E merkure, 30.09.2020, 10:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Shefki Përvetica - Dromca kulturore në një kohë të përflakur

E merkure, 23.01.2019, 08:15 PM


“DROMCA KULTURORE NË NJË KOHË TË PËRFLAKUR” I AUTORIT SHEFKI PËRVETICA SHPËTOI SHUMËÇKA NGA PLUHURI I HARRESËS

Shkruan Zymer Mehani

Libri: “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (monografi për Shoqërinë Kulturore-Artistike Amatore “Rinia” të Podujevës) i autorit Shefki Përvetica është i konceptuar në formë kujtimesh kronologjike me një shtrirje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë karakteristika të përgjithshme për qytetin dhe për Komunën e Podujevës, siç janë: shtrirja gjeografike, numri i banorëve, emërtimi etj. etj., dhe të dhëna të ndryshme për tërë trevën e Llapit që nga lashtësia e gjer më sot. Kjo monografi pastaj vazhdon me një historik për kryengritjet e llapianëve kundër forcave pushtuese 500-vjeçare turke, duke vazhduar me Kryengritjet  e Llapit të viteve 1910 dhe 1912, të cilat dëshmojnë se qysh më 1910 disa pjesë të Llapit çlirohen nga Perandoria Otomane para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë.

Autori Shefki Përvetica në vazhdim, hollësisht do të shkruajë për organizimin e jetës kulturore në Podujevë gjatë viteve ’90 të shek. XX dhe për aktivitetet e SHKAA “Rinia”. Ai është shërbyer me kujtimet e tij, ngase asokohe (1992-93) ishte inicues për formimin e kësaj shoqërie dhe njëherësh edhe përgjegjës artistik i saj. Kjo pjesë, ku flitet për SHKAA “Rinia” është edhe kaptina bosht e tërë këtij libri, për shkrimin e të cilit z. Përvetica është shërbyer me literaturë të mjaftueshme. Ai ka përdorur me sukses edhe materiale të ndryshme, si fotografi, artikuj të botuar në shtypin tonë ditor, lista të anëtarëve të kësaj shoqërie, të grupit të recitatorëve etj. për të qenë sa më i saktë  në temat që i trajton dhe ngjarjet e kohën që i përshkruan në librin e tij.

Nga monografia “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” të autorit Shefki Përvetica mësojmë se llapianët gjatë historisë do të përballen me probleme dhe me represion  nga regjimi serb prej vitit 1913, pastaj 1914-15, e sidomos gjatë viteve 1918-21 në periudhën e Mbretërisë SKS. Këtë trevë (Llapin) okupatori serb përpiqet për ta serbizuar me kolonë, por në asnjë etapë historike nuk ia arriti qëllimit që shqiptarët të mbesin pakicë, ose t’ i detyrojnë për t’u shpërngulur, edhe pse mbi ta ushtrohej terror sistematik shtetëror. Pasi në libër paraqiten të gjitha karakteristikat e Podujevës dhe të Llapit, jepen saktësisht edhe specifikat e jetës ekonomike, kulturore, sociale e shoqërore të banorëve  deri në vitet e luftës 1998 dhe 1999. Prandaj mund të themi se temë kryesore e monografisë, krahas aktiviteteve dhe organizimit të jetës kulturore në Podujevë, e veçanërisht puna dhe veprimtaria e SHKAA “Rinia”, është edhe lufta e lavdishme e UÇK-së kundër forcave pushtuese dhe shoviniste serbe, të cilat mbi popullatën shqiptare zhvilluan një terror të paparë ndonjëherë në histori të njerëzimit, duke masakruar gra, pleq e fëmijë.

Te kapitulli “OFENSIVA E VITIT 1999”, pasi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës bashkë me ndihmën e forcave të NATO-s kishte korrë suksese të mëdha në çlirimin e vendit në përgjithësi e në veçanti në çlirimin e Llapit, forcat okupatore shoviniste serbe kishin marrë ofensivë të madhe kundër shqiptarëve të rajonit të Llapit, ku në përballje me ta kishin rënë shumë heronj e dëshmorë në altarin e lirisë, e njëri ndër ta përmendet edhe Isë Arif Havolli (11.01.1943 – 24.12.1998). Ai ishte njëri ndër ushtarët dhe luftëtarët më të denjë të UÇK-së, që ra heroikisht në betejën që u zhvillua te Tabet e Llapashticës, më 24 dhjetor 1998.

Shefki Përvetica te libri monografik “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” do të na jep detaje edhe për Podujevën e pasçlirimit (pas vitit 1999), ku me të drejtë thekson në faqet e librit se Podujeva prore ishte arsimdashëse dhe artdashëse, duke e forcuar këtë mendim të tijin me fakte konkrete. Autori do të japë të dhëna të mjaftueshme edhe për zhvillimin e kulturës, të rinisë dhe sportit deri në ditët e sotme, me shifra, emra dhe fakte konkrete.

Si përfundim, mund të themi se libri “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” i Shefki Përveticës ka një rëndësi të veçantë për historinë më të re të Llapit, pasi që e pasuron atë me detaje dhe ngjarje, edhe kulturore, edhe të përgjithshme, që u zhvilluan në periudhën më të lavdishme të kombit tonë, pra në epokën e refuzimit edhe kulturor, edhe human, edhe kombëtar të një regjimi antishqiptar, që e kishte instaluar Serbia në 100-vjetëshin e fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës, që u dëbua turpësisht njëherë e përgjithmonë me luftën e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Meqë kanë ikur shumë vite, autorit eventualisht mund t’i ketë shpëtuar ndonjë ngjarje apo ndonjë person pa e përmendur në këtë libër, për çka, ne në emër të tij kërkojmë falje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora