Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Miserdhe Rexhepi, mëmëzonjë të folkorit të labërisë

| E diele, 27.01.2019, 12:08 PM |


MISERDHE REXHEPI, MËMËZONJË TË FOLKORIT TË LABËRISË

Nga MSc. Albert HABAZAJ - studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Vitet e fundit, në Vlorë dhe në Labëri janë bërë mjaft botime monografike, historike, folkorike dhe letrare, të cilat kanë pasqyruar historinë dhe jetën e këtyre trevave me dëshmi e dokumente të reja. Po sot, përpara Rrapit të Lepenicës - Namik Hanos, djalit të madh të dëshmorit të lirisë Hano Rexhepi dhe Nënëmadhes Miserdhe Mançaj Rexhepaj, profesoreshës Myrvete [Rexhepaj (Xhaja)], vajzës së yllit me këngë Çlirimit, si dhe shkencëtarit të agrokulturës Kastriot Rexhepaj, nip i heroit, përpara studentëve të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë dhe studentëve të tjerë, pedagogëve, studiuesve e dashamirësve të librit e kulturës  shqiptare, në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë çelet gjerdani shpirtëror i veprimtarive të vitit 2019. Prolog i veprimtarive në nderim të Vitit të Plakut të Bardhë të Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemal Vlora Flamurit (24.01.1844-26.01.1919: 175 vjetori i lindjes dhe 100 vjetori i vdekjes), është promovimi i një libër të rrallë; “Miserdhe Rexhepi, rapsode e shquar e Labërisë”. E bën të veçantë këtë promovim libri, fakti që vepra ka personazh kryesor një grua labe, një atdhetare të njohur nga Lumi i Vlorës, Mëmëzonjë të folkorit lab, bartëse e shquar e këtij thesari shpirtëror dhe krijuese brilante e poezisë popullore, që i kalon hapësirat gjeografike dhe etnofolkorike të krahinës. Autori i veprës, prof.dr. Bardhosh Gaçe, përgjegjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkaniste të Universitetit “Ismail Qemali”, në gati një gjysmë shekulli kërkim shkencor e botime monografike, na ka dhuruar pothuaj të gjithë poetët popullorë dhe ata të kultivuar të Vlorës dhe të Labërisë, që nga kolosët e traditës Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika, etj., në fushën e fushën e folkoristikës; apo  të lartët vlonjatë të letrave shqipe Ali Asllani, Petro Marko e Fatos Arapi me studimet monografike gati shteruese në shkencën e historisë së letërsisë. Bota femërore e bartësve të folkorit të trevës, si krijimtari artistike specifike dhe po ashtu bota femërore e rapsodëve të këngës labe, këtij visari të paçmuar vjen për herë të parë për lexuesit dhe dashamirësit e fushës apo studiuesit e tjerë nëpërmjet librit “Miserdhe Rexhepi, rapsode e shquar e Labërisë” shkruar me seriozitet shkencor e dashuri njerëzore nga dora, mendja dhe zemra e profesorit të mbarënjohur Bardhosh Gaçe, këtij Babëzoti të devotshëm të foklorit dhe etnokulturës shqiptare.

Dëshiroj të shprehem edhe si përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, që ky libër dhe autori i saj na nderojnë edhe ne, si institucion kulturor dhe informues dhe njësi ndihmëse e Universitetit, me përurimin e veprës këtu, ku i takon edhe e meriton, në Bibliotekën universitare, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Ballkaniste të Universitetit, Shoqatën Kulturore Mabrëkombëtare “Ismail Qemali”, Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Labëria”, dega Vlorë dhe me familjen Rexhepaj. Në përputhje dhe me misionin e arsimit të lartë, Kërkoj prej Jush, theksoj se ky botim i prof. Gaçes është një kontribut i vyer për etnologjinë dhe folkorin shqiptar duke na sjellë një etalon të artë lokal me vlerat e veçanta të shpirtit atdhetar dhe artistik të një nëne të mrekullueshme labe, që familja e saj, si nga baba dhe nga burri, qe dhe mbeti vatër e ngrohtë e Plakut të Urtë të Flamurit dhe trimave të Pararësisë, një Pastërtore kombi, në të gjitha kuptimet më të mira e më të larta të fjalës, që me kohë emri i së cilës vjen e rritet. Libri na vjen vërtet në formën e një monografie shkencore, por funksionon shumë mirë e dobishëm edhe si tekst universitar për studentët e degës përkatëse jo vetëm në universitetin tonë, por edhe gjetkë, apo doktorantët që synojnë të arrijnë, falë emrit të madh që ka profesori ynë me shpirtin që derdh, diturinë, dashurinë profesionale dhe ndershmërinë akademike që na fal aq bujarisht. Nuk mund të quhet e plotë dita e sotme, nëse themi se me këtë libër realizuam thjesht një veprimtari letrare social-kulturore, sepse, duke e studuar tekstin me vëmendje e dëshirë, kuptojmë që kemi të bëjmë me një shërbim të çmuar në fushën e kërkimit shkencor në universitet. Libri ka një strukturë të qëmtuar me shtatë kre, ka album përfaqësues fotografik dhe aparat të plotë bibliografik sipas standardeve të shkrimit akademik dhe shkencës së folkoristikës. Pas hyrjes, kreu i parë na njeh me udhët e jetës të Miserdhe Tahir e Hamide Mançaj nga Velça (1900- 1983), kësaj zonje që dha e mori mirësi në Lepenicë, ku u martua me Hano Rexhepin e Epopesës së Vlorës, 1920, të Lëvizjes Demokratike, 1920-1924 dhe të viteve të Luftës së Dytë Botërore, ku ai fali gjënë më të shtrenjtë-gjakun dhe jetën e tij duke luftuar për Çlirimin e Atdheut kundër pushtuesve italianë dhe mercenarëve të Halil Alisë, më 1 janar 1943, kur “Hano Rexhepi lule,/ si zhgabonja nëpër re,/ mbi një shkëmb të Ksirolakut,/ Si lulëkuqe iu hap gjaku”. Ai ra, por Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare vazhdoi heroikisht nga bijtë e bijat e shqiponjës shqiptare. Edhe nënë Miserdhja vazhdoi misionin e saj të madh jo vetëm si kaçovë, endëse e qëndistare, si frymëzimtare, nikoqire shtëpie e mikpritëse sofërmbudhë, nënëmirë e dhemshur për bijtë e lirisë, por mori mbi supe me dinjitet edhe rolin e burrit për drejtimin e shtëpisë, sipas traditës më të mirë të familjes e Labërisë, vijoi udhëtimin fisnik të jetës atje ku burrit iu pre në mes. Në ballë të shtëpinë e saj, te oda e miqve dritëronin bukur flamuri kombëtar dhe portreti i Ismail Qemalit, të dy qëndisur nga duararta labe, nënë miserdhe, e zonja e shtëpisë së madhe. Ajo dinte kur e qante burrin me ligje drithëruese, dinte kur u jepte fëmijëve ushqim, dinte kur u këndonte fëmijëtve këngë edukimi atdhetar, trimash e derte jete me shpresë e besim tek liria, e mira, e drejta, jeta qytetare. Kreu i dytë na prezanton Miserdhe Rexhepin dhe vatrën e saj familjare, me shkëlqim bije atdhetare e pastër jo vetëm në pikat kultore të historisë së Mançajve, por edhe në përditshmërinë e zakonshme të jetës, sa qe vajze. Kreu i tretë flet për figurën e vajzës labe që u bë grua shtëpie familjare dhe shtëpie kombëtare, për nënë Miserdhen që lartëson emrin në vatrën familjare të Rexhepajve, ku ndihet fuqishëm roli i kësaj gruaje të rrallë, ngaqë zë vend edhe në panteonin e kulturës popullore të Labërisë. Kreu i katërt na njeh më hollësisht me Miserdhe Rexhepin si rapsode e shquar e Labërisë me këngët epiko-lirike, të trimave dhe historisë, të gjakut të saj dhe të Shqipërisë, ato të motmotit, të punës, të nizamëve dhe kurbetit, të dashurisë dhe dasmës, me ninullat, përrallat, anekdodat, fjalët e urta, vajet e këngët e përvajshme, që nuk përsëriten dy herë as si dhembje njerëzore, as si krijim shpirti i menjëherëshëm, i atypëratyshëm, spontanisht dhe me nivel të lartë artistik. Hap pas hapi e në rritje, autori na e paraqet herinën e librit të tij jo vetëm si veqile e mëmëzonjë shtëpie, por ashtu siç ajo qe, Veqile e Mëmëzonjë e Folkorit të Lepenicës, Lumit të Vlorës e Labërisë. Me të drejtë prof. Qemal Haxhihasani shprehet për heroinën e këtij studimi monografik të prof. Gaçes, duke e portretizuar qartë këtë poete të shquar popullore të këngës labe: “Bartësja dhe vajtonjësja Miserdhe Rexhepi, trashëgonte një kulturë të thellë tradicionale të Labërisë. Ajo dinte mijëra vargje nga thesari i këngëve popullore, por edhe vet thurte vargje brilante vajtimesh, duke u bërë një model i papërsëritshëm i kësaj tradite të mrekullueshme të popullit tonë…”. Kreu i pestë është i mbushur me 46 materiale folkorike të traditës popullore aq të pasur e të begatë të Lepenicës dhe Lumit të Vlorë, bartëse dhe treguese e të cilave është  Miserdhe Rexhepi. Kreu i gjashtë vjen hijshëm më i zbukuruar me 31 tufa lulesh të zgjedhura folklorike të thurura nga vetë shpirti i bukur i fisnikes sonë labe, nënë Miserdhes. Ndërsa në kreun e shtatë, autori na paraqet mendime të bashkëkohësve për nënë Miserdhen, ku spikasin Rebi Alikaj, Fatos M. Rrapaj, Fitim Caushi, Ilirjan Balla, Izet Çuli, Albert Habazaj, Namik Hano Rexhepi, Myrvete Rexhepi Xhaja, Kastriot Rexhepaj, Enver Memishaj, Mehmet Karabolli, Sinan Gjondeda, Muharrem Derri, Nuredin Veshaj, Qerim Pyllaj dhe Luan I. Memishaj që shprehin mendimet, ndjenjat dhe vlerësimet e tyre për këtë rapsode të rrallë të Labërisë,  ligjëruese të 100 vajtimeve, që si një grua e zonjë labe dhe nënë zemërluane, me këngën e saj gëzimtare apo elegjiake, u bë melhem dhembjeje dhe dritë dashurie për të triumfuar me dinjitet mbi dallgët e jetës.

Të them të drejtën, sapo e mora librin në dorë, m’u ringjall portreti i nënë Miserdhes, si  një grua brilante, këngëtare, krijuese tekstesh të kënduara e vajtonjëse e shkëlqyeshme, që e kam njohur vetë dhe e kam vjelur në shumë materiale folkorike. Miserdhe Rexhepi mbahet mend si një grua e rrallë, por në këtë libër ajo na shfaqet si atdhetare, luftëtare, fisnike e mbi të gjitha, si bartëse e traditave zakonore në mënyrën më të përsosur. Nuk përbën rastësi që ajo është takuar me personalitete të tillë si prof. Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani, Kozma Vasili, Rebi Alikaj, Musa Muho, Fatos Mero Rrapaj, Llambi Durolli, prof. Bardhosh Gaçe, etj., me synimin që atë pasuri tradicionale që ajo kishte, sot ta kemi dhe në këtë botim. Është mençuria dhe filozofia e Labërisë, e ushqyer qysh në Mançaj të Velçës e pastaj te Rexhepajt në Lepenicë, ku ajo formatoi personalitetin e saj, si një nga gratë më të njohura të Labërisë. Si Miserdhja dhe Havaja e Rexhepe, ne kemi disa në Labëri, si: Haxho Mustafai, Shaho Luçi e Pestrovë Gjokutaj në Kuç, Duze Bajramja e Tefo Karabolli në Kallarat, Hervo Bushi e Asife Leskaj në Bolenë, Aishe Kongjoni e Zonjë Jonuzaj në Vranisht, Esma Deromemaj, Esma Derraj e Nurhane Lelaj në Mesaplik, Shaniko Hoxha, Bedrie Hodo e Shero Lushaj në Tërbaç, Safë Mingaj e Hamide Zotaj në Brataj, Inxhi Selimaj e Hava Seitaj në Gjorm, etj. në Kurvelesh e Labëri, por që fatkeqësisht nuk pati një dorë t’i mbledhë në kohë rrëfimet, këngët e vajtimet e rralla që mbanin mend e thurën vetë rapsodet labe, kështu që, për ne, shpirti i tyre poetik ka humbur, se e morën me vete edhe floririn e kujtesës…Siç e shprehëm, vështruar në rrafshin e gjinisë femërore të figurave të folkorit të Labërisë, ky punim shkencor klasifikohet edhe kronologjikisht i pari në llojin e vetë. Miserdhe Rexhepi, në këtë libër, na jep një dëshmi të qartë, se etnokultura jonë ka patur pasuri të rralla në shprirtin e popullit përgjatë shekujve, në rrjedhat e historisë së banorëve. Është e drejtë ajo që thuhet nga studiuesit, se nënat dhe gratë shqiptare janë djepi ku përkundet tradita dhe kultura shqpitare, por edhe brezat e rinj të këtij vendi. Kushdo sot nga studiuesit e Labërisë, që merr në dorë një libër të tillë, mrekullohet, pasi kemi të bëjmë me një figurë patriotike të rrallë, por edhe me një kulturë që do t’u mbetet brezave që do të vijnë.

*) përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”  Vlorë