Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Veterani dhe kulaku

| E marte, 29.01.2019, 07:22 PM |


Veterani dhe kulaku

Tregim

Nga Përparim Hysi

Si Veterani,ashtu dhe Kulaku ishin ardhës apo më mirë:jabanxhinj dhe qenë,që të dy, nga një krahinë juglindore e vendit. Njiheshin  qysh para luftës dhe gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, sado në fronte të kundërta, nuk ish se kishin ndonjë urrejtje, për jetë a vdekje, me njëri-tjetrin. Tek do tregoj për këtë raport midis tyre, me lexuesit dua të  bëj një"pakt": ndajshtimet"Veteran" dhe"Kulak" do t'i shkruaj me gërmë të madhe,në vend të emrave që kishin. Unë i kam njohur që të dy: edhe Veteranin, por edhe Kulakun. Veterani ka qenë i lavdishëm gjatë luftës,sa nuk ka  patur nxënës shkolle që nuk kish dëgjuar për të.

Në gjykimin tim ,- asnjëherë nuk dua të jem i njëanshëm.- nuk ishte burrë i keq: nuk mbahej   dhe as kapërdisej sidozot nga ndonjë i gjashëm që kish  bërë "kiametin" gjatë luftës. Jo vetëm kaq: kurrë nuk qe bërë bezdi në lagjen ku jetonte që të mbushte "pushkët" e t'i zbrazte kundër armikut të klasës. Qe mplakur goxha dhe rronte, kur i thonë fjalës:të shtynte "Ditët e prapme të Pompeut". Këto fjalë në thonjëza janë të miat,se ai,Veterani,sado që kish luftuar dhe kish bërë emër në luftë me njësitin e tij,as që dinte në kish në botë as Cezar dhe as Pompe. Qe një luftëtar,den baben fshatar i atij tipit të KOMANDANTIT RRAPO që e ka ngritur në apogje, DRITËROI tek romani"Komisari Memo".

Gjatë luftës,Veterani, kish bujtur në këtë shtëpinë e këtij që sot është kulak.

Kulaku ka patur një shtëpi të madhe ( më të madhen në krahinë) dhe  aty, në atë shtëpi, kanë bujtur partizanë dhe nacionalistë(ballistë). Në këtë shtëpi rronin 6-vëllezër me familjet e tyre dhe,sado që dhanë për luftën (djali i njërit prej vëllezërve shkoi partizan), megjithatë, aty nga viti 1947, vëllan e madh e arrestuan (kish përkrahur Ballin) dhe në burg,pa dalë në gjyq, një nga policët e "zellshëm" e hodhi kollotumba nga shkallët dhe vdiq "pa dhënë llogari para (Ç)Drejtësisë Popullore. Që nga kjo kohë, kur thonë në Myzeqe"Ferra e mori Uratën". Filloi mbi  këtë familje të ndershme, e ashtuquajtura "lufta e  kllasës" dhe Familja e madhe u cilësua me titullin famkeq:kulak. Ua morën pasurinë: me laçkë e plaçkë dhe ua bënë jetën të padurueshme.

Atëherë, për t'i shpëtuar sadopak kularit që po u vinin mbi qafë, në vëllazëri u mor një vendim: të ndaheshin mëdysh.

Dy vëllezër me atë pak ekonomi të mbeteshin aty dhe tre të tjerët, së bashku me familjen e vëllait  të ndjerë,shtegtuan në Myzeqe. Sado larg e larg mërguar/dy male kaptuar,damka e"artë" e kulakut nuk iu hoq nga balli.

Sidoqoftë, me punë sfidonin taksat e rënda (ato si  me shaka,Kulaku, i quante "thela mbi bisht", dhe, pothuaj,rronin barabar me bashkëfshatrët e tjerë.Por... ku të lë i ligu që të ngresh kasolle. Persekucionet mbi këtë familje u shtuan,por Kulaku qe burrë i zgjuar që nuk ia hante qeni shkopin dhe ku me zotësi dhe ku me"dhelpëri" arrinte që ta zbuste,sado pak trysninë që binte mbi këtë familje që,sado e copëtuar, përsëri ishte goxha e madhe. Kulaku vet, pothuaj, nuk punonte. Punonin vëllezërit,gratë e shtëpisë dhe fëmijët, rritur pa rritur. Vet Kulaku qe si një farë"menazheri", kur thonë sot, dhe qysh në rininë e tij ,kish një ves: qe pijanec i madh. Jetoi mbi 90-vjeç dhe nuk e zmadhoj, po të them: ka pirë një autobot me raki. Më sakt:gjatë jetës ka pirë më shumë raki se sa ujë. Sado që pinte, kurrë nuk bëri sherr me njeri dhe nga mendja qe qiqër:si esëll,ashtu dhe kur ish i pirë. Duhanin kurrë nuk e ndau nga buza dhe tërë jetës e pinte me çibuk. Sado burrë i moshuar, kurrë nuk mbajti mustaqe (kam frikë se m'i presin,-shpotiste ai) dhe, kur i thosha:- Pse pi duhan me çibuk, më përgjigjej,natyrisht nën zë:-Dua t'i ngjaj atij "mustaqefshesës" që na solli këtë modelin e"kulakut". Mustaqefshesa qe Stalini. Kam shumë kujtime për këtë"Kulakun" se ne qemë miq familjarë  me të. Ky,Kulaku, gruan e kish kushërirën e parë të babait tim dhe ai, vëllai, që e hodhën nga shkallët kish grua hallën time. Epo ne,skraparlinjtë (se andej qe edhe Kulaku) bëjmë marrje-dhënie apo ilakara të përsëritura).

Me Kulakun banonim përballë njëri-tjetrit në dy pallate që kish ndërtuar ferma. Unë qeshë kryetar i Fontit për fshatin dhe, kur shkoja për të vjelë kuotat e Frontit (dy lekë të vjetra në muaj),merja vetëm lekët për të shoqen që ishte anëtare,se kulakët qenë të përjashtuar, ai,sado që e dinte, më thoshte:- Po unë? Ti,- i thosha unë,- je kulak dhe nuk ke triskë fronti.

Po të linte rehat ai:- Po unë ç'bëj me këtë të"fronit" apo dhe për këtë do"kapar" dhe ia jepte të qeshurës. Por unë as që do ta shkruaja këtë tregim, vetëm për kaq. Tregimi vazhdon me gojën e"Kulakut".

*     *    *

Unë  kisha zbritur në qytet për një hall. Tek pirisja për të gjetur ndonjë të njohur që guxonte të ulej me mua,kur u shfaq VETERANI. Qemë takuar dhe më parë me të dhe,sado më i madh nga unë në moshë (ai i kish kapërxyer të shtatëdhjetat), kish marrë pak nga ai "huqi" im. Donte të pinte, por, pak ndryshe nga unë: unë gjithmonë me xhepin tim, ai kish filluar që të pinte qelepir. Sa më pa, sikur t'i digjej xhani për mua, bërtiti:- U,"Kulaku!!". Jo vetëm më takoi,por më hodhi duarët në qafë, pa iu dridhur musteqja e Veteranit. Bëra sikur e kafshova grepin që më hodhi dhe, tek më shtyu si me dashuri drejt klubit, priti që të bëja porosinë.

Epo as vrarë e prerë nuk qeshë me të dhe as atë"samarin" mbi kurriz nuk ma vuri ai dhe, tek mija,qindi, kur thonë, bëra porosinë:

- Na sill nga një teke raki,- porosita unë.

- Atë timen,- tha Veterani,- bëje dopio dhe një meze me mëlçi.

Thashë me vete:-Mos kujton atë kohën  e partizanllkut atje në shtëpinë tonë të madhe që nuk na mungonte gjëkafshë dhe nuk e di që"kulakllëku" më ka bërë për leqendi.

Megithatë, bëra sikur nuk e shihja atë"grep" që më kish zgjatur dhe aty,për aty,mendova:- Nëse ka katandisur si qelepirxhi, do ta vë në provë:

- Edhe nga një teke,- përsërita unë.

- Atë timen, dopio dhe një meze me mëlçi!!!

-Aha,- thashë me vete,- paska vdekur Veterani dhe qenka gjallur "qelepirxhiu". Siç duket, Veterani i kish bërë hesapet, pa e pyetur "hanxhinë". E ktheva teken time të dytë   dhe i thirra kamerieres.

Kur erdhi ajo, i thashë:- Këtu mbaj lekët për dy teket!

- Po të miat?- thuaj se bërtiti ,Veterani.

-Epo ne, kulakët,- shpotita unë,- s'para i begenisim mezetë,se na bëjnë dëm dhe që ta dish ti, mor mik, kulakllëkun nuk  ma heq dot!

Kur thashë kështu, të pranishmit shqyen sytë dhe ua lexova buzëqeshjen. E lashë atje, të krrusur dhe nuk e di a ia preva huqin?

Por kjo histori nuk mbaron me kaq.

Si  Veterani dhe,pas tij,Kulaku e lanë këtë jetë. Aty,prag përmbysjes së diktaturës, në vitin 1989 Kulakut iu hoq ajo damka nga balli. Qe 90-vjeç dhe ndërroi jetë,ardhur pa ardhur demokracia. Në vitet e para të demokarcisë, djali i KULAKUT që me djersë e gjak,duke punuar murator në sektorin e ndërtimit në fermë,sapo kish mbaruar  shtëpinë me dy kate. Qe i vetmi që veproi kështu. Qe sfidë për pushtetin që i kish punuar qindin. Por sa krahënjomë dhe i zoti i punës që qe, aq nuk  harronte ato që kish hequr familja në kohën e diktaturës. Sado që  nuk qe"ngopur" me shtëpinë e re, sa erdhi demokracia,e shiti.

-Nga do  ia mbash?- e pyeta.

-Drejt e në Tiranë,- më tha.

- Në  Tiranë?- pyeta dyshueshëm unë.

-Atje,- më tha. Vetëm me një qëllim:- Do ble shtëpinë ku u themelua partia! Jo vetëm do  ta ble,- vazhdoi me optimizmin e tij,- por do ta ribëj dhe do shkruaj mbi mur:- Qesh ai që qesh i fundit!

Shkoi,por imukshëri nuk e bleu dot atë shtëpinë,se nuk shitej dhe mendonin se do mbetej si shtëpi-muze.

I thyer nga mosplotësimi i kësaj dëshire, atëherë u kthye në Durrës dhe mu tek" Vila e Zogut" ngriti shtëpinë dyktashe që e ka  dhe sot.

Nipi i Veteranit jo vetëm aderoi në PD,por u bë kuadër me rëndësi atje ku aderon dhe sot.

Janë të çudtishme "kthesat historike" që dominojnë dhe mbi fatet e njerëzve.

Tiranë,  20 janar 2019