E premte, 29.03.2024, 12:28 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Diç nga e diela e fundit e janarit

E hene, 28.01.2019, 08:33 PM


Diç nga e diela e fundit e janarit

Nga Blerim Rrecaj

Në mëngjes nisemi për vendlindje për në të pame, për kryeshëndosh te disa të afërm, kusherinj. Edhe ai i moshuar tashmë i takon siç thuhet botës së të shumëtëve. Edhe me të na lidh ndonjë ndejë, ndonjë fjalë, ndonjë kujtim...

Më pas lëmë vendlindjen të mbuluar me shtresën e bardhë si jorgan dhe kthehemi e ndalemi në kryeqytet si me rreze tërheqëse magnetike. Nga ndërtesa e kuvendit dalin ata që bëjnë homazhe për të riun që vdiq nga ai ortek bore në Brezovicë. E na duket se te filmi: "Tre vetë kapërcejnë malin" kemi dëgjuar shprehjen: " Dy vdekje s'ka e nga njëra nuk shpëton dot". Gjatë bisedave na kujtohet tragjedia e dikurshme dhe gjetja gjallë e Amsera Rekës nga ushtarakët tanë trima në Restelicë. E tash vazhdon edhe kjo ditë me diell pranveror që zbut e shkrin borën. Shumë njerëz kanë dalë për të ecur, të nxitur edhe nga këto rreze të shëndritshme dielli. Dikush diku në një vend u hedh kafshata buke që merr nga qesja që mban me njërën dorë dhe rreth tij janë grumbulluar një tufë prej qindra pëlumbash që hanë nga duart e tij, largohen e kthehen përsëri. Përreth bamirësit të pëllumbave shitësit e drunjve të prera i presin blerësit, për të fituar diç në këtë jetë mbijetese për shitës e për blerës. Më diku pranë një përrocke me shtrat të betontë ca fëmijë hedhin topa bore dhe i shohin ata duke u bartur nga uji i cili njëkohësisht i bën të tejdukshëm, i shkrin e i tret rrjedhës së vet. S'mungojnë as buzëqeshje gazmore të fëmijëve gjatë rrugëtimeve të tyre të shpejta, me saja nga shpatet e pjerrëta. E diku tek ca rrënjë të zbuluara te ndonjërit prej drunjëve kapur për tyre qëndrojnë ca heshta a thika që duken si armë ilire të ftohta që qëndrojnë si të ngujuara nëpër vitrina të muzeve. Gjatë ecjes ndalemi edhe aty ku bora e mbetur me vija të trasha, rri e bën qejf mbi degë drunjësh dhe e nxitur edhe nga rreze dielli tek tuk bien si për të lehtësuar supet e tyre, njashtu si ndonjë pamje nga spoti i këngës së fundit të Eliza Hoxhës me titullin "Peng". Diku mbi supet e një bredhi kësulat e borës shkrihen duke u shndrruar në burim pikash të pandërprera lotësh, ndërkohë që mbi bredh lodrojnë dhe ca re të bardha, borë. Edhe kjo e diel është kah ec. Dhe hapat e muzgut fillojnë t'ia ndalin vrullin shkrirjes dhe t'i rrallojnë të rrahurat e tik-takeve të strehëve. Një valë e madhe sorrash pushtojnë qiellin prej 'Newborn'-it e deri te 'Grand'-i dhe duket sikur ia kanë mësyer për të bujtur sonte në këtë hotel. Dikush vrapon për ta zënë njërin nga autobusët ndërkohë që dëgjohen sirena policie. E dikush flet me dikë për mundësinë që të lahet në një pishinë të brendshme...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora