Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Beqir Cikaqi; Intervistë me Miradie Avdullahi, poete

| E diele, 20.01.2019, 02:11 PM |


KRIJIMTARIA IME POETIKE KA MOTIVE    NDRYSHME!

Intervistë me Miradie Avdullahi, poete

Nga Beqir Cikaqi

- Bazë fillestare për vargun e shkruar poetik është frymëzimi! Unë leximin gjithherë mundohesha ta interpretojë. Ky ves më ka përcjellë gjithnjë gjatë jetës. Gjatë leximit inspirohesha dhe gjeja frymëzimin për të krijuar! Motivet e poezive janë nga më të ndryshme...

Miradie Avdullahi, është e njohur në Itali si poete, moderatore, organizatore,  etj. Është e afërt me të gjithë, si në këshilla e sugjerime, e po ashtu e përpiktë edhe në obligimet që i besohen. Me cilësitë e saja ajo është personalitete në vete.  Bashkëpunëtore e mirë dhe e hapur në organizime dhe veprimtari të ndryshme. Pjesëmarrëse e të gjitha aktiviteteve që organizon migracioni shqiptar në këtë pjesë të Italisë. Gjithashtu është shumë e rëndësishme për familjen e vet si bashkëshorte, nënë, madje edhe një gjyshe e dashur...

- Zonja Miradie Avdullahi, për lexuesit, fillimisht një pasaportë tuajën?

Së pari më lejoni të ju falënderoj për interesimin dhe konsideratën tuaj!

Jam e lindur në Kapit të Medvegjës, aty ku pushtuesi është munduar vazhdimisht ta zhduk identitetin e një kombi, ku dhe sot mundohet ta shuaj gjuhën e kulturën shqiptare me anë të dhunës së hekurt. E vështirë ishte të shkollohej në  gjuhën amtare shqipe! Po prindërit e mi, babai në veçanti, si atdhetar  e dashamir i paepur i arsimit, u shpërngulën në Fushë Kosovë. Aty unë kreva pesë vjet të shkollës fillore, për të vazhduar nga klasa e gjashtë shkollimin e më tejmë në Prishtinë! Me shkrime fillova të merrem qysh si fëmijë në bankat shkollore. Gjithherë isha në kryesinë e “Grupit letrar” si në shkollën fillore ashtu dhe në atë të mesmen. Botova shumë poezi në gazetat dhe revistat e kohës. Shkrimet e mia  mund të lexohen edhe sot nëpër gazeta dhe revista si dhe në shumë portale shqiptare në internet.

Përndryshe përveç që jam bashkëshorte, jam edhe nënë e katër fëmijëve, madje edhe gjyshe, ku i dua shumë nipërit e mi. Prej disa vitesh jetojë e punojë këtu në provincën e Viçencës. Si shumë krijues të tjerë edhe unë  veproj dhe krijoj në mërgim tani, më saktë në  Itali!   Temat janë mjaft të begatshme nga mërgimi, për vendlindjen, mallin, atdheun, kombin, njerëzit e dashur, shkollën, etj.

- Cili ishte aktiviteti i juaj në atdhe para se të migroni dhe pse migruat?

Meqenëse në kohën e rinis tonë, nuk kishim mundësi elektronike për shkrime e komunikime sikur tani, unë pata vendosur të shkojë në kursin e daktilografisë që të përvetësoja shkrimin me makinë e cila do të më ndihmonte në krijimtarinë time poetike. Edhe të punësohesh ishte shumë e vështirë po nuk ishe aktiviste e sistemit të atëhershme, apo ta kesh ndonjë person të njohur për intervenime! Në moshën 22 vjeçare, u martova! Erdhën në jetë katër fëmijë dhe mundoheshim të bënim një jetë normale, aq sa lejonte edhe situata politike e kohës! Bashkëshorti im Ferati, ngeli pa punë, i burgosur, i rrahur nga policia, dhe vazhdimisht nën vëzhgim, u detyrua të largohej nga vendi, fillimisht në Zvicër pastaj në Slloveni dhe në fund, në vitin 1992 kaloi në Itali. Unë me fëmijët, me shumë sakrifica vazhduam të qëndrojmë në atdhe! Gjatë luftës së fundit, pamë e përjetuam gjithçka! Me 24 dhjetor të vitit 1998, kur u bë  “Beteja e Llapashticës”, ne dolëm detyrimisht nga shtëpitë, për të arritur në Prishtinë, pas disa ditësh peripeci u vendosëm tek familja ime. Qëndruam aty deri më 1 prill 1999, kur ushtar e paramilitar të ushtrisë serbe, të maskuar e të armatosur deri në dhëmb na nxorën jashtë duke na urdhëruar të shkonim në Shqipëri, se atë e donim! Në realitet vala e lëvizjes neve na drejtoi për Maqedoni, duke qëndruar nëntë ditë pritje në kufi. Duhet falënderuar gjithnjë pritjen e ngrohtë të bashkëkombëseve tanë në Iliridë! Me sigurimin e vizave në Ambasadën Italiane, me 25 Prill të po atij viti së bashku me fëmijët udhëtuam për Itali, gjegjësisht në Arzignano të provincës së Viçencës, ku vazhdojmë të punojmë e jetojmë edhe tani!

- Kur ke filluar të krijosh/shkruash dhe cilat janë botimet tuaja të deritashme?

Isha në shkollë në Fushë Kosovë! Mësuesi im Bajram Selimi, jo vetëm që ishte një mësues shumë i mirë e dashur në shkollë, por ai interesohej shumë për ne edhe jashtë shkollës! Dinte çdo gjë që ne bënim para ose pas orarit mësimor në shtëpitë tona! Bisedonte me familjarët tanë dhe i informonte për detyrat, mësimet e çdo gjë që zhvillonim në shkollë!... Unë përcjellës të mësimit në shtëpi e kisha axhën tim, Sahit Zymberi, i cili edhe vet ishte arsimtar në një shkollë tjetër.! Ai ishte iniciator që të lexojë libra, vepra të ndryshme, me afat kohor të caktuar, ku më kërkonte të shpjegoja përmbajtjen e librit të lexuar!... Pastaj fitova shprehi për të lexuar tregime, përralla, poezi, e dikur edhe romane. Vjershat që mësoja gjithherë i recitoja. Merrja lëvdata për recitime që më nxiste vazhdimisht dëshirën për të mësuar vjersha! Në klasë të pestë fillova dhe vetë të shkruaja vjersha me pak strofa, dhe ia tregoja arsimtarit të gjuhës shqipe! Dhe një poezi, me titull “Dëshmorët” i pëlqeu arsimtarit, më tha ta recitoja për ditën e shkollës! Isha shumë e emocionuar, por ia dola! Dhe që atëherë, fal mësuesit tim, Bajram Selimit, tani martir i luftës  së fundit në Kosovë, dhe  axhës tim, Sahit Zymberit, unë mësoja mirë dhe lexoja shumë, por edhe nisa të shkruaj. Poezia ime e parë është botuar në fund të vitit 1979 në revistën SHËNDETI . Isha e befasuar dhe e gëzuar në të njëjtën kohë! Me thanë të drejtën mbeta e habitur kur ma kishin dërguar edhe pagesën me faturë. Nuk e dija se revista po paguante për poezitë që botoheshin! Që atëherë kam botuar në revista të ndryshme, fillimisht në ato për fëmijë “Pionieri” dhe “Rilindja për fëmijë”, pjesë shtesë e të përditshmes “Rilindja”. Më vonë edhe në revista të tjera! Jam përgjigjur në intervista të shumta, si në emisionet për fëmijë, në Radio Prishtinën atëherë, po ashtu dhe emisione të RTP...

Sa i përket librave të botuar, kisha  disa përmbledhje poetike që po i ruaja me kujdes që një ditë ta shohin dritën e botimit. Por në kohët e pa kohë ato mu konfiskuan, e një përmbledhje u zhduk dhe në pallatin e shtypin, kurrë nuk më është përgjigjur  kush, se ku përfundoi ai dorëshkrim! Ishte viti 1982.  Pas kësaj , unë e zhgënjyer, e vrarë, heshta ! Heshta në fushën e  krijimtarisë!  Por nuk e humbja shpresën për asnjë çast. E kisha në mendje dhe shpirt  artin e shkruar! Pas shumë vitesh, sikur çdo gjë u ringjall, heshtja dal nga dal filloi të lëvizë dhe të  më zgjonte  nga gjumi letargjik për të  filluar me poezi por edhe shkrime tjera. Kjo ndodhi pasi akomodimit me familje të bashkuar në Itali. Fillimisht, mundohesha të kujtoj disa vargje të vjetra të shkruara, e më pas më nuk ndalova! Në vitin 2012 plotësova dëshirën time që kisha qysh nga viti 1982, kur dështova pa fajin tim! Përmbledhjen poetike jo rastësisht e titullova: “SHTIGJEVE TË HESHTJES”. Është ky libri im i parë i botuar! Poezi kam edhe për dy përmbledhje, por kur do të dalin në dritë, mbetet enigmatike hë për hë! Tani për momentin paralelisht me poezi, jam duke punuar në një roman!

- Çka iu frymëzon për të shkruar, gjegjësisht cilat janë motivet e poezive tuaja?

Bazë fillestare për krijimin e vargut të shkruar poetik është frymëzimi! Unë leximin gjithherë mundohesha ta interpretojë. Ky ves më ka përcjellë gjithnjë gjatë jetës. Çdo herë gjatë leximit inspirohesha dhe gjeja frymëzimin për të krijuar!... Me kalimin e kohës frymëzimi për të shkruar poezi shtohej duke u inspiruar edhe në bukurit magjepse të vendlindjes, sikur janë bjeshkët dhe fushat e Kapitit, Medvegjës, etj... Ndërsa tani poezitë e mia janë me motive nga më të ndryshme, duke u nisur nga përditshmëria jetësore, malli, kurbeti, dashuria për  vendlindjen, motive sociale, përkushtime për dëshmorët e atdhetarët, për të afërmit e miqtë, po edhe ato dashurie!

- Përveç me poezi, ti ke dëshmuar edhe aftësi para mikrofonit si moderatore në manifestime, por edhe në radio. Cila është eksperienca e juaj në këtë drejtim?

Mikrofonin e kam dashur qysh kur kam qenë e vogël, e sidomos kur mësoja vjershat dhe ushtroja në shtëpi, duke përdorur çfarë do mjeti që gjeja afër duke e imagjinuar si mikrofon! Më pas kur isha e vetme në dhomë duke lexuar ndonjë tregim, artikull apo roman, e lexoja me zë të lartë, duke imituar spikeret e medieve!  Moderimin nuk e kam profesion, vetëm se e dua! Dhe, duke falënderuar miqtë, së pari Ali Rexhepin, unë bashkëpunova me radio Zërin e Arbrit, kryeredaktor i së cilës është poeti Imri Trena. Ende vazhdoj të jem bashkëpunëtore, sepse për mua është dhe mbetet një medium ku transmetohen vetëm vlerat e mirëfillta të artit, kulturës e traditës shqiptare! Kam bashkëpunuar dhe me Radio Mitrovicën e Radio Iliridën! Me të gjitha këto kam pasur një eksperiencë të kënaqshme...! Ndërkaq prezantimi i manifestimeve të organizuara nga Shoqatat Kulturore ishte një eksperiencë e re, krejt ndryshe! Emocionet ishin më të mëdha, por kur çdo gjë përfundon me rezultat të mirë, atëherë medoemos të lë kujtime të bukura, të paharruara dhe të lë dëshirë për të qenë prapë pjesë e këtyre manifestimeve!

- Çka të bën të lumtur më së shumti në këtë përditshmëri ?

Të duash vendlindjen, të duash atdheun tënd është diçka hyjnore, dhe kjo ndjenjë nuk krahasohet e as zëvendësohet me tjetër! Ndjenja e atdhedashurisë të bënë krenar e të lumtur! Më jep dhe vullnet e energji në vazhdimin e punës dhe veprimtarisë time, për një të ardhme të mirë, sidomos për brezat e rinj që lindin e jetojnë larg atdheut tonë të dashur!

- Para disa dite në lokalitetin ku jeton ( Arzignano-VI) u promovua shoqata “Ardhmëria”,  ku ju u zgjodhët kryetare. Çka do të thotë për ju?

Po!  Ceka dhe më lart se, ne jemi mërgimtar, por dashuria për atdheun, për gjuhën tonë të bukur shqipe e për kulturën është e madhe! Dëshira ime ka qen qysh në fëmijëri të merrem me aktivitete kulturore! Dhe që atëherë isha aktive në shumë veprimtari që organizoheshin nga shkolla!  Tani që jemi në mërgim, me nostalgji i kujtoj vitet e adoleshencës sime, si në Kapitin e vendlindjes, si në qytetin ku u rrita të Prishtinës! Por, duke qenë në vend të huaj, duke parë se brezat që po lindin e jetojnë këtu po asimilohen dite ditës, ne morëm përsipër që të formojmë një shoqatë kulturore, dhe të angazhohemi plotësisht  në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare...Ne realitet unë dhe bashkëshorti im Ferati ishim mjaftë aktiv në organizimet që bëheshin nga shoqatat dhe grupet tjera shqiptare të rajonit, duke marrë një eksperiencë të mirë në këtë drejtim!  Kështu që vendosëm të krijojmë Shoqatën Kulturore të emërtuar “ARDHMËRIA”. Jemi të bindur se do të ndihmoj në ruajtjen e identitetit tek shqiptarët këtu, po ashtu do të ndihmojë të paraqesin vlerat e kulturës tonë aq të pasur! Formimi i shoqatës u mundësua mbas disa takimeve me bashkatdhetarët në Arzignano të Viçencës. U zgjodh  Kryesia, dhe u regjistrua sipas rregullave dhe ligjeve vendore Italiane më datë, 18. Nëntor 2018. Për një kohë të shkurt u anëtarësuan numër rekord i shqiptarëve!

Zgjedhja ime për kryetare të shoqatës?! Nuk di si të përgjigjem për këtë. Është e vërtetë se kam lobuar shumë të formohet një shoqatë, por jo dhe të jem kryesuese, sepse ky post kërkon angazhim të madh!... Megjithatë, i falënderoj të gjithë bashkatdhetarët që më dhanë këtë besim. Gjithashtu, në veçanti e falënderoj bashkëshortin tim Feratin, për përkrahjen dhe ndihmën që më jep, ndihmë që nuk më ka munguar asnjëherë deri tani. Ani se jemi shoqatë e re, e sapo formuar, me angazhimet e deritanishme jemi të kënaqur, duke falënderuar këtu dhe miqtë nga jashtë, nga shoqatat tjera ku kemi bashkëpunuar deri tani. Gjithashtu i falënderoj edhe  artistët e  këngëtarët që na afruan përkrahje e bashkëpunim në promovimin e shoqatës “Ardhmeria”.

- Cilat janë synimet e shoqatës?

Synimet  apo qëllimi i shoqatës është në radhë të parë, ruajtja e identitetit,  kombëtar, ruajtja e gjuhës tonë të bukur e të ëmbël, njohja e historisë tonë të lavdishme, ruajtja dhe kultivimi i traditave dhe zakoneve tona!

Nuk kemi hapur ende shkollën shqipe, por kemi filluar hapat e parë në këtë drejtim. Jemi në formim  komisioneve e grupeve të nevojshme brenda shoqatës! Mandej presim rezultate dhe krahas tyre edhe synimet tjera do të shtohen! Jam e bindur se nëse vazhdojmë me këtë entuziazëm  do të arrijmë rezultate të kënaqshme! Kemi vendosur që të përgatisim programe festive për data të rëndësishme historike të kombit, siç janë 17 Shkurti - Dita e Pavarësisë së Kosovës, 28 Nëntori-Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit Kombëtar, 8 Marsin me gratë e komunitetit shqiptar  etj.

- Planet tuaja, për të ardhmen?

Zakonisht pak bëj plane! E gjithë kjo pas zhgënjimit të hershëm, kur dështuan gjithë planet me rastin e zhdukjes së materialeve për botim! Por tani që kemi brezat e rinj pas nesh, nipërit, mbesat, doemos se këtë princip timin duhet ndryshuar dhe plane për të ardhmen!  Do të mundohem me gjithë qenien që të hapim shkollën shqipe sa më parë, dhe të ruajmë  e të shpëtojmë këta breza nga asimilimi! Po ashtu dhe plane personale, do të mundohem të gjej tani e tutje kohë më shumë për punën time krijuese dhe të përfundoj romanin e filluar. Brenda mundësive të dalin në dritë poezitë e pabotuara,  që i ruaj në skripte të arkivin tim!

- Meqenëse jemi në fillim të vitit, cili është mesazhi Juaj për lexuesit në fund të  kësaj interviste ?

Viti që sapo e përcollëm, ishte një vit që më goditi rënd disa herë në familje, nga ana gjinisë time!  Por nga fundi solli dhe kënaqësinë, formimin e shoqatës së shumëpritur kulturore! Për këtë fillim të Vitit 2019, uroj për të gjithë shëndet, paqe, lumturi e suksese në synimet personale e familjare! Kemi filluar një punë të rëndësishme, të shenjtë për ruajtjen e identitetit Kombëtar, andaj le të mos kursejmë asgjë në këtë drejtim! Të investojmë sa më shumë në gjeneratat e reja për të lënë brezat pas nesh të jetojnë me krenari për ne! Faleminderit!

Janar 2019