Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Diktatura dhe shkombtarizimi

| E enjte, 14.02.2019, 08:20 PM |


Nga Fritz RADOVANI:

DIKTATURA  DHE   SHKOMBTARIZIMI

?EDHE  “RILINDJA” ASHT  VETVRASJE !

“Rilindja” asht fjala ma mashtruese sllavokomuniste ballkanike dhe anadollake!

Të gjitha recetat i gjeni tek libri i Kol Bib Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”!

Rusia po eksperimenton me injoranta pasanikë komunizmin kapitalist të shek. XXI...

Shqipnia gjithmonë laboratori i qeverisjes së të droguemve me “marksizem” aziatik!

Një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë e vrasje!

Shkëlqen deri në marramendje e çmendi vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”.

Drita që shpërndanë ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta e të pandryshueshme, pra nënkuptohet të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”.

Ai asht “dija e pafund”!... Edhe njerzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë mbasi janë takue me até. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “donte” ai, kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte me kokë...Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata mendime ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas kjoftë dhe “ prof. akademik”.

Fotografia e tij ishte në krye të vendit!.. Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e edhe në mjaft shtëpija...jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë...

Bustet e statujat e tij mbizotnonin qytetet e vendit! “Veprat” e tij kudo, po po kudo!

Komunizmi në Europë asht kenë në disa “tonacione” të tij, po të flasim me gjuhën e piktorve... Rusia e kishte të kuq në të verdhë, ...Italia rozë, Franca pak ma të mbylltë se Italia, Gjermania lindore ma të çiltë se e kuqja e vendëve tjera Lindore, Vendët Baltike e kishin të kuqen mjaftë të fortë...Vendët ballkanike edhe ma të fortë se të tjerët... ndërsa, na në Shqipni e kishim ngjyren e kuqe të gjakut të freskët... që lante pa kursim zallishtat pra: “Të një komunizmit real totalitar stalinjano - enverjan”!..

Na ishim një laborator hermetik ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer” ..., por kurr i quejtun as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me Stalinin dhe me “vezhgues” Çiurçillin, komunizmi u nda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta...

Rusia, Kina dhe Shqipnia nuk kanë ndryshue ngjyrë fare njeni nga tjetri, mbasi duhej ruejtë “tansia tokësore” me armë në dorë, për vetë faktin e përbamjes etnike të tyne.

Rusia ishte shumëkombesh e besimesh shumë ma kontradiktore se Kina. Kina shumë e pakuptueshme... Tibeti, Mongolia, Tajvani, Shangai, Hongkong...si t’ishin instalue nga kontinente të ndryshme në atë vend aq të largët, por me baza kulture mijra vjeçare. Shqipnia, me tre besime që u mbështetëshin nga fqinjtë për të sigurue sundimin e tyne...si orthodoksët nga sllavët dhe myslimanët nga lindorët, për të zhdukë çdo element Shqiptar Europjan Katolik! Pra, përveç kenjes “pakicë” popullsia Katolike, ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe veprimet e përbashkëta të tyne, për çkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta Europjano Përendimore, ku pjesa Katolike kishte krye universitetet dhe shkollat e nevojshme dhe ku ishte përgatitë e formue edhe Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, vetëm me punën e palodhun dhe sakrifica të pashkrueme asnjëherë nga askush shkollat e kulturës Europjane që në vitet 1460... Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanve, si nga ana e Orthodoksve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe Kryeqytetin e saj, ndonse ishte i ndodhun në Veri formalisht... dhe, që asht qendra politike, sociale dhe ekonomiko “kulturore” e vendit, aty ku ka qytetnim.

Ja pra, pse Shkodra nuk u ba Kryeqyteti i Shqipnisë!

Asnjëherë nuk duhej prekë interesi sllav që sundonte tokat tona, si Kosoven, Hotin, Gruden dhe zonat e Tivarit e Ulqinit nga Mali i Zi... mbasi bashkimi i Tyne me trojet Shqiptare do të fuqizonte edhe katoliçizmin, gja e cila nuk i ka interesue kurr as Serbisë, as Greqisë, as edhe Rusisë dhe as Turqisë, ndërsa mbas Luftës së Dytë Botnore as protestantizmit Europjan e, kjo vërtetohet nga lanja e Evropës Lindore, nën thundrën Ruse. Për këte arësye unë në librin “Një Monument nën dhé” kam shkrue:

“Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari! Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij....” (“Yjet e Kombit” faqe 61.)

Kjo asht arësyeja e vërtetë e masakrave të bame që në Janarin e vitit 1945, mbi trupin e Atdhetarit Shkodranë, Klerikut, publiçistit, shkrimtarit, poetit dhe disave nga të parët Demokrat t’ Opozitës Shqiptare të vitit 1924,.. E, kjo vazhdoi jo një e dy dekada, por 47 vjet pandërpremje me të gjithë Ata Atdhetarë Shqiptarë që guxuen me thanë se “jam Demokrat” ose edhe jam “vëlla me Katolikët” si, Muzafer Pipa, Qemal Draçini, Fahri Rusi, Xhevat Korça, Myfit Q.Bushati, Arshi Pipa, Ragip Meta, Bardhosh Dani, Elez Troshani, Sami Repishti etj., që vuejtën me vite e vite të tana nder burgjet komuniste.

Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra.

Komunizmi asht sistemi i sundimit ma përbindsh i Shekullit XX dhe XXI.

Terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrinë me këthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë naltë, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort e, që asht dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, pasiguri, dhe kërcnim tue shpërba edhe pamjen e tyne si njerëz... Sa Shqiptar sot kanë harrue se ka vdekë Ramiz Alia?!

Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”.

Ndersa, fshatarët analfabet i siguron me hy në vathën e tij, me kopshtijet e drogës, që asht praku i kapercyllit për vetshfarosjen me zhdukje, me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe false të “popullit” , tue shfarosë krejt brezin e vjetër të kulturuem dhe përparimtar dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe pa kurrfarë tradite për me organizue shtet. Shembulli ma i sakti sot asht “Rilindja”

Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue...tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin dhe shkeljen e të drejtave e Lirive të njeriut, gjoja “të mbrojtuna” vetëm ndër letra nga shumë institucione ndërkombëtare. E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Marrjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë marksiste – leniniste terroriste, që u realizue në Shqipni nga jugosllavët me kriminelin anadollak Enver Hoxha, ka pasë një mbështetje të fuqishme dhe shumë të organizueme në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit...Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. E kjo qeverisje po vazhdohet edhe sot nga bijt’ e tyne, që nuk i lanë asgja mangut baballarve.

Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Mbasi të rilexoni edhe njëherë këte citat keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Enver Hoxha me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, e mbajti 47 vjet nën diktaturë komuniste, tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit agjenta dhe torturuesit apo organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne vrasësve, të gjithë të lindun, të rritun dhe edukue nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun...

Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe, sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres.

Ata ishin zagar qe hanin njerzit e shtëpisë, prandej edhe duheshin vra tha “njeni”. Fakti asht se sot ka mjaft Burra që u distancuen nga kjo kolerë antikombtare...

Me shkatrrimin e Kullave të Veriut, të Prek Calit, Luigj Gurakuqit, At Fishtës, Osman Kazazit...Shqiptari humbi tiparët e Tij Shekullore, Burrni, Besë e Bujari.

Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon e traditë mija e mija vjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste e ateiste, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.

Rruga që po ecë Populli Shqiptar asht rruga e shperbamjes perfundimtare Atdhetare!

Paturpsisht “Rilindasit” dëbuet nga Alpet tona “Lahuten e Maleve”...

Dhunuet Gjuhen Gegënishte Shqipe të folun nga shumica e Popullit Shqiptar!

Zhdukët nga faqet e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, Burrat që bane Historinë:

Dedë Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Imzot Luigj Bumçin, At Fishten...

Fshijtë nga fletët e Letersisë Shqipe të Veriut mbi 60 pena t’ arta... Atdhetarësh!

***

Populli Shqiptar i njohun në Europë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së Atdheut si dhe, të Drejtave njerzore: Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë... “Në mes të Europës”... por jashta Saj!..

Melbourne, 14 Shkurt 2019.