ta forcojmë tezën ilire të prejardhjes shqiptare. Kur kjo të fitojë davanë, do të bëhet hapi tjetër, shumë më i lehtë se i pari, në tezën pellazgjike. Dhe, si po ecin punët, kjo do të mbetet barrë e gjeneratës së studiuesve shqiptarë pas kores sonë..."

Madje, nuk mungoi sugjerimi, si amanet i Tij: "Kulturologët as sot nuk bën të heqin dorë nga teza pellazgjike, ndaj punoni...!"

Ato konstatime dhe atë amanet m'i ka përsëritur disa herë, në prill të vitit 1980, në Tiranë. Këtu, madje, më dha pak të drejtë inkurajuese për mendimin tim këmbëngulës se: "Maqedonasit pellazgjikë nuk duhet parë të asimiluar vetëm në grekë, e së paku ata të trevës së kryehershme të paraardhësve të Filipit e të Lekës së Madh, shumë larg nga trungu e degët etnike greke, vise këto të thuash pastër shqiptare nga dalja në dritë e kombësisë shqipare, prej nga vinin një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut. Në gjuhën shqipe zajazishto-kërçovare do parë së paku diçka nga maqedonishtja, e afërt me ilirishten...!"

Të shtojmë edhe diçka për këto çështje shkencore: Këto bashkëbisedime i zhvilluam në prani të dy e tre dijetarëve albanologë. Me këto konstatime dhe me amanetin e Çabejt, areali etnik parahelen e pararomak i paraardhësve të shqiptarëve historikë del më i gjerë sesa është i sheshuar në veprën madhore të doajenit e të bardit të gjuhësisë shqipe, Çabejt.

Për jetë t'i jemi mirënjohës Çabejt për veprën madhore dhe për amanetin për breza, kuptuar për detyrë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora