E marte, 19.03.2024, 07:43 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe

E hene, 27.01.2020, 07:00 PM


Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe

Nga Elvi Sidheri

Veç pak ditë kanë kaluar nga Dita E Kujtesës, që në mënyrë të përvitshme shënohet në tërë Europën, edhe në Shqipëri, ku krenarisht, si askund tjetër (ndoshta me përjashtim të Danimarkës, ku hebrenjtë u mbrojtën si në Shqipëri), populli e shteti shqiptar mes trishtimit të çiltër për miliona jetët e hebrenjve të vrarë e masakruar nga Rajhu i Tretë, kremton qëndrimin stoik që shqiptarët mbajtën me vetëmohim në mbrojtje të këtij populli të shumëvuajtur.

Pikërisht me këtë rast, por edhe për të shtuar dijenitë tona lidhur me praninë aspak të papërfillshme të hebrenjve në Shqipëri, qysh në kohë të lashta, veçanërisht në Mesjetë, duke shfrytëzuar dëshmitë e Mordechai Arbell, diplomat (konsull në Bogota dhe ambasador i Izraelit në Panama e Haiti gjatë karrerierës në diplomaci), historian e dokumentues  i historisë së hebrenjve, veçanërisht sefarditëve, sjellim këto dëshmi.

I lindur në Bullgari, Arbell është autor edhe i disa thellimeve për praninë e hebrenjve në Shqipërinë mesjetare.

E pikërisht këtu gjejmë ndërkaq të dhënat më interesante, që na ofrojnë një pamje fort më të plotë, duke na treguar për një prani të theksuar të hebrenjve sidomos në Vlorë, portin natyror ku pati lulëzuar tregtia dhe jeta e hebrenjve.

Faktikisht, jemi dëshmitarë të mungesës tërësore të drejtpeshimit në studimet historike, që shpesh dinë të jenë krejt të padrejta. Gjëra të parëndësishme zmadhohen krejt pa nevojë, ndërsa sakaq faktet me rëndësi të theksuar historike dergjen në zgrip të harresës.

Një shembull i përkyer në këtë kontekst ka të bëjë pikërisht me harresën e pakuptueshme që i kushtohet historisë të hebrenjve të Vlorës, që në dokumentet në hebraisht quhet Avilona.

Përveçse në Arkivin e Dubrovnikut, ndonjë studimi, si ai i profesorit turk Inalçik, si dhe nga studiuesit hebrenj bullgarë, apo Salomon Rosanes në fillim të shekullit XX dhe Krye Hahami (Rabini) Asher Hananel nga Sofia (viti 1960), rrallëherë hebrenjtë e Vlorës do të përmenden në librat e historisë.

Historiani Bogumil Hrabak shkruan se në shekullin XVI Vlora ishte një qytet ku hebrenjtë mbizotëronin duke përbërë më shumë se gjysmën e popullsisë. Gjë kjo që konfirmohet edhe në disa burime shqiptare.

Ndërkaq, sipas të tjera të dhënave të historianëve të ndryshëm, komuniteti hebre i Vlorës rezulton të jetë ndër më të vjetrit në Europë.  Themelimi i tij tashmë është veshur me një tis legjende, që, nëse analizohet, njëfarë të vërtete e përmban gjithësesi.

Siç tregojnë gojëdhënat, një anije që shkonte në Romë me skllevër hebrenj në bord, që ishin kapur rob pas pushtimit gjakatar romak të Palestinës 2000 vite më parë, do të përfshihej nga stuhia e zbarkon në brigjet e Ilirisë, pranë Vlorës. Ilirët vendas, në luftë me romakët, i patën ndihmuar skllevërit që ishin arratisur nga anija dhe do t’i mirëprisnin ata.

Qysh atëherë, udhëpërshkues të ndryshëm vërejnë praninë e hebrenjve në brigjet shqiptare. Kjo prani gjithaq dëshmohet nga dokumente ku përmenden hebrenjtë që shesin kripë arbërore (Vlora shquhet ngaherë për kriporen e saj) në Dubrovnik (Republikën e Raguzës) gjatë shekullit XIV, si dhe nga dokumente venedikase të të njëjtës periudhë ku flitet për tregtinë me hebrenjtë nga Arbëria.

Hamendësohet nga specialistët e fushës se këta mund të kenë qenë të ashtuquajturit Romaniotë – pra, hebrenjtë bizantinë që patën ardhur në Vlorë e Durrës nga Korfuzi, Selaniku e Korinti.

Me dekretet e Perandorit me origjinë ilire, Justinianit (527 – 565), do të hynin në fuqi një sërë ligjesh anti-hebreje që do të përkeqësoheshin nga perandori Vasil paskëtaj. Hebrenjtë Romaniotë ishin rrjedhimisht, të nënshtruar ndaj përndjekjeve e varfërisë, situatë që do të mbaronte veç me pushtimin osman të Vlorës në vitin 1417.

Sakaq, hebrenjtë vijuan të vinin në Vlorë. Për shembull, dihet se në vitin 1290, kur murgu benediktin Bartolomeo di Capua, që kishte rol të rëndësishëm në rajonin e Puljas në Itali, do të denonconte publikisht hebrenjtë si fajtorë për krimin e ashtuquajtur “shpifje gjaku”, gjasme torturimin e vrasjen e një fëmije mashkull të krishterë (dukuri kjo fort e shpeshtë anembanë Europës, sa herë niste ndonjë masakër e radhës ndaj hebrenjve, si në Spanjë, para dëbimit të madh të Sefarditëve në vitin 1492, ku të tilla akuza qenë bërë me shumicë ndaj komunitetit të pasur hebre të mbretërive të Aragonës e Kastiljes).

Murgu pati vendosur t’i konvertonte hebrenjtë në të krishterë me dhunë, e si pasojë shumë hebrenj do të arratiseshin duke gjetur strehë në Vlorë, që gjendej përballë, në anën tjetër të Ngushticës së Otrantos.

Dëbimi i Hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, si dhe eksodi i hebrenjve të Portugalisë që do të fillonte në vitin 1497, do të kish si rrjedhojë ardhjen në Vlorë të hebrenjve nga Kastilja e Katalonja, ndërsa më tutje, edhe nga Portugalia.

Të tjera rrethana anësore, do të shkaktonin shtimin e numrit të hebrenjve në Vlorë. Pas djegies në Ankona të 24 “conversos” (hebrenjve të konvertuar në të krishterë) nga Portugalia, të cilët i qenë kthyer judaizmit, e ndërhyrjes së mëpasme të flotës osmane në vitin 1555 për të parandaluar ekzekutimin e të tjerëve “converso” të dënuar me vdekje, Duka Guido i Urbinos do të urdhëronte dëbimin e të gjithë “converso-ve” nga Ankona.

Një anije me 70 “converso” të tillë do të largohej nga Pezaro për në Vlorë; 15 syresh do të zbarkonin në Dubrovnik, kurse të tjerët do të kapeshin nga piratët e do të shiteshin skllevër në Pulja.

Në prill të vitit 1557, një tjetër anije do të arrinte në Vlorë dhe shumica e hebrenjve do të zbarkonin aty. Pak syresh do të zbrisnin në Raguzë, mes tyre Amatus Lusitanus (hebre portugez), Don Yosef Nassi, nipi i të famshmes Dona Garcia Mendes, një hebreje portugeze që kishte ndikim tejet të madh në oborrin e Sulltanit, e cila kish marrë leje nga sulltani që në zonën e liqenit të Tiberias (pranë vendlindjes së Jezu Krishtit, në Izraelin verior), të strehoheshin hebrenjtë e dëbuar nga Ankona.

Dona Garcia do të merrej vesh me krerët e komuniteteve hebreje të Vlorës dhe të tjerave ngulime në brigjet e detit Adriatik, që të gjithë të bojkotonin portin e Ankonës, duke mos bërë asnjë lloj tregtie me këtë qytet. Por bojkoti në fjalë nuk pati sukses, sepse porti i Pezaros nuk mundej të zëvendësonte Ankonën për shkëmbimet jetike tregtare mes dy brigjeve.

Nga dokumentet turke të gjetur nga Nikolai Todorov në Sofie, por që hasen edhe në librat shqiptare të historisë, në vitin 1520 në Vlorë kishte 945 familje, nga të cilat 528 syresh qenë hebreje, domethënë, rreth 3600 hebrenj në një popullsi prej afërsisht 5000 banorësh.

Duke patur Vlora një port të mrekullueshëm natyror, hebrenjtë Romaniotë me lidhjet e tyre në Greqi, veçanërisht Korfuz, Sefarditët spanjollë me të afërmit e tyre në zonën e Maqedonisë e Bullgarisë, hebrenjtë puljezë me lidhjet e tyre në Itali, si dhe hebrenjtë nga Portugalia me dhuntitë e tyre të shquara në tregtinë ndërkombëtare, bankat, si dhe dërgesat me anije, do ta shndërrojnë Vlorën në një qendër të madhe të tregtisë në Mesdhe.

Tregtarët hebrenj importonin mallra nga Ballkani, si lëkurë, tapete e mëndafsh, dhe i rieksportonin ato. Nga Italia ata importonin stoli argjendi dhe ari, qelqurina, si dhe të tjera prodhime nga Europa Perëndimore për rieksportim.

Hebrenjtë e Ballkanit bënin vaj ulliri, verë, mjaltë, si dhe produkte të tjera agroindustriale për eksport.

Tregtia e kripës, element tejet i rëndësishëm për ushqimin e tufave, bëhej përmes vijës tregtare Korfuz – Vlorë – Dubrovnik.

Hebrenjtë portugezë do të themelonin një vijë tregtare të specializuar për erëzat, në drejtimin Stamboll – Selanik – Vlorë – Dubrovnik – Venedik. Ndërsa në rrugë tokësore përgjithësisht tregtonin nga Sofia për në Austri, Poloni, gjer në Rusi.

Në studimet e tij, Bernard Blumenkranz në Sorbonë, do të arrinte në përfundimin se kish patur thuajse një ekskluzivitet të hebrenjve në vijën ndërmjet Vlorës e Korfuzit, si dhe vijën ndërmjet Vlorës e Raguzës.

Me rëndësi të veçantë, gjithashtu, ishte edhe fakti se hebrenjtë e Vlorës gëzonin monopolin e plotë të tregtisë së lëkurëve të përpunuara dhe katranit që nxirrej nga pisha. Ai gjithaq vë në dukje së tërë tregtia në portin e Vlorës kontrollohej nga hebrenjtë.

Tregtia do të dëmtohej thellësisht nga piratët e banditët e ndryshëm. Të dhënat tregojnë se thuajse gjysma e dërgesave me anije nga Vlora në Stamboll, në përmasa edhe më të mëdhaja, në rastin e dërgesave nga Vlora në Dubrovnik, do të humbeshin si pasojë e piratëve, mbytjes së anijeve, si dhe zjarrit.

Për këtë arsye hebrenjtë vlonjatë do të themelonin disa kompani sigurimesh (padyshim kompanitë e para të sigurimeve në historinë e Shqipërisë) për ta lehtësuar këtë tregti.

Vlora ishte shndërruar kështu në magnet të mirëfilltë tregtar pafund ku hebrenjtë zotëronin dyqane dhe importonin mallra, fort luksoze nëse konsiderojmë nivelin ekonomik të krejt Ballkanit në periudhën midis shekujve XVI e XVIII.

Gjëja interesante në këtë pikë është se pronarët hebrenj të dyqaneve në Vlorë do të bëheshin partnerë me pronarë të tjerë hebrenj dyqanesh anembanë Ballkanit, duke shkëmbyer mallrat e bashkëndarë fitimet.

Një shembull tipik përkatës vjen nga një dokument ku tregohet hollësisht një partneritet i tillë dhe rezultatet siç vendoset nga Hahamët (Rabinët) lidhur me partneritetin midis një dyqani në Shkup e një tjetri në Vlorë.

Nëse qëmtojmë emrat e familjeve kryesore tregtare hebreje, do të hasim tërë llojet e hebrenjve në Vlorën mesjetare:

Catinella, Graziano, nga Italia.

Benvenisti, Cabillo, nga Spanja apo Portugalia.

Mazza, nga Korfuzi.

Arah, hebrenj Romaniotë.

Trink, hebrenj me origjinë gjermane.

Tregtia përmes konsujve ishte një tjetër sistem i përdorur nga tregtarët në mesjetë, që i ndihmonte ata në tregtinë e tyre nga një qytet në tjetrin. Konsujt rrinin nëpër porte që gjendeshin në shtigjet tregtare mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve të saj. Tregtarët i dërgonin mallrat te këta konsuj me udhëzime të imtësishme lidhur me destinacionin e tyre. Konsulli i dërgonte mallrat veç pasi t’i kish marrë udhëzimet, e gjer atëherë konsulli i mbante ato në magazinat e veta. Konsulli paguhej me dy përqind të vlerës së mallrave për kryerjen e dërgesës, dy përqind shtesë për mbajtjen e mallrave në magazinë dhe 3/1000 për kujdesin ndaj faturave të shkëmbimit.

Jo rastësisht, studiuesit kanë zbuluar se autoritetet e Raguzës përgjithësisht caktonin hebrenjtë si konsuj të tyre në Vlorë.

Isak Trink ishte Konsulli i parë i Raguzës në Vlorë në vitin 1541, i pasuar nga nipi i tij Angelo Samuel. Ai do të pasohej nga Yaako Kodutto, pjesëtar i një familje hebreje nga Ankona, që do ta mbante këtë post për njëzet vite. Pas tij do të vinin Daniel Kodutto, Zakaria Graciano, Josip Maestro, e sërish nga familja Kodutto në vitin 1637, Angelo Kodutto.

Konsujt hebrenj të Dubrovnikut në Vlorë ishin fort të dobishëm për furnizimin me grurë të Raguzës kur Venedikasit, në orvatjen e tyre për të pushtuar Dubrovnikun, e patën rrethuar atë dhe do të pengonin furnizimin me grurë. Dona Garcia Nasi, udhëheqësja e hebrenjve të Stambollit, do të shquhej për ndihmesën e saj në furnizimin me grurë nga Vlora për Raguzën. Ajo të merrte nga Sulltani një porosi për furnizim me një sasi të caktuar gruri, ku nuk përmendej sasia e saktë për grurin që gjendej në Sanxhak.

Gjithaq roli i tregtarëve hebrenj do të kish rëndësi kyçe në parandalimin kësaj radhe të dërgesave me grurë për në Dubrovnik, si pasojë e urdhëresës në këtë qytet për dëbimin e hebrenjve në vitin 1515. Gjë kjo që do t’i detyronte raguzanët ta anulonin vendimin një vit më pas.

Komunitet hebre i Vlorës ndahej në dy palë, të vjetrit, pra Romaniotët e Puljezët, që ishin shumica, si dhe të porsaardhurit nga Gadishulli Iberik, nga Katalonja, Kastilja dhe portugezët.

Gjykata e Rabinëve varej nga Hahamët e Selanikut. Mosmarrëveshjet përgjithësisht kishin të bënin me çështje fetare, teksa të vjetrit ishin fort të rreptë e fetarë, ndërsa Iberikët fort dorëlëshuar në punët e fesë, sidomos ata që vinin nga Portugalia, që kishin jetuar si Converso, pra të konvertuar në të krishterë, para se t’i ktheheshin Judaizmit.

Në fillim të shekullit XVI komuniteti udhëhiqej nga rabini puljez Perez Bonfiljo, i ndihmuar nga Bonoso di Puglia, Yahuda Siciliano, si dhe Solomon Sarfati. Por nevoja për t’i bashkuar palët, do ta shtynte komunitetin të thërriste rabinin e njohur David Messer Leon, birin e filozofit e rabinit Yehuda ben Yehiel Meser Leon (Meser domethënë “Mio Serro, - mon segnor – zotëria im, titull që i ishte dhënë nga perandori Gjerman Frederick III gjatë një vizite në Itali), themelues i Akademisë Hebreje të Mantovas ku ofroheshin studime rabinike e sekulare. Davidi do të lindte në Venecia në vitin 1470, do të bëhej rabin në moshën 18 vjeçare, shpërngulet në Stamboll, pastaj në Selanik, e pas disa përplasjeve me rabinët vendorë, ftohet në Vlorë në vitin 1512, ku rreket t’i bashkojë tërë palët.

Qëndrimet e rrepta e armiqësojnë me hebrenjtë portugezë e ata spanjollë, e pas përplasjeve me udhëheqësin e portugezëve, Dr. Solomon Krisanty dhe udhëheqësin e kastiljanëve Meir Ibn Verga, detyrohet të ikë nga Vlora.

Komunitetet e ndryshme hebreje ngadalë njësohen, veçanërisht nën drejtimin e Hahamit Moshe Albelda (nga Kastilja) në shekullin XVII.

Marrëdhëniet me popullsinë vendase arbërore ndërkaq qenë përgjithësisht të mira, ndonëse veçanërisht hebrenjtë nga Spanja e Portugalia shikoheshin vëngër ngaqë tregoheshin tepër miqësorë e mirënjohës ndaj osmanëve që i kishin pritur pas dëbimit nga Gadishulli Iberik.

Marrëdhëniet me turqit ishin fort të mira, por sidoqoftë, duke mos qenë myslimanë, si edhe të krishterët vendas, hebrenjtë ishin nënshtetas të dorës së dytë.

Gjatë luftës Turko-Venedikase të vitit 1688, hebrenjtë e Vlorës do të largoheshin nga qyteti i rrethuar nga venedikasit, nga droja e qëndrimit mizor të venedikasve ndaj hebrenjve (edhe ngaqë venedikasit i quanin hebrenjtë aleatë të turqve). Sipas dokumenteve të kohës, hebrenjtë do të shkonin në Arnavut Belgrad (Berat).

Droja nga venedikasit rezultoi e përligjur, sepse hebrenjtë vlonjatë që nuk u larguan do të kapeshin rob e shiteshin si skllevër në Itali. Për fatin e tyre flet historia e hebreut Nehemia Hia Hayon nga Vlora, që do të shpëtonte më tutje nga skllavëria.

Pas disa epidemive të rënda në Berat, hebrenjtë nga Vlora nisin të hapërdahen pas vitit 1740, kryesisht në Janinë (Romaniotët), Manastir (Portugezët), dhe Kostur (Spanjollët, Italianët).

Në Stamboll gjithashtu kish një komunitet hebrenjsh vlonjatë të përbërë nga 11 familje.

Ndonëse osmanët e ripushtojnë Vlorën, pak hebrenj kthehen në qytet.

Duke nisur nga viti 1850, hebrenjtë Romaniotë nga Janina e Preveza vendosen sërish në Vlorë duke formuar një komunitet të vogël. Ata gjejnë sinagogën dhe varrezën e vjetër hebreje që u kthehen nga autoritetet. Në vitin 1915, me pushtimin italian të Vlorës, sinagoga e vjetër shndërrohet në magazinë ushtarake e paskëtaj digjet nga një zjarr i madh në qendër të Vlorës.

Thuhet se në Janinë ka patur një Torah të lashtë 1500 vjeçar nga Vlora, të quajtur “Sefer Avilona” (Libri i Vlorës), djegur nga nazistët.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë Elvi Sidheri: Memento për një kolos Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora