E shtune, 20.04.2024, 02:10 AM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Të qajmë apo festojmë për Kosovën

E diele, 17.02.2019, 12:00 PM


Të qajmë apo festojmë për Kosovën

Me brengë të thellë për fatin tëndë të mëtejmë dhe shpresën se ky nuk do të jetë përvjetori yt i fundit,që ti-je e tëra dhe e pa ndarë, Kosova ime e dashur- Urime nga zemra Pavarësinë!

Nga Gani Qarri

Përderisa heroi i kombit Isa Buletini qysh në vitin 1913 të shekullit të kaluar, para diplomatëve të Fuqive të Mëdha, me krenari deklaronte; "Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria", kuslingu Hashim Thaçi, për më tepër se një shekull më vonë, po dëshmon të kundërtën dhe tregon hapur se është në gjendje ta shesë e zhbëjë tërë Kosovën, për të qenë mirë vetëm ai për vete duke rrezikuar gjithë të tjerët.

Madje edhe në përvjetorin e 11-të të Pavarësisë, në të cilin sapo hyjmë, Thaçi & CO, kudo dhe kurdo që flitet për Kosovën, ata në tavolinë gjithmonë mbajnë ndarjen, si opsion të parë!

Ndaj sot nuk di kush më, nëse më parë duhet të qajë, apo festojë për Kosovën.

Dhe siç duket atij nuk i bënë fare përshtypje as fakti që edhe vet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Tramp në letrën e sapo dërguar Aleksandër Vuçiqit, kërkon nga Serbia, njohjen e Kosovës shtet të pavarur në tërësinë e saj, si kurorëzim i një marrëveshje historike me pranimin e ndërsjellë të të dy vendeve, e cila do të vendoste paqen e përhershme në rajon.

Për aq më tepër, mungesa e një lidershipi të njëmendtë politik për ta parandaluar ndarjen e Kosovës, ka bërë që ajo të shndërrohet në ushqimin kryesor të këtij presidenti kuisling dhe bashkëpunëtorëve të tij të shitur te Beogradi, të cilët mbijetesën në pushtet dhe blerjen e lirisë personale e kanë siguruar duke luajtur me ndarjen dhe ngrënë pjesë, pjesë, e shitur pak nga pak tokat e Kosovës.

Para disa kohësh edhe Ambasadori Amerikan në Beograd Kyle Scott, deklaronte se "Harta e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe harta e Serbisë në Serbi janë të ndryshme!” (“The map of Serbia in the United States of Amerika and the map of Serbia in Serbia are different, Scott pointed out”)!.

Por përkundër të gjitha argumenteve të miqve tanë më të fuqishëm ndërkombëtar si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania etj, që kundërshtojnë ndarjen dhe mbeteh të përkushtuar për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, sigurimi i fshehtë francez "DGSE" (Direction Générale de la Sécurité Extérieure“) dhe ai serb "BIA", siç duket e kanë përpunuar aq papërmirësueshëm këtë shërbëtor të tyre sa edhe ky, ta shohë me sy të Serbisë, hartën e shtetit agresor serb,të ngulitur me kthetra thellë, deri në brendësi të zemrës së Kosovës.

Kështu që edhe i vetmuar, presidenti kuisling Hashim Thaçi po vazhdon ti bie pareshtur dhe sa më fort që mundet, idesë së tij të çmendur për ndarjen e Kosovës si dhe faljen e veriut të saj, Serbisë, ndaj prej kur kanë filluar bisedimet me këtë shtet ish okupator, rreziku për ndarjen e Kosovës kurrë nuk ka qenë më i madh e më prezent se sa në 11 vjetorin e Pavarësisë së saj.

Fatkeqësisht tendenca për ndarjen e shtetit tonë të brishtë, po bëhet gjithnjë e më konsistente, jo vetëm për shkak të përpjekjeve të pareshtura dhe sukseseve të diplomacisë serbe, por më tepër, nga efekti i kontributit të vazhdueshëm proserb të zëdhënësve dhe bashkëpunëtorëve vendor të Serbisë me në krye Hashim Thaçin, si dhe papërgjegjësisë totale të të gjithë spektrit politik në Kosovë, të cilët po dëshmojnë katërçipërisht se janë të paafta të mbajnë shtet, nuk janë të rritura për përgjegjësi kaq të mëdha institucionale dhe u mungon tërësisht kultura e veprimeve shtetërore.

Madje, megjithëse kufijtë e Republikës së Kosovës janë vendosur me luftën e UÇK-s dhe ndërhyrjen e NATO-s, të cilët vetëm lufta sërish mundë ti luaj, zhvillimet e fundit po dëshmojnë publikisht se kuislingu Hashim Thaçi përveç përkrahësve në partinë e tij, ai ka mbështetës të fort për ndarjen e Kosovës edhe në partitë "kundërshtare", ndaj dhe 11 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën, më te rrezikuar se kurrë më parë, nga copëtimi dhe shpërbërja përfundimtare e saj si shtet i pavarur.

Përkundër faktit se si ndarjes ashtu edhe bashkimit të Kosovës me shtetet e tjera, i është vënë vijë e kuqe nga bashkësia ndërkombëtare, qysh në bisedimet për statusin e saj, presidenti kuisling dhe pushtetarët e shitur të vendit tek Serbia, nuk kalon javë as muaj, e të mos e ri-aktualizojnë ndarjen, duke e kamufluar herë si shkëmbim të territoreve, herë si bashkim i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, herë si korrigjim i "lehtë" i kufijve të Kosovës me Serbinë, si çmenduri për ta shpëtuar veten, qoftë edhe me çmimin e zhbërjes së tërësishme, 20 vite pas çlirimit dhe 11 sosh nga shpallja e pavarësisë, të shtetit tonë të brishtë.

Ndaj me gjithë dëshirën e madhe dhe të zjarrtë, që si në çdo përvjetor tjetër edhe këtë vit, veçanërisht të frikshëm e  të pasigurt, t`ia urojnë vendit të vet, ende të lirë dhe të tërë, 11 vjetorin e pavarësisë, kasta e dështuar dhe udhëheqësit e shitur e mafioz, e kanë sjellë gjendjen deri në atë shkallë, sa që qytetarët të cilët vërtetë e duan me gjithë zemër shtetin e tyre, nga frika e ndarjes me të cilën kuislingu Hashim Thaçi po u rri pareshtur mbi krye, të mos dinë më, nëse më parë duhet të qajnë, apo të festojnë edhe në këtë ditë të shënuar e të shumëpritur, të ëndërruar gjatë për Kosovën.

Kosova ime e dashur, me brengë të thellë për fatin tëndë të rëndë dhe shpresën se ky nuk do të jetë përvjetori yt i fundit, si e tërë dhe e pa ndarë, Urime nga zemra Pavarësinë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora