E premte, 29.03.2024, 01:31 AM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Midis frymëzimit, talentit dhe punës krijuese

E diele, 27.01.2019, 12:21 PM


Midis frymëzimit, talentit dhe punës krijuese

(Vështrim i shkurtër për vëllimin poetik “Pyesni zemrën” të shkrimtares shqiptare-norvegjeze Emine S. Hoti)

Nga Fran GJOKA, Lezhë

Poezia realiste dhe moderne e poetes shqiptare-norvegjeze Emine S. Hoti vjen në vazhdën e librave të saj me vëllimin  poetik “Pyesni zemrën”, i cili  do të jetë një befasi e këndshme për lexuesin. Prej poezive të saj, lexuesi pa dyshim do të marrë kënaqësi estetike sipas mënyrës së leximit të tekstit poetik dhe shijeve të tij. Nga libri në libër ajo po trajton motive nga vetë jeta e përditshme ku ndodhemi, me të mirat dhe të këqijat e kësaj bote. Motivi më i përparuar në poezinë e saj synon të krijojë art vërtetësisht të zhveshur nga gënjeshtrat dhe që vazhdon të mbetet besnike e ëndrrave dhe ideve më të kthjellëta njerëzore. Në këtë pikëpamje e këndvështrim, i jap të drejtë redaktorit të këtij libri, shkrimtarit të njohur Viron Kona, i cili nënvizon në parathënie se: “Gjithçka  e shkruar në vargje, shpreh rrahjet e një zemre të pastër dhe të bukur, të thjeshtë dhe krenare, që nuk pajtohet me të keqen, por lufton me të, pa mllefe dhe urrejtje personale. Duke njohur peshën e rëndë të mentalitetit të prapambetur, me anë të vargjeve, poetesha Hoti ia arrin të çelë përpara lexuesit vizione të reja, ajo bënë që lexueset vajza dhe gra, duke lexuar  këtë libër të marrin më shumë guxim, kurajë dhe forcë, që të mos përulen e të mos gjunjëzohen përpara të keqes, por ta kundërshtojnë hapur atë, sepse, përndryshe, do të dëmtojnë veten, jetën e tyre”.

Në 142 poezitë e vëllim it “Pyesni zemrën”, janë të konkretizuara në hapësirë dhe në kohë, e zgjeruar me vizionin e saj: “Për vendlindjen”, “Fatin ta kërkojnë”, “Shqipja jonë”, “Për të shtrenjtin flamur”, “Bota lidhet me art dhe kulturë”, “Për të shtrenjtin flamur”, :Gjaku juaj themel lirie”, “Kosovë e bukur”, “Mërgimtarët” etj.

Poetja  Hoti shpreh poetikisht me mall mesazhin e brezave i cili nuk është vetëm burim emocional dhe krenarie, por edhe si kusht i domosdoshëm për ekzistencën burrërore të bashkësisë së saj etnike në dhe të huaj. Në këto poezi ka vendosur koordinata të reja në mes vetes dhe realitetit, nga ana tjetër ka pasqyruar tematikën me gamën e mendimeve të veta, ku sjell para lexuesve emocione të fuqishme dhe plot këndvështrime të reja. Kjo ka bërë që ajo t`i shmanget shablloneve dhe skematizmit, retorikes poetike dhe mbetet një poezi origjinale e dalë nga shpirti i pasur i saj, një poezi e sinqertë, e kristaltë si uji i burimit.

Kur e mbaron librin së lexuar ndjen befasinë e fuqishme të ndjenjave të papërmbajtshme, me gjendje shpirtërore që të len të kyçur deri në përfundim të poezive. Duke i marrë më në thellësi dhe gjerësi këto poezi, variojnë në një kuadër më të gjerë jete dhe pune intensive e atij realiteti njerëzor ku përvijohet me ngjyra të gëzuara e copëza jete dhe profile njerëzish të njohur nga historia etj.

Poetja Hoti mbetet e konsoliduar në poezitë e saj ku zbraz gjithçka në zemër për njeriun që dashuron. Kjo shikohet në vjershën “I vetmi në këtë botë”,”Dhimbja dhe gëzimi ecin dore me dore”, “Fatin ta kërkoj”, “Për ju nena”, “Pyesni zemrën”, “Kthehuni dhe mos e harroni” e plot poezi të tjera që sjellin përherë mesazhin e dashurisë e të mallit për vëllezërit e një gjaku. Poezitë e zonjës Hoti janë të mbushura me plot shpresë, ku ndihet risia shpirtërore, ndjesia e mendimit dhe mbi të gjitha i ka rritur vlerat për një integrim të suksesshëm në poezinë shqipe. Kjo lënde poetike ka sjellë jo vetëm informacion jetësor, por edhe perceptime të fuqishme figurative, gërshetim të traditës poetike me poezinë moderne, po aq e ka ndjerë si domosdoshmëri transmetimin e mesazhit të dashurisë për njëri-tjetrin,të besimit në vetvete e të mallit të bijve mërgimtare në tokën e të parëve tanë. Në gjashtë botimet e saj poetike dhe atyre në prozë, ajo tashme është bërë e njohur në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare për tematikën e larmishme, thellësinë e mendimit në prozë e poezi, për fjalorin e pastër dhe të brishte poetik. Vargu i lirë është i natyrshëm, i ngjan vërshimit të një përroi në pranverë, është i freskët, me një harmoni që nuk jep vargëzim thjesht popullor dhe tradicional, por jep harmoni të detajit dhe të figurës. Emine S. Hoti, si poete e metaforës së saktë, poete e ndjenjës së sinqertë dhe e marrëdhënieve tepër njerëzore në interpretimin e integritetit të saj shpirtëror dhe kulturor, shpalos përpara lexuesit një tablo emocionale të realitetit. Ajo e mjeshtëron figurën poetike në dy plane: në planin dinamik, si figurë e përgjithshme, baza mentale e poezisë dhe si figurë e copëzuar në funksion të plotësimit të mozaikut poetik.

Te gjitha poezitë e “Pyesni zemrën” kanë brenda figura të këndshme dhe prekëse, të kapshme për lexuesit, duke i marrë mesazhet nga jeta, duke i përqendruar tek përvoja intelektuale, pa marrë hua nga askush, duke u vetëmjaftuar në lëndën e parë, që i vjen nga shpirti, si një thirrje për ta përpunuar dhe për ta kthyer në akt të mirëfilltë poetik. Ndërkaq, tematika e gjerë  dhe larmia e poezive, e bën edhe më shumë tërheqës këtë libër, kurse ndez më tej kureshtjen e lexuesit të vëmendshëm, për të dalë në përfundimin se kemi përpara një krijuese të talentuar, me përvojë, me mendim të mençur, por edhe të guximshme për t`i shprehur në liri të plotë ndjenjat e saj më të thella, ndërkohë që vetëbesimi njerëzor dhe krijues e zbukuron edhe më shumë tufën e saj të bukur poetike.

“Pyesni zemrën”, një rrëfim i sinqertë poetik i një jete plotë vuajtje e mundime, të mbushur me guxim e shpresë, me ndjenja të thella dhe të pastra, me besim tek e vërteta dhe në luftë të papajtueshme me errësirën dhe gënjeshtrën, ia arrin t`i dalë edhe vet jetës dhe dallgëve të saj, por  edhe t`i sjellë lexuesit mesazhe të dëlira, që i falin atij, jo vetëm kënaqësi estetike gjatë leximit, por edhe ndriçojnë më shumë mendjet me një dritë të pastër e thellësisht njerëzore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora