Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Kapiti: Patriotizmi real-Antiteza kundër tradhëtisë, krimit dhe korrupsionit

| E hene, 21.01.2019, 07:00 PM |


Patriotizmi real-Antiteza kundër tradhëtisë, krimit dhe korrupsionit

Nga Skënder S. KAPITI

Retorika dhe patriotizmi fals i politikanëve shqiptar janë  mbulesat dhe maskat e krimit, korrupsionit dhe të tradhëtisë së tyre.

Retorikave dhe deklarimeve patriotike  të të gjithë liderve të Shqipërisë , politikanë e pushtetarë  të cilët e  kanë drejtuar Shqipërinë atyre u ka dalë boja si mashtrime dhe për dukje e pikë politike përsonale.

Regjimi komunist enverist  i “donte” kosovarët për t’u treguar serbëve se nëse ata përpiqeshin për ta rrëzuar atë  nga pushteti politikisht dhe ushtarakisht ,me parë do të duhej që të përballeshin me 2 milion shqiptarët e trojeve shqiptare në Jugosllavi. Persekutimet, krimet, vrasjet dhe genocidin që ushtronte serbo-sllavizmi mbi shqiptarët e Kosovës, kishte edhe “lejen” e marksizëm-leninizmit të  Tiranës, pasi për demokracinë  dhe për perendimin marksizëm –leninizmi ishte ideologji e praktikë  terroriste dhe kështu mundsohej qe edhe Shqipëria e vetizoluar nga komunizmi nuk  bënte asgjë  për shqiptarët e Kosovës , pasi vetë Shqipëria marksist-leniniste ishte problem jo vetëm për Shqipërinë por edhe që  askush as nuk e pyeste dhe as nuk e dëgjonte në perëndim zërin komunist  dhe antiperendimor    Tiranës. Ky regjim edhe shqiptarët e Kosovës  i përdorte për politikë, ideologji dhe për interesa pushteti për t’ua reklamuar e paraqitur shqiptarëve në Shqipëri se: shikoni se sa mirë jeni nën komunizmin stalinist ketu, dhe shikoni se çfarë po heqin shqiptarët nën komunizmin jugosllavo-titist.

Shqiptarët e Kosovës e donin Shqipërinë Socialiste ashtu si e donin dhe e duan Shqipërinë gjithmonë si  shtetin amë,pasi nuk kishin se ku të shkonin  përderisa edhe regjimi i serbo-sllavokomunizmit ishte barbar, kriminal dhe genocidist edhe më i egër e më djallëzor  ashtu si të gjitha regjimet para tij. Edhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri politika zyrtare e Tiranës, edhe politika  e saj,  gjithnjë, nuk është  se bëri ndonjë  gjë  serioze as për demokracinë    Shqipëri, as për çështjen Kombëtare, dhe e gjithë  politika e derimësotme  nuk  ka qenë  dhe nuk janë akoma për Bashkim Kombëtar.

Nacionalizmin dhe patriotizmin politikanët  shqiptarë sidomos këta të sotmit, kjo farë elita politike e këtij tranzicioni e përdorin patriotizmin verbal si retorikë vetëm kur e shohin se po ju lëkundet pushteti; e përdorin për “presion” ndaj ndërkombvëtarëve për të justifikuar dështimet politike dhe korrupsionin e tyre si dhe, edhe për të fituar kredo dhe besim e përkrahjen e tyre, sikur kinse këta edhe na janë  aktorë e faktorë të rëndësishëm e që dëgjohen dhe sikur  këta  kanë pas vetes së tyre mbështetje të madhe publike ndërshqiptare; e përdorin retorikën dhe patriotizmin atëhere kur janë të detyruar dhe që nuk mund të veprojnë hapur  dhe as të shkojnë kundër aleatit të madh të shqiptarëve,SHBA-ve. Është lehtë sot nga Tirana që t’u thuash serbëve njiheni Pavarësinë e Kosovës, tashmë kur Kosovën e çliroi NATO dhe kur  tashmë e kanë njohur 120 shtete, kur Tirana politike e pushtetit si ajo e djeshmja ashtu edhe qeverisja aktuale  nuk ka lobuar dhe as nuk ka asnjë meritë që prej saj ta ketë njohur ndonjë shtet Pavarësinë e Kosovës.

Politika e Tiranës nuk qe në gjëndje që të kontribuojë dhe të lobojë as për antarësimin e Kosovës në UNESKO dhe as në organizatën e Interpolit.

Historia shënon vepra dhe rezultatet konkrete, dhe njerëzit e mëdhenj hyjnë në Histori kur ata bëjnë ndonjë vepër epokale, dhe nuk hyjnë në histori me retorikat  dhe deklaratat patriotike  emocionale, momentale dhe sa për dukje; por historia shënon edhe ato deklarata të dëmshme e të pamatura si dhe ato veprime, takime e “bisedime”të fshehta e të panjohura kur me kalimin e kohës, vetë  koha i nxjerr ato nga skutat e errëta të historisë.

Historia na mëson se politika e verbër dhe ethshme për pushtet ka kërkuar ndihmë e mbështetje edhe te armiku kombëtar si dhe, edhe  tradhëti të  mëdha madje janë bërë në emër dhe maskuar me  patriotizëm.

Është për të ardhur keq dhe për t’u habituar se edhe ata individë te të cilët shqiptarët kanë pasur besim dhe shpresë te ndershmëria, pastërtia dhe te patriotizmi i tyre, por kur vjen puna te interesi e te pushteti edhe ata devijojnë, e përkulin dhe shtrëmbrojnë drejtësinë  dhe patriotizmin, dhe  fillojnë e joshen, të harrojnë premtimet dhe të braktisin interesin kombëtar dhe të  çburrërohen nga paraja, nga pushteti  dhe nga korrupsioni.

Shikoni se çfarë bilanci tragjik ka hipotekuar për shqiptarët ky tranzicioni 30 vjecar në Shqipëri , ku nga shpirtligësia, antikombetarizmi, nga hajdutëria , nga korrupsioni dhe krimi i politikës dhe i politikanëve shqiptarë sa shumë dhimbje morale e shpirtërore , sa shumë fatkeqesi familjare e njerëzore dhe sa konflikte e vetëgjyqësi, dhe sa shumë viktima e humbje jetësh njerëzore u kanë ardhur shqiptarëve sikur të ishte bilanc i një   lufte civile. Shikoni dhe mendoni për një moment se prej kësaj politike antikombëtare shqiptarët janë të parët në Europë dhe të dytët në botë që kërkojnë largimin nga atdheu, duke ia kaluar edhe shteteve të cilat janë në konflikte civile, duke ia kaluar edhe Sirisë e Afganistanit.

A nuk do të thotë kjo se fajtorët dhe shkaktarët e kësaj janë politika dhe pushteti i keq antipublik dhe antikombëtar sikur të ishin pushtues dhe okupatorë të Shqipërisë. Pra kjo ndodh sepse politika shqiptare është antipatriotike dhe antipublike, dhe prandaj së pari duhet VETTING patriotik që: politika, pushteti e drejtësia të jenë shërbëtorë të qytetarëve , të shtetit e të kombit dhe jo të krimit, hajdutërisë, korrupsionit e të tradhëtisë.