E marte, 19.03.2024, 08:32 AM (GMT)

Mendime

Baki Ymeri: Shqiptari i Naços dhe misioni i saj historik

E premte, 18.01.2019, 07:30 PM


Shqiptari i Naços dhe misioni i saj historik

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Vlen të ripotencojmë faktin se numri i parë i gazetës „Shqiptari” doli në dritë para 131vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta delte një herë në javë në Tipografinë (Shtypshkronjën) Cucu, Bulevardi Elisabeta Nr. 8, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Gazeta asokohe kishte 4-8 faqe. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë „Drita” hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dhe Letëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Viteve të fundit revista del me 50-100 faqe në kolor, me fotografi, me kopertina librash, me dokumente vlerash të vjetra shqiptare, me piktura dhe me tekste, me portrete, me poezi, prozë dhe vlerësime kritike për autorin të cilit i dedikohet. Kemi nderin t’i  falënderojmë dashamirët për respekt ndaj revistës më të vjetër të diasporës sonë me një traditë 130 vjeçare të botimit (1888-2018). Seria e parë botohej nga Nikolla Naço gjatë periudhës 1888-1903, kurse serinë e dytë e themeloi Dr. Xhelku Maksuti në vitin 1993. Që nga viti 2005, Shqiptarin e Bukureshtit e boton autori i këtij shkrimi. Që nga koha e ministrit Ibrahim Makolli, revistën e sponsorizon Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Kjo tribunë e rrallë historike, kulturore dhe patriotike, del në format libri dhe i ka dyert e hapura për të gjithë shqiptarët ngado që janë.

Nga një numër të revistës „Shqiptari” kushtuar Pavarësisë, për çdo vjet e mbështet financiarisht Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht. Dita e Flamurit është fryma e Shqipërisë Etnike. Për publicistin Skënder Zogaj, Dita e 28 Nëntorit, që nga viti 1912 është festë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të cilët, në mos paçin guxuar që ta festojnë legalisht, e kanë festuar ilegalisht. Sipas ish presidentes Atifete Jahjaga, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Zonja Mimoza Lakna thekson se Dita e Flamurit është festa që bën bashkë dhe ngrit peshë shpirtin shqiptar.

Dedë Preqi nga Zvicra thekson se Baki Ymeri është lokomotiva e krijuesve shqiptarë në diasporë. Bakiu boton revistën më të bukur dhe më të pasur të diasporës sonë (“Shqiptari-Albanezul”). Nuk ka fituar pasuri por ka fituar famë. Konsiderohet si përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën rumune. Gjenialiteti i tij shkëlqen edhe në fushë të afirmimit të Kosovës letrare në gjuhën rumune, si dhe në fushë të eseistikës dhe polemikës. Deda potencon faktin se kjo revistë karakterizohet si një shembull i mirëfilltë i afirmimit të veprimtarisë kulturore, letrare dhe kombëtare. Një lëvizje e tillë patriotike, në kushte dhe rrethana të tilla, duke u krahasuar me Rilindësit tanë, janë format dhe përpjekjet e vazhdueshme të kësaj gjenerate, e cila forcon dhe kristalizon frytin e zemrës shqiptare, duke i pasuruar edhe më shumë vlerat e shëndosha kombëtare. Revista "Shqiptari", është revistë me të cilën duhet të krenohemi gjithë shqiptarët. Njëherit kjo është edhe një kontribut i veçantë dhe i shkëlqyeshëm i kryeredaktorit Baki Ymeri. Sipas Hasan Elshanit nga Sllovenia, B. Ymeri është pasqyra më besnike e mjedisit ku ai jeton më përvojë letrare që ka ai. Poezia e tij është një monolog shumë emocional. Eshtë një lloj ure e shëndetshme poetike dhe patriotike që ai e ngre jo vetëm mes vetës dhe atdheut të tij, por edhe mes gjithë shqiptarëve në mërgim. Vargu i tij është i lirshëm, i qetë dhe i butë. Eshtë një lirikë e spikatur ku ka shumë aromë, shumë frymë, subjektivitet dhe origjinalitet.

Për botuesin e revistës Shqiptari sot, Nebi Jusufi shkruan në Facebok: Të lumtë i nderuari zotëri! Jeni një enciklopedi e gjallë dhe e pashtershme. Këtë e vërtetojnë dhe e librat, revistat dhe artikujt shumtë, çdonjëri më i mirë se tjetri në sheshin e atdhetarizmit. Jeni i veçantë në paraqitjen e ngjarjeve në detaje dhe nxjerrjen në pah të shumë ndodhive dhe personazheve që kanë kontribuar në shpalosjen e një pjese të historisë sonë të bujshme, si nga Rilindja ashtu edhe në periudha të ndryshme të rëndësishme për mbarë shqiptarinë. I nderuari zotëri! Ju uroj shëndet dhe e paç gjithmonë penën e lagur me bojë për të na kënaqur me përshkrimin e ndodhive tona kombëtare. Sipas poeteshës Mimoza Çobo: „Shqiptari” është shkëndija më e zjarrtë e shpirtit të kombit, që ngroh me rrezet e saj të dritëruara zemrat e bashkombasve në trojet tona etnike dhe në diasporë. Kjo tribunë e atdhedashurisë përçon kënaqësi estetike të artit të mirëfilltë dhe të kulturës shqiptare, duke qëndruar madhërishëm mbi antivlerat e kohës dhe mizeralitetin e kësaj jete. Revista respektive flet në gjuhën e nënës, merr frymë nga mushkritë e saj, i shndrisin sytë nga xixëllimat dhe magjia e fjalës poetike dhe publicistike.

Mimoza thekson më tej: Kushdo që shfleton faqet e kësaj mrekullie me aromë Shqipërie, ndjen melodinë hyjnore të zërit të mëmëdheut, melodinë e tokës mëmë, gjen paqë shpirtërore, i mbush mushkëritë me aromën e vendlindjes, i laget buza nga zelli shpirtëror i gurgullimës burimore të artit dhe kulturës shqiptare. Faqet e diellëzuara të kësaj reviste shkrijnë çdo grimcë akulli, grisin çdo perde trishtimi në sy, shkrijnë ngadalë çdo copëz malli në shpirtin e çdo shqiptari që flet dhe ëndërron shqip, për agimet e praruara të vendit të tij. Kjo ndodh sepse revista „Shqiptari” shkruhet në gjuhën e nënës dhe lexohet me gjuhën e zemrës. Suksese e mbarësi i uroj lules më të bukur mëmëdhetare që del në zemër të Bukureshtit historik dhe poetik, revistë e lindur nga zelli i shpirtit patriotik e artdashës të patriotëve shqiptarë në krye me themeluesin e saj Nikolla Naço. U lartësoftë emri i saj në shekuj, jo vetëm shpirtin e mëmëzonjës Shqipëri, por edhe në trojet e bekuara rumune! Jetë të gjatë paç „Shqiptari” me bekimin e Shqipërisë e të shqiptarëve!

Për revistën „Shqiptari” kanë shkruar me admirim edhe krijuesit rumunë. Sipas shkrimtarit Mihai Antonescu, shpirti shqiptar është një shpirt i florinjtë, i lindur nga drita e lulet, dhe nga mendimi i parë që ia ka dhënë Zoti për dashurinë. Vlerat shqiptare në gjuhën rumune qëndrojnë me një pamje madhështore që u kanë hije, në ballë të të gjitha gjërave të mira që i ka bërë deri tani Baki Ymeri, qoftë dhe vetëm për faktin se, ja, nënshkruesi i këtyre rradhëve kështu thot dhe mendon, kështu ndjen zemra e tij duke u prehur për një çast ndërmjet kalimtares dhe përjetësisë. Por, ç’mund të jetë më kalimtare se sa fati që të jepet të prehesh mes hyjnive albano/dardane, qenje që nuk durojnë përreth veçse krijesa që shëmbëllejnë me ta, fqinje me madhështinë dhe pavdekësinë tonë të përbashkët. Baki Ymerit jep kontribut për përvetësimin e lexuesit rumun permes kuptimit magjik të një misioni fisnik që të fton për t’i njohur fqinjët dhe vlerat historike të një miqësie të lashtë.

Baki Ymeri është shqiptar i qëndrueshëm porsi ushtari, dashamir i vlerave hyjnore siç është fluturimi ynë për në qiell. Baki Ymeri ka këmbënguljen, guximin, qëndresën dhe durimin e lumenjve të malit që e marrin rrugën për në gjerësi të fushës, pa marrë parasysh shkëmbinjtë dhe gjarpërinjtë e hijeve të fshehta që ia kanë zënë rrugën disa herë, me bindjen se, më herët apo më vonë, do ta zbusë me ujërat e tij etjen e atyre që e presin. Këtij njeriu të jashtëzakonshëm dhe madhështor, në çdo gjë që bën, poezia shqipe i ka borxh të madh, jo vetëm për vlerat, por edhe për prurjen e shpirtit të tyre në gjuhën e një vendi që i konsideron shqiptarët si "Prindërit e Rumunëve" (P?rin?ii Românilor). Jo unë e kam thënë se shqiptarët janë prindërit e rumunëve, por dijetari i famshëm Bogdan Petriceicu Hasdeu (1901).

Ja përmbajtja e revistave të vitit 2018! Nr. 1-2: Revista Shqiptari në 130 vjetroin e botimit. Miku më i madh që ka Kosova në Bukuresht. Kosova në gjuhën rumune. Pleurat Sejdiu: Nga po ia mba Dakia antike? Disa letra me vlera historike (Vehbi Bala, Anton Çetta, Ymer Jaka). Albanezul literar: Bujar Tafa, Albina Idrizi, Nikita Stënesku. Gjuhësi. Bashkëpërkimet rumuno-shqiptare. Albanologu Grigore Brënkush. Vlerat magjike të një mrekullie historike. Boboshtarët e Bukureshtit. Thanas Kantili. Nr. 3-4: Dora D’Istria. Shqiptarët në Rumani. Albanezul literar: Xhemil Bytyçi, Flora Brovina, Lulzim Tafa, Silvana Andrada. Diaspora shqiptare e Egjyptit. Nga Fototeka e Shqiptarit. Nr. 5-6: Princ Widi, Sefedin Kërçova, Xhelku Maksuti. Albanezul literar: Nexhat Rexha, Gentiana Muhaxhiri.

Nr. 7-8: Krajova e nderoi Kosovën me çmimin ndërkombëtar të poezisë. Skënderbeu në Krajovë. Artikuj për Gjergj Katriotin. Tekste shkollore nga Mbretëria Shqiptare. Konsiderata për revistën “Shqiptari”. Poezi nga Ion Deaconescu. Reportazh nga Mimoza Çobo. Nr. 9-10: Reportazh nga Bukureshti. Shkrimtari i famshëm Viktor Eftimiu. Patricia Lidia në gjuhën shqipe. Hazir Mehmeti dhe tregimet e tij. Visar Dodani: Jemi bij të një kombi, që na e ndez zemrën, me një zjarr të shenjtë. Nr. 11-12: Gjurma të shenta shqiptare në Bukuresht. Lasgush Poradeci për gjenezën e himnit tonë kombëtar. Flamuri, Drita dhe Dita e Pavarësisë. Album me fotografi të mrekullueshme nga komuniteti shqiptar i Rumanisë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora