E marte, 25.06.2019, 01:22 AM (GMT+1)

Personalitete

Shyqyri Fejzo: Kadri Kadi do të rrojë gjatë në kujtesën e vendit e njerëzve

E shtune, 19.01.2019, 11:11 PM


Kadri Kadi do të rrojë gjatë në kujtesën e vendit e njerëzve

Nga Shyqyri Fejzo

Në ditët e para të viitit të ri 2019 lexova në fb. lajmin e pa dëshëruar  ku Zonja  Monika  Kadi Coulson njoftonte nga Amerika  me keqardhje se babai i saj, Kadri Kadi kishte ndërruar jetë. Lajmi më shushati krejt. Ishte larguar nga kjo jetë një nga shokët e miqtë e mi më të mirë. U ula të shkruaj,  por ishte e pa mundur. Atëhere më ra në mend që kam shkruar dicka për të një shkrim  që miku ynë i përbashkët, z. Pandeli Bardhi e ka futur si pjesë përbërëse e librit të tij “Dolli me nëntë shëndete”. Ky libër i shkruar me kulturë e dashuri nga shkrimtari e gazetari  i talentuar Pandeli Bardhi e ka vendosur aty ku i takon Kadri Kadiun.

Kadri Kadi është pjesë e gjerdanit të figurave të shquara të Devollit. Të shkruash për një shok e mik të hershëm, mendoj se është sa e lehtë aq dhe e vështirë. Këto mendoja kur mora laps e letër për të hedhur këto shënime për mikun tim, devolliun e mirë Kadri Kadi. E lehtë është se me të ke jetuar, ngrënë në një mensë, fjetur në një dhomë e ndenjur në një auditor e biblioteke mbi katër vjet dhe ka aq material e detaje sa mund të shkruash libra. E vështirë është se këtë material jetësor duhet ta shoshësh në shoshën e kohës dhe të nxjerrësh ato që duhen, ato që tipizojnë Kadriun.

Kur fillova vitin e parë të shkollës së mesme “Irakli Terova” ne Korçë, Kadriu ishte në vitet e fundit të asaj shkolle. Aty e kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij duke e njohur konkretisht se cili ishte. Atëherë ne nxënësit e rinj, maturantët i shikonim me një lloj nostalgjie përzier me zili, duke imagjinuar veten se kur do të arrinim dhe ne statusin e tyre. Kësisoj ata në sytë tanë ishin të veshur me një lloj areole misterioze, mbasi kishin kaluar disa vite, klasa, lëndë e provime dhe ja, tani ishin gati të përballen me sfidat e jetës. Kështu e kam njohur Kadriun për herë të parë. Atëherë nuk mund ta mendoja kurrë të vazhdonim së bashku mbi katër vjet të shkollës së lartë. Kadriu, mbas mbarimit të shkollës së mesme filloi punë në Vranisht të Devollit disa vite pastaj erdhi në shkollën e lartë. Ndërsa vetë, kam filluar arsimin e lartë menjëherë pas shkollës së mesme. Kjo ishte arsyeja që ne u ndodhëm së bashku në grupin e Ekonomisë Agrare. Në atë grup, pak më vonë e kuptuam, se rektorati kishte përzgjedhur nga një student për çdo rreth, kuptohet (e them me pak modesti),studentët me rezultate më të larta si nga shkolla e mesme dhe të vitit të parë të shkollës së lartë. Ne bëheshin 24 studentë nga 26 rrethet. Kadriu na u prezantua nga dekanati si përgjegjës i grupit, apo “starosti”, emërtim ky i mbetur si reminishencë nga gjuha ruse.

Kadriu vinte me një pjekuri e përvojë të cilën ia kishte dhënë mosha dhe koha që punoi në prodhim. Ne studentët që vinim direkt nga shkollat e mesme, edhe këtu, ata të cilët kishin ardhur nga prodhimi, shikonim me një nostalgji e respekt të veçantë. Kështu e kemi parë dhe njohur edhe Kadri Kadi. Që ditët e para na ra në sy një qëndrim korrekt i tij si përgjegjës i grupit. Marrëdhëniet tona me Kadriun si përgjegjës, ishin në vazhdimësi midis korrektesës dhe tolerancës. Nuk e pamë njëherë të krekosej me këtë detyrë, por as të bënte lëshime në dëm të punës e shkollës. Kadriu me forma nga më miqësoret e shoqëroret arriti të njohë e të psikologjisë secilin student të grupit dhe mbi atë bazë ndërtoi punën. Të kuptojmë një gjë ne sot. Në atë kohë, po të bëje 30 mungesa pa arsye përjashtoheshe nga shkolla. Po të ngeleshe në dy lëndë edhe pas riprovimit të vjeshtës ishe i përjashtuar. Në këto marrëdhënie, miku dhe paraja duhet thënë se nuk kishin asnjë funksion. Studentët gjatë vazhdimit të shkollës kishin dhe probleme e nevoja. Kështu, katër prej tyre ishin të martuar. Kishte të fejuar etj. Por, Kadriu, për ndonjërin që rrezikohej të përjashtohej, dinte ta paralajmëronte dhe ta mbronte kur vinte puna. E them pa droje, se Kadriu po thuajse për të gjithë studentët e grupit dhe më tej, mund të merrej si model social i studentit.

Ky ekuilibër i matur i tij bëri që të gjithë studentët e grupit të mbarojnë pa ndonjë cen e firo shkollën e të dalin specialistë. Në lëndën e filozofisë, pedagogu i njohur Hulusi Hako, më kujtohet në një temë pati theksuar:”.se në lëvizje, sendet, fenomenet dhe njerëzit e tregojnë se cilët janë.” Dhe ne jetën studentore e merrnim si një lëvizje të madhe intensive e cilësore, ku Kadri Kadi tregoi se cili ishte. I rreptë, i drejtë, komunikues e shumë dashamirës. Ai ishte kurajoz edhe me dekanatin e rektoratin, duke mbajtur gjithnjë e realisht anën e studenteve. Në sytë tanë imazhi për këtë person çdo vit që vinte, bëhej më i mirë e më i qartë. Por ai ishte jo vetëm korrekt dhe i rreptë, por edhe një “ferment” shakaje e humori ku personazhe ishim ne, studentët, pedagogët etj. Çdo marrëdhënie e këndshme, që ndonjëherë e kalonte masën, do të bëhej objekt i shakave e humorit.

Kadriu në të gjitha këto marrëdhënie e kishte sensin e masës. Këtë “kandar” ai me sa duket, duhet se e kishte “kolauduar” në Devoll. Kur tregonte Kadriu batuta, ngjarja apo inprovizonte nga jeta studentore, ne shkuleshim së qeshuri, edhe pse jo rrallë përdorte fjalinë pak banale por popullore për zhargonin e tij devollit.”.Ndë p... të sëmës, bre.” Kështu mbahet mend ai gjatë katër vjet e gjysmë të fakultetit, përfshi edhe zborin 45 ditor që ne bëmë në Fier e Vlorë, duke qenë dhe viti fundit që e bëmë kaq se pas një viti studentët e tjerë e bënë plot 6 muaj. Në shkurt të vitit 1967 ne u diplomuam, dhe secili shkoi atje ku e kishin emëruar. Për Kadriun morëm vesh se e kishin caktuar në korpusin ushtarak të Veriut. Kështu që kontaktet tona me disa shokë tani u bënë më të rralla.

Kadriu në jetën studentore dhe më tej, përsa e njoh, mendoj se të parën gjë në karakterin e tij e në marrëdhëniet me shokët e vartësit ka pasur psikologjinë e suksesit. Duke njohur mirë detajet e kësaj psikologjie ai kudo ku ka punuar ka arritur rezultate. Për këtë problem sot ka shumë literaturë, përvojë praktike e shembuj nga më të ndryshmit. Por, kur ne së bashku vazhdonim shkollën e lartë, kjo lloj literature e përvoje mungonte. Megjithatë, Kadriu me qartësinë e mendimit dhe këmbënguljen e tij, me një njohje afër empirike, arriti suksese. Afërsisht thelbi i psikologjisë të suksesit të tij qëndronte në disa baza. Kadriu mendonte dhe vepronte se njeriu I buzëqeshur është kudo dhe kurdoherë i mirëpritur. Këtë atij ja vërtetoj koha kur punoi në veri, si pedagog, si kryetar kooperative, nëpunës dikasteri deri shitës fruta-perimesh. Në çdo situatë që ka vepruar e ndodhur ai gjithnjë ishte I buzëqeshur. Kudo ku shkonte të merrte mendime apo të kontrollonte, ai shkonte me njohje dhe i përgatitur. Ai në punë e sipër kurrë nuk prekte krenarinë e të tjerëve. Që të jesh një bashkëbisedues i mirë dhe i besueshëm, duhet të shndërrohesh në një dëgjues i vëmendshëm. E këtë Kadriu e bënte si gjatë jetës studentore dhe sidomos në punë e sipër. Në punë e sipër me mënyrat e veta, Kadriu përpiqej të mbante mend emrat me të cilët komunikonte në takime individuale apo kolektive. Kjo bënte që te secili të zhvillohej një krenari e ligjshme pozitive, sidomos kur i drejtohesh para kolektivit. Ai kur ishte student e më tej, mbase nuk e dinte ç’ka thënë Emmersoni, po e kishte si parim që me cilindo të takonte, thoshte se “ai është më i vlefshëm se unë, “se nga ai mësoj një gjë”. Kemi këmbyer shpesh mendime me të. “Doni të mos ju dëgjojë njeri? Flisni për vete pa ndërprerje. Ndërprisni fjalën në mes bashkëbiseduesve. Kjo indirekt do të thotë: “Mos dëgjoj budallallëqet tuaja. Jam vetë i mençur” Epo kështu ore mik nuk të dëgjon njeri”.

Kadriu, në debate i shmangte debatet e ashpra. Nuk donte të lëndonte krenarinë e tjetrit dhe nuk ofendonte publikisht. Kadriu, më shumë kishte dëshirë të merrej me dëgjues të vëmendshëm se sa me bashkëbisedues llafazanë. Aftësia për dëgjuar tjetrin është e rrallë nga çdo aftësi tjetër. Me këto cilësi të vyera të karakterit të tij, Kadriu ndërtonte punën e vet me vartësit e njerëzit. Disa dukuri të këtij karakteri ne i shikojmë sidomos kur ka drejtuar si kryetar kooperative në Bërzhitë, marrëdhëniet me njerëzit sidomos me Kujtim Spahivoglin, Ilmi e Vala Bejkon etj. Edhe në këtë drejtim Kadriu ka pasur qëndrimin e tij të prerë, të kthjellët e me horizonte. Ai nuk bënte lëshime në parim. Ishte I papajtueshëm me padrejtësitë e servilizmin. Kjo bie në sy edhe në shkrimet e tij në dy vëllimet që ka botuar. Shkrimet e tij për vendlindjen, Mançurishtin, Devollin e krejt rajonin e Korçës, personazhet e individët e spikatur, janë sa interesante, aq dhe plot humor e problemore, të cilat të bëjnë të mendohesh.

Secili mund të shkruajë shumë për punën në dekada, si dhe Kadriu, që i ka “qëndisur” në dy vëllime me tregime nga jeta që tashmë kanë parë me kohë dritën e botimit. Në këtë fushë nuk po ndalem. Largësia midis nesh (Ai në veri dhe në Tiranë e unë në Gramsh),midis të tjerave bënë që të mos kemi shumë kontakte. Isha në Belgjikë (ku kam marrë bashkimin familjar) dhe mora njoftim se me rastin e 40 vjetorit të diplomimit shokët e shoqet e grupi kishin menduar të bëjmë një takim në Tiranë duke dhënë dhe datën e orën. Nismëtarë ishin doktori i shkencave Sulejman Sula nga Puka, Kristaq Pata, Margalina Roga, Gazi Malo etj. U emocionova shumë, por vetë e kisha të pamundur të vija në takim se prisja nga dita në ditë intervistën për të marrë dokumentet belge. Në këto kushte bëra diçka në humor për secilin shok të grupit dhe i nisa me imel Gazi Malos. Ai me Kristaq Patën i kishin printuar dhe u dhanë të gjithë shokëve, gjë që ua di për nder. Për Kadri Kadiun shkrova:

Kadriu në leksione e seminare

Kapitalizmin e “dërmoi” fare

Tani ka shkuar të bëjë praktikë

Atje larg, në Amerikë

Kur e ka lexuar Kadriu, nuk e di a ka sharë”. Ndë p. të sëmës bre, si ka shkruar qerratai!” Në inat e sipër, si duket më është përgjigjur me një poezi të bukur humoristike të cilën e ka futur dhe në një nga vëllimin e tij me tregime “Mall e dashuri”. Poezia është e gjatë, po citoj pak strofa:

Tani Shyqoja u bë bujk

Kujtoi se paratë mblidhen me sfurk

Po jo o Shyqo, s’është ashtu

Dëgjomë mua, mor jahu.

Atë gjermanin mjekrosh

Duhet më shpesh ta kujtosh

Se duket e ke harruar

Se nga del vlera e shtuar.

Mos u mburr të bësh të parin

Dëgjomë mua, kujdestarin

Se unë s’po bëj kot praktikë

Kaq larg, gjer në Amerikë

E vërteta është se e kam ngacmuar të shkruajë dhe nuk kam gabuar. Kur kam lexuar dy librat e tij kam ndjerë kënaqësi të veçantë se janë shkruar me ndjenjë e vërtetësi. Ato mbajnë frymë e vrull jete, shprehje e botës së brendshme të këtij njeriu brilant. Marrëdhëniet tona, edhe pse larg, u forcuan në fb. e në medien elektronike. Kadriu ka botuar në gazetën “Zemra Shqiptare” shkrime të bukura, plot dinjitet. Në çdo ngjarje historike apo të çastit ai ka mbajtur e mban qëndrimin patriotik. Shumë bukur e përshkruan kur e lanë pa punë me vendimin e famshëm 24/1. Shkoi u bë shitës fruta perimesh. Në fakultet e në jetë ne ishim brumosur se për gjithçka puna është babai. Me atë ka jetuar e do jetojë njerëzimi. Fëmijët u bënë të mbarë dhe mbase e kaluan imagjinatën e Kadriut e Lumes. Ata kapën diturinë. E ka thënë Leonadro Davinçi, Hemninguej, Lasgushi ynë i famshëm që dituria është perëndia. Me dituri e punë ata shkuan në Amerikë ku sot gëzojnë dhe prindërit e tyre. Para ca vitesh Kadriu më shkruante në fb. “se në shtator do të vine në Shqipëri e në vendlindjen e tij, Mançurisht. I kujtova se dhe unë banoja në Pendavinj të Korçës jo shumë larg Mançurishtit. “Eja edhe nga unë të çmallemi”, i shkrova. Për siguri i premtova se “kam një kaposh shtatëvjeçar shumë të ndershëm. Nuk ka dalë nga shtëpia e nuk ka shkuar me asnjë pulë në fshat. Atë do ther po më erdhe” i shkrova. Më shkroi se” me atë mendje që ke ti ai kaposh do të rrojë sa të bëhet shtatëdhjetë vjeçar. Unë e Lumja vendosëm të bëjmë një vizitë, e të shikojmë në se do na e bësh kurban kaposhin e ndershëm”. Dhe vërtet, erdhën për vizitë. Aty për pak kaluam në një “incident” të vogël. E pyes Kadriun pasi u ulëm e u rehatuam në shtëpi. “Po kjo shoqja, cila është o Kadri?” Ata të dy shprehën habi. “Po ime shoqe, Lumja është o Shyqo” e zbrazi Kadriu. “O Kadri!” I drejtohem atij. “Ti kur punoje në veri më pate prezantuar me një të fejuar, s ‘më kujtohet mirë emri, si Lefteri, Llahtari a Zemeri. Në Tiranë më prezantove se kishe një grua që mbaronte me anë, si Liljanë, Sulltanë a Zvjetllanë. Po si ore paske dhe një grua me emrin Lume ti? Mirëpo Lumja që me Kadrinë kishte çimentuar 50 vite familje as e bëri veten as një xixë xhelozie nuk ndeza. “Hë! Kështu është ky, Shyqo! Kudo ku ka punuar ka nga një grua. Shikon qeveritarët e sotëm dhe…” E pashë se nuk kisha gjetur kishë ku të falesha për këtë problem, ndaj i vumë kapak. Biseda rrodhën si burimet ujëplotë të Mançurishtit të Kadriut dhe te Lenies time. Çfarë nuk kujtuam! Pastaj bëmë një shëtitje nga pemëtorja ime me mollë. Ishin momentet më të bukura të jetës e të shoqërisë tonë. Bëmë dhe fotografi. E vura re se koha po rridhte e ne nuk na mjaftonte. Ne jemi nga ai brumë që një shok e mik të vjetër nuk e këmbejmë me tre shokë e miq të të rinj. Devolli është I dalluar për një gjerdan figurash të fuqishme të artit, kulturës, politikës.

Edhe Kadri Kadi mendoj se është pjesë përbërëse e atij gjerdani të lavdishëm. Lum Devolli e Mançurishti, që e ka birin e vet një figurë të tillë, po lum them dhe vetë që kam një mik e shok të tillë.

Këto kam kujtuar para tre vitesh nga shoqëria jonë. Kadriu fizikisht nuk është më. Dihet se koha ndjek sensin e së ardhmes, kujtesa kthehet shpesh në skutat e humnerat e së shkuarës. Patjetër kujtesa do të rrokë dhe shokun e mikun tim të cmuar Kadri Kadi. Ai fizikisht ka lënë një vend të madh bosh, për Lumen, të shoqen, djalin e vajzat, të afërm, shokë e miq. Por vetëm fizikisht, mbasi shpirtërisht ai ndodhet midis nesh, atyre që e kanë njohur, në Devollin e Mancurishtin e tij që e donte aq shumë, në vendin e tij Shqipërinë që sa ishte me jetë, nuk linte ngjarje e festë pa kujtuar e gëzuar për cdo arritje. Ai e donte këtë vend, këta njerëz këtë tokë. Kuptimplotë është dhe fakti që një pako me dhe nga ai i vendlindjes, Mancurishtit u vendos më 19 Jannar në varrin ku prehen eshtrat e këtij Devolliu me zemër të madhe që atë tokë e donte aq shumë.

Shyqyri Fejzo

Shkrimtar-publicisht

Hamburg Gjermani.

19 Janar 2019.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT