E shtune, 20.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Paralajmërimi i diplomacisë britanike për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste

E marte, 22.01.2019, 09:44 PM


PARALAJMËRIMI I DIPLOMACISË BRITANIKE PËR PUSHTIMIN E SHQIPËRISË NGA ITALIA FASHISTE (1939)

Nga Adil FETAHU

Dekada e katërt e shekullit të kaluar karakterizohej me kriza ekonomike, papunësi,  formim të koalicioneve, lidhje të pakteve, marrëveshjeve politike e ushtarake të hapta e të fshehta, ndarje të sferave të interesit të disa fuqive të mëdha në rajone të ndryshme dhe përgatitjet për t’i fituar ato, pa luftë apo me luftë.  Në vitin 1934, në Ballkan  ishte lidhur një Marrëveshje midis  Jugosllavisë, Greqisë, Rumunisë dhe Turqisë (Pakti Ballkanik), gjoja për ruajtjen e status-quos, por synimet e fshehta të asaj marrëveshje kishin për qëllim ta pengonin zgjërimin e ndikimit Italian në Ballkan. Në vitin 1937 ishte lidhur Marrëveshje midis Gjermanisë, Italisë e Japonisë, e quajtur Pakti Antikomintern. Në vitin 1938 ishte lidhur Marrëveshje midis Francës e Gjermanis, sipas të cilës Gjermanisë i njihej e drejta e krahinës Sudete në Çekosllovaki, që dominohej nga minoriteti gjerman. Po atë vit (1938) Gjermania e kishe aneksuar Austrinë (“Anschluss”). Viti 1939 ishte vit i vlimeve politike e diplomatike në Europë dhe në Ballkan.  Në planin diplomatik Britania e Madhe gjithmonë ka qenë supërfuqi botërore, dhe atë diplomaci e ka udhëhequr sipas parimit, sa herë të cituar të Çerçillit: “Nuk ekzistojnë miqë tanë të përhershëm, as armiqë tanë përhershëm; ekzistojnë vetëm ineresa tona të përhershme”. Në këtë frymë Britania e zhvillonte politikën dhe diplomacinë e saj.

Nga korespodenca e dendur e diplomacisë britanike e vitit 1939, shihet se me çfarë interesimi përcillej gjendja në Ballkan, e me çfarë indiference sillej Britania ndaj paralajmërimeve për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, që u bë më 7 prill 1939. Ambasadori britanik , Andrew Ryan, me një letër që ia kishte dërguar nga Durrësi Sekretarit shtetëror, lordit Halifax (1034/229, dt. 30 janar 1939), e njoftonte atë për çështjen e minoritetit shqiptar në shtetet fqinje dhe shpërnguljen e tyre  nga Jugosllavia për në Turqi. Ai thotë se “Parlamenti shqiptar shpreh dëshirën që qeveria mbretërore të tregojë interesimin më të madh lidhur me pakicat shqiptare në shtetet fqinje, veçmas atyre në Jugosllavi. Një shqetësim të madh vitin e kaluar  (1938, v.j.) ka shkaktuar lajmi se midis Jugosllavisë e Turqisë është lidhur marrëveshje për shpërnguljen e Myslimanëve të Jugosllavisë. Por, në qarqet shqiptare nuk kam dëgjuar se shpërngulja e Myslimanëve nga Jugosllavisa ka të bëjë edhe me shqiptarët. Më 26 janar (1939, v.j.) kam biseduar me kolegun tim turk, G.Tugay, nga i cili kam mësuar se marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Stamboll, asnjëherë nuk është nënshkruar dhe se ajo nuk është urgjente, sepse tashpërtash qeveria e tij po i merr Myslimanët nga shtetet e tjera ballkanike, ndërsa ata nga Jugosllavia do vijnë në radhë më vonë”.

Nga përmbajtja e letrës së tij shihet se ambasadorit Rayan nuk  i interesonte fare  çështja e shpërnguljes së shqiptarëve  nga atdheu i tyre, veçse lëvizjet politike e diplomatike që po zhvilloheshin në Ballkan dhe në Europë dhe parandjente se Italia së shpejti mund ta okupojë Shqipërinë, gjë që mund t’i rrezikonte edhe interesat britanike në Mediteran. Në raportin gjatë për vitin 1938, të nënshkruar nga Terence Shone (30 janar 1939), ambasadori Rayan kishte veçuar shënimet mbi propozimet e ministrit të jashtëm të Italisë, kontit Galeazzo Ciano, që i kishte bërë Qeverisë Jugosllave në Beograd, me rastin e vizitës së tij më 19 janar 1939. Shënimet e nxjerra nga raporti i ambasadorit britanik janë zbërhtyer në 34 pika (9 faqe të dendura tekst), nga të cilat disa paralajmërojnë mundësinë e pushtimit të Shqipërisë.  Ambasadori Rayan, në raportin e tij thotë se nga informatat që ka marrë nga mëkambësi i Jugosllavisë, princi Pavle, ministri Italian i kishte propozuar qeverisë së Jugosllavisë:

që Jugosllavia sa më parë  të lidhë një marrëveshje politike me Hungarinë, si një pakt i miqësisë, për mossulmim;

që Jugosllavia të del nga Shoqëria e Kombeve, e  t’i bashkohet Paktit Antikomintern;

që Italia dhe Jugosllavia ta ndajnë Shqipërinë;

që Italia i ofron Jugosllavisë ndihmë ushtarake dhe morale për marrjen e Selanikut dhe daljen në Detin Egje, poqese këtë e dëshiron Jugosllavia.

Duke i paraqitur këto propozime, konti Ciano kishte thënë se Boshti Romë-Berlin-Tokio është një realitet dhe se herr Hitleri ka hequr dorë nga ambicjet për Mesdheun e këtë ia ka lënë  në dorë Italisë.

Ambassadori Rayan thotë se për vërtetësinë dhe seriozitetin e këtyre propozimeve  nuk mund të ketë dyshim, sepse i ka marrë nga biseda që kishte pasur me princin Pavle,  dhe se konti Ciano sigurisht ato i ka bërë në marrëveshje me shefin e tij, signor Mussolinin. Kur kryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Stojadinoviq, i kishe thënë princit Pavle se propozimi i kontit Ciano për ndarjen e Shqipërisë është mjaft “sfidues”, ky i paska thënë: “Qenke budalla, nuk dëshiroj të kem më asnjë shqiptar më tepër brënda kufijve tanë”! Ambasadori Rayan, në letrën e tij shpreh frikën, se propozimet italiane, të cilat paraqesin ndarje të sferave të interesit në Evropë, qofshin ato blef ose jo, paraqesin rrezik për paqen dhe për interesat britanike në Mediteran. Është e qartë se Italia po don sa më parë ta joshë për vete Jugosllavinë.

Çfarë parashihej për Shqipërinë?

Për ta bindur Jugosllavinë që të futet në të njëjtin blok me Italinë e Hungarinë, në kuadër të boshtit Romë-Bërlin-Tokio, ministri Italian i kishte premtuar qeverisë jugosllave jo vetëm ndihmë ushtarake dhe morale për ta marrë Selanikun,  por edhe një pjesë të Shqipërisë. Sipas vlerësimit të raportit të diplomatit britanik, premtimi që Jugosllavia ta merr një pjesë të Shqipërisë ishte një sfidë më suptile, ngase në kokat e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë ishte krijuar bindja se Italia do ta merrte tërë Shqipërinë, poqese Jugosllavia nuk do të pajtohej ta merrte një pjesë nga “torta shqipare”! Jugosllavia gjithmonë e ka pasur frikë zgjërimin e Italisë në Shqipëri dhe tash është e ballafaquar me sfidën, se a do ta pranojë propozimin Italian apo jo, thuhet në raportin e diplomatit britanik. Kjo skemë italiane rrezikon të shpërthejë luftë me Greqinë dhe Turqinë, gjë që ka paralajmëruar atasheu ushtarak i Greqisë, në mbledhjen e shtabeve të përgjithshme të Antantës Ballkanike, që me forca të përbashkëta të kësaj Antante për aksion luftarak t’i kundërvihën Italisë poqese e ajo sulmon Shqipërinë. Por, nëse Jugosllavia pajtohet t’i bashkohet blokut Italian, Greqia dhe Turqia ndoshta do të detyroheshin të pajtohen me ndarjen e Shqipërisë, sado që ta kenë  zili agresivitetin Italian dhe tradhtinë jugosllave. Gjasat janë që, sapo Italia dhe Jugosllavia ta pushtojnë Shqipërinë, edhe Bullgaria dhe Hungaria, si përkrahëse të të njëjtit blok, do të futeshin në luftë për të nxjerrë çfarë të mundën (ndaj Rumunisë, v.j.), dhe ashtu do të rrezikoheshin edhe Greqia dhe Turqia nga Italia. Tash për tash jugosllavët po i bëjnë ballë kësaj sfide dhe shpresojmë se do të mbetën të vendosur, qoftë edhe me rrezikun që Italia vetë ta pushtojë Shqipërinë. Nëse vendosin që të mos e pranojnë planin e kontit Ciano dhe nëse Antanta Ballkanike mbetet e fortë, ndoshta Italia do ta vlerësojë se nuk ia vlenë vetë të ndërmerr aksion. Ka shumë të panjohura në këtë plan Italian: që vet ta përforcojë pozicionin në këtë pjesë të Europës, derisa akoma vlenë premtimi i Hitlerit për t’ia lënë Italisë duarët e lira në Mediteran; a është kjo ndarje e interesit të fuqive të boshtit (Romë-Berlin); apo ka për qëllim të sigurojë neutralitetin e shteteve të vogla të Mesdheut, që më vonë me ndihmën e Gjermanisë Italia të vjelë frytet e Mediteranit, të cilat i dëshiron aq shumë?

Sipas raportit të diplomacisë britanike, këto biseda midis Italisë e Jugosllavisë po bëhën pas shpinës dhe pa dijen e Gjermanisë. Ambasadori i Gjermanisë gjatë asaj kohe ka qenë në rrugë dhe është kthye në Beograd dy ditë pas vizitës së kontit Ciano, ndërsa gazetarët gjermanë këtu kanë shprehur paknaqësi me vizitën e Cianos dhe përpjekjet e tij për ta larguar Jugosllavinë nga Gjermania. Përgjithësisht këtu mbretëron bindja se Britania e Madhe dhe Franca nuk janë të interesuara për fatin e shteteve të vogla pas linjës Romë-Berlin, dhe kjo është nxitje për Gjermaninë e Italinë që ta korrigjojnë hartën dhe t’i vizatojnë kufijtë sipas interesave të tyre. Se deri ku do shkojnë me këto plane, varet se deri ku iu përputhen ose ndeshen interesat e tyre në këtë pjesë të Europës. Por, Italia nuk do të humbas kohë as nuk do të kursejë forca që maksimalisht ta shfrytëzojë këtë situatë.

Propozimi Italian për ndarjen e Shqipërisë dhe bashkimin e Selanikut Jugosllavisë, nuk janë në pajtim me tekstin dhe frymën e deklaratës anglo-italiane të datës 2 janar 1937, dhe marrëveshjes së mëvonshme anglo-italiane, sipas së cilës këto dy palë nuk dëshirojnë vet, as nuk do t’iu lejojnë tjerëve ta ndryshojnë status-quon e territorit apo sovranitetit të shteteve në basenin mediteran, shkruan në raportin e diplomatit britanik. Ndoshta propozimi për ndarjen e Shqipërisë dhe bashkimin e Selanikut janë vetëm karrem, për ta futur Jugosllavinë në pozitën e vazalit. Por, kur Italia ta futë në atë pozitë, ajo (Jugosllavia) do të pushojë të përzihet në veprimet e Italisë, dhe Italia mund të jetë e sigurt sa i përket arritjes së qëllimeve të saj në Shqipëri pa luftë, që në njëfar mënyre ka mbështetje në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve nga viti 1921 – e drejta e intervenimit të Italisë në rast të trazirave në Shqipëri! Sidoqoftë, propozimet italiane paraqesin rrezik të madh dhe bëjnë të konkludosh se Italia ka vendosur të dominojë Ballkanin, edhe me çmimin e luftës, dhe kjo nuk është në pajtim me deklaratën e paradokoshme të Musolinit për paqë të drejtë.

I kam studjuar disa raporte të cilat i kemi marrë nga ambasadori i Lartmadhërisë së tij në Durrës, për të gjetur prova për trazira serioze në Shqipëri, dhe nuk kam mund të gjej asnjë. Por, sipas asaj që thotë konti Ciano, këtu duhet të krijohen trazira, për të arsyetuar intervenimin e Italisë në Shqipëri. Kështu ka vepruar Italia edhe para intervenimit në Etiopi. Konti Ciano  ka thënë vetë se shkaku kryesor që Italia duhet ta ketë Shqipërinë e Jugut është se dëshiron t’i ketë burimet e naftës. Mua kjo më duket e rëndësishme, sepse nafta prej këtyre burimeve edhe tash më së shumti shkon në Itali, për të cilën Italia i paguan çmimin qeverisë shqiptare, por kjo (pagesa, v.j.) a është arsye për ta aneksuar vendin? Italia ndoshta po mendon se mund të vjen në situatë kur nuk mund të sigurojë furnizimin me naftë nga burime tjera, thuhet në raportin e diplomacisë britanike, të 30 janarit 1939.

Gjendja e Shqipërisë para pushtimit Italian

Pas Luftës së Parë Botërore  Shqipëria ishte në rrezik të shpërbrjes si shtet, pasi ishte e pushtuar nga ushtri të hueja. Kufijtë shtetëror të shtetit shqiptar u caktuan tek në vitin 1926. Ndaj territorit shqiptar kishin pretendime Italia, Jugosllavia dhe Greqia. Gjendja ekonomike e sociale ishte e keqe. Ndërrimi i shpeshtë i qeverive kishte shkaktuar destabilitet dhe përçarje të brendshme. Për t’u shkëputur nga ndikimi i Jugosllavisë, Ahmet Zogu sapo u kthye në pushtet (dhjetor 1924), politikën e shtetit e ktheu kah Italia, e cila  pastaj me marrëveshje të shumta dhe investime e ndihma ekonomike, vazhdimisht pati ndikim të madh politik, ekonomik dhe ushtarak në shtetin shqiptar. Praktikisht tërë ekonomia dhe financat ishin në dorë të kapitalit italian. Ky depërtim dhe dominim i Italisë në të gjitha sferat e shtetit shqiptar i rriti ambicjet e Italisë për ta pushtuar vet Shqipërinë, dhe vetëm përpiqej të gjente pretekst. Sipas vendimit të Fuqive të Mëdha, të vitit 1921, Italisë i ishte caktuar roli  i mbrojtësit të shtetit shqiptar, e kjo nënkuptonte edhe të drejtën e intervenimit në rast të sulmeve nga jashtë apo të trazirave të brendshme. Duke marrë parasysh ambicjet italiane për pushtimin e Shqipërisë, vendimi i fuqive të mëdha për t’ia besuar Italisë që ta mbrojë Shqipërinë, duket sikur t’ia besosh ujkut për ta ruajtur qengjin.

Konsolidimi dhe forcimi i shtetit shqiptar dhe  një politikë e pavarur, nën udhëheqje e mbretit Ahmet Zogu, nuk iu konvenonte synimeve italiane. Në vitin 1939,rrethanat ndërkmbëtare i shkonin në favor Italisë për ta realizuar qëllimin e pushtimit të Shqipërisë. Pasi në janar 1939 ministri Ciano me premtimet e tij nuk e kishte bindur Jugosllavinë për t’u ndarë nga Antanta e Ballkanike e bashkuar blokut të Antikomintern, të gjitha përpjekjet u orientuan në pushtimin e njëanshëm të Shqipërisë nga Italia dhe për të arritur këtë qëlim, preteksti u krijua përmes një traktati që Italia ia ofroi Shqipërisë më 25 mars 1939. Traktati përmbate tetë kushte italiane, të cilat secila veç e veç e aq më tepër të gjitha sëbashku cenonin pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar. Natyrisht, ato nuk u pranuan nga Mbreti Zog dhe shumica e kabinetit në qeverinë e tij. Italia bëri edhe një manovër, duke i ofruar Shqipërisë një projekt të ri të traktatit, me katër pika, në të cilat kishte paraparë që: 1) Italia ta ushtrojë kontrollin e të gjitha porteve, komunikacioneve, rrugëve dhe aerodromeve në rast se kërcënohej pavarsia e Shqipërisë; 2) në çdo ministri të shtetit shqiptar të dërgohej nga një këshilltar italian, i cili do ta kishte rangun dhe rolin e zëvendësministrit; 3) qytetarëve italianë në Shqipëri t’iu njihen të drejtat qytetare dhe politike sikur shtetasve shqiptarë; 4) niveli i përfaqësive të legatave në Tiranë dhe në Romë të ngritej në rangun e ambasadave. Projekti i ri me këto katër pika, iu dorëzua qeverisë shqiptare më 1 prill (1939), me ultimatum që të nënshkruhej deri në mbrëmjen e 6 prillit. Mbreti Zog dhe Qeveria shqiptare, duke mos i pranuar kushtet ashtu siç i kishte bërë Italia, bëri kundërpropozime të veta, por ato nuk e kënaqën palën italiane, e cila vetëm kërkonte shkak për ta pushtuar Shqipërinë, prandaj me kalimin e ultimaturimit, më 7 prill, në orët e hershme të mëngjesit, zbarkoi forca të mëdha ushtarake në portet kryesore të Shqipërisë dhe kështu, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që kishte pasur më heret, duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme ndërkombëtare, e pushtoi Shqipërinë. Zhvillimet e mëvonshme  janë të njohura. Rezistenca shqiptare që iu bë forcave të zbarkuara italiane, sado e vogël që ishte, ka pasur vlerë të madhe për t’i dëshmuar botës se Shqipëria ishte kundër fashizmit Italian dhe forcave të boshtit Romë-Berlin, dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore të radhitej  në anën e fituesve të luftës e të shpëtohej shteti shqiptar.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora