Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Vetmi e ftohtë

| E enjte, 17.01.2019, 09:10 PM |


Vetmi e ftohtë

Nga Blerim Rrecaj

S'di çfarë të bëj, ndonjë hap këndej a andej, a të mos lëviz nga vendi, të mos kem qarkullim të duhur të gjakut nëpër damarë dhe nga kjo të ndjesh valë ethesh të ftohta. Mbase shkojnë bashkë vetmia me ftohtësinë. Shoqëro me to mërzinë e kotësinë. Në mendje më erdhi titulli i lartpërmendur. Dhe po vazhdoj. Të rri, të mendoj për kohën që shkoi e po shkon. Pa mbjellur e pa korrur. E duke parë, vështruar, a duke u hedhur në vetëtima a rrufe pakënaqësish. Në breshër e breshërima fjalësh që vërshojnë të dalura shtretërish. Të hallakatura. Me fjalë vazhdo sa të duash veç do të mbetesh edhe më tej, këtu ku ke rënë e përpëlitesh me vite e vite në kënetë. Ekziston në qytezë një kënetë që skaj saj kemi kaluar jo më shumë se tri-katër herë. Dikush në të pat hedhur grepat në verë. Të tjerat pastaj janë veçse fjalë sa për të kaluar kohën shoqëruar me ndonjë fije shprese. Unë jam mirë edhe atëherë kur s'jam u përgjigja një herë. Dhe nga këtu do përpiqem e gjurmoj për të kërkuar ndonjë shteg ndonëse shtigjet duken si mure të larta të pakapërcyeshme, me rojtarë që kanë marrë urdhër të shtien me armë pa paralajmërim, nëse të afrohesh ke guxim. Po kjo dihet kaherë, është diç që e pret dhe disi je i përgatitur që çdo gjë mund të ndodh nga çasti në çast. Mbase pak e vështirë për ta pranuar pas vetë-mashtrimeve të herë pas hershme. E pas dehjeve pa pirë që të shtyen drejt ngazëllimesh e kur ato të lëshojnë përballesh me trazimet që shkaktojnë valët që përblasen për shkëmbinj dhe koka vlon nga veprimi i ngutshëm që do marrësh me dallgët që ngrenë kryet dhe sikur të ftojnë ty të lodhurin, të dërmuarin, të sfiliturin në duelin kokë me kokë. Përgatitja dhe energjia lënë për të dëshiruar. Është mirë të shtëngosh rripin, të vazhdosh me përpjekje dhe të pajtohesh me fatin cilido qoftë...Dhe ecja e sonte nëpër natë të ftohtë, e mbi cepin e epërm të një lokali me xhama janë kacavarur një tufë thepash akulli, e mbi çatinë e rrafshët të tij një shtresë e bardhë bore, më tej terri nëpër qiell dhe hëna e ndarë përgjysmë që ndriçon rreth e qark saj yje që ndrisin. Klikon dhe lexon diç, edhe më pak se një orë rrugë drejt mesnatës...Dhe koha rrjedh. Të lodh e të shpërqëndron, të huton pyetja e fëmijut se: E çka është greva dhe habitet si shumëherë kur të bën pyetje të tilla duke ta vërejtur nervozizmin. Kalojnë ditë. E sheh një letër të publikuar të një mësuesje që mundohet t'ua sqarojë nxënësve këtë gjë. Dhe derisa e dërgoj njërin nga fëmijët në një kurs anglishtjeje e me tjetrin ulemi në një cep kafeneje që i bie dielli por ndezur janë dhe dritat e fenerët.Dhe hedh sytë edhe kah ekrani i televizorit i ndarë disa hapësirash ku shfaqen tituj e informacione që përsëriten.Mendja na shkon te një fjalë me vend të thënë siç e pamë dhe e shohim në "Fjala Review" në internet:"Në këtë vend askush nuk është i sigurtë, as qeverisësi as i qeverisuri. Në këtë gjendje nuk mund të këtë asnjë lloj opinioni publik-edhe sikur ai të ishte i lejueshëm" e që janë fjalë të nxjerra të Josef Roth-it nga një artikull për Shqipërinë e vitit 1927. Fjalë aktuale që duket se s'do t'u hiqet aktualiteti gjatë. Ndërrojmë vend por jo edhe temë, nga kafeneja në kafene. Fëmijët lozin jashtë të gëzuar që u takuan ndonjëse dyert e shkollës ende s'janë hap. I zhytur e i mbytur i tëri pranë një liqeni espresoje. Eh, lëri këto fjalë se na ke lodhë me to pa folur me kënd i thua vetes pa zë. Por punë nuk është kah kryen as heshtja ndonëse hedh shikimin andej kah luajnë fëmijët të cilët me topa bore gjuajnë në drejtim dhe lënë gjurmë bardhësie në murin e kësaj ndërtese...