Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Zbehja e 17 shkurtit 2008, pasojë i lidershipit të shantazhuar!

| E shtune, 09.02.2019, 09:28 AM |


Zbehja e 17 shkurtit 2008, pasojë i lidershipit të shantazhuar!

Shkruan Florim Zeqa

Pas përfundimit të luftës, gjegjësisht të hyrjes së forcave paqëruajtëse në Kosovë, kërkesë e vazhdueshme e presidentit historik Ibrahim Rugova ishte  njohja formale e shtetit të Kosovës, po ashtu kërkesë e përhershme e tij ishte zhvillimi i demokracisë dhe funksionalizimi i institucineve të shtetit të Kosovës.

Forcat e Armatosura të Republikes së Kosovës (FARK) ishin projekt i tij, mekanizëm i sigurisë së shtetit. Mirëpo për shkak të shkrirjes së UÇK-së, fillimisht në TMK, e mëpastaj në FSK nga vetë udhëheqësi i saj (Hashim Thaçi), nga një forcë mbrojtëse për vendin në një strukturë vigjilente.

Na ka rënë të ndëgjojmë shpesh nga presidenti Rugova) se KFORI është ai që përkujdeset për sigurinë e shtetit tonë.

Vërtetë kështu po na del edhe tani pas afro 20 viteve nga çlirimi i vendit dhe pas 11 viteve nga ri-shpallja e Pavarësisë, se e vetmja forcë reale për mbrojtjën e shtetit tonë është KFORI e askush tjetër.

Nga joshja me çmim "NOBEL", tek shantazhi i "Speciales"

Negociatorët e Brukselit, fillimisht e joshën Hashim Thaçin me çmimin "NOBEL" për paqe derisa e kanalizuan në rrjedhat e dialogut, për ta shantazhuar më pas përmes Gjykatës Speciale deri në nështrim total para Serbisë gjakatare.

Përderisa rënja e kredibilitetit politik të Hashim Thaçit fillon nga nga bisedimet politike me Serbinë, përmes të cilave lëndoi rënd shtetësinë e Kosovës (fusnota*, Asociacioni, amnistimi i kriminelëve serb të luftës), humbja e besimit qytetar filloj nga mospërmbushja e premtimeve elektorale.

Hashim Thaçi me suitën e tij, përmes dialogut "teknik" në Bruksel, fillimisht i hoqi emrin "Republikë" Kosovës, për ta transformuar në dialog politik i cili rihapi statusin e Kosovës jo vetëm në tavolinën e Brukselit, por edhe gjithandej kancelarive botërore, duke e kthyer Kosovën para 24 marsit '99, gjegjësisht në Rambuje para bombardimeve të NATO-s, duke hedhur poshtë vendimin e GJND-së, bashkë me këtë dhe 17 shkurtin 2008-të, aktin për të cilin ishte krrekosur vetëm deri në vitin 2011 kur i filloj bisedimet me Serbinë armike!

Hashim Thaçi në bisedimet nën Rezolutën 1244, hodhi poshtë Planin e Ahtisarit, 17 shkurtin dhe të gjitha njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, duke sfiduar në radhë të parë SHBA-të, Anglinë Gjermaninë, Francën, Japoninë dhe mbi 100 njohje tjera.

Pra, tkurrja e njohjeve është pasojë i lidershipit të shantazhuar kosovar.

Dikur vraponin pas meritave, sot ikin nga përgjegjësia

Këta (qeveritarët aktual) që para 11 viteve shtyheshin me bërryla për të marrë meritat për pavarësinë e vendit, tani duhet të jenë të gatshëm t'i pranojnë edhe pergjegjësitë për dështimet e tyre në shtrirjën e sovranitetit e të ligjëshmerisë në tërë territorin e vendit.

11 vjet pas pavarësisë, është e kundërta e asaj çka ka pritur e ka dëshiruar populli: mungesë sovraniteti, mungesë territori, mungesë lirie, mungesë zhvillimi ekonomik, mungesë demokracie e barazie në vendin tonë.

Pushtetarët në vend të rezultateteve, e që duhej të ishin: zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, liberalizimi i vizave, furnizimi më energji 24 orë në ditë, furnizimi me ujë të pijes e shumë e shumë gjëra tjera elementare për jetën e qytetarëve, ata merren me dialogun me Serbinë, gjegjësisht se si ta kënaqin orekset serbe, se si t'i ngrisin pagat për vete dhe për militantët partiak në sektorin publik e deri në reklamimin e përditëshem të një himni pa tekst e flamurit pa ndjenja kombëtare në televizionin (politik) publik të Kosovës.

Në këtë përvjetor të shtetit të Kosovës, gjëja e vetme me të cilën ka arsye të mburret Qeveria është se, kjo është qeveria më megalomane jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për numrin enorm të ministrive, zv. kryeministrave, zv. ministrave dhe këshilltarëve, vozitësve e sekretareshave të bukura, numri i saktë i të cilëve nuk bëhet publik asnjëherë!

11 vjetori i ndjenjave të përziera

Republika e Kosovës ditëlindjen e 11-të është duke e pritur e katandisur si asnjëherë më parë; me fusnotë* dhe me status të hapur në arenën ndërkombëtare.

Pas rihapjes së statusit të Kosovës, jo vëtëm që nuk bëhet më fjalë për njohje të reja, por sfiduese mbetët mbrojtja e 17 shkurtit 2008-të, gjegjësisht mbrojtjes së njohjeve ndërkombëtare dhe sovranitetit të vendit.

Kërkesa për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën nga ana e kryeministrit Haradinaj, përveq se bie ndesh me shpalljen e pavarësisë dhe vendimine GJND-së, drejtëpërdrejt atakon interesat dhe investimet amerikane në Ballkan.

Megjithatë, është fat i mirë që amerikanët e dinë që kosovarët janë populli më proamerikan në botë, përndryshe, sa për këta udhëheqës sharllatan të shtetit të Kosovës, me të vërtetë brenda natës SHBA-të do të zavëndësoheshin me Rusinë dhe "çizmën" serbe në Kosovë.

Ky është "progresi" që i sollën Kosovës kjo kastë politike në pushtet, të cilët me veprimet e papërgjegjshme po i rrezikojnë seriozisht raportet me shtetin mik SHBA-në, që na shpëtoj nga zhbërja fizike.

Liderët e shtetit me fusnotë, uzurpatorë të institucioneve shtetërore

Liderët e shtetit me fusnotë*, në bisedimet e Brukselit nuk prezentohen si përfaqësues të shtetit të pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të KS të OKB-së, ndërsa të njëjtit lider para opinionit të brendshëm kosovar me entuziazëm paraqitën si lider të shtetit të pavarur!

Si rezultat i personalitetit të dyfisht të liderëve shtetëror, që 11 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008-të, duke i kaluar 11 vite izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.

Rihapja e statusit të Kosovës në dialogun e Brukselit, Kosovës i kushtoj me tërheqjën e mëse 10 njohjeve ndërkombëtare.

Gjykata Speciale mbi kokën e liderëve të korruptuar dhe tejinkriminuar shtetëror  e partiak, shtetit të Kosovës i kushtoj me humbjen e mbi 8200 hektarëve tokë, me tendencën e humbjes edhe të rreth 3500 kilometrave katorë në veri të vendit, krejtësisht shkaku i një lidershipi të shantazhuar, të cilëve sa më shumë u shtohet presioni nga Gjykata Speciale, aq më tepër e rrisin gatishmërinë për kompromise (falje të territoreve) të reja ndaj Serbisë.

Politikanët me peronalitete të dyfishta e kanë humbur tërësisht besimin tek qytetarët, por edhe tek bashkësia ndërkombëtare.

Shkaku i uzurpimit nga kusarët politik, Kosova edhe pse 11 vite shtet i pavarur dhe 20 vite në liri, ka mbetur oazë e krimit të organizuar, në duart e nëntokës dhe mafio-oligarkëve.

Kosova mbase është i vetmi vendi në rajon dhe më gjërë ku nëntoka kriminale është mbi ligjin dhe vendos për gjithçka natën e ditën, dhe ku për shkak të mos sundimit te ligjit, pa ndëshkueshmëria e kriminelëve është bërë normë, ndërkaq pabarazia qytetare është bërë rregull e pashkruar në (pa)drejtësinë kosovare.

Nga lindja deri tek njohja e shtetit

Shteti i Kosovës për shqiptarët ekziston që nga Deklarata për Pavarësi e 2 korrikut e vitit 1990, por që i mungonte njohja formale ndërkombëtare, njohje e cila erdhi më 17 shkurt 2008-të,...përveqse nuk është e plotë, tani ajo është rrezikuar seriozisht si pasojë e liderëve të shantazhuar shtetëror dhe partiak.

Urimi më i mirë në 11 vjetorin e Pavarësisë do të ishte që Kosova të jetë  sovrane dhe e liruar nga strukturat kriminale në veri, si dhe e liruar nga uzurpatorët e shtetit në brendi të vendit, përkatësisht nga kusarët politik të "Cosa Nostra"-s apo mafias kosovare të shekullit 21 në të dyja nivelet e qeverisjes, si kusht i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin tonë.