Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Historiku i arsimit shqip në Llugaxhi të Lipjanit

| E shtune, 09.02.2019, 10:45 AM |


HISTORIKU I ARSIMIT SHQIP NË LLUGAXHI TË LIPJANIT

Abdullah  Troshupa “ Zhvillimi i arsimit nëpër etapa kohore  në Llugaxhi ( Monografi ) ”, SHB “ Lena ” - Prishtinë, 2018

Nga Milazim F. KADRIU

Akuza, shpifje. kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësuar kurrë deri më sot,e kundërshtarët e mijë le të jenë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as  mbas  sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj,e them me krenari, nuk e lë të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’ idenë t’ eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me mashtrue ari i të tanë botës,por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”

Me këtë citat të Hasan Prishtinës hapet libri monografik “Zhvillimi i arsimit nëpër etapa kohore  në Llugaxhi (Monografi)” të autorit Abdullah  Troshupa. Autori i librit pas kontributit shumë vjeçar në procesin edukativo-arsimor, me rastin e pensionimit solli edhe një kontribut shtesë duke qitë në dritë këtë monografi që do të jetë një libër mjaft i rëndësishëm për arsimin në Kosovë e në veçanti arsimin në komunën e Lipjanit përkatësisht në Llugaxhi të kësaj komune.

Autori librin e tij e ka hap me citatin e të madhit Hasan Prishtina që kontributi i tij për arsimin dhe hapjen e shkollave të para shqipe është i madh e po ashtu edhe shkolla e fshatit Llugaxhi e mban emrin e të ndriturit Hasan Prishtina.

Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës padyshim se është hapja e shkollave shqipe që është një faqe e ndritur  dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar. Nuk duhet harruar se përpos Hasan Prishtinës dhe arsimdashësve tjerë që dhanë kontributin e tyre në këtë drejtim se njëri ndër figurat kyçe në misionin e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë ka qenë intelektuali, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i njohur, Ernest Koliqi.

Vlen të ceket se që nga viti 1941 kur ka filluar  të zhvillohet arsimi shqip ku u hapën shkollat e para shqipe .Kjo është bërë fal Ernest Koliqit që në Kosovë kishte dërguar mbi 200 mësimdhënës për ët hapur shkollat shqipe dhe për të arsimuar të rinjtë shqiptar në vende të ndryshme të Kosovës e ndër këto vende ku u hapën shkollat shqipe ishte edhe fshati Llugaxhi,ku mësues i parë ishte Kadri Bresa, nga Shqipëria.

“Që të shkruaj një monografi për shkollë, ndjeva borxh moral sepse në këtë shkollë kam filluar të punoj që nga viti 1996”, shprehet ndër tjera autori i librit Abdullah Troshupa.

Pas parathënies në vazhdim  disa fjalë për monografinë i sjell  drejtoresha e shkollës  “Hasan Prishtina”, prof Drita Islami e cila ndër tjera shkruan : “ Monografia ngërthen në vete veprimtarinë institucionale,arsimore edukative të kësaj shkolle prej themelimit  e deri më tash...

Pra nismën e kësja monografie të autorit,gjegjësisht arsimtarit Abdullah Troshupa duhet përshëndetur,sepse me këtë e ka pasqyruar historinë e veprimtarisë së kësaj shkolle prej themelimit të saj deri në ditët tona.

Kjo monografi do ët shërbej si themel i qëndrueshëm për hartimin e historisë të mëtutjeshme të kësaj shkolle.”

Më pas autori sjell një shkrim për jetën dhe veprimtarinë e Hasan Prishtinës, pastaj shkrimi “Roli i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar, ku ndër tjera shkruan : ” Roli i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar ishte shumë i madh. Lufta e tij për bashkimin kombëtar shqiptarë shkonte  krah për krah me luftën për kulturën shqiptare dhe për shkollën shqipe. Ai kishte qëllim që t’ua pres rrugën propagandës së huaj në fushën e alfabetit të shkollës dhe arsimit kombëtar shqiptar.”

Pastaj vijnë shkrimet : Faktorët themelor dhe vendimtar në punën edukativo-arsimore, Mësimdhënësi faktorë themelor për arritjen e sukseseve  dhe poezia  “Trishtim Vjeshte” kushtuar dëbimeve të llugaxhiasve  nga trekëndëshi i Toplicës më 1878. Pastaj vjen një historik i themelimit të fshatit Llugaxhi që si thotë autori ky fshat është themeluar në vitet 1878/80 nga muhaxhirët që  dhunshëm ishin dëbuar nga trojet e tyre etnike në vitet 1877/80, nga Toplica, Prokupla, Leskoci, Jabllanica, Medvegja dhe nga trojet tjera shqiptare, tani të Kosovës lindore.

Autori këtu flet për të gjitha familjet e këtij fshati, pastaj për pozitën gjeografike dhe rrugën e zhvillimit të fshatit Llugaxhi.

Më pas autori librin e ka ndarë në tri pjesë apo në tri etapa kohore : “Etapa e parë  e zhvillimit të arsimit (1924 -  1940) ”, “Etapa e dytë e zhvillimit të arsimit (1940 – 1994)”, “Etapa e tretë  e zhvillimit të arsimit (1994 – 2018 )”

Në etapën e parë  autori shkruan për arsimin gjatë  ish Mbretërisë jugosllave, ku pas riokupimit të vendit nga mbretëria serbo-kroato-sllovene, shqiptarët parashtruan kërkesat e tyre për hapjen e shkollave shqipe, mirëpo ata që e kishin okupuar vendin ndaluan çdo përpjekje në këtë drejtim, ngase shqiptarët nuk gëzonin as të drejtat elementare njerëzore. Më pas autori shkruan për fillet e para të arsimit shqip. Autori thotë se Llugaxhia dallohet për të mirë  sepse është njëra ndër fshatrat e para në Kosovë që hapi shkollën e parë qysh më 20 prill 1924, por që mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Pastaj hapet shkolla e parë fillore në xhamin e fshatit në vitin 1924-1925, ku xhamia përpos që shërbente për kryerjen e ritualeve fetare punoi edhe si shkollë. Në fund të kësaj etape të librit të tij autori flet edhe për figurën e Sefë Bislim Reçicës që njihej si Sefë Llugaxhia.

Në etapën e dytë autori flet për arsimin shqip në Llugaxhi, ndonëse ishte kohë lufte këtu është zhvilluar mësimi në xhamin e fshatit. Gjatë kësaj kohe është marr iniciativa për ndërtimin e shkollës së fshatit dhe kjo shkollë është ndërtuar me vet kontribut të fshatarëve dhe për këtë siç e cek autori meritë të veçantë ka Qazim Sefë Reçica. Në këtë shkollë mësimi është zhvilluar deri në vitin 1994.

Autori flet edhe për shumë figura që ndihmuan zhvillimin e arsimit në këtë mes gjatë kësaj periudhe si mësues dhe dashamirë tjerë të arsimit shqip ,po ashtu sjell edhe foto të tyre dhe nxënësve të kësaj shkolle.

Pjesa e tretë apo etapa e tretë si e ka titulluar autori është pjesa më voluminoze e kësaj monografie ku përfshihet periudha e zhvillimit të arsimit në Llugaxhi që nga viti 1994 deri në vitin 2018. Këtë periudhë të zhvillimit të arsimit autori e njeh nga afër ngase gjatë këtyre viteve autori ishte punëtor në këtë shkollë. Siç është e ditur  në vitet e nëntëdhjeta regjimi komunist serb bëri suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe mbylli shkollat shqipe mirëpo në Kosovë në të gjitha meset  u bë organizimi dhe u zhvillua mësimi nëpër shtëpi shkolla dhe nuk u lejua që të shuhet arsimi shqip. Në këtë periudhë në fshatin Llugaxhi u mor iniciativa dhe u ndërtua shkolla e re e fshatit. Sot në fshatin Llugaxhi  është shkolla nëntë vjeçare  që me krenari mban emrin e patriotit Hasan Prishtina.

Në këtë pjesë autori bënë fjalë për aksionin mjaft të rëndësishëm të banorëve të fshatit Llugaxhi në ndërtimin e shkollës së re ku sjell edhe të dhëna për personalitete meritore të këtij aksioni si dhe shumë faksimile me të dhëna për kontribuuesit e aksionit. Po ashtu këtu sjell edhe biografitë me foto të mësimdhënësve të kësaj shkolle që kanë punuar gjatë kësaj periudhe si dhe foto të nxënësve  dhe aktiviteteve të ndryshme kulturor, letrare, sportive që janë zhvilluar në këtë shkollë dhe shumë dokumente tjera lidhur me shkollën “Hasan Prishtina” në Llugaxhi të Lipjanit.

Recensenti i librit Mr. sc. Ibush M. Reçica në recensionin e tij për këtë libër mes tjerash thotë : ” Autori Abdullah Troshupa në këtë libër përfshiu të gjithë iniciuesit dhe organizatorët e arsimit, si mësimdhënësit, kontributdhënsit, mbështetësit e të gjitha etapave, me emër e mbiemër, vit për vit, të mbështetura në dokumentacionin që i prezanton në këtë libër, prandaj edhe e çmoj punën e tij të palodhshme.”

Andaj mund të përfundojmë se autori i kësaj monografie, Abdullah Troshupa ka bërë një punë mjaft të vlefshme për ndriçimin e historikut të shkollës  në Llugaxhi e sidomos kjo punë është mjaft me vlerë për gjeneratat e reja në mënyrë që të njihen me fillimin e arsimit shqip në Kosovë e sidomos në fshatin Llugaxhi dhe me pishtarët e arsimit, ata që përhapën rrezet e dritës dhe diturisë për gjeneratat e reja.