Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marjana Bulku: Një Jetë…Disa Histori: Të lindësh në kohën e gabuar (Astrit Rama)

| E shtune, 09.02.2019, 10:29 AM |


Një Jetë…Disa Histori: Të lindësh në kohën e gabuar (Astrit Rama)

Nga Marjana Bulku

NË VENDIN  KU QYTETIN E SHEH NGA LART...

Bugjuneci...

Është ndër vendbanimet e pakta në Dibër ku Peshkopia shihet si në pëllëmbë të dorës, me Drinin që gjarpëron dhe ikën dredhërueshëm tej luginave veriore,më poshtë shtrihen lagjet Bulke, Dobrovë, Kamen, Pazar i vjetër , të cilat  përshkallëzohen drejt qendrës së qytetit ku bulevardi i blinjtë memorizon njerëz, hapa, histori. Aty  kaloi vitet e para të fëmijërisë Astrit Rama, intelektuali  jeta e të cilit i ngjan një libri të pashkruar, mbushur me histori të parrëfyera të cilat shtegtojnë midis Peshkopisë dhe Parisit, Spaçit dhe Kutallisë (Berat) , telave me gjemba ku ndaheshin dy Dibrat shqiptare, burgu 17 ditor në Shkup , kampi i të burgosurve në Beograd, rikthimi në Paris...

HISTORITË QË NDRYSHOJNË JETË

Qytetarët e Peshkopisë e njohin dhe nuk e njohin Astritin, pasi përmasat e intelektualëve të formuar në perëndim është shumë e vështirë të kuptohen nga katër lagje qyteti ku katër orë programi televiziv nuk munden të ushqejnë dot me dije e liri e aq më pak me shpresa qindra e mijëra jetë. Por fati i intelektualëve që lindin në kohën e gabuar, nuk do thoja kurrë në vendin e gabuar sepse ai vend plot bukuri është si  kurorë mbi qytet , është apsurd  ka raste që është edhe tragjik. Fati i qyteteve shqiptare ku mungesa e intelektualëve vjen edhe nga sulmi i padrejtë që u bëhet atyre prej mendjesh lilipute është akoma edhe më tragjik. Astriti, fëmija që ecte në këmbë mbi rreth një orë për të ndjekur mësimet në shkollën "Demir Gashi" shkëlqente në mësime edhe pse me humor na  rrëfen se nëna e angazhonte shpesh edhe me punët e familjes si më i madhi fëmijë që ishte.

E kaluara e tij ka aq shumë për të treguar...Ai ka folur shumë pak për vete dhe në këtë ditë janari 2019 jemi unë, Iliri dhe Milva( bashkëshortja e tij ) që ia trazuam kujtesën e tij të fortë dhe të freskët me data të sakta, emra, detaje të cilat ai nis e i tregon shpesh herë me emocione ku lexohet dhimbje, plagë , trazuar nga një lloj furtune e brendëshme 25 vjeçare brenda gjashtëdhjetë e ca viteve jetë ku vitet 70-të do ndryshojnë rrjedhën e jetës së tij ,për mirë apo për keq nuk dij ta them por me shumë siguri pohoj se vite si ato plot dallgë dhe stuhi që çuditërisht njeriu ia shkakton njeriut në shtetin e vet që ka aq pak përgjegjësi, kujdes dhe dashuri për shtetasit e vet, skalitën të riun antikonformist , që nuk pajtohej dot me të keqen pasi preku magjinë e lirisë edhe pse përkohësisht. Ishte një moment kur në kuadrin e marrdhënieve kulturore Francë -Shqipëri , disa nga studentët më të mirë të gjuhëve të huaja të Fakultetit Histori -Filologji Tiranë do të studjonin në Paris në Universitetin e Sorbonës, sipas një kontrate 5- vjeçare që rinovohej çdo vit mbi bazë të rezultateve . Dhe kështu nis kthesa e fortë në jetën e një të riu shqiptar, dibran , drejt Parisit , Nices, Korsikës të cilat nga shfletimet nëpër botimet e kohës në perceptimin real ishin larg , shuumë larg ...-shprehet Astriti ndërsa ndalon gjatë teksa përshkruan atë 27 dhjetor të dëbortë të vitit 1970-të në Parisin e paimagjinueshëm.

LIRIA E PALIRË

Për studentët e letërsisë dhe të historisë së saj liria është thelbi i krijimit, i jep jetë leximit dhe e bën kreative reflektimin mbi veprën letrare dhe vetë jetën në përgjithësi... pikërisht këtë mendoja teksa Astriti rrëfente mbi kalvarin e marrdhënieve që ambasada shqiptare në Francë ndërtonte me shtetasit e saj, i ftonte të lexonin me detyrim gazetat shqiptare për çdo javë , i detyronte të prisnin udhëheqësit e Byrosë Politike të Shqipërisë së varfër që shkonin dhe bënin pushime në Paris.Dhe qeshem e si të mos qeshesh kur Astriti rendiste dhjetra arsye që sajonte për tju larguar atij detyrim leximi gazetash ku uniteti parti-popull ishte kryefjala,arritja,suksesi progresi. Është e kuptueshme për mua një  i ri që shijon "Doktor Zhivagon" dhe lundron nëpër kryeveprat franceze me histori e ndjenjë të Floberit , do ia kursente vetes kohën e humbur ku liria kushtëzohet , i vihet lak.

KTHIMI NË ATDHE

Si është vallë kthimi në Shqipërinë e izoluar pasi ke studjuar , jetuar, mbase edhe ëndërruar nën të tjera horizonte, ke provuar shijen e lirisë kur në vendin tonë as nuk ia dije kuptimin ?!

Dy bashkëatdhetarët e tij do të vazhdonin karrierën diplomatike, ndërsa fati i dibranit kalon nëpër të tjera shtigje, udhë , kryqëzime. Rrëfimi i Astritit i tejkalon detajet e Konicës, Migjenit. Studenti i sapo kthyer nga Franca në bulevardin e Peshkopisë binte në sy, tërhiqte vemendjen prej lëkurës së bardhë, ndryshe , që sfidonte edhe bukuritë klasike të asaj xhiroje tradicionale nën blinj atë korrik të vitit 1975.

E megjithatë kthimi në atdhe ka peshën e mallit për familjarët e dashur, ëndrrat dhe premisat për jetën e re e cila nis të japë goditjet e para.

I refuzohet e drejta për të punuar petagog .

Emrohet mësues në një shkollë 8-vjeçare qyteti. Çudi deri në apsurd ku heshtja e gjatë është reagim dhe qëndrim.Astriti një copëz herë pa folur dhe unë duke imagjinuar se ky emrim është shuplaka e parë , e lehtë, e vockël, paralajmëruese e një stuhije të fortë që do ta priste në Peshkopinë e ftohtë.

DOSJA 790- Faqëshe

Për një të shkolluar në perëndim emërimi si mësues 8-vjecareje përbën dhjetra arsye për tu ndjerë i zhgënjyer ndërkohë kur bota akademike, gazetaria e Tiranës do të kishin shumë nevojë për një të ri si ai,shkolluar në perëndim, me dije të thella dhe të çertifikuara por Astriti nuk u ndje i tillë, përkundrazi ;do t'ju mësonte nxënësve dibranë frengjishten, historiza të atij vendi nga burojnë artet që ushqejnë botën me bukuri.Ai thotë se mbante edhe një magnetofon të vogël për t'jua bërë më efiçente nxënien dhe ndofta ishte mësuesi më i admirueshëm për ata fatlumë ,por këto" metoda borgjezo revizioniste që binin ndesh me vijën tradicionale të edukimit " do të shndërroheshin në akuza për të.

Insistoj ti marr diçka të bukur nga puna e shkurtër si mësues dhe ai kujton me shumë emocion një moment kur njërës prej nxënseve më të mira të klasës  i refuzohet e drejta për të marrë pjesë në mbrëmjen qëndrore të vitit të ri e cila organizohej për nxënësit më të mirë. Arsyeja ishte biografia, një femije me biografi familjare jo të mirë i mohoheshin shumë të drejta asaj kohe , sa shumë si Milva i kishin provuar ata lot që shkaktonte padrejtësia që e vret aq shumë një fëmijë që botën e sheh pafajësisht.I afrohem Milvës dhe me zë të ulur i them:

-" Mos u mërzit se do ndrrojë kjo punë"!

" Lotët e saj m'u duk se u shndërruan në ylber shprese nën dritën e fjalëve të mia ."

(PS  Milva Nasufit  i referohet shkrimi im me titull "Stilistja e qytetit të heshtur")

-"Unë e ndjeja që isha i kontrolluar"- shprehet ai. - " edhe kur drejtuesi i shkollës më tha të mos sillja magnetofon në shkollë, edhe kur shikimet e të tjereve nuk u ndaheshin hapave të mia ndërsa fjal?t, mendimet  e mia rralloheshin, e kuptoja që po sajohej dhe shkruhej për mua, por kurrë nuk e kisha menduar se unë paskësha qenë " spiun i francezëve" siç do më akuzonin ".

Në 11 qeshor të vitit 1976 Astrit Rama arrestohet në mjediset e shkollës ku punonte me akuzën :  agjent i qeverisë francize, vetëm tre ditë para se të mbyllej viti shkollor (14 qershor 1976). Dosja e tij prej 790 faqesh të cilën ai e ka shfletuar, përmban pseudonime përtej të cilave janë njerëz realë që u ngjajnë aq shumë personazheve kafkjane, me trup dhe gjymtyrë por pa tru dhe shpirt.

RRËFIMET E BIRUCËS

Birruca ishte e errët , e ftohtë jo vetëm prej apsurd akuzës që thurej aty por edhe prej njerëzve që hynin, dilnin, pëshpërisnin, shpifnin, intimidonin...

Birruca nisi me hetuesinë e gjatë disa mujore mes shpifjeve dhe intrigave, pyetjeve të pakuptimta dhe më pas burgu 313-tës  i Tiranës për tu transferuar diku në Spaç. Tetë vite burg në Spaçin e punëve të detyruar, ku 52 vetë flinin në një dhomë me përmasa 7 me 8 , mbi dyshekë prej kashte e nën dritaret pa xhama.Imagjinata ime e ka të vështirë ta pranojë një realitet të tillë teksa e dëgjoj ta përshkruajë sikur e ka parasysh çdo çast të jetuar atje , duke shtyrë vagonat e rëndë udhës që nuk mbaron. Astriti rrëfen atë për të cilën askush nuk ka shkruar ende dhe unë dyshoj në bëra mirë apo keq që ia riktheva ato vite ku jeta përplaset fort pothuajse e pajetë dhe asgje nuk dihet se çfarë mundet të mbetet gjallë paskëtaj . Nuk guxoj ta pyes : si mund të ndjehej, çfarë bënte një si ai me frëngjishten mondane  atyre qelive të errëta, kisha lexuar Visar Zhitin, kisha parë pikturat e Lekë Përvizit ... Mbase Astriti e lexoi të palexueshmen dhe iu përgjigj rrëmbimthi asaj që unë nuk guxova ta pyes duke plotësuar kështu një dëshmi më shumë në vargun e gjatë të binjakëve me fatin e tij;

-" Unë isha me fat që i mbijetova burgut të Spaçit, shumë nga ne u pushkatuan".

BESA

Amplitutat emocionale në jetën e intelektualëve të dënuar transmetojnë sinjale të rralla, njerëzore, plot me vlera që do ishte mëkat të mos i analizonim.Kështu do ta konsideroja raportin mes Astritit dhe babait që pa frikë ka emrin Besë. Një premtim se nuk do të arratisej nga Shqipëria kur të dilte nga burgu, një frikë se diçka tjetër do ti ndante e  mbante larg.Një pasiguri e re, kërcënim jete që bëhej gjithnjë e më brishtë në kushtet e atij tmerri fizik, psiqik dhe shpirtëror.

Në vitin 1982 Astriti lirohet nga burgu me amnisti, nga 1100 të burgosur, 400 të tillë do të liroheshin. Në dalje u jepej një dokument të cilin zëri i thatë e citonte dhe dora edhe më e thatë duhej ta firmoste. Ai tekst i pështirë, i pakuptimtë ,apsurd që Astriti e recitoi per mendesh natyrshëm nuk do të firmosej prej tij .

-" Këtu do vish prapë!"

Gj?monte zëri edhe më i hekurt se qelia.

Fati i individëve të tillë dihej: spiun ose dënim. Shkrepëtinte e nesërmja që dukej edhe më e pashpresë .

INTERNIMI (1983-1989)

Me 29 shtator të po atij viti(1983 ) Astriti internohet në Kutalli të Beratit. Tashmë jo vetëm durimit po i vinte fundi por edhe shëndeti po rëndohej së tepërmi. Zemra e lodhur, të ftohtët e tmerrshëm të dhomave të akullta të Spaçit , etj , etj po e bënin jetën e të riut pa rini edhe më të vështirë. E në kushte të tilla kur fati  dhe shëndeti të braktisin , familja mbetet e vetmja që vuan me ty.Ajo ishte arsye e mos arratisjes , besa e dhënë babait , lotët e nxehtë të nënës, motrave janë edhe vuajtje por edhe arsye për t'u zgjuar ditëve të vështira të internimit që ishte edhe më i egër se burgimi. Punë e detyruar, dhunë trupore, shpirtërore, mendore.

Një ditë kur edhe durimit edhe shëndetit i erdhi fundi Astriti rrëfen se ecte me katër këmbë, kolliste gjak ,rrahjet e zemrës i kalonin 220 rrahje për minut dhe nuk mund të ngrihej në këmbë. Por ja që momentet e liga shfaqen edhe miqtë që do të mbeten përjetësisht të tillë.Ishte Mondi Seiko i cili njoftoi ambulancën dhe kështu i largohet kampit të internimit në vitin 1986 duke iu drejtuar spitalit ku i rekomandohet ndërhyrje e menjëherëse kirurgjikale në zemër.

Fytyra e nënës,shikimi i babait do ishin remedia më e mirë por edhe fjalët e mençura të miqve " ke thyer vetëm njërën këmbë kur të tjerët kanë lënë jetën" ishin pak diell pas stuhisë vdekjeprurëse.

Pas rrëfimit që zgjat rreth dy orë me plot detaje , citime , ditare të Astritit , pyes veten ; Si është e mundur që të trajtohet në këtë mënyrë një jetë njerëzore?! Një jetë që ka aq shumë gjëra të bukura për ti dhuruar jetës, familjes, miqve, qytetit, Shqipërisë? !

Pse kaq shumë dhunë mbi mendjen?!

Përse kjo trashëgimni e hidhur nuk shteron kurrë?

Si është e mundur që shteti , kaq barbar ndaj bijve të vet më të mirë?!

DEMOKRACIA SHQIPTARE

E si mund të lindte e shëndetëshme demokracia në Shqipëri kur mendja e atij vendi fatkeq ishte dhunuar , dënuar, arratisur, gjymtuar. Ky narracion jete e bën të qartë edhe atë që po lindte në vitet 90-të dhe që ne e quajmë demokraci dhe tash e dijmë se pse ajo nuk mundi të jetë kurrë e tillë. Këtu Astriti rrëfen me zërat tanë , (jemi unë Milva dhe Iliri që kujtojmë) emrat e parë , mbledhjet e para, deri në prag të lindjes së Partisë së Parë opozitare në Shqipëri , Peshkopi , ku natyrshëm prezenca dhe roli i Astrit Ramës ishte i pamohueshëm. Gjithmonë kam besuar se e djathta në Shqipëri do të mbahej në jetë nga jetë të tilla , që kanë sakrifikuar për të drejta dhe liri. Kur shkelësit e të drejtave ulërasin mbi të drejtat më fort sesa ata që i kanë humbur ato , fatet e demokracisë dhe vendeve që aspirojnë atë janë të rrezikuara. Ne ishim një popull i palirë sepse u pajtuam me robërinë e cila çmontohet prej antikonformistësh që nuk pajtohen me të keqen . Dhe muret e së keqes janë ideologjike por edhe morale dhe ato shemben nga njerëz me histori të tilla vuajtjesh që as vuajtja nuk i nënshtroi dot.

IKJA NGA SHQIPËRIA

Me një gjëndje shëndetsore të rënduar Astriti tregon se si u larguan nga Shqipëria. Ishte 24 shtator i vitit 1991 dhe mesa duket me ikjen e tij do të shembej një prej mureve më apsurd në botë , ai që ndante dy Dibrat . Tela me gjemba , breshëri në ajër dhe mbi trupa , një tjetër akt drame ku protagonist ishte Astriti, bashkëshortja e tij Milva dhe një foshnje që pas disa muajsh do të vinte në jetë.

Një tjetër kalvar me shumë të panjohura, në tokë të huaj po ku flitet edhe shqip.

Dy orë hetuesi dhe gjyqi që mund të dënonte nga ...muaj deri në tre vjet. Kishin kaluar pa leje kufirin që ndante , kishte vite që ndante familjarë , iniciativa.

Dënohen me 17 ditë burg në burgun e Shkupit dhe pastaj dërgohen në kampin e të burgosurve në Beograd.

Kur rrëfen për dhunë verbale dhe fizike shoh se Milva përlotet. Ndjej se është pikërisht ajo që i ka vuajtur më shumë ato ditë .

" Rrija e mbuluar nën batanije" -thotë, " nuk doja të shihja asgjë, ndërkohë që Astriti ishtë në kampin e burrave"

Unë vetëm fantazoj se si Milva e bukur, e mençur, ajo vajza e përlotur me biografi të keqe që nuk mund të shkonte as në mbremje qendrore , përkrah ish mësuesit të saj që e ngushëllonte se NJË DITË DO NDRROJË KJO PUNË po jetonte ndoshta ditët më të vështira të jetës së saj por në krah të njeriut të cilit dija e marrë në perëndim nuk do ti shkonte dëm. Vetëm në Shqipëri dijet , librat, studimet , vlerat zhverësohen .

Sa e dhimbshme kjo histori pa fund. Meqënëse ky kamp të burgosurish monitorohej nga shumë organizata ndërkombëtare, Astriti ky frengjishtfolës i shkëlqyer do të punojë si përkthyes i OKB deri në muajin qershor të po atij viti, për tu vendosur më pas në Francë vetëm pak muaj para se të lindë gëzimi i parë i kësaj familjeje Judita .

FRANCA  25 VJET MË VONË

Po shkelte përsëri mbi ato rrugë që i kishte lënë dikur në rininë e tij. Me vete mbante nostalgjinë e atyre viteve, vuajtjet e pamerituara me të cilat pothuajse e vrau e marra kohë, dhimbjet e patreguara të burgut të Spaçit ku kishte vetëm një hektar qiell dhe disa orë diell, përndjekjet, përgjimet në dhomën e internimit, në shtëpi, kudo fliste, heshtte. Ky qiell perëndimi ishte i ngarkuar me aq shumë ëndrra e shpresa te lëna përgjysëm, zhgënjime. Por nën këtë qiell njeriu mundet të eci i lirë përsëri si 25 vite më parë edhe pse në atdheun tonë kjo liri nuk kuptohet, keqpërdoret, përdhoset. Një ish student i Sorbonës e ka të lehtë të orientohet udhëve , qendrave edhe pse në qytetin e tij rrugët iu mbyllën dhe jeta iu burgos kampeve më të egra të një sistemi çnjerëzor që denigron bijtë e vet më të mirë.

Pas disa studimesh post universitare Astriti do të jetë funksionar i shtetit francez. Nga viti 2004-2007 ai punonte në Ministrinë e Kulturës , në Drejtorinë e Kulturës së Krahinës së Bretanjës, sektori i shpërndarjes së librit drejt bibliotekave. Nga shtatori 2007 deri në maj 2018 (kohë kjo kur doli në pension) punoi në Ministrinë e Brendshme , drejtoria e kolektivitetit territorial ku është vlerësuar me medalje pune nga shteti francez.

Në sytë e mi, pasi dëgjova rrëfimin e tij, lexova aktakuzën, disa fragmente nga dosja, reagimet e të njohurve, jeta e atij njeriu m’u duk një muze i gjallë, me gjethe, bunker, muze me gjemba, me qiej ëndërrimtar, muze të pathënash që edhe po ti dëgjosh e ke shumë të vështirë për ti kuptuar dhe besuar. por ja që disa histori nuk duhen lënë në heshtje sepse bashkë me heshtjen vdes e vërteta e trishtë por edhe dija, reagimi, fuqia jone gjithmonë e më e brishtë për të korrigjuar të keqen që vrau të shkuarën tonë duke na gjymtuar edhe të ardhmen.

Edhe pse folëm e folëm gjatë e mbase shumë plagë nuk duhen trazuar sepse dhembin, ne mendje më vërtiten shumë pyetje, pa përgjigje, pezull...

Çfarë fati ka individi në shoqëritë totalitare?!

Çfarë vakuumi intelektual shkakton denigrimi i elitave?!

Sa fatal ishte fati i familjarëve të cilët vuanin dënime të tilla?

Pse sistematikisht atdheut i dënohet mendja?!

Pse demokracia shqiptare nuk e korrigjoi këtë hantikap të trashëguar nga sistemet e mëparshme?!

(Disa medalje pune dhënë nga shteti francez). Marianne (gruaja që paraqet Republikën francize, busti i së cilës gjëndet në çdo bashki komunë në Francë dhe në anën e pasme ështe shkruajtur : La préfète Michèle KIRRY à Astrit RAMA . Prefektja, Michèle Kirry dhënë Astrit Ramës , për punën e bërë nga 1 tetori 2002 deri me 1 maj 2018.

Ky material është bazuar nga historia e Astrit Ramës (intervista, dosier, rrëfime personale).

Janar 2019