Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Zërave dhe zhurmave

| E diele, 03.02.2019, 10:19 AM |


'ZËRA NË LAVJERRËS.' Pjesa e parë e Sagës:

'ZËRAVE DHE ZHURMAVE

Zërat dhe zhurmat i kanë trandur zemrën, shungulluar në veshë për vite me radhë. I kanë gërryer shpirtin, nxirë jetën... Do të ulërijë me gjithë forcën: Mjaft! Ikni, shporruni, më lini të qetë. Më hëngrët xhanë. Nuk mundet. Nga inati i mëshon furçës në murin e lagësht. I duket sikur dhe muri hapet dhe shndërrohet në një gojë të madhe. Sa mirë do qe sikur të ishte lojë e syve të lodhur dhe e veshëve në shurdhim...

Vështroi me bisht të syrit murin e porsasuvatuar, boja kullon dhe, shndërrohet lot të gjelbër. S’mund t’i fshijë, janë lotët më të mëdhenj që ka parë në jetë. Krahëvarur mbështet kryet në shkallën e vjetër. I mbahet fryma, thith erën e fortë të gëlqeres. Ditë e natë i kanë thënë të lyej muret e godinës së re, të ngritur mbi dyqanet e pronat e tij. Përsëri i duket sikur nxin. Në ankth dhe frikë e lyen përsëri.

Dëgjon klithma të forta. Nuk do të dëgjojë zëra, zhurma, klithma. Asgjë. Do ta lenë të qetë, në lirinë e çmuar pas pesëmbëdhjetë vitesh burg, në humbëtirën e botës. Ku të kafshon në zemër era me dhëmbët e mprehtë të ujkonjës. Asgjë! Më lini të qetë, të ngjyros murin dhe të shoh lot të gjelbër. Kaq...

‘Oh, ju lutem, më lini... të ik, të qërohem,’ i klithi gjithë qenia. Gjoksi shpellë është i ftohtë, akull. Turma brohorit e ngazëllyer. .

Krahndrydhur, largohet sa më larg turmës së verbër që vazhdon të brohorasë, të bëjë zhurmë dhe rrëmet. I rëndon koka. I dhëmb trupi. Zbret duke rënkuar shkallët e ngushta, të pista, të qilarit. Godet me shkelmë një mi fekalesh që i ngatërrohet nëpër këmbë. Shtyn derën e kalbur të kthinës së humbur, ku nuk hyn këmbë njeriu. Do të shprehet, por s’ ka as laps, sa letër. Ngjen gishtin në gëlqere dhe me vështirësi nis të shkruajë:

Përse besojmë në ty, o Zot, të falemi, kur s’shohim djallin që zgërdhihet, klith dhe ulërin?! Kjo është çështja. Dëgjojmë brohoritje të eksituara, ulërima të tërbuara, oshtima, lëvizje gurësh, flakje shkëmbinjsh, shkulje rrënjë që ngjajnë si eshtra mamuthësh. Të trembur tërhiqemi, i hapim udhë së keqes dhe, bëhemi leshterikë... Përse?! Jemi të padjallëzuar, mes çorbës së djallëzisë... Më flasin për djallëzorin dhe të padjallëzuarin... Çfarë është djallëzia, çfarëdo që del nga dobësia...

Pjesë e lavjerit të jetës, iu bë sikur dëgjoi. Hëm! Dreqi ta marrë ç’janë vitet e njeriut, kokrriza rëre që shkasin nëpër gishta dhe s’ka burrë nëne t’i mbledhë më...

Hej, ajo që është mbrapa nesh dhe ajo që është përpara nesh, janë vogëlsira me atë që gjendet brenda nesh, iu bë sikur i buçiti një zë brenda vetes. Mos u huto, muret kanë sy e veshë, fshiji shpejt...

U drodh. Hoqi xhaketën dhe i llahtarisur fshiu me vrull çfarë kish shkruar në mur. Humbi drita dhe gjithçka u bë errësirë...