Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Morina: Arbneshja nga Shibeniku dr.sc. Bruna Petani profesoreshë në Universitetin e Zarës

| E hene, 11.02.2019, 09:25 PM |


Arbneshja nga Shibeniku dr.sc. Bruna Petani profesoreshë në Universitetin e Zarës

Nga Sylejman Morina

Një pjesë e Abneshve të Zarës, për shkaqe të ndryshme u është dashtë të largohen nga Zara–Arbanasi, e të marrin botën në sy, në katër anët e saj, deri në Australi e në Kanada. Mirëpo, shpërngulja më masive ishte ndodhur në Itali që nga viti 1943 nga frika e komunistëve. Mjerisht shpërnguljet e arbneshve kanë vazhdua edhe më vonë. Pos shkaqeve politike, kishin ndikuar edhe ato ekonomike, si dhe shkaqet tjera. Shpërnguljet brenda ish Jugosllavisë më së tepërmi u bën në qytete të ndryshme të Kroacisë. Sa për të ilustruar, po i përmendim disa emra të personaliteteve të njohura arbneshe, të cilat nuk janë të lindur në Zarë, siç janë: Akademik Pal Deshpali në Blato të Korqullës, Akademik Enio Stipçeviq në Zagreb, Akademiku i shkencave të mjekësisë prof.dr.sc. Hrvoje Mazija në Zagreb, profesori i fakultetit të mjekësisë të Zagrebit prof. dr. sc. Tomislav Vladoviq- Relja i lindur në Split dhe dr. sc. Bruna  Petani në Shibenik, vajza e basketbollistit të njohur të KB “Zarës” dhe KB: “Shibenka” Bruno Petani. Ka edhe shumë emra të tjerë të afirmuar të arbneshëve ë cilët jetojnë e veprojnë jashtë Zarës.

Një shkëputje  nga  biografia e dr. sc. Bruna Petanit

Dr. sc. Bruna Petani, shkollimin fillor e të mesëm e ka mbaruar në qytetin e Shibenikut, ndërsa studimet universitare i ka përfunduar në Biologji dhe Ekologji Detare në vitin 2012,në Departamentin për studime detare në Universitetin e Splitit. Po aty edhe e ka fituar titullin magjistër -Inxhinere e biologjisë dhe ekologjisë së detit. Pa kaluar kohë e gjatë, pas diplomimit, ajo e fiton një bursë evropiane për doktoratë në Universitetin Politeknik të Marche- në Ankona (Itali), ku kishte punuar në tematikën:“Ndikimi i ndryshimeve globale në biodiversitetin dhe funksionimin e ekosistemit detar”. Ajo e ka mbrojtur me sukses tezën e doktoratës në shkurt të vitit 2016, duke e marrë titullin shkencor: Dr. e Biologjisë dhe Ekologjisë Detare. Prof. Bruna për suksesin e arritur i falënderohet në rend të parë familjes saj për mbështetje të pakursyer. Ajo e pranon se motivimi për studimin e biologjisë është nga babai i saj, “Dashurinë ndaj shkencës së biologjisë së detit e kam trashëguar  nga babai im i cili gjatë tërë jetës ishte i dashuruar në natyrën e posaçërisht në detin. Ai ishte motivuesi më madh dhe mësuesi më i vlefshëm. Aktualisht jam e punësuar në Universitetin e Zarës, në Departamentin për: Ekologji, Agronomi dhe Akuakulturë, post doktorante”.

Një familje sportistësh

E veçanta e arbneshve, është marrja me muzikë, sport, udhëtimi me biçikleta dhe lojëra të tjera, ndërsa Ju rrjedhni nga një familje sportistësh, a keni trashëguar diçka nga sporti ?

“Është e vërtetë se jemi familje sportistësh, mamaja ime, babai, si edhe tezja ime, kanë qenë basketbollistë profesional të: (KB „Zara“,KB “Shibenka“ dhe të KBF „Elemes“, po edhe ne, vajzat, jemi marrë me sport. Unë aktivisht jam marrë për nëntë vite me basketboll, duke luajtur për ekipin e parë të :KBF „Shibenka“ si edhe duke qenë reprezentuese e Kroacisë për kadete dhe juniore. Ndërsa gjyshi im ishte marrë me muzikë. Për një kohë të shkurtër unë dhe motra ime jemi marrë me muzikë duke luajtur me piano (kemi mbaruar Shkollën e Ulët të Muzikës) kështu që gjatë ditëve të adoleshencës ne ishim të dashuruara në sportin dhe muzikën. Mirëpo, asnjëherë duke mos harrura mësimet.

Vështirësitë kalohen me bashkëpunim

Pra, Departamentit për: Ekologji, Agronomi dhe Akuakulturë të Universitetit të Zarës”. i'u shtua edhe një kuadër i ri, një  post-doktorante, një shkencëtare e re e vendosur dhe e përkushtuar, tu japë maksimumin studentëve në procesin edukativo –arsimor, poashtu e preokupuar në shkencë dhe në projekte të ndryshme hulumtuese. Me të gjitha këto angazhime, me të cilat ballafaqohet prof. dr. Bruna, e pyetëm, si po i arrini të gjitha këto?

„Pajtohem, por, në rend të parë kërkohet shumë dashuri, e cila mua personalisht nuk më mungon, me punën që po merrem të cilën e dua sinqerisht. Secila punë ka momente të vështira dhe të lehta, por në ketë Departament kam mbështetje të plotë të kolegëve të mi, me të cilët për çdo problem gjejmë zgjidhje të shpejt dhe adekuate”.

Pasi që profesoresha është njohëse e thellë e problemeve ekologjike e në veçanti e ekologjisë së detit. E kemi e pyetur  për problemet ekologjike  me të cilat po ballafaqohet bota moderne. Sipas profesoreshës, Bruna, „Mbrojtja e mjedisit është një problem dhe një shqetësim serioz, dhe guxoj të them se ajo në rend të parë lidhet kryesisht me ndërgjegjësimin e qytetarëve, por edhe të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të jenë më të vendosura në zgjidhjen e këtij problemi. E ardhmja është e mundur vetëm nëse ndërgjegjja njerëzore ndryshohet në nivel global, si dhe çdo individ mund të japë kontribut të madh në ndryshimet pozitive”.

Vetëm bashkëpunimi e kontaktet mes arbneshve mund ta ruajnë identitetin dhe kohezionin e tyre

Jeta e sotme, shumë dinamike, kur secili ankohet se po i mungon koha, u interesuam që ta dimë se a po arrin profesoresha të gjej kohë dhe të mbajë kontakte me familjen e madhe Petani, si edhe me arbneshët tjerë. Siç dihet, kjo familje ka dhënë mjaft personalitete të njohura në shumë lëmi. Megjithatë, dr, Bruna, shprehet se i mban kontaktet e rregullta me familjen e saj të ngushtë ,por gjendet edhe kohë për takime edhe me anëtarët të familjes së gjerë. Mirëpo, në rend të parë me të afërmit, të cilët janë të njohur për opinionin në Dalmaci e më gjerë: ish reprezentuesi i Kroacisë në basketboll-Teo Petani, i cili i ka vazhduar studimet dhe e ka kryer kualifikimin për avokaturë. Pastaj, gjeodeti Alen Petani, i cili e ka zbuluar një lloj specifik të kërmijve të detit Adriatik, të cilët janë të pagëzuar me emrin „PETANIJA”. Para do kohësh e ka botuar dhe librin sbashku me dy bashkautorë.

Shoqatat kulturore të Arbanasit në ruajtje të identitetit kulturor të  arbneshve

Përveç, bashkëpunimeve dhe kontakteve mes arbneshve për ruajtjen e identitetit kulturor kontribut të madh po japin edhe dy shoqata të cilat veprojnë në Arbanas, me aktivitetet e tyre kulturore, botuese, shkencore po japin kontribut të madh në ruajtjen e traditave arbneshe. Ndërsa, Shoqata “Vicko Zmajeviq” me vite organizon edhe kursin e mësimit të gjuhës arbneshe, për të shpëtuar atë nga harresa.

A jeni optimiste se me këto aktivitete mund të shpëtohet diçka nga harresa?

„Unë personalisht e konsideroj se është për t’u vlerësuar puna e shoqatave të cilat përpiqen të shpëtojë identitetin e Arbneshve. Në rend të parë është e  rrezikuar gjuha arbneshe të cilën unë për fat të keq, nuk e flas, por duhet të jem e sinqertë dhe të them se tashmë jam e interesuar rreth kursit të gjuhës dhe do të doja shumë të mësoja Arbnishten. Kështu që mund të them se jam optimiste për këtë. Mirëpo, përpjekjet duhet të bëhen, kryesisht me arbneshët e rinj”

Mbiemrat e arbneshve përmendore historike

Gjatë sundimit të Italisë në Zarë, presioni për asimilimin e kroatëve dhe arbneshve kishte qenë i jashtëzakonshëm. Pushteti kishte përdorur të gjithë mekanizmat e mundshëm për realizimin e qëllimeve të tyre, asimiluese, deri sa qytetarëve u ishin–italianizur mbiemrat, ashtu edhe të arbneshve. Mirëpo, pas çlirimit arbneshët i kishin rikthyer mbiemrat e tyre të mëparshëm, ashtu siç ishin të regjistruar që nga viti 1726.

Se a janë ata mbiemra  „Përmendore historike“, duke i’u shërbyer arbneshve si “KOD” për njohje mes tyre. Prof. Bruna e vlerëson lartë ruajtjen e mbiemrave të arbneshve, duke u shprehur “Defitinivisht ata u shërbejnë si „KOD“ arbneshve, për njohje dhe kontakte mes tyre, pavarësisht se ku jetojnë ata në Dalmaci apo në vendet tjera“.

Ajo duke folur për Departamentin, e Ekologjisë Agronomisë dhe Akuakulturës, në të cilin punon, tha se aty: “janë edhe disa arbneshë tjerë, që disa nga ata „fshihen “prapa mbiemrave të baballarëve të tyre, edhe pse mëmat e tyre janë arbneshe, kështu që “KODI“ është i fshehur. Por në nivel të Universitetit të Zarës është një numër i konsiderueshëm i punonjësve me origjinë arbneshe”.

Ishim të interesuar të dimë se a ka pasur ndonjë bashkëpunim me institucione përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës apo me ndonjë koleg që merren me probleme të njëjta. Ajo kishte pasur bashkëpunime me koleg nga Shqipëria, në tri projekte ndërkombëtare. ndërsa me kolegë nga Kosova jo. Mirëpo e shpreh gatishmërinë e bashkëpunimit institucional, dhe shpreson në realizimin e projekteve të cilat janë të dobishme jo vetëm në aspektin shkencor por edhe për të mirën e vendeve tona.