Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Bisedë me veten time

| E enjte, 31.01.2019, 07:43 PM |


Reshat Kripa

BISEDË  ME  VETEN  TIME

Ulur  një ditë  dhjetori,

Nën një shelg po qëndroja,

Degët e tij seç lotonin,

Unë rrija dhe mendoja.

Po mendoja  timen jetë,

Iku shpejt duke lotuar,

Porsi deg’e shelgut shkretë,

Plot me dhimbje e mbuluar.

Tek qëndroja i menduar,

Bisedoj me veten time,

Jetën si e kam kaluar,

Plot me dhimbje dhe gëzime.

Pse s’ kujton timen rini,

I them vetes me ngadalë,

Kur më mbyllën që fëmi,

Brenda në kafaz të gjallë?

Nuk  më lanë t’ ëndërroja,

Botën e lirisë hyjnore,

Nuk më lanë të gëzoja,

Botën e bukur rinore.

Pse, or mik, e mundon  veten,

Sot çdo gjë ka  lulëzuar?

Prapa teje le të mbeten,

Brengat e rinisë kaluar.

Kështu foli vetja ime,

Unë rrija dhe dëgjoja,

Porse prap me mendjen time,

Ndër mendime fluturoja.

E harrove fëmininë,

I drejtohem vetes time,

E harrove burrërinë,

Zemrën copë dhe thërrime?

I harrove vajzat  djalin,

Të përbuzur lënë mënjanë,

Si ta zgjidhja s’dija hallin,

Për t’ia dalë jetës mbanë?

Hape zemrën dhe harro,

Shiko jetën me besim,

Atë kohë mos e kujto,

Hidhe poshtë  atë trishtim!

Ku i ke fëmijtë  e tu?

Nëpër botë  fluturuar.

Mjaft, pra, mos rri më ashtu,

Bot’ e sotme ka ndryshuar.

E dëgjova veten time,

Shihja botën e vërtetë,

Zemra plot me ngazëllime,

Bot’ e vjetër mos u ktheftë!

Vlore, dhjetor 1993

JETA   IME

Jeta ime pikë loti, pikë loti e mbuluar,

Gjithë brenga, gjithë plagë, plot me ëndrra e kapluar,

Sa kam dashur, sa kam vuajtur, jetën time ta ndërtoj,

Një demon më thosh gjithmonë, unë do të shkatërroj!

Kur i vogël isha unë, ndonjëherë luaja  teatër,

Ish pasioni im i parë, pasion si një qiell i kaltër,

Por në qiell qëlloi rrufeja, nxiu tokë e nxiu det,

Seç më mbylli në kafaz, shkatërroi, më nxiu  jetë.

Kur u bëra djalë i rritur. prap fillova me tregime,

Shkrova disa poezi, shkrova edhe jetën time,

Por demoni prapë u shfaq, si një gjëmë e mallkuar,

Më sulmoi si përbindësh, ëndrrën për ta shkatërruar.

Çfarë të bëja unë i ngrati, s’mund të rrija duarlidhur,

Zemra ime flakë e zjarrtë, zemra ime  çoroditur,

Seç më shtynte drejt  përpara, thoshte asgjë mos të ndali,

Dua që të jesh  në ballë, dua që  të jesh i pari!

E dëgjova zemrën time, bëra siç më tha ajo,

Ferra, gjëmba para rrugës dhe të tjera si këto,

I vërvita në humnerë dhe demonin tim të zi,

E përplasa  në skëterrë, prap u bëra djalë i ri.

Dhe tani që jam i thinjur, luftën nuk e kam pushuar,

Kundër çdo padrejtësie, dita ditës kam luftuar,

Dita ditës kam luftuar, do luftoj unë ditë e natë,

Të fitojë drejtësia, brenga ime më e gjatë!

Tiranë, nëntor 2004

DUA    FLUTUROJ!

Dua shumë të fluturoj, lart në qiellin pa kufi,

Të kap Hënën, të kap Marsin,  universin pa kufi,

Drejt Venerës, Jupiterit dhe planeteve të tjerë,

Të zbuloj krejt gjithësinë, hapësirën  plot me  vlerë.

Kjo nuk është veçse një ëndërr, veç një ëndërr e rinisë,

Porsi  lodrat  fëminisë, ndezin fantazin njerëzisë,

Dhe tani që jam i plakur, tani që nuk kam  fuqi,

Sërish unë ëndërroj, sikur jam prapë  djalë i ri.

Nga kjo botë jam çuditur, hallakatur, çakërdisur,,

Zemra nuk gjen qetësi, mendja ime e lajthitur,

Ndaj dua të fluturojë, fluturojë pa pushim,

Dhe ta mbyllë jetën time, atje lart në  fluturim.

Atje lart unë le të mbetem, gjithmonë duke fluturuar,

Larg nga brengat edhe hallet, në zemrën time trazuar,

Atje në qiellin e kaltër, atje ku dielli ndrin,

Dua që të mbetem unë, përjetësisht  fluturim!

Tiranë, gusht 2008