E premte, 29.03.2024, 09:27 AM (GMT)

Kulturë

Ilmi Musliu: Përmbyllet 'Flaka...', Gjilani ri-dëshmohet si qendër e madhe kulturore mbarëkombëtare

E premte, 01.02.2019, 08:21 PM


Përmbyllet “Flaka...”, Gjilani ri-dëshmohet si qendër e madhe kulturore mbarëkombëtare

Pas njëzetenjë ditësh aktivitete kulturore, të cilat u zhvilluan në kuadër të “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të rënë nëpër janarët e acartë të historisë shqiptare, më 31 janar, në Gjilan, është përmbyllur manifestimi më i madh kulturor në trojet shqiptare.

NGA ILMI MUSLIU

Në të vërtetë, manifestimi i sivjetmë, i 28-të me radhë, i është kushtuar 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit dhe është hapur me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, si dhe një vizitë të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri dhe krerëve të institucioneve tjera komunale në familjet e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dy kryengritësve të mëdhenj, të cilët me rezistencën e tyre në një istikam në Lagjen e Trimave në Prishtinë, na mësuan se si duhet luftuar për liri dhe të drejta kombëtare.

Akademia e “Flakës..” i është kushtuar 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, për t`i nderuar heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, pikërisht në ditën e rënies heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Falë sakrificës së dëshmorëve, pas qindra vitesh okupimi, kolonizimesh dhe sundimesh të perandorive, shteteve e popujve të tjerë, liria erdhi edhe për shqiptarët e Kosovës.

“Flaka...” ka vazhduar me ekspozitën e arteve pamore “Peneli i Flakës”, si njëra ndër katër shtyllat themelore të manifestimit, ku krijuesit kanë ekspozuar punimet e tyre në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë, ndërsa është ndarë edhe çmimi blerës i galerisë, i cili i ka takuar skulptorit Muhamed Aliu.

Manifestimi ka vazhduar me tryezën shkencore “Mulla Idriz Gjilani – një figurë e pashembullt e qëndresës shqiptare” , në përkujtim të këtij personaliteti të madh të kombit, në 70 vjetorin e martirizimit të tij.

Në kuadër të “Flaka e Janarit 2019”, në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore edhe për Jonuz Musliun, ish-pjesëtar i UÇPMB-së dhe më vonë politikan në Bujanoc, i cili ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit.

Janari shënon edhe përvjetorin e ndarjes nga jeta të Dr Ibrahim Rugovës, liderit më të madh të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njeriut që në vend të luftës, promovonte dialogun dhe paqen. Ky përvjetor u shënua në manifestimin “Flaka e Janarit”, me një akademi përkujtimore.

Manifestimi ka vijuar me mbrëmjen koncertale – artistike kushtuar heronjve.

Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, që përbën njërën nga shtyllat më të rëndësishme të manifestimit, ka sjellë në Gjilan, pesë shfaqje: “I ligu për mend” (Tetari Kombëtar i Kosovës), “I vetëm në banesë” (Tetari i Gjilanit), “Kreonët e Ballkanit” (Teatri Kombëtar Eksperimental nga Tirana), “Hipokritët ose pacienti anglez” (Qendra Multimedia), “Kur hana del” (Teatri i Ferizajt).

“Talia...” ka treguar se publiku i Gjilanit, është adhuruesi më i madh i teatrit dhe vetëm këtu ndodh të thyhen dyert për të hyrë në shfaqje.

Shfaqja “I ligu për mend” e autorit Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës (Tetari Kombëtar i Kosovës) është përzgjedhur shfaqja më e mirë në Festivalin e Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2019”.

E veçantë kësaj here ishte çmimi që ndau drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, për vepër jetësore e karrierë për aktorin e mirënjohur gjilanas, Jashar Shahiqi.

Çmimi special i takoi aktores së re Vanesa Petrovci, çmimi i parë për aktoren më të mirë i ka takuar Ilire Vincës, aktori më i mirë u vlerësua Luan Jaha, drama më origjinale ishte ajo e Enver Petrovcit.

Pjesë e këtij manifestimi kulturor, ishin edhe fëmijët, me koncertin “Xixat e Flakës”, ku artistët e vegjël u këndojnë heronjve, vendit dhe botës së tyre.

“Pena e Flakës” është njëra nga shtyllat tjera të manifestimit, ku garojnë krijuesit letrarë. Sivjet, krijuesja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza, doli fituese e çmimit “Pena e Flakës”, në mesin e 21 poetëve sa lexuan në këtë pjesë të “Flakës...”. Ndërkaq, në konkursin letrar anonim, sipas një tradite tashmë të përvijuar ndër vite, u ndanë 6 shpërblime, 3 në poezi dhe tri të tjera në prozë.

Përndryshe, manifestimi i sivjetmë “Flaka e Janarit 2019” u përmbyllë me Festivalin e Muzikës Shqipe “Fest Flaka”, ku Sokol Latifi, fitoi çmimin e parë, çmimin e dytë - Rina Kurteshi, ndërsa çmimin e tretë - Elona Sadiku.

Manifestimi “Flaka e Janarit” e ka bërë Gjilanin një identitet të madh kulturor mbarëkombëtar, ku çdo vit, për tri javë ditë rresht grumbullohen mijëra artistë e artdashës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe viset tjera shqiptare, për të marrë pjesë, ose përcjellë aktivitet që zhvillohen në kuadër të këtij manifestimi.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora