Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sotir Athanasi: 'Hakmarrje ndaj përçmimit'

| E merkure, 06.02.2019, 09:00 PM |


SOTIR ATHANASI

“HAKMARRJE NDAJ PËRÇMIMIT”

( Paramnezi *)

Ky tregim merr shkas nga një ngjarje e vërtetë: saktësisht gjashtë dekada plus diçka më parë. Ishim në një shkollë të mesme profesionale në Shkodër. Lëndës së matematikës i jepnim fund në vitin e dytë të saj. Profesorin e kësaj lënde, siç flitej, e kishin sjellë nga universiteti tek ne si dënim,  për shkakun se ishte tejet kërkues. Ai u pati vënë notë negative më shumë se gjashtëdhjetë përqind të fakultetit. Qe koha kur kërkoheshin kuadro të reja partishmërie për të zëvëndësuar sa më parë, ata që i gjeti çlirimi i vëndit dhe që era perëndimore e tyre, binte ndesh me . . ., “jetën tonë revolucionare”.

Shkurt, ishte pragu i Luftës së Klasave që do të shpërthente një dekadë e ca më vonë. Veçse fillesat e saj në ato vite, i kish. Profesori gjithsesi, gjykuar në ditët tona, duhet të ketë qënë shumë naiv për të mos e menduar jashtë çdo ndjesije politike, përderisa e respektonte lëndën e tij, me të njëjtin seriozitet si në fakultet edhe në të mesmen tonë profesionale. Këtu, matematika mbase s’kishte të bënte fare me zootekninë. Ashtu si qëndrimin e tij, s’e përshtaste aspak me luftën për mbijetesë. Ndryshe, nuk do të qe një pedagog fanatik.  Duhet të shtoj se punonim me libra të vjetër, madje jo çdo nxënës mund të kishte një të tillë. Çdo bangë, po. Madje, e jona s’kishte fare libër. Atë ia patëm dhënë dikujt që s’hante pykë fare në këtë lëndë. Por, le t’i kthehemi tregimit.
Në bangën time, ishte Ai, ‘I ngacmuari’ nga të gjithë që sot thirren me fjalën anglisht, bullizëm. Shokun tim unë e mirëkuptoja. Në këtë degë atë e kishin sjellë pa dëshirën e tij dhe Ai e ndiqte edhe për shkak se ishte jetim. Kur më shpjegoi se prania e tij në shkollën tonë, kishte si shkak një lugë më pak në familjen prej tre jetimësh, iu mbushën sytë me lot. Por, kurkush nuk donte të kuptonte shpirtin e tij prej kryeqytetasi e aq më pak prirjen e tij në matematikë, trigonometri, si edhe në lëndët e  fizikës dhe kimisë. Ai nuk i mbante librat përkatëse. Krenaria e bënte që të heshtte edhe kur dikush e tepronte me ‘të. Mua përkundrazi, më qe hapur dhe më kishte thënë se familjen e ushqente vetëm makina qepëse e së ëmës. Në letrat e tij me shtëpinë, një herë e pashë që lotonte. Unë kujtoja se ankohej për ngacmimet që s’rreshtnin. Por jo. Ai po rilexonte letrën e të ëmës që shkruante. “Jo biri im. Triskat nuk janë hequr akoma, siç besonim se këtë vit do të ndodhte”. Unë e pyeta: - Pse gëzoheni që të hiqen triskat?  Nga që ju s’keni fare triska buke, apo çfarë?

Ai m’u përgjigj duke tundur kryet:
- Jo. Mamaja ime punon në shtëpi për shkak të një vëllai tim ende të vogël që s’ka ku t’a lërë. Por  kjo konsiderohet punë private. Prandaj familja ime nuk përfiton triska buke si gjithë të tjerët. Atë e blejmë me dhjetëfishin e çmimit të triskës.
Të gjitha këto i dija vetëm unë. Siç mësova edhe faktin se në Tiranë qe hapur një puntori ushtarake. Mbetjet e prerjeve të saj, shiteshin me çmim tejet të lirë për një kg. -  “Mamaja, - më tregonte shoku im, i blente ato dhe i priste rripa-rripa. Pastaj i bashkonte në makinë për t’i bërë copa të mëdha. Me ‘to, Ajo sajonte breza mozaikë të cilat i bashkonte dhe sajonte çanta të bukura, të cilat i shisja unë rrugës tek shkoja në Pazarin e Vjetër. Shtëpinë atëhere e kishim te Kisha Katolike në Rrugën e Kavajës.
Qe kohë krize. Vëndit i mungonin edhe më elementaret. Kur u hap Kombinati këtë punë nisëm t’a bëjmë me copat e bezeve skarco që gjithashtu shiteshin me kile. Mos qesh, por me ‘to, ime’më sajonte brekë burrash të cilat gjithashtu i shisja rrugës, pa mbërrijtur ende në pazar.
Kjo qe pra, e ndryshmja në jetën e tij që më dhimbte dhe më bënte t’a mbështesja me shpirt atë. Se e kuptoja që ky ishte shkaku i mënjanimit nga të tjerët.
- “Në “Rrugën e Barrikadave” për fat të mirë, ndodhej një rostiçeri, - do të më tregonte një ditë. -  Atje njerëzit pinin birrë më këmbë. Unë u afrohesha klientëve dhe i thosha: - Na dhjetë lekë dhe më merr një panine, të lutem. Bashkëpunimi midis njerëzve ishte i madh. Mbështetja tek njëri-tjetri, gjithashtu. Prandaj, me lekët e fituara unë mbushja çantën dhe shkoja në shtëpi me bukë. Mamasë i rritej guximi për të vazhduar. Eh!”

Dhe shoku im i mbushi sytë me lot. Që nga ai çast e vendosa:

- Detyrat e shtëpisë s’ke për t’ia dhënë askujt. Trimat e lëndëve patologjike, le t’i kërkojnë në diagnozat e tyre rezultatin e ekuacioneve.
U tha dhe u bë. E nesërmja ishte si detyrë shtëpie një ekuacion i shkallës së katërt. Po. i shkallës së katërt. Profesori nuk na i kishte spjeguar atë. Prandaj kërkonte, në atë fund semestri të shihte aftësinë tonë . . abstraktive. Sepse tjetrin, do t’a nisnim me një shkallë më të lartë. Mbaj mënd se në shpjegimin e fundit, diç pranë saj, Ai kishte folur. Prandaj, ngrijti Pertefin nga Gjirokastra dhe i kërkoi zgjidhjen e ushtrimit. Ose të paktën, arsyetimin mbi ‘të. Pertefi kuptohet, nuk ia thekte fare. Profesori i vuri NJËSH në fletoren e detyrave si dhe në rregjistër dhe e uli në vënd. Pastaj ngrijti një të dytë. Edhe këtë e ndoqi fati i të parit, veçse ky mërmëriti diç rreth të pakuptueshmes, por kjo nuk e shpëtoi nga . . . DYSHI. Profesori u nxeh dhe nisi të ngrejë nxënësit sipas alfabetit në regjistër. Kur ishin bërë të paktën pesë të tillë me NJËSH, apo DYSH, shokut tim iu shua dëshira e hakmarrjes. Vëndin e saj tashmë e zuri keqardhja për bshkënxënësit, ndonëse ata e meritonin dënimin. Prandaj Ai i ‘I ngacmuari’,  zgjati gishtin nën thirrjen:

-Të ngrihem unë profesor, të ngrihem unë? Ju lutem, Profesor?
Ky kthehu kryet dhe e pa kërcënueshëm. Vështrimi i tij qe I frikshëm. E, megjithatë, për çudinë e të gjithëve e toleroi guximin e shokut tim tek përsëriti lutjen për t’u ngrijtur. Dhe ne kuptuam vlerësimin e veçantë të profesorit ndaj të vetmit nxënës në klasë, ndonëse nuk hoqi dorë nga notat pakaluese  deri sa erdhi rradha e emrit të tij: Paskalit. Por tashmë, Vaterloja qe bërë. Ishin vendosur njëzetë nota negative.
Paskali, u ngrijt dhe shkruajti në dërrasën e zezë:

“X”-sin në katror e zëvëndësojmë  me “t”

( Pra: X2 = “t” ) Dhe vazhdoi të spjegojë:

- Pas kësaj, ekuacioni në fuqi të katërt kthehet në një ekuacion I gradës së dytë dhe zgjidhjen e saj, tanimë e dinë të gjithë.
Por . . , a e dinin të gjithë?
Ai ktheu vështrimin nga klasa dhe dëgjoi shumë zëra që ende s’kishin kuptuar asgjë. Për herë të parë ndjeva përçmim për degën të cilën edhe unë vazhdoja shkollën edhe pse s’qe, aspak  faji i saj.
Ndërsa Paskalit, ashtu të duruar, iu fshi hakmarrja dhe lindi tek Ai, diç tjetër ku fjala keqardhje për shokët, nuk mund t’a shprehte dot atë ndjenjë. Jo. Diç tjetër prej triumfatori mbi gjithë klasën tek ai lexohej.
Prandaj u mat të rispjegonte. Profesori nuk e la dhe e nisi në bangë:

- Sill këtu fletoren e detyrave,-  i tha. Pastaj, shtoi: - PESË, si të donte të vërtetonte dyshimin tim se gjysma e klasës kishte nevojë për shpjegime plus. Veçse ajo që nuk na shkonte ndërmënd të gjithëve, ishte thyerja e heshtjes së profesorit. Ai tha:
- Pothuaj se 50% e klasës, për fat të keq, mori notë negative. Gjysmën tjetër e shpëtoi Paskali, njeriu i përbuzur prej thuajse të gjithëve. Nuk e di si I thonë në rusishten tuaj që bëni në shkollë. Por, në frëngjisht, atje ku kam studjuar unë në rininë time, kjo sëmundje (meqënëse bëni patollogji) quhet: ‘l’intimidation’,  që do të thotë: përdorimi i forcës fizike ose psikologjike për të imponuar mendimin tuaj prej të padituri dikujt tjetër. Edhe,  kur ky dikushi (përpara idiotësisë suaj) është gjeni, siç është Paskali.

Ndërkaq Paskali i dha profesorit fletoren e detyrave. Ai seç shkroi në ‘të nxitimthi dhe ia dorzoi. Shoku im u kthye në bangë pa ia hequr sytë shënimit.

Unë nuk guxoja të shihja as me bisht të syut atë shënim që po më digjte gjoksin nga kurioziteti. Sepse profesori po thoshte:
- Dijeni se me këtë fenomen, që ndodh thuajse në çdo brez, jam ndeshur për herë të parë në Francë. Atje e vuanin më shumë algjerianët. Por edhe parisjenët nga familje shumë të edukuara. Veçse aty shkolla kishte ligje të rrepta. . . E megjithatë, unë kam dëgjuar për raste të ngjajshme në rininë time edhe me përfundime tragjike. Pas kësaj,  nuk vlen asnjë iioj pendimi, cilido qoftë ai. Por le t’i kthehemi rastit tonë.
Tani jeni ndarë gjysëm për gjysëm. Zgjidhni dhe merrni. Vetëm se mos harroni që:  përmirësimi i notës negative bëhet me tre - katër nota “KATËR” e jo “TRESH”. E përsëris: zgjidhni e merrni!
Kur mbaroi ora e mësimit, që ishte e fundit për atë ditë, shokët, sidomos prototipat e ngacmimit, iu lutën që Paskali të ngrihej në dërrasë dhe të spjegonte më tej. Ajo krenaria e tyre qe bërë hi e pluhur. “Serumi” i injektuar nga  profesori, solli menjëherë rezultatin e duhur.
Paskali ktheu kryet nga unë dhe mori shenjën e paqes. Kaq mjaftonte. Në çdo mbasdreke kur të nesërmen kishim matematikë, a trigonometri, ”profesor” Paskali do të spjegonte për dy orë rresht, detyrat. Notat u përmirësuan. Madje si përfundim, nuk i doli kërkujt mesatarja TRESH, por Katër, ose edhe Pesë.

Po shënimi i profesorit në fletoren e Paskalit çfarë fshihte? Më të pabesueshmen. Ja çfarë shkruhej në ‘të:

- Ky ushtrim që po të vendos, I përket vitit të tretë në Universitet.  Në qoftë se e zgjidh e meriton vërtet fjalën GJENI, që të quajta me nxitim, përpara klasës.

Javën e ardhshme profesori sapo hyri në klasë, erdhi në bangën tonë me një frymë. Hapi fletoren e shokut tim, Paskalit dhe pa zhvillimin e detyrës duke ndjekur me tundjen e kokës veprimet. Ngrijti kryet dhe I kthyer nga nxënësit, tha:

- Klasa juaj duhet t’a ketë për nder që në gjirin e saj, ka një Gjeni.
* * * * *
Do të kalonin vite dhe shokut tim, do t’i digjej prirja e tij. Nuk ishte i lehtë ndryshimi i degës për këdo. Por, për një jetim e pa përkrahje si Ai, doli krejtësisht i pamundur.

Nuk qe koha e gjenive. Ishte koha e . . . të nënshtruarve.

Unë e kam takuar atë në shtypshkronjë mbas viteve të ushtrisë. Madje kam shkruar edhe një pjesë me një akt mbi  “Shkelja e Profilit”. Ajo, nën regjinë e Gj.Vlashit është vënë në skenë në dy raste. Në të parin në Institutin e Arteve për mbrojtje dipllome nga studentët ku ai jepte mësim dhe në të dytin: në Estradën Profesioniste të Durrësit, ku ai e drejtonte rregullisht e prej vitesh atë. Më pas Lufta e Klasave na ndau. . . Si përfundim:
Mënjanë mëndësisë “doni më për Belulin”, edhe unë, isha ‘AS’ në matematikë. Natyrisht, nuk mund të cilësohesha nga profesori si Paskali. Veçse, vazhdimisht e kam pyetur veten dekada më pas:  çfarë lidhje ka matematika me letërsinë? Dhe kam marrë këtë përgjigje: - Mbase abstraktimin. Sepse edhe vetëm një bulëz,  kompozitorit i mjafton t’a organizojë njësinë muzikore në partiturë, melodia e së cilës të pëlqehet nga gjithkush. Ashtu si edhe një batutë a fjalë e mënçur, mund të jetë  zanafilla e një krijimi me vlerë. . . Gjithsesi . . . E thamë dhe e përsërisim:

Ishte koha kur nuk duheshin talentet. Por thjesht militant të devotshëm . . .
Përfundimisht,

Ky tregim, është një hakmarrje, e dyfishtë ndaj . . ., përçmimit.

Ai do t’i paraqitet shoqërisë Xingografia.

Shpërblimi në rast se fiton dihet: një buqetë lule për autorin.
Lexim të këndshëm, miqt e mi!

Dhe. . . , mirë u takofshim në shkrime të tjera!
--------------------------
*) Paramnezi = Përzierje e realitetit me trillin artistik
SOTIR ATHANASI
Shkruar në Gjenevë,
më: 30, Janar, 2019!

Dërguar: 5, Shkurt, 20