Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Rilindëm nga zjarri i atdhedashurisë

| E enjte, 31.01.2019, 07:19 PM |


Rilindëm nga zjarri i atdhedashurisë

Përjetime nga leximi i vëllimit poetik “Feniks” të poetes shqiptare-norvegjeze Emine S. Hoti

Nga Viron KONA

“Feniks” është vëllimi më i ri i poetes shqiptare - norvegjeze Emine S. Hoti. Duke qenë se është libri i dytë që pata kënaqësinë ta redaktoj, formova mendimin se, me përvojën jetësore, me ndjenjat e thella dhe të sinqerta, me pasionin për të krijuar, znj. Hoti zbulon edhe në këtë vëllim të ri një botë të pasur shpirtërore, ku mendimi artistik merr krahë dhe ka peshë të veçantë, teksa i gjithë vëllimi përbënë një mozaik, ku harmonizohen bukur tema të llojllojshme për jetën e sotme, tërheqin vëmendjen forma dhe stile interesante të shkruari, pikëzime detajesh si dhe  ngjyrime tërheqëse e të pëlqyeshme për lexuesin. Ndërkohë që, poezitë e këtij vëllim paraqesin përmbajtje të shëndoshë dhe moderne, mendim të shprehur thjesht dhe qartë, larmi idesh dhe vizione origjinale, duke shënuar një nivel të ri në krijimtarinë e kësaj autoreje të talentuar.

Poetesha, shpalos përpara lexuesve, mbresa dhe pamje të vetë jetës, që gjithkush i ndjen të na kalojnë pranë, herë si erëra pranverore, herë si fllade vjeshte dhe herë si stuhi dimri, por, që, është  zëri dhe shpirti poetik i saj, i cili i sjellë ato te lexuesi me nivel të dukshëm artistik, që të mban ndezur emocionin dhe interesimin për të përfituar mesazhin dhe kënaqësinë ideo estetike që falë një poezi e mirë. Këtë e bënë edhe më evident fakti se, poezitë e vëllimit ”Feniks”, disa herë përcjellin subjekte e përmbajtje në formën e epigramit apo të fabulës dhe, si të tilla, mesazhi i tyre krijon emocion të fortë, poezia mbahet mend, madje, ndjen dëshirën  ta rrëfesh apo ta komentosh mes miqve, shokëve apo dhe mes nxënësve kur je mësues.

Përvoja jetësore dhe poetike e Emine S. Hotit,  mendoj se harmonizohet natyrshëm dhe bukur me krijimtarinë e saj. Ajo ia arrin të tërheq vëmendjen e lexuesit, duke e bërë atë që të ndjejë dhe të mendojë siç ndjen dhe mendon poetesha për llojshmëri episodesh, ngjarjesh, dukurish e fenomenesh të jetës njerëzore. Eminja ka kaluar një jetë personale të vështirë, me konflikte që krijoheshin, nga njëra anë, mes saj si femër  përparimtare dhe, nga ana tjetër  dogmat prapanike të mjedisit ku ajo u rrit, jetoi rininë e saj, por që e penguan të jetësonte ëndrrat dhe ndjenjat e bukura e të sinqerta rinore. E, megjithatë, siç del nga poezitë, paragjykimet, keqdashjet, zemërligësitë e disave, kanë lënë gjurmë të dukshme te jeta e poeteshës, ndaj dhe, në momente të veçanta krijuese, ajo i shpreh ato, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë tërthorazi e në mënyrë

lakonike, kurdoherë me gjuhën e bukur figurative të poezisë. Jeta e vështirë e znj. Hoti në Kosovë, veçanërisht për shkak të gjenocidit dhe regjimit pushtues sllavo-serb,  për shkak të shtypjes dhe diskriminimit, bëri që ajo të merrte rrugën e mërgimit në vendet perëndimore, ashtu si  dhe mijëra bashkatdhetarë të saj. E plagosur në shpirt e në zemër, duke bartur brenda vetes një përvojë të hidhur e të dhimbshme, e gjendur në një vend me zhvillim modern e demokratik siç është Norvegjia, ajo arriti të dallonte dhe të ndjente ndryshimin dhe të caktonte në mendjen e saj një vijë ndarëse, midis dy përvojave, asaj që bartte me vete dhe asaj që po gjente në vendin ku po jeton. E, si pasojë, bota krijuese e poeteshës, pësoi zhvillime nga koha në kohë. Frymëzimet e saj letrare, nisën të pasqyrohen në vëllimet poetike apo ato në prozë, ndërkohë që znj. Hoti, krahas disa librave të botuar, ka edhe projekte të tjera krijimtarie.  Siç shprehet poeti Imri Trena: “E kaluara e saj e vështirë, e bëri Emine S. Hotin edhe më të fortë e më të skalitur dhe, tani, ja si një vullkan shpërthen talenti i saj edhe me shkrime;” Z. Imri nënvizon gjithashtu rolin e madh dhe kontributin e znj. Hoti në aktivitetet që organizohen nga shqiptarët e Norvegjisë për çështje kombëtare, të cilat janë të një rëndësie të veçantë veçmas për fëmijët. Kontributi i Emine S. Hotit  në këtë drejtim i tejkalon të gjitha, sepse ajo me familjen e saj janë vazhdimisht në ballë të aktiviteteve e ku roli i saj është i pazëvendësueshëm...Viteve të `80, - kujton Imri Trena, - në një emision të  realizuar nga TVSH-ja, realizatorët e atij emisioni i dhanë Eminjes epitetin e "Marigoja" shqiptare në Norvegji! Mbase kishin shumë të drejtë sepse zonja Emine me duart e saja thuri qindra veshje komplete për fëmijët tanë, për nxënësit tanë të cilët prezantohen në evenimente të ndryshme. Ka ndodhur që vetëm brenda një nate, me kërkesë të grupit të valltarëve, të thurë dhjetëra të atilla”.

Një veçori e poeteshës Emine S. Hoti është se ajo, duke qenë modeste dhe tepër humane, nuk kërkon asgjë në këmbim, por vetëm dëshiron të përcjellë mendimet dhe mesazhet e saja poetike dhe të emancipuara te lexuesi, veçanërisht te lexueset femra, në mënyrë që, ato, të njohin përvojat e saj, dhe të nxjerrin prej tyre përfitime edukative, shpirtërore dhe estetike që shërbejnë  në jetë.

Vet titulli “Feniks” i këtij vëllimi, ka një kuptim domethënës. Autorja, duket se do që të bëj një krahasim të natyrshëm mes vendit të saj Kosovës, që u dhunua dhe u shkrumbua nga gjenocidi serb, dhe, faktit që, nga hiri i atij zjarri, ashtu si zogu mitologjik Feniks, edhe Kosova  u ngrit dhe mbijetoi, populli i saj heroik, sot po ecën i sigurt në rrugën e demokracisë e zhvillimit, të integrimit me vendet e tjera evropiane. (Është e njohur legjenda e zogut mitologjik Feniks, që konsiderohet zog përrallor, i cili, sipas mitologjisë së disa popujve të vjetër, kishte vetinë të digjej dhe të ringjallej përsëri nga hiri i vet). Ndaj, poetët, e kanë përdorur shpesh këtë figurë mitologjike në letërsi, duke nënkuptuar vende dhe njerëz të jashtëzakonshëm e të shquar, gjithnjë duke supozuar “ringjallje”, ri ngritje, të tyre. Këtë ka parasysh edhe poetesha jonë, e cila, në vjershën që mban titullin e  librit, shprehet me gjuhë e theks të drejtpërdrejtë aforistik: Të liqtë menduan se na zhdukën nga faqja e dheut,/  Gëzonin që askund, të mos kish gjurmë t`shqiptarisë,/Por edhe kur menduan se na bënë  shkrumb e hi,/ Ne si feniksi rilindëm nga zjarri i dashurisë”. Ky është edhe lajtmotivi kryesor i librit, pasi poetesha Hoti heq një paralele mes fatit të Kosovës, e cila u rilind nga zjarri i luftës për liri, ashtu dhe rilindjes së saj personale, pas një  lufte të përhershme me dogmat dhe paragjykimet, por dhe me gjenocidin dhe shtypjen barbare nga pushtuesi i egër serbë. Ndonëse zemërvrarë dhe shpirt lënduar, e mbushur me plagë e zhgënjime, poetesha arrin të ngrihet mbi fatin personal dhe të shprehë mendimin e vet artistik në mënyrë përgjithësuese.  Në këtë kontekst, do të nënvizonim edhe qëndrimin demaskues që ajo mban te poezia: “Serbia dashakeqe”, ku shigjeton tejpërtej disa nga figurat më të zeza të okupatorëve serbomëdhenj, të njohur historikisht si armiq të egër të  popullit fisnik shqiptar. Madje, siç nënvizon ajo, edhe sot kur Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë ata, serbët: ”Ende s`heqin dorë nga ëndrrat e okupimit të Kosovës,/Hedhin dhe presin, rrëshqasin fshehtas si gjarpri në ferrë”. Teksa si përgjigje e këtyre qëllimeve dashakeqe, poetesha përgjigjet figurshëm me vargjet: “Kosova lulëzon me popull e rininë e saj të zjarrtë,/Me trimat  dhe trimëreshat, me dije dhe me pendë,/Të porsalindurit në djep me klithma kërkojnë lirinë,/Askush s`i mohon dot sot Kosovës të drejtën e vetë”. “Rritu bir i fort e i ditur si kryetrimi Skënderbeu,/Kështu nënat tona u këndojnë fëmijëve n`djep,/Rrituni bijë dhe qëndroni me syrin zjarr e pishë,/ Mbrojmë me jetë Atdheun nga armiku i pabesë!”.

Vëllimi “Feniks” çelet me poezinë “Çast” ku znj. Hoti na kujton se rruga e krijimtarisë poetike, ka jo vetëm ligjet dhe vështirësitë e saj, por ajo kërkon edhe përqendrim dhe vëmendje të vazhdueshme. Poetesha na thotë figurativisht ne lexuesve e, veçanërisht atyre që duan t`i futen udhës së shkrimeve letrare-artistike,  që të jetojnë kohën e tyre dhe, mendimet apo përshtypjet që u krijohen nga jeta, t`i hedhin menjëherë në letër, pasi një shënim në çastin e duhur, vjen koha që merr rëndësi të madhe. Ajo, me këtë rast, bën krahasimin me zogun të cilin, sa e ke në dorë mbaje fort, por, nëse e lëshon, ai fluturon në qiell dhe nuk e kap dot më. Kështu, dhe mendimi që lind në kokën  e njeriut krijues, duhet hedhur në letër aty për aty, sepse edhe gjendjet emocionale apo frymëzuese, siç shprehen poetët dhe shkrimtarët, nuk vijnë gjithnjë, kohë e pa kohë. “Momenti frymëzues duhet shfrytëzuar”(“Kape rastin”!) dhe, kjo sentencë  ka më shumë se askund tjetër rëndësi, veçanërisht në letërsi: ”Nëse s`i hedh në letër në çast,/Mendimet ikin si zogjtë, fluturojnë,/ S`mundemi jo, t`i rikrijojmë përsëri,/Se t`tjera gjëra shpirtin na trazojnë”.

E vëmendshme me këtë sentencë dhe zbatimin e saj, poetesha na sjellë në  vëllim vargje me theks e tematikë origjinale, me vlera dhe nivel,  që na vënë në mendime, na bëjnë t`i shohim me një vizion të ri dhe më të gjerë shumë dukuri dhe fenomene të jetës. Në këtë kuadër, poetesha ka sidomos merakun për të marrë në mbrojtje gjininë femërore, e cila duhet të kapërcej dallgë, pengesa herë - herë edhe artificiale, që i kundërvënë klanet patriarkale apo individë të veçantë  që dhunojnë apo dëmtojnë rëndë fizikisht dhe shpirtërisht imazhin e femrës. Ndaj Emine S. Hoti  u thurë poezi femrave, duke i ngritur ato në lartësinë e merituar. Ja se si shprehet ajo në poezinë “Xhevahiri më i ndritshëm”: “Për të mirën e vajzave e motrave tona,/ T`i respektojmë  ato si qenie  njerëzore,/ T`i ngremë  sa më lartë dhe t`i vlerësojmë,/ Xhevahiret më të ndritshme t`kësaj bote!”. “Komenti thotë Sheksipiri  i ulë vlerën veprës”, dua të them se poetesha jonë bën vlerësimin e duhur, duke i krahasuar femrat, jo vetëm me xhevahiret, por edhe duke i lartësuar vlerat e tyre në shkallën sipërore.

Në një pjesë të mirë të poezive, vihet re dëshira e poeteshës për të nxitur e dhënë kurajë motrave  dhe shoqeve të saja, që ato të mos thyhen nga vështirësitë; ato të trimërohen dhe t`i kapërcejnë pengesat, madje, edhe ato pengesa që duken si diga të mëdha e të pakapërcyeshme, sepse, siç shprehet poetesha, pas kalimit të një përvoje, të një pengese, njeriu fiton një siguri dhe, kësisoj, për rastin tjetër që shfaqet, ka përvojën e parë, e ka më të lehtë kapërcimin e saj: (“Kurajë”)”Kur ke përpara një dallgë të lartë,/Mos u tërhiq, përballoje me guxim,/Tjetrën do ta kalosh edhe më lehtë,/Sepse e para të ka sprovuar, miku im”.

Znj. Hoti, paraprakisht, bënë të qartë se, për të përballuar jetën, njeriu duhet të vërë në punë mendjen, të ketë aftësinë edhe të parashikojë atë që mund të ndodhë, sepse jeta na vë vazhdimisht në provë, madje edhe me të papritura. E, pikërisht në këto përballje, njeriu ka shansin të tregojë aftësitë dhe cilësitë e karakterit njerëzor, të fortë apo të dobët, të qëndrueshëm apo të lëkundur. Kurse, te vjersha: ”Zemra të pastra, themele të forta”, poetesha parapërgatit mendimin poetik, jo duke moralizuar, por duke treguar me përvojën e saj  jetësore se, njeriu duhet të tregoj vetveten në çdo rrethanë e situatë që i shfaqet përpara: “Nëse do që të jesh njeri i fjalës e i besës,/   Mos e kthe si moti gëzofin nga fryn era,” sepse :”Era në sekondë e ndërron drejtimin,/ Njeriu s`duhet të ketë rrënjët t`dobëta,/Të mos lëkundet si varka në suferinë,/Të qëndroj burrë, si themelet e forta.”

Kur lexojmë një vëllim poetik apo një prozë, kemi rastin të parashikojmë dhe përfytyrojmë se, aty, “midis rreshtave” shfaqet edhe vet poeti apo shkrimtari, shfaqet formimi dhe botëkuptimi i tij, mendimet dhe prirjet, por edhe mangësitë. Krijimtaria është një “skaner”, jo vetëm për personazhet që sjell autori në veprën e tij, por ajo është në një farë mënyrë edhe një skaner apo një pasqyrë e vet autorit, ku lexuesi ka mundësinë që edhe të përfytyroj formimin apo mentalitetin e krijuesit. Kështu, te poezia ”Kam dëshirë”, lexuesi njeh drejtpërdrejtë  zemrën dhe shpirtin brilant të kësaj poeteshe të zjarrtë e me botë të pasur shpirtërore;  njihet me dëshirat dhe prirjet e saj, me mendimet, pasionet dhe ëndrrat sesi ajo e përfytyron botën, si e dëshiron shoqërinë njerëzore. Në këtë kuptim, poetesha i vendos në piedestal vargjet poetike ku ajo shpreh edhe vetveten :”Dëshiroj të mos shoh askënd të nënshtruar,/ Askënd të gjunjëzuar dhe  askënd të varfër,/ Askënd t`sëmurë dhe askënd pa bukë e ujë,/ Askush të mos vuaj nën këtë qiell të pastër./Dua t`i shohë njerëzit si dallëndyshet në pranverë,/ Si lulet që çelin në marsin e begatë dhe të lulëzuar,/Si rrezet e diellit që ngrohin tokën e na gjallërojnë,/Kështu t`i shohë popujt  të lumtur dhe të bashkuar”.

Znj. Hoti është realiste për zhvillimet e mëdha ekonomike dhe në shumë fusha të tjera të Norvegjisë, vendit ku po jeton në mërgim, por mendjen ajo e mban gjithnjë tek atdheu, te vendlindja e saj, te kujtimet, te gjithçka e bukur, shpirtërore  dhe emocionale, që e lidh njeriun me vendlindjen.”Qetësi në shpirt kurrë nuk kam ndjerë”, thotë ajo, teksa vijon: ”Jetoj e shikoj “atdheun” e ri,/Ka jetë e plot gjallëri,/ Por bukë e kripë e lumturi,/S`i gjejë askund si në Arbri”.

Duket se dashuria për vendlindjen është një preokupim i brezave dhe thuajse i të gjithë popujve të botës,por, shqiptarët, duke qenë ndër më të vuajturit dhe më të shtypurit në shekuj, e kanë edhe më të theksuar dhe më të shenjtë këtë atdhedashuri. Madje, sa herë përmendim atdheun dhe emigrimin, si një plagë shumë shekullore e shqiptarëve, na shkon mendja gjithnjë te fjalët e Lukianit të lashtë:  “Edhe tymi i atdheut do të duket më i ndritshëm se zjarri në vise të largëta, sepse çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, ky i rrit dhe i edukon. Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por për të dashur të gjithë duan atdheun.” Në vëllimin “Feniks”, lexuesi do të gjej llojshmëri temash e, midis tyre, edhe temën e politikës, të cilën poetesha Hoti e sheh si “art të vështirë të drejtimit” por personalitetet politike duhet të jenë njerëz të dijes dhe të veprimit, trima, të guximshëm. Ata duhet ta udhëheqin vendin drejt zhvillimit e përparimit. Ndërkaq, poetesha  godet fort dhe shfaq kundërshtinë e saj ndaj atyre njerëzve që ëndërrojnë dhe marrin pushtetin si mafiozë, me “hile dhe mashtrime”, ata nuk duhet të angazhohen në politikë sepse, siç tregon përvoja, vjen çasti që ata, për interesat e tyre të vogla  e meskine, s`e kanë për gjë të godasin deri edhe zgjedhësit e vetë “me goditje pas shpine”. Madje, këtë ide, poetesha Hoti e zbërthen bukur edhe te poezia: ”Ç`më tha një dallëndyshe!”, ku, në mënyrë figurative, ajo shpreh një merak dhe mesazh të madh, që, ne shqiptarët duhet ta mbajmë në qendër të vëmendjes:“Pa pritur më edhi  një dallëndyshe,Vendosi të pushoj në kraharorin tim,/Ngadalë më tha:”Nga armiku jem liruar,/Por armikun e kemi tani, në çdo shtëpi,/Kujdes çfarë t`flasësh e me cilin po rri,/Jemi bërë hasëm në përgjithësi!”

Poetesha jep si pa kuptuar mësime për jetën, veçanërisht me poezitë  më të bukura: ”Siç bren krimbi drurin e njomë,/ E dobëson, e kalb ende pa u rrit,/Ashtu dhe  e keqja, egër vepron,/Te filizat fëmijë dhe tek të rinjtë./ Dhe, në vazhdim ajo këshillon me një gjuhë të bukur poetike:”Ta largojmë të keqen nga vetja,/Edhe nga jeta e tjetrit ta largojmë,/Ndryshe ajo na infekton t`gjithëve,/Nga epidemia të gjithë e pësojmë.”

Një poezi origjinale dhe interesante është  “Ujkun te dera”, ku, mbështetur në krijimtarinë popullore, znj. Hoti zbërthen mesazhin e popullit se  e keqja shpesh herë nuk të vjen nga ata që  s`të njohin, por nga të njohurit, ata që të dinë deri edhe sekretet e shtëpisë, nga këta lloje njerëzish pa karakter dhe me vese, duhet të ruhet njeriu. Ndaj ajo shprehet në mënyrë poetike: ”Populli thotë,/I huaji s`ta di shtëpinë,/“Yti” bëhet i keqi,/ai ta sjellë ujkun në shpinë”.

Janë të pranishme në këtë vëllim edhe poezitë ku portretizohen bukur njerëz të dashur, të thjeshtë dhe personalitete, por edhe ku përshkruhen dhe analizohen në mënyrë poetike dukuri e fenomene të jetës, episode të shumta që plotësojnë mozaikun artistik të këtij vëllimi dhe që i japin ”Feniksit” kolor e shkëlqim të veçantë. Natyrisht që, edhe te ky vëllim, ashtu si dhe te “Pyesni zemrën”, poezitë  me temë dashurinë, zënë vend të rëndësishëm, ndërkohë që, është shumë interesante vëmendja që tregon poetesha apo qëndrimi që ajo mban ndaj dallimeve artificiale e të stisura mes gjinive mashkullore dhe asaj femërore.

Tema e çlirimit të Kosovës, e kontributit të luftëtarëve trima dhe dëshmorëve që dhanë jetën për liri e pavarësi, është në bosht edhe të këtij vëllimi, ndërsa shfaqet nderimi dhe respekti për dëshmorët e rënë, poetesha godet me gjuhën e sarkazmës ato raste kur disa individë nëpërkëmbin heroizmin popullor, kur mbulohen me mjegull apo lihen në harresë ato akte të rëndësishme heroizmi apo, kur, shpërdorohet disa herë besimi i popullit si dhe sakrificat për liri e pavarësi. Madje, vjershën “Prapë vijmë e ju çlirojmë”, poetesha Emine S. Hoti e nis me vargjet e shqetësuara:Një zë po dëgjohet,/ Nga amshimi po vjen,/Ku i kam trojet që u lanë me gjak,/Ku gjenden bijtë luftëtarë!” Dhe, duke radhitur emrat e shumë heronjve dhe dëshmorëve: Skënderbeu, Hasan Prishtina e Gurakuqi, Azem Bejta e Shota, Adem e Hamz Jashari, Fehmi e Gjeva Lladrovci, Ibrahim Rugova etj, duke rrëfyer poetikisht sakrificat e mëdha që janë bërë në shekuj për tokën dardane - Kosovën, poetesha e mbyll këtë poezi domethënëse me vargjet: ”...Nëse ju gaboni e nuk i mbani,/Na pritni neve prapë  vijmë e ju çlirojmë!”.

“Fenisk” mbyllet me poezinë kushtuar “Ushtrisë heroike të Kosovës”, një poezi origjinale e shkruar me frymëzim, që pasqyron drejtpërdrejtë momentin e madh të krijimit të Ushtrisë së Kosovës, e cila u ngrit mbi themelet dhe amanetin e dëshmorëve dhe heronjve të saj. Nëpërmjet kësaj poezia, Emine S. Hoti na përcjellë mesazhin se shqiptarët, gjithnjë kanë qenë dhe janë një popull paqedashës. Ushtrinë ata e kanë ngritur për të mbrojtur trojet e tyre. “Urime Kosova jonë, e gëzofsh ushtrinë,/Mbrojtëse t`fortë të pavarësisë e lirisë,/Do të jetë sot rinia me uniformë ushtari,/Shqipja e lirisë do t`ju qëndrojë te balli./Urime 14 dhjetori i shtetit tonë sovran,/ Urime ju o vasha, e ju  djema kapedanë,/Sot jemi Shota, Buletin e Adem Jasharë,/Jemi Skënderbegas dhe Ismail Qemalë./Trojet e lashta dardane ju sot i garantoni,/ Amanetin e dëshmorëve m`lart po e çoni,/Me gjithë zemër uron Eminja mërgimtare,/Rrofsh në mijëvjeçarë ti ushtri  fitimtare!” Kështu, edhe një herë tjetër, kjo “Marigo shqiptare”, e cila me pasion e dashuri qep e qëndis veshje tradicionale shqiptare në Norvegji dhe i shpërndanë ato falas në vende të ndryshme të botës, atje ku i krijohen mundësitë, tregon edhe njëherë me frymëzim dhe me vepra se është një grua  e rrallë, një atdhetare madhe shqiptare në emigracion.

Poezitë e vëllimit “Feniks” na bindin se “miniera” krijuese e poeteshës Hoti, përvoja e saj e gjatë dhe plotë peripeci e përpjekje për mbijetesë, por edhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e femrave, ashtu dhe dashurinë e saj të nëpërkëmbur, përmbajnë vlera të shumta, që lexuesi do t`i ndjejë e përjetoj gjatë leximit të vëmendshëm. E, për rrjedhojë, në këtë “minierë” krijuese, sa më shumë të “gërmosh”, aq më shumë gjëra të bukura e me vlerë do të gjesh, teksa vet poetesha, me shpirtin  saj kristal dhe me stilin  e thjeshtë, i bënë ato më të dukshme e transparente, duke shfaqur mesazhe të qarta, por edhe figura stilistike  letrare që kanë efekte të dukshme artistike, veçanërisht krahasime, metafora, simbole, epitete, shprehje frazeologjike popullore, të cilat i kanë dhënë më shumë ritëm poezive, duke zgjuar interesa te lexuesit, duke i bërë ata kureshtarë për të zbuluar shkaqet e dukurive dhe fenomeneve që fokusohen e paraqiten në vëllim.

“Feniks”na mbush shpirtin me besim e shpresë  se, edhe të tjera krijime të bukura do të kemi shansin të lexojmë dhe përjetojmë në të ardhmen nga poetesha shqiptare - norvegjeze Emine S. Hoti, e cila krenohet si rrallë kush me kombin shqiptar, me përpjekjet e luftëtarëve të lirisë për mbijetesë, si dhe me betejat historike në shekuj e mijëvjeçarë për liri e pavarësi.