E premte, 15.11.2019, 10:52 AM (GMT)

Komente

Tushi & Gjoka: Krimi në familje po merr jetë njerëzish

E marte, 05.02.2019, 07:31 PM


KRIMI NE FAMILJE PO MERR JETE NJEREZISH

Nga Gëzim Tushi, Fran Gjoka

Është e paimagjinueshme, por ja që ndodh dhe kështu. Akte makabre e veprime të rënda antisociale në aspektin psikologjik, social dhe human. Vrasje të grave në mënyra të ndryshme, dhunë të tmerrshme, që do t’ua kishte zili dhe inkuizicioni! Quo vadis?! Veçanërisht  zonat e varfëra të qytetit apo të fshatit, pothuajse përherë përjetojnë thyerje të strukturave sociale, duke çuar në rritje krimesh. Dhe ndodh që krimi të ketë një sistem koncentrik, me rrathët e “ferrit” që zgjerohen, gjithnjë në ngritje të dhunës dhe terrorit në familje. Njerëz të stresuar, të deziluzionuar, që nuk dinë të respektojnë as normat më elementare shoqërore në strukturën familjare.

Ne duhet ta pranojmë ekzistencën e këtij turpi social. Krimi në familje tashmë për fat të keq në shoqërinë shqiptare ka marrë përmasa shqetësuese, pa frikë mund të themi se është bërë një nga dukuritë tejet shqetësuese për mbarë shoqërinë tonë në tërësi. Rritja e përmasave të dhunës, zgjerimi i veprimeve kriminale në familje dhe shoqëri janë bërë problem i madh kompleks i politikës si të tillë, politikave sociale, ligjore, që kanë të bëjnë me trajtimin e tij nga të dy objektet kryesore të shikimit. Si në aspektin e parandalimit por edhe të rehabilitimit. Natyra sociale e krimit është e lidhur me shumë faktorë ekonomikë dhe shoqërorë, të traditës dhe të zhvillimit, me kulturën dhe tipologjinë e familjes tonë.

Fenomeni i krimit në familje ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo jo vetëm që nuk ka qënë në këto përmasa, por edhe pasqyrimi dhe interpretimi i tij si dukuri sociale është trajtuar dhe interpretuar nga pozita ideologjike të caktuara, duke tentuar që të publikoheshin sa më pak të ishte e mundur, duke ruajtur pozitivitetin fals të shoqërisë së indoktrinuar politikisht. Por është fare e vërtetë që dukuria e krimit në familje, pati nje “shpërthim” të vërtëtë sidomos pas viteve 90, kur shoqëria jonë kaloi nga diktatura në demokraci, nga totalitarizmi në liri.

Kjo është arsyeja pse në shumë raste me mëndjelehtësi sociale disa njerëz mendojnë se shkaktare e lulëzimit në këto përmasa të krimit në familje, është liria dhe krimi duket sikur është produkt i tij.

Pavarësisht niveleve të analizës dhe interpretimit, shqetësues është fakti që pothuaj çdo ditë media zhurmëmadhe jep raste të krimit në familje. Vetëvrasje dhe vrasje. Me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet nga një i vdekur apo gati për të vdekur nga vetëhelmimet, hedhjet nga lartësitë ose duke përdorur mjete e rrugë të tjera. Akoma edhe më të shëmtuara janë rastet kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në truallin shqiptar sa që shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur po mësohen me to. Nuk qarkullon kot mendimi tek qytetarët, sipas të cilit në Shqipëri tashmë asgjë s’na bën përshtypje. Shkurt: Kronikat e zeza na kanë lodhur. Krimi në familje po na rrënon. Po vë në diskutim ekzistencën e familjes dhe pas kësaj të shoqërisë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën e humbur se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politika dhe pushtetbërësit do t’i vënë gishtin kokës për të shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të kohës.

Pas rastit të përditshëm të krimit familjar, që jepen me aq zell nga media, vijnë prej saj edhe shkaqet, motivet: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…” Janë të rralla rastet kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumentave“, që s’bindin askënd. Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut është njëra prej detyrave funksionale të medias, por jo e gjitha.

Qytetarët dhe shoqëria në tërësi duan të dalin përtej konstatimit, duan analiza dhe konkluzione për problemin. Duan të njihen me shkaqet e këtij krimi makabër, duan të dinë pse-të jo thjeshtë për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese. Në pamundësi për të mënjanuar dukurinë, së pari, për ta zbutur, mund të bëjnë presion mbi shtetin në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij dhe mbi të gjitha institucionet e edukimit dhe të arsimit për formën e qeverisjes dhe të drejtimit.

Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjeshtë një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, sepse gjendjet depresive tek njerëzit nuk krijohen menjëherë, se budallenjtë, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit. Përtej këtyre “motiveve“ vrastare, teje tronditëse e shkatërruese për familjen e sotme, janë shkaqe, motive dhe arsye të tjera me arsye sociale, psikologjike dhe ekonomike, që duan analiza dhe konkluzione që studiuesit e të gjitha fushave dhe gazetarët duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime shoqërisë dhe shtetit për ta kapërcyer fenomenin rrënqethës.

Ndërkaq shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës, për të kapërcyer konfliktet e brendshme që krijohen tek të rinjtë nga dëshira për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, financiare, psikologjike e traditë e familjes për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkakton lodhje të mëdha mendore tek nxënësit, çka nënkupton një mundësi më shumë për të kryer krim. Shkolla, sidomos ajo e mesme dhe me një numër të madh nxënësish, ka nevojë për një psikolog ose sociolog për t’u marrë me shëndoshjen e mendjes të të rinjve të stresuar.

Sipas studimit, “Strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social”, tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është analfabete. Ky grup i madh social përbën kontigjentin më të pranueshëm për krim. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjellurit dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.

Presionet, kërcënimet, dhuna në formën emocionale dhe fizike, neglizhimi dhe ndalimi i adoleshentëve nga më të rriturit për ta bërë jetën sipas perceptimit të tyre, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Një fëmijë i dhunuar dhe i keqtrajtuar në familje do të sillet e të veprojë si i tillë edhe ai kur të rritet. Dhuna gjeneron vetëm dhunë. Kontingjenti i fëmijëve të dhunuar është më i rriskuar për t’u vetëvrarë, sidomos tipat e ndjeshëm, që preken shpejt, janë më të zbuluar ndaj kësaj forme krimi.

Familja ka nevojë të rikthehet në funksionin e saj vërtet edukues. Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, vrasjes në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë, t’i argëtojë e shkollojë fëmijët. Të papunët përbëjnë pjesën më të madhe të të dënuarve.

Papunësia, për të përballuar kushtet minimale të jetesës, është shtyesi kryesor që çon të zotët e shtëpisë drejt vetëvrasjes pasi zgjidhja është e papranueshme. Aq më tepër që situata në familje me një veprim të tillë nuk lehtësohet, përkundrazi rëndohet.

Në këto raste vrasja nuk ndodh rastësisht, përkundrazi ajo ka një skenar të parapërgatitur nga autori. Në mendjen e vrasësit zhvillohet një luftë e frikë psikologjike e të kundërtave. Gjatë periudhës së përpunimit kriminal, ai shpeshherë rri i mërzitur dhe më vete. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dinamik, pa objektiva dhe ideale e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në një jetë boshe. Në këtë kuptim, njerëzit duhet ta jetojnë jetën larg burgut të vetmisë. Shokët dhe të afërmit duhet t’i ndihmojmë për t’u integruar me shoqërinë. Hallet e njerëzve duhen dëgjuar e vlerësuar me shumë kujdes.

Zyrtari, kushdo qoftë ai, duhet të bëjë të pamundurën për t’ja zgjidhur në kohë dhe brenda kuadrit ligjor ankesën që ka parashtruar qytetari. Së paku, ta mbajë me shpresën se diçka do të bëhet dhe për aq kohë sa ai ta kapërcejë krizën momentale nervore.

Zbutja e varfërisë përmes përmirësimit të politikave të punësimit, një farë drejtësie relative sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e njerëzve, do të ulnin numrin e rasteve të krimit familjar dhe tentativës për ta kryer atë. Shumë konflikte në familje agravojnë deri në ekstrem dhe bëhen vrasës si rezultat i xhelozisë që ushqehet nga mjedisi përrreth, nga komuniteti i vogël, ku si rregull jetohet me trillime.

Emancipimi i shoqërisë deri në atë masë që askush të mos hyjë në jetën private të individit mbetet detyrë parësore e shkollës, familjes, OJF, institucioneve shtetërore të specializuara etj.

Besoj se nuk ka njeri normal dhe qytetar të përgjegjshëm që të mos pranojë se krimi në familje është një nga format më të shëmtuara, më të këqija të mundshme të krimit, që pasi ndodh shoqërohet pastaj me një varg pasojash zinxhir që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së familjes e cila pëson deformime të rënda strukturore, funksionale dhe sociale.Nga krimi në familje krijohet situatë që fëmija humbet babanë ose nënën dhe mbeten jetimë, burri humbet gruan dhe shkatërron përfundimisht familjen, motra humbet vëllanë nga konflikti i tij me babën ose vëllai humbet motrën nga një nxitim dhe gjykim sipërfaqësor dhe nga parime të vjetra morale.

Natyrisht nuk është e lehtë të japësh rekomandime se si mund të parandalohet dhe zbutet krimi në familje, por megjithatë ka ardhur koha për t’i thënë jo krimit, duke mos qënë indifferent përballë tij. Në këtë kontekst do të ishte një veprim politik, social dhe ekonomik kompakt i shtetit, politikës dhe shoqërisë civile, për të krijuar një atmosferë mbytëse ndaj krimit në familje duke siguraur për cdo njeri të pacënuar të drejtën e jetës. Këta aktorë socialë janë natyrisht strukturat përgjegjëse që kanë mundësitë e ndërtimit të politikave antikrim, duke ndikuar jo vetëm në sensibilizimin social dhe emancipimin njerëzor, por dhe në përmirësimin e kushteve materiale dhe të jetës që ndikojnë pozitivisht në zbutjen e shkaqeve që sjellin konflikt dhe më pas krim në familje.

Në këtë kontekst na duhet të kemi një vetëdije të re sociale dhe të pranojmë se krimi në familjë është krimi ndoshta më barbar sepse ndodh midis njerëzve që kanë lidhje gjaku midis tyre, që janë të afërt dhe jetojnë bashkërisht në komunitetin familjar. Shumica e formave të krimit janë me natyrë morale, pasurore, financiare, të lidhura me çështje pushteti dhe autoriteti familjar. Padyshim është e pamundur që me një shkrim gazetaresk të trajtosh tërë problematikën komplekse të krimit në familje dhe ca më pak të japësh zgjidhje përfundimtare rrugëve të parandalimit dhe frenimit të tij.

Në këtë kontekst ka ardhur momenti kur politika, shteti, familja, shkolla, shoqëria civile dhe institucionet fetare të angazhohen seriozisht për të bërë një analizë e plotë të shkaqeve të lulëzimit të krimit në familjen shqiptare. Ne mendojmë se në të njëjtën kohë dhe paralelisht, kjo do të kërkonte një angazhim të madh të strukturave hulumtuese e studimore të shkencave sociale, do të kërkonte angazhim të forcave më të kualifikuara për të parë dhe interpretuar fenomenin e “krimit në familje në një kontekst shumë të gjërë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT