Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: 'Simfonitë e jetës'

| E premte, 01.02.2019, 08:11 PM |


“SIMFONITË E JETËS”

Melodia e shpirtit, në librin me poezi të Emine S. Hoti

Nga Kadri Tarelli

Kohët e fundit, janar 2019, në Tiranë, doli nga shtypi libri me poezi, “Simfonitë e jetës”, e Emine S. Hotit, poete mërgimtare nga trojet Dardane, e cila prej kohësh jeton në Norvegji. Vetë titulli i librit të rrëmben e të rrëfen, se jeta është një sinfoni e madhe, ku fatit dhe rrethanat janë dirigjentë të orkestrës, që luan magjishëm; fllad pranvere, frymë vjeshte, acar dimri dhe vapë gushti.

Ashtu si për çdo poet, askush nuk mund të gjykojë tematikën e rrokur, sepse janë vrulli i shpirtit, që frymon e frymëzon vargjet e poezive, ku ka jetë dhe shumë mall për atdheun, dashuri e dhimbje nëne, psherëtima, lot e brenga gruaje, urtësi e mirësi gjysheje, pse jo edhe forcë e krenari shqiptareje. Aty do t’i gjejmë bashkë, piskamën dhe shpresën, vapën dhe vesën, amanetin dhe kurbetin, fjalën dhe besën, nënën dhe fëmijën, gruan dhe bijën, dheun dhe gurin, babën dhe flamurin, këngën e poezinë, fitoren dhe lirinë.

           Nuk e teproj të them, se tema më e pëlqyer e mërgimtarëve tanë, krijues të të gjitha gjinive artistike, mbetet mëmëdheu, si në letërsi, ashtu edhe në drama, pikturë e skulpturë, këngë e valle, deri edhe te parakalimet me veshjet tradicionale. Nuk çuditemi, që edhe më i thjeshti njeri, përfshihet vetiu në forcën magjike të dashurisë për vendlindjen, ku pavarësisht se është larg i ndjen frymëmarrjen, lëngimin, dështimin, apo fitoren dhe përparimin.

Koha ka treguar, se edhe sot e kësaj dite, gjaku dhe atdheu mbeten të shenjta, pavarësisht kohëve dhe njerëzve, që me dhimbje i përjetojnë largimet dhe mërgimet. Jo më kot Lukiani, mendimtar i antikitetit, shkruante: “Edhe tymi në vendlindje është më i ndritshëm”. Në këtë hulli, mjafton të kujtojmë edhe vargjet magjike të rilindësve tanë, që krahas halleve dhe derteve për mbijetesë në dhe të huaj, shkruan me mall të pa treguar për vatanin, vendin e të parëve. Edhe poete Hoti, në ditët e sotme vazhdon udhën e mërgimtarëve të ditur, si lëngim e mendim, për të njëjtit hall e mall, ndaj vendit dhe kombit. Duke i shtyrë më tej mendimet, mbase shkodrani Filip Shiroka, po të lexonte këto vargje, do ta ftonte për kafe poeten Emine, sepse është në një mendje me të, kur shkruan: 

“O shpend që fluturon larg,

Mbi kodra, male të lartë e shkëmbinj.

Kur të lodhesh duke fluturuar,

Lutem, pusho një çast në vendin tim!” Poezia: “Vend i besës dhe i trimërisë”

Ndërsa Konica i sertë, i gjezdisur nëpër shumë vende të botës, do ta përshëndeste me fjalë të arta: “Ah malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur! I shenjti mall i dashurisë së shenjtë! Kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj?.

Kësaj pyetje të fundit poetja jonë i përgjigjet: “Shpirti im me ty jeton,/ Ndihem si zogu që fole kërkon”. Poezia: “Atdheu im”.

Me këto mendime, që mbushin mendjen dhe shpirtin, ajo duket sikur psherëtin dhe mërmërit me vete: “Një grusht dhe nga vatani/Amaneti është i rëndë, qoftë edhe në ëndërr, moj bijë!”. Pikërisht këtu gjen vend për të ngritur edhe një herë zërin e protestës ndaj padrejtësive që na bëri bota, duke e ndarë trungun arbëror. Është një klithmë mbarë shqiptare, mbase e thënë nga miliona shpirtra të lënduar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, për ta dëgjuar e mos harruar, sepse lufta ende s’ka mbaruar: Na ndanë në shumë pjesë,/ Në mes sofrës,/ Si buka e pjekur nga gjyshet në çerep”. Na ndan në shumë pjesë              

Lexuesi, sado pak i vëmendshëm qoftë, nuk e mendon kurrë të pyesë veten: A Ka poet që mos dashurojë? Ndaj e kërkon edhe në këtë libër modest, sepse melodia e dashurisë njerëzore ndihet në të gjitha faqet e këtij libri. Thjesht, sepse ajo vetë është femër dhe grua, dhe dashuria e saj është e sinqertë, madje më shumë se kaq, kur thotë: “Bukuria jote më hutoi,/ Ndaj s’ ti pashë dot gjembat nën fletë”. S`ti pashë dot gjembat nën fletë.

Ajo që bie në sy te poetja jonë, është se ajo nuk e ndan dashurinë në copëza, për vete dhe për të tjerët. Ajo dashuron me gjithë qenien e saj, çdo gjë të bukur dhe të dobishme. Ajo është edhe nënë edhe gjyshe, ndaj shkruan aq me ngazëllim e frymëzim, për fëmijët, nipat dhe mbesat, ku vargjet dalin e rrjedhin lirshëm, si gurgullimë burimi, duke rrëfyer dhe këmbyer dashuri:

“Lotin mundohet ta mbajë, po prapë i pikon,

Sytë i ndrisnin nga malli, sa herë gjyshen takon. Poezia: Loriani

Këndonjësi i librit, me lehtësi mund të gjykojë, se ç’forcë e madhe fshihet në petkun dhe lëkurën e femrës shqiptare, kur bëhet fjalë për të përballuar vështirësitë e jetës, veçanërisht kur ndeshet me të papriturat e mentalitetit, pengesave diku të egra dhe të vrazhdëta, ca më shumë të ndodhura në mërgim. Është një përjetim, dikur i heshtur nga vajzat dhe gratë shqiptare, ndërsa sot i shpërfaqur bukurmirë në vargje poezie, për ta dëgjuar të gjithë, i madh e i vogël, si model frymëzimi dhe krenarie në mbarë kombin: “Por kot i vë kushte jetës,/ sepse duke qenë femër, ndihem e fortë./ Sfidat i përballojë, si dallgët që venë e vinë. Kush me mua krahasohet?

Ndaj me po të njëjtin vrull, pa ju dridhur qerpiku dhe pa ju ligështuar zemra e trupi, ajo dëshiron të jetë e fortë, për të lundruar qoftë edhe mbi lotët e saj, duke kërkuar të zbulojë e pushtojë hapësira dashurie dhe lumturie. Një figurë letrare, që të mbërthen e të drithëron, sepse shpreh një botë të madhe ëndrrash, mendimesh dhe ndjenjash njerëzore:

“Dua të jem e fortë,/ Në zemër e në shpirt,/ Të jem oqean, / Të lundroj në lotët e mi”. “Lundroj në lotët e mi”

Jo më kot thonë, se poetët janë edhe filozofë. Është një ndjesi, detyrë, mbase edhe përgjegjësi, që i përket krijuesve, ndoshta më së shumti poetëve. Besoj se edhe Emine Hoti, është pjesë e kësaj race, kur shprehet: “Kur njeriu nuk e do veten,/ Nuk mund të dojë as të tjerët. Njeriu

           Poetja Hoti, jeton me hallet, shqetësimet, vështirësitë dhe fitoret e bashkë-mërgimtarëve, por edhe të mëmëdheut. Ajo lumturohet dhe brohoret, kur bëhet fjalë për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës, që më së fundi e plotësuan dëshirën dhe ëndrrën shekullore të mbarë kombit. Ndaj në stilin e vargut të Fishtës, ajo këndon:

“Le ta dinë në rrafsh, e kodër,

Sot u bënë bashkë vëlla e motër,

Kurrë nuk ndahen Shkup e Shkodër!”

           Urime! Me dëshirën që të kemi libra të tjerë po kaq me vlera atdhetarie e dashurie!

Kadri Tarelli

Durrës më 29, të Janarit, 2019.