E enjte, 28.03.2024, 03:19 PM (GMT)

Kulturë

Astrit Lulushi: Libri “Para-j-sa?!" i Petraq Ristos - libër thesar

E hene, 11.02.2019, 07:01 PM


Libri “Para-j-sa?!" i Petraq Ristos - libër thesar

Nga Astrit Lulushi

Shqiptarët, të pakët në numër, duket se janë të pakët edhe si lexues të letërsisë së tyre. A nuk e dinë se nga mosleximi, një komb bëhet akoma më i vogël e më i varfër në dije, kulturë e në të gjitha? Sepse nuk mund të hidhen tej a mbulohen romane e poezi me vlera të shumta të një brezi bashkëkohorë poetësh. Një prej tyre është Petraq Risto. Poezia e tij përshkohet nga trishtimi, ndjenjë që Risto e vesh me një vello shpotitëse. Vetëm kështu e veshur ajo mund të fshihet e shtrihet thellë në zonën më të thellë të shpirtit, ku bluhet derisa bëhet pluhur e shpërthen jashtë nën presion. Me një stil të rrjedhshëm vargjesh të lira, në librin poetik “Para-j-sa?!”, Risto ndihmohet nga kjo ndjenjë herë-herë pesimiste-zhgënjimi-trishtimi për të krijuar vargje perlash të tilla për t’ia hedhur në qafë si stoli çdo njeriut jo-foshnje apo të gjithë atyre që duan të lexojnë:

“Si të bujtim në të njejtën sofër

me mbrëmjen e lodhur nga pjekja...” (Thelbi i padukshëm)

ose

“Një dorë valëvitet në ajër: flamur përshëndetjeje

Nga që s’merr përgjigje, si re në ajër tretet...)

Por veç njeriut që nuk lexon, është edhe mësuesja që vret veten kur sheh ish nxënësit që ulen thjesht për të lexuar vetëm përmbajtjen e faturave të shpenzimeve që u vijnë një herë në muaj; ky është i vetmi fryt i mësimeve të saj, çdo dije tjerër e ka humbur vlerën:

“E gjetën në rrënojat e qytetërimeve të vjetra me lulëkuqe në tëmth

Me buzëqeshje cinike në gojën e hapur ku vërtitej një bletë e hutuar....” (Mësuesja e historisë vetvritet)

“Para-j-sa?!” përmbledh poezi që Risto i ka shkruar kohë pas kohe në shumë vende të botës ku ka shkuar jo si shetitës por si qëmtues i përvojës së tyre. Ai merr atmosferën e ditës, dhe frymëzohet duke e shprehur në vargje, si këto shkruar në Tiranën e 2016s:

“I fundosur në një det sa një dhomë, me dallgë sa një pasqyrë apo sa një jastëk

Me peshkaqenë sa një mendim, sa një frikë e herëshme, sa një kërcënim..”

(I fundosur...)

“Para-j-sa?!” në rreth 300 faqe përmban edhe nje kapitull me Epitafe:

“Shumë gjëra i mësova gjatë rrugës

Dhe kur arrita në fund të saj

Rruga nisi të qaj...” (Epitaf 407)

apo...

“Jetova në një shkëmb me një skifter: herë e ushqeja, herë më ushqente

Në shkëmbin e madh gdhenda vargje paprerë, dëgjoja recitimin e erërave

U zbut skifteri, mi solli bilbilat në derë....” (Epitaf 103...)

Duket se autori Petraq Risto parasheh se kulturës (por edhe njeriut, shoqërisë) shpejt mund t’i vijë vdekja, mund të shuhet, nëse harron një nga bashkëpuntorët e tij më të mirë, më besnik, më të pashtershëm, i cili është libri që lexohet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora