E premte, 29.03.2024, 05:30 AM (GMT)

Kulturë

Milazim Kadriu: Nusret Pllana - Qëndroi shqiptarisht

E marte, 29.01.2019, 07:21 PM


LARG JEHOI ZËRI KUMBUES I SELIM BERISHËS  DHE KRISMA E PUSHKËS SË TIJ

Nusret Pllana “ Qëndroi shqiptarisht ” ( Monografi për dëshmorin Selim Berisha ) – Prishtinë, 2001

Nga Milazim F. KADRIU

“ Kjo le të jetë shembull për të gjithë ata që

kanë  menduar se liria fitohet duke ikur.

Liria fitohet duke qëndruar, duke vdekur si ky trim. “

Demaçi

Me këto fjalë të simbolit të rezistencës shqiptare, Bacë Adem Demaçi e nisë  monografinë kushtuar dëshmorit Selim Berisha të titulluar “ Qëndroi shqiptarisht ”, autori Nusret Pllana. Këtë monografi për dëshmorin nga Drenofci i Prishtinës, Selim Berisha, autori e ka konceptuar në tetë pjesë ( Liria nuk është larg, Jehona e aktit të qëndresës në mediat shqiptare, Përshkrimi i ngjarjes, nga dëshmitarët, Nga trashëgimia e shkruar e dëshmorit, Mbresa dhe përkujtime (vjersha e hartime të nxënësve për arsimtarin - dëshmor), Nisiativa për riemërimin e shkollës fillore të Barilevës, Njohja e statutit të dëshmorit, Ceremonia  përkujtimore në përvjetorët e rënies ).

Në pjesën e parë të librit autori na sjell një reportazh të transmetuar nga Radio “ Kosova e Lirë ” , më 20 mars 2000, në një vjetorin e rënies së dëshmorit Selim Berisha. Mes tjerash në këtë reportazh  thuhet: “ Herët ishte nisur në rrugën e lirisë, Selim Berisha. Ai edukoi brezat në frymën kombëtare. E urrejti filozofinë e pritjes dhe të nënshtrimit. Deshi t’i tregojë botës se intelektuali shqiptar kur t’i cenohet nderi kombëtar, ai di të shikojë edhe me grykën e pushkës. Pushka e tij ishte krismë e lirisë, ishte tmerr për gjakësorët e Serbisë ”

Pastaj në libër autori sjell një shkrim biografik të titulluar “ Nga lindja deri te rënia ” . Aty lexuesi gjen edhe rrëfimin e nënës së Selimit, Hatës për historinë e dajave të Selimit, që është një rrëfim emocional dhe mallëngjyes, por dëshira e Selimit ishte që të dijë sa më shumë për historinë e dajave të tij, familja Dedija nga Penuha e Llapit. Selimi nga rrëfimi i së  ëmës u njoh me historinë sa të dhembshme aq edhe krenare të dajave të tij. Pastaj në monografi autori shkruan për jetën e dëshmorit Selim Berisha  si nxënës  në Shkollën Normale në Prishtinë, zhvendosjen e tij në Shkollën Normale “ Hasan Prishtina ” të Mitrovicës, ku në një rast si nxënës i kësaj shkolle gjatë një vizite në Skenderaj takohet me Hamzë Jasharin  nga i cili merr dhuratë librin “ Poezi të zgjedhura “ me autor Filip Shiroka & Luigj Gurakuqi. Pastaj autori shkruan për inkuadrimin e Selimit  në procesin edukativo arsimor në vitin shkollor 1973/74, Demonstratat e vitit 1981, për vëlimet politike  të pranverës së vitit 1989 si dhe një evokim nga vëllai i dëshmorit, Qazimi ku ai evokon kujtime kur Selimi ngarkohet me detyra ushtarake. Selimi nga fundi i qershorit  1998,  ngarkohet me detyrën e propaganduesit të luftës dhe me detyrën për informim të shërbimit sekret të UÇK-së për rajonin e fshatrave të kësaj ane. Në fund të kësaj pjese autori shkruan për rënien heroiket të dëshmorit që ra me armë në dorë në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës.

Në pjesën e dytë autori na sjell shkrime  ku rënies së dëshmorit i dhanë  publicitet  shtypi dhe mjetet tjera shqiptare të informimit. Kështu akti i qëndresës dhe rënia heroike e dëshmorit Selim Berisha pati një jehonë të madhe.

Në pjesën e tretë të librit  kemi përshkrimin e ngjarjes së 20 marsit të vitit 1999  në Drenofc nga dëshmitarët si Hakif Kadriu, arsimtar nga Babimovci, Veton Berisha, nga Drenofci, Hysen Peshku, nga Barileva. Pastaj disa kujtime, vlerësime dhe përshtypje për dëshmorin Selim Berisha nga Behxhet Rexha, Rimanishtë, Xhevat Musliu, ish-mësimdhënës i Shkollës Normale në Prishtinë, Hysen Peshku, Barilevë etj.

Pjesa e katërt është titulluar “ Nga trashëgimia e dëshmorit ” ku janë përmbledhur disa shkrime dhe poezi të autorit që kanë mbetur në dorëshkrim dhe janë gjetur pas luftës. Shkrimet e dëshmorit janë : Djaloshi në rrugën e reprezaljeve, Popullit duhet ti thuhet e vërteta, Do të vijë koha kur Kosova do t’i shkëpusë prangat e robërisë. Po ashtu janë edhe disa mendime të shkruara në një tekst historie, i cili i kishte shpëtuar djegies. Dëshmori Selim Berisha ka lënë edhe një numër poezish të shkruara kohë pas kohe e që autori i monografisë i ka sjell katër poezi që kanë shpëtuar nga flakët e zjarrit që barbarët serb dogjën shtëpinë e dëshmorit. Këto poezi mbajnë titujt : Kosovë ta falsha gjakun, Do të vijë një ditë, Nuk do të vdes dhe Nxënësve të mi.

Ja disa vargje nga poezitë e dëshmorit Selim Berisha:

Kosovë ta falsha gjakun

Ty Serbi ta pafsha flakën

Pjellë fashiste në zemër të Ballkanit

Krimet tua po tmerrojnë botën

Në gjenet tua flejnë viruset e krimit.

………………………………….

…………………………………

Pushka e parë nëse dëgjohet

Ato janë flakë e lirisë

Humbje s’do të kemi veç fitore

Lum ai që këtë ditë e prêt.

Dëshmori Selim Berisha ishte shumë i kujdesshëm për nxënësit e tij, ai përpos angazhimit në procesin edukativo - arsimor nxënësve u dilte në mbrojtje kur ishte nevoja, në ato kohë të pa kohë që ishin në vendin tonë. Pas një kërcënimi të nxënësve të tij nga ana e policisë serbe u doli në mbrojtje madje këtë e shprehu edhe përmes vargjeve në poezinë “ Nxënësve të mi ” të shkruar më 24 shkurt 1999, katër ditë më pak se një muaj para se të binte dëshmor :

I shikoj nxënësit e mi

Të gjithë si molla në degë

Në zemër diç më djeg

Çfarë fati do t’i pret.

Bisha e Karpateve

Po i ngul dhëmbët gjithkund

Edhe në pëllumbat e bardhë

Që janë ardhmëria jonë.

Unë jam këtu,

Dhe këtu do të gjendem

Do t’i mbroj me krih

Do t’i fus nën sqetull

Në pjesën e pestë të kësaj monografie  prezantohen poezi, këngë, hartime dhe kujtime të nxënësve të SHF “Ali Kelmendi” në Barilevë, kushtuar dëshmorit Selim Berishës. Këto krijime janë shkruar nga këta nxënës : Albina Peshku, Alban Berisha, Floriana Berisha, Besart Gashi, Shpresa Januzi, Trime Leci, Jashar Gashi, Shkurte Shala, Liri Leci, Edona Gashi, Shyhrete Shala, këngë për dëshmorin Selim Berisha e shkruar nga Mehmet Çunaku e kënduar nga Mahmut Ferati dhe kënga  e kënduar në manifestimin përkujtimor më 20.03.2000 nga Leonora Shala dhe grupi i vajzave të kl.VII-2 të shkollës “Ali Kelmendi” në Barilevë nën përkujdesjen e profesoreshës Afërdita Leci, pastaj hartimet e nxënësve : Makfire Hasani, Abedin Shala, Hava Çunaku, Bahrie Çunaku, Fisnik Rexha, Liridona Shala, etj.

Në kapitujt në vazhdim të kësaj monografie autori sjell të dhëna për nisiativën që shkolla e Barilevës  të mbaj emrin e dëshmorit Selim Berisha ngase ai aty punoi kohë të gjatë dhe në mbrojtje të vendit dhe shkollës dha nga vetja gjithçka, madje edhe gjënë më të shtrenjtë jetën e tij. Pastaj vendimi i shpalljes së Selim Berishës dëshmor, vendim që u mor nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, Zona e V-të Mbrojtëse në Prishtinë. Në pjesën e fundit autori sjell shkrime nga manifestimet përkujtimore për dëshmorin Selim Berisha, si dhe disa nga fjalët e rastit që janë mbajtur në këto shënime përvjetorësh nga : Adem Demaçi, Riza Xhakli, Jakup Kasniqi, Hazir Shala, Naim Maloku, Nusret Pllana etj.

Mund të konstatojmë se monografia “ Qëndroi shqiptarisht ” e autorit Nusret Pllana kushtuar dëshmorit Selim Berisha, u bashkohet librave tjerë të historisë së UÇK-së që janë thesar i Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Besianë – Janar 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora