E premte, 29.03.2024, 02:17 PM (GMT)

Kulturë

Artan Shabani: “Punet e mia ne shtepine e Prodit, Anjelit e Franko Neros”

E enjte, 25.09.2008, 07:16 PM


Artan Shabani
Flet ekskluzivisht për gazetën “Albania” piktori Artan Shabani

Nga Petrika GROSI

Në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për gazetën “Albania”, piktori i njohur vlonjat që jeton dhe punon në Itali, Artan Shabani, i kthyer kohët e fundit në Shqipëri, flet mbi pikturat e tij, planet për të ardhmen, problemet e artit shqiptar, politikat e munguara shtetërore, galeritë dhe muzetë në vendin tonë, etj.
Për të gjithë ata që nuk e njohin, Shabani është një ndër ata të paktët piktorë shqiptarë, i cili gjatë kësaj dekade u afirmua fuqishëm në rrjetet italiane e ndërkombëtare të artit falë veprës së tij dhe vlerave që ajo tejçon. Mjaft të përmendim këtu faktin se disa piktura të Artan Shabanit janë blerë nga koleksionistë tepër të njohur e figura të famshme si aktori Franco Nero, politikani Romano Prodi, familja miliardere italiane Agnelli, etj. Për më tepër detaje, artisti flet në intervistën që vijon më tej.

Artan Shabani nuk ka ardhur rastësisht në Shqipëri apo jo?
 
Ardhjet në Shqipëri nuk janë të rastësishme dhe kryesisht për një artist që kërkon të investojë në vendin e vet. Më konkretisht me ardhjen e fundit bëhet fjalë për përgatitjen e një galerie bashkëkohore në qytetin e Vlorës, “Promenade Gallery”. Ideja e “lindjes” së një galerie bashkëkohore për mua ka qenë e hershme. Kam parë se në qytetin e Vlorës, vitet e fundit ka një atmosferë të ngrohtë, ku mund të investohet në kulturë. Kjo bëhet edhe si një kundërshtim i “përshtatjes së rutines” që herë-herë ndodh në brutalitet në jetën e përditshme. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri jam duke punuar edhe me seleksionimin e artistëve, duke ndjekur nga afër me intuitë aktivitete të ndryshme si bienale, panaire, galeri e muzeume. Galeria në të ardhmen do të krijojë një sistem bashkëpunimi me qytete si Berlini, Venezia, Madridi dhe Torinoja.

Këtë javë keni edhe një ekspozitë në Turqi. Ç’mund të na tregoni më tepër?
 
Kam përuruar një ekspozitë vetjake në qendrën e Stambollit në galerinë Mavi Kum. Kjo ekspozitë kurohet nga stafi i galerisë dhe nga koordinatoria artistike që unë punoj në Paris, Holta Vrioni. Prezantohen 22 punime, kryesisht në vaj, të cilat i përkasin ciklit “Homo Albanicus”.

A është e vështirë të jetosh vetëm me artin jashtë shtetit, sidomos për një shqiptar?

Sigurisht që nuk është e lehtë dhe aq më tepër për një artist. Të merresh me pikturë ose me art në përgjithësi, do të thotë të merresh me krijmtari dhe krijimtaria është një gjë që nuk ndihmohet nga të tjerët. Artistët kanë lidhje me të ardhmen dhe që vepra e tyre të lërë një emër të mirë nuk është e lehtë. Por po ta mendosh, është diçka shumë fisnike trashëgimia që artisti lë për brezat që do të vijnë. Kjo e bën artistin idealist dhe jo materialist, është një kënaqësi që shumë elemente të tjerë nuk mund ta dhurojnë. Mund të them se çdo epokë lulëzon nëpërmjet artit dhe mbyllet me mbarimin e tij. Kur njeriu nuk do të ketë më konflikte, ideale dhe asnjë tension agonal me historinë, atëherë nuk ka as art.

-Ç’mendim keni për situatën e galerive, muzeve dhe artistëve në Shqipëri?

Bashkëpunimi me artistët shqiptarë ka qenë i mundshëm në vend dhe jashtë Shqipërisë, ndonëse ne nuk kemi ende një imazh artistik unitar për tu shprehur si grup ose grupe artistësh. Në përgjithesi, artistët shqiptarë janë praktikues të një lloj nomadizmi nga fenomeni i emigracionit. Të gjithë jemi duke e përjetuar këtë dramë të distancës, që na ka lidhur më shumë me njëri-tjetrin. Në Itali kemi ekspozuar në vende ku dialogu me publikun ka qenë imediat si Universiteti Bokoni në Milano, Muzeumi Luzzati në Genova, Pallati i Kongreseve në Garda. Duhen konsideruar edhe stereotipet që në mentalitetin e tyre inkuadrojnë artin tonë në sektorin e kulturave margjinale. Realiteti shqiptar vazhdon që të jetë ende i veshur me një vello misteri. Ka shumë velatura të vendosura në momente të ndryshme, vernik ky që e ka bërë të vështirë imazhin tonë. Për këtë qëllim galeritë dhe muzeumet duhet të jenë në një sistem unik të imazhit, por një rol të mirë mund të luajë edhe shteti. Orientimi i publikut në strukturat e artit është një nga këto probleme për të kaluar në mjaft të tjera... Muzeumet kanë mangësi të mëdha duke nisur që nga sistemi i umidifikimit, ndriçimi profesional, hapësirat e kufizuara dhe mungesa e trajnimeve të personelit përkatës.

Jeni ndoshta i vetmi piktor, të cilin e kemi parë që të blejë pikturën e një kolegu tjetër. Si ndodhi që para pak kohësh në Galerinë Kombëtare të Arteve e keni bërë tuajën një nga punët e pogradecarit Taso?
 
Mendoj se nuk jam i vetmi mbasi artistët koleksionistë janë të shumtë. Si pasion në këto vite kam krijuar një koleksion me artistë nga vende të ndryshme e nëpërmjet galerisë Promenade, publiku mund të njihet me këtë koleksion modest dhe të shohë nga afër punimet e artistëve. Këtë e bëj gjithashtu, për të krijuar një pikëtakim në Vlorë, ku artistët mund të shkëmbejnë eksperiencat e tyre me njëri-tjetrin dhe me publikun. Për ekspozitën vetjake të piktorit Taso mund të them se ishte një prezantim dinjitoz i tij dhe kur artisti është dinjitoz, meriton vëmendje nga koleksionistët e nga publiku në përgjithësi. Arti nuk shitet, por blihet...

Meqë jemi tek shitjet dhe blerjet e pikturave. Thuhet se punët tuaja janë blerë nga persona të famshëm si familjia Agnelli, Romano Prodi, aktori Franco Nero, etj. Si e keni arritur këtë gjë dhe si ndiheni për këtë vlerësim që i bëhet artit tuaj?

Blerja e disa punimeve të mia nga familje apo personazhe të ndryshëm është bërë nëpërmjet galerive ku më është mundësuar bashkëpunimi. Sigurisht, është një sadisfaksion i madh kur punimet zënë vend edhe në ambiente elegante apo në koleksione të rafinuara.

Çfarë pikturash ishin dhe më çfarë çmimesh janë shitur?

Pikturat kanë qenë me tematika e me dimensione nga më të ndryshmet, po kështu variojnë në bazë të këtyre elementeve edhe çmimet me të cilat ato janë shitur.

Pse nuk funksionon siç duhet tregu i artit në vendin tonë?
 
Tregu ose merkatoja e artit është një faktor kultural dhe arrin si një dëshirë intelektuale. Fantazia krijuese e artistëve gjithnjë ka qenë në kontradikte me skematizmin e imponuar në artin shqiptar, kjo si pasojë e izolimit nga krijimtaria bashkëkohore e Perëndimit. Nuk është punë e artistit menaxhimi i veprës së tij krijuese. Kjo i përket galerive të artit dhe raportit koleksionist-galeri. Kemi disa galeri që kanë lindur vitet e fundit dhe janë në gjithë territorin e vendit, si Muzeumi Mezuraj, Galeria Zenit në Tiranë, Iris në Shkodër, Kissi në Vlorë, etj. Këto galeri duhen stimuluar nga institucionet dhe të përkrahen në aktivitetet e tyre. Shteti mund të stimulojë në panairet internacionale ku këto galeri mund të shfaqen duke mos mbetur të getizuara në provincë.

Artan Shabani dhe Papa Gjon Pali i Dytë
Folëm për çmimet, pikturat, galeritë, disa nga problemet e artit në Shqipëri. Si thoni sikur të kalojmë tek muza juaj?

Para disa kohësh kam trajtuar serinë e quajtur “Monokromatia”, e cila shfaqet sa transparente si ngjyrë aq e përjetshme si frymë, por edhe historike në fantomën e përfytyrimit, një sematikë disi e pazbërthyeshme në raport me njeriun. Sot jam duke punuar edhe me skulpturën e instalacionin. Kjo vjen si një analizë e kërkimit dhe gjuhës eksperimentale. Në kompleksitet të punës janë figurat femërore që transformohen në këtë metamorfozë dhe modelohen në muza... Në dikotominë e imazheve që herë-herë spektatorin e shokojnë e provokojnë dhe e bëjnë të reflektojë në falsitetin e botës “kontemporane”.

Së fundi, cila ka qenë ngjarja më sinjifikative në jetën tuaj?
 
Do të thoja takimi me Papa Gjon Palin e Dytë. Kjo ka ngelur si një ngjarje e madhe dhe unikale, një emocion i papërshkrueshëm ishte për mua momenti kur dialogova me shtrenjtësinë e tij dhe teksa i dhuroja pikturën që kisha realizuar për Nënë Terezën.
Momente të shënuara kam edhe të tjera, siç ishte rasti kur prezantova një ekspozitë personale në Këshillin e Europës, Strasburg. Githashtu në Torino, atëherë kur mu dedikua një ekspozitë në ditën e hapjes së lojrave olimpike dimërore. Moment i bukur është çdo çast kur arrij t’i fal emocione publikut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora