E shtune, 20.04.2024, 04:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Aterim në Parkun e Pishave

E enjte, 31.01.2019, 08:40 PM


Aterim në Parkun e Pishave

Nga Blerim Rrecaj

Del për të ecur këtejpari e përfundon në një park pishash, pa prit e pa kujtu, e ndonjëherë, mirë që ndodh kështu. Më tej pas zbritjes nga vetura, ecje njërës prej rrugëve të shtruara e të kalldrëmta, e më të përshtatshme, të lagura, të paborë pothuajse e gjitha dhe të papërlloqur. Diku shohim nja dy pisha rioshe, njëra e drejtë e tjetra e shtrembëruar për të na kujtuar fabulën e Ferit Lamajt,kur druri i shtrembër i thotë drurit të drejtë, që nëse do grada e karrierrë duhet ta ndjekë shembullin e tij e të shtrembërohet. Ndërkohë, njerëz që hyjnë e dalin nga ky vend, ndonjë i moshuar me shkop, të rinj e të reja, ndërsa fëmijët te këndet e tyre të lojërave kënaqen dhe herë-herë vrapojnë te prindërit e të afërmit e tyre brenda dy restoranteve, për të kërkuar ndonjë gjë, a për t'u ankuar, a për të shprehur ndonjë ngazëllim për lojën që janë duke bërë me ndonjë shok klase a ndonjë shok të ri që u takuan në këtë hapësirë. Njëri fëmijë e përsërit një gjë për mrekulli, kërkon sheqer borës për t'ia hedh. Bota fëmijërore dhe ajo e të rriturve herë-herë rrijnë pranë njëra-tjetrës e herë-herë ndahen pa u përzier me njëra-tjetrën. Fjalë të mëdha të të mëdhenjve janë: greva, taksa, "pozita", "opozita"... Dikush ka shmangur me sukses këto tema të mëdha e aktuale duke folur për diçka më të lehtë a duke kujtuar diçka të këndshme. Kjo ditë me plus shtatë gradë celsius shton dëshirën për ta zgjatur ndejën me fjalë a me heshtje. Mbi kodrën e Goleshit me ca antena ka zënë vend një kodër e pjerrët resh, në të ky diell si ortek na nxit të bëjmë një shkrepje me telefon për ta argumentuar këtë që shohim me ëndje e na ngacmon vëmendjen dhe e cila pas pak do tretet sikur të mos kishte qenë asnjëherë. Fjalët vazhdojnë e vende vende këto shoqërohen me tym cigaresh. Deri tash diç kam menduar që di e tash gjërat aq shumë janë përzier saqë më s'di çfarë të them, thotë dikush sa për të vazhduar bashkëbisedimin. Dhe kjo ta kujton një shprehje të dikurshme dalur goje nga një tjetër ndejë+bisedë se këtu t'kish me u ba mirë e t'kishin me na marrë të mbarat, diqysh pahiri! Dhe nga kjo përsëri sytë te një ndërmjetëse këndellëse, ku një grigjë trumcakësh aq bukurisht, te ai varg gëmushash kufitare degëzhveshura, aterojnë herë pas here. Më tej ca shtëpi bletësh që mezi duken në oborrin e një shtëpie që përpara ka një kopsht mjaft të gjatë me pemë. E herë-herë shikimin tej dritareve xham-mëdha, andej nga ana e majtë, në fushën-tepsi të Aeroportit "Adem Jashari", që si vello i rri vello bardhësie, që s'mund ta quajmë mjegull. Fluturojmë edhe nga këtu, vazhdojmë me ecje nën mbretërinë e pishave. E pas nja një treorëshi largohemi prej këtej. Muzgu na gjen strehëzave e nata na zë me një tjetër ecje nëpër qytezë. Pasi dalim prej një ëmbëltoreje na shoqëron ky shi. Sivjet po përsëritet ky cikël i këtij dimri, po bie borë, po shkrihet, po e shpërlan shiu dhe siç thanë ata që e panë parashikimin e motit në për telefona, përsëri pritet të bie borë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora