Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Kërcënimet ndaj sigurisë botërore, në rrezik edhe Ballkani Perëndimor

| E enjte, 31.01.2019, 08:12 PM |


KËRCËNIMET NDAJ SIGURISË BOTËRORE

NË RREZIK EDHE BALLKANI PERËNDIMOR

Nga Frank Shkreli

Zyrtarët më të lartë të zbulimit amerikan, përfshirë Drejtorin e FBI-së, Chris Wray dhe Drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, paralajmëruan për kërcënimet në rritje e sipër ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj sigurisë botërore, si pasojë e bashkpunimit në rritje e sipër midis Kinës dhe Rusisë.  Ata paraqitën të martën raportin vjetor - para Komisionit të Senatit për Zbulimin të Shteteve të Bashkuara – dhe për të dhënë dëshmi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota këtë vit.

Përveç dëshmive nga ai vet dhe nga udhëheqsit më të lartë të enteve të Zbulimit amerikan, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i dorëzoi Komisionit të Senatit raportin vjetor me vlerësimet e enteve amerikane të Zbulimit, për paralajmërimet ndaj kërcënimeve që i kanosen sigurisë kombëtare dhe botërore.  Z. Coats shkruan në parathënien e raportit që i dorëzoi Senatit se, “Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara do të shtohen dhe do të marrin forma të ndryshme gjatë këtij viti, shkaktuar pjesërisht nga bashkpunimi i ngushtë midis  Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që ato do të garojnë më intensivisht në nivel ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët dhe partnerët e tyre tradicionalë.  Garat po ndodhin në të gjitha fushat, përfshirë konkurrencën për superioritet teknologjik dhe ushtarak, përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vlerat, si pjesë e kësaj gare.  Rusia dhe Kina po përpiqen të përcaktojnë dinamikat e sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë rajonale dhe të ushtrojnë njëkohësisht influencën e tyre politike dhe ekonomike në të gjitha rajonet e botës, e sidomos në rajonet gjeografike afër tyre”, thuhet në raportin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.   Drejtori i Zbulimit Kombëtar.  Z. Dan Coats u tha gjithashtu anëtarëve të Komisionit të Senatit se Rusia dhe Kina e ndoshta edhe vende të tjera do të përpiqen të përdorin mediat sociale dhe mjete të tjera, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Në raport theksohet fakti se “Kina dhe Rusia kanë lidhur një aleancë më të fortë se kurdoherë tjetër, ndoshta ç’prej viteve 1950-ave, duke nenvijuar se ka të ngjarë që këto lidhje të forcohen edhe më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur përputhen disa prej interesave të tyre, në kundërshtim me vlerat demokratike perëndimore dhe të zbattimit të drejtave bazë të njeriut.”   Në parathënie të raportit mbi kërcënimet ndaj sigurisë botërore, dorëzuar të martën Senatit, nënvijohet gjithashtu se, “Ndërkohë që Kina dhe Rusia po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre globale, ato njëherazi po shkelin edhe normat e sigurisë, të njohura dhe të pranuara tanimë, ndërkombtarisht, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun për shpërthimin e konflikteve rajonale, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, theksohet në raport.

Eskpertët e Zbulimit amerikan shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre se k[saj atmosfere pasigurie për botën kontribon edhe fakti se aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara po kërkojnë një pavarësi gjithnjë e më të madhe nga Washingtoni, në përgjigje të atyre që ata supozojnë se janë ndryshime në politikat amerikane të sigurisë dhe të tregëtisë, ndërkohë që tregohen më të gatëshëm se në të kaluarën që të arrijnë marrveshje për partneritete dypalëshe ose shumëkombëshe.  Ndër të tjera, ata paralajmërojnë se sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më shumë nën trysni - përballë kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, përhapjes së armëve bërthamore, garës në hapësirë dhe konflikteve rajonale.

Raporti i agjencive amerikane të Zbulimit ven në dukje edhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë botërore, duke përmendur terrorizmin si një kërcënim ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.  Imigrimi, sipas raporti, përbën gjithashtu një problem që nxit tensionet, jo vetëm midis disa shteteve por edhe në nivel global.  Trazirat politike po shtohen në shumë rajone të botës ndërsa po zhbëhet qeverisja e mirë, nënvijojnë shefat e enteve të Zbulimit amerikan.

Si një ndër problemet me të cilat përballet bota këtë vit, sipas raportit të agjencive amerikane të Zbulimit, është edhe rritja e nacionalizmit në Evropë, si një dukuri kjo që nxit tensione në kontinent dhe më gjërë.  Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet për parlamentin evropian, në fund të muajit Maj, sipas raportit, do ta bëjë të vështirë që Bashkimi Evropian dhe udhëheqsit e vendeve të ndryshme evropiane, të mund të përballen me përpjekjet në rritje e sispër të Rusisë dhe Kinës, për t’i përçarë ata nga njëri tjetri dhe për t’i larguar nga Shtetet e Bashkuara.  Raporti thekson se ka të ngjarë që Rusia dhe Kina të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur influencën e vet në Evropë në kurriz të interesave amerikane, duke përfituar në këtë mënyrë, jo vetëm nga problemet ekonomike në disa vende, por edhe nga mosmarrveshjet transatlantike dhe nga rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin evropian në Maj, ndërsa pritet që parti të ndryshme nacionaliste evropiane të shënojnë fitore të dukshme në ato zgjedhje.  Raporti përmend gjithashtu si faktor i pasigurisë edhe, “Ambiciet rajonale të Turqisë, mosbesimi i saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe autoritarizmi në rritje e sipër i udhëheqësve turq, po ndërlikojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që po e bëjnë Ankaranë më të gatëshme dhe më të vullnetshme të sfidojë objektivat rajonale të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti i ekspertëve amerikanë të Zbulimit mbi kërcënimet, gjatë vitit 2019 ndaj sigurisë botërore, parashikon gjithashtu një të ardhme të zymtë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku thuhet se: “Pothuaj është e sigurt se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mbetet i rrezikuar nga dhuna në nivel të ultë, ndërsa ka mundësi edhe për një konflikt të hapur ushtarak gjatë gjithë vitit 2019.  Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike të rajonit dhe njëkohësisht të përfitojë nga korrupsioni i lartë që ka pllakosur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i pengojë ato vende të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s”, thuhet në raport.

Në këtë situatë të zymtë që parashikon raporti vjetor i enteve të Zbulimit amerikan për botën në përgjithsi dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më në gjëndje të dobët – të pakën këto 30-vjetë post-komunizëm – për të kundërshtuar influencat e huaja, sidomos influencat nga Rusia, Turqia e deri diku edhe Kina.  Korrupsioni i lartë, gjëndja e mjerueshme ekonomike dhe mos-stabiliteti politik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, janë një pikë e dobët dhe përbëjnë një fushë të dobishme veprimi dhe shfrytëzimi – në mungesë të normalitetit politik dhe ekonomik shqiptar – për interesat anti-shqiptare   të Rusisë, Serbisë, Turqisë, Greqisë, e të tjerëve.

Siç mund të shihet edhe nga raporti amerikan mbi kërcënimet që i kanosen sigurisë botërore gjatë këtij viti, rreziqet janë të mëdha edhe ndaj fatit dhe interesave kombëtare dhe të sigurisë së Shqiptarëve në trojet e veta.  I takon kësaj klase politike që të ushtrojë maturi politike dhe diplomatike – por mbi të gjitha atdhedashuri - në këtë botë të pasigurt dhe plot kërcënime, duke ndenjur larg interesave të huaja dhe provokimeve të tyre dhe të mos joshen me “miqësi” të rrejshme - nga shtete që, historikisht, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve.  Këto janë kohëra shqetësuese, për të mos thënë të rrezikshme, të cilat nevojitin njerëzit më mendje ndritur dhe më me përvojë që ka Kombi.  Rregulloni punët e shtëpisë, dhe ashtu siç jeni betuar, bëni detyrat që iu kanë besuar shqiptarët, para se të jetë vonë.  Kujdes, se kjo nuk është koha as vendi për të eksperimentuar me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kombit shqiptar, sidomos përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj sigurisë botërore dhe rajonale, siç paralajmëruan edhe shefat e enteve të Zbulimit Amerikan, në dëshmitë e tyre këtë javë, para Komisionit të Zbulimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.