Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll I. Berisha: Anton Marku - Në secilën hije pak dritë

| E enjte, 31.01.2019, 08:33 PM |


Parathënie për përmbledhjen me poezi ‘’Në secilën hije pak dritë’’

(IWA Bogdani, janar 2019)

Nga Engjëll I. Berisha

Antoni, ia shton dhe një hallkë, librit të fundit të tij me poezi, madje e shtrëngon shumë zinxhirin krijues duke e dëshmuar se po e ruan autenticitetin e vetë, me vëllimin e ri poetik, “Në secilën hije pak dritë”, që po e boton IWA Bogdani, në Prishtinë.

Libri paraqet lirizmin e tij mbi personazhet që i krijon me të cilët gjatë gjithë kohës bën krahasimin e dukurive që na rrethojnë. Ky edhe po bëhet motiv i përdorur viteve të fundit nga krijues të shumtë.

Nuk është shkallëzim retorik që sintetizon personazhin e tij. Në fakt autori bën ngritje përforcuese të ideve të tij, pa i ndryshuar ato të fundit e të mëhershme. Kjo konsekuencë ia jep vulën e vetë krijuese Anton Markut duke formuar konceptin e tij me sintagmën se poeti duhet ta thotë atë që zemra ia ndien.

Pamjen sociologjike te shoqëria e jonë, e abstrohon me rezonancën e tij herë të zemërimit, herë të admirimit, e hera herës të nxitjes së tij artistike që donë tu japë vetëdijesim. Ai sikur provon t’i kapërcejë caqet me poezitë që i shtron si pyetje, dhe shih, sa më shumë që i hamendim fenomenet, aq më të bezdisshme e më të pakuptueshme na bëhen. A mund të pajtohet poeti me këtë konstatim se! Mendoj se përkufizimi i mendjes të përfytyrosh ngjasimet e ta përjetosh, është dilema që shtrohet në poezi. Këtu e nisë eksplorimin e tij Anton Marku me poezinë “Gjeneza”, në përsiatje të kohës e të përfytyrimit kur u krijua e mira, – jeta, dhe vrima e zezë, – vdekja, prej nga edhe nisë përvëlimi i të gjitha krijesave: “Ditën që u zu dielli / për të parën herë / jeta u fërkua me vdekjen”.

Personazhe më të shpeshtë të tij,janë koha e cila nuk pret, është dashuria e cila kaplon, është virtyti, mbase, këtu e shpërfaqë më shumë koncentrimin sociologjik.

Edhe pse nuk mund t’i kapim të gjitha gjërat, ne krijojmë një aluzion ndaj tyre se janë mashtrim. Ky imazh dhëmbëzon mendimin tonë përherë dhe i kafshojmë me shkrime shpesh duke mos pasur talent të imagjinojmë në mes njerëzve, ideve e objekteve që na rrethojnë. Bashkëbisedimi që bën autori, fatin, e bartë gati në çdo poezi, jo vetëm si ligjërim shoqëror, por e kodifikon si produkt i mbrojtur, pa të cilin sikur imagjinon se s’mundet dot as natyra:“Kur gjithçka nisi / nuk kishte kufij / as mure, / kishte vetëm fillime”. Poezia “Portrete”.

Veset e shoqërisë, bëhen shprushje e shpirtit të tij, përballë sfidave të kohës, një peizazh me pak fjalë, e shumë shtresor: “Tërë jetën provova / t’i afrohem grimcës sime / duke i shikuar hijet e të tjerëve / harrova timen”, te poezia “Flluskave të purpurta”. Poezitë janë me vargje të shkurta, madje, shumë të shkurta-karakteristikë e shumë poetëve jo se e tkurrë mendimin, por, i duhen më shumë figura për ta përmbyllur krahasimin. Motivi i dashurisë, e kaplon këtë përmbledhje, jo duke e rënduar, por, ia ngazëllen poetikën rrëfimtare, duke u bërë herë i rrept e herë i nënshtruar ndaj saj: “Po u ktheve dhe një herë / me frymën time do e përzë / ofshamën që të bëri të ikësh”, ose, “po u takuan sytë tanë / veç dhe një herë / flaka ka për t’i dalë shiut”. Poezia “Po u ktheve”.

Tani lirisht mund të themi se autori ka krijuar karakterin e e tij simbolik me të cilin edhe platformën e tij dhe, sikur shihet, kështu mëton të ecë.