E enjte, 28.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Mendime

Luan Myftiu: Ndryshimi i historisë, nevojë edhe për vëllazërimin kombëtar

E merkure, 24.09.2008, 03:09 PM


Luan Myftiu

Ndryshimi i historisë, nevojë edhe për vëllazërimin kombëtar

Nga Luan Myftiu

Për të justifikuar padrejtësitë, komunizmi kishte nevojë të gënjente. Për të realizuar këtë, Historinë e bëri mjet propagande. Në themel të saj vendosi luftën e klasave. Historianët porositeshin të gjenin kontradikta edhe tek “harmonia qiellore”. Për komunistët Historía fillonte ditën që ata themeluan partinë e tyre. Kurse, gjithë historia e njerëzimit ishte vetëm luftë e të shtypurve kundër shtypësve. Zhvillimin shoqëror e kishin kryer vetëëm masat. Hipokrizia arriti maja të papara. Aty ku adhurohej tiráni, u thurej hym turmave të mjera. Ata që vuanin nga uria, u shpallën zotër të vendit. Liria e “kopaçes” u deklarua si kulmi i demokracisë. Individi që bënte ligjin, çmohej gjoja si faktor nxitës ose frenues i progresit. Atdhetarët e vërtetë, ose u lanë në heshtje, ose u shpallën tradhtarë. Kush kishte vrarë beun më patriot, mbahej si hero, ndërsa kush ishte sakrifikuar për shpëtimin e Shqipërisë nga komunizmi, mallkohej tri herë në ditë si tradhtar, agjent ose antishqiptar. Të gjithë personalitetet e nacionalizmit, që dhanë jetën dhe shkrinë pasuritë e tyre për një Shqipërí të lirë e demokratike, u damkosën si kolaboracionistë, agjentë të shërbimeve të huaja dhe hajdutë pulash. Shpifja mbulonte të gjitha faqet e historiografisë komuniste. Kur patriotët shqiptarë dergjeshin të internuar në ishujt e Italisë, Enver Hoxha hargalisej me vajzat “liberale” italiane në kafe “Flora”. Shumë nacionalistë, që u lidhën në luftë me komunistët, u asgjësuan prej këtyre të fundit me plumb prapa kokës. Ç’vinin nga shtresa të pasura dhe shprehnin haptas dashurí për Kosovën, caktoheshin prej komunistëve në aksione të rrezikshme, nga ku vështirë se dilnin gjallë. Pastaj shpalleshin heronj, iu “gllabërohej” pasuria, ndërsa familjet dhe fiset e tyre lidheshin kështu me luftën. Kriminelët më të pashpirt u ngritën prej komunizmit në shkallën më të lartë të atdhetarizmës. Vetëm ndonjë figurë e spikatur historike, së cilës s’kishin ç’t’i bënin, e mbanin në hije, sa për t’u dukur se, gjoja, dhe komunistët çmonin përkushtimin atdhetar. Megjithatë, shumë nipër e mbesa patriotësh të mëdhenj, si shpërblim për veprat e të parave të tyre, u pushkatuan, ose u kalbën në burgje, a internime prej komunistëve. Historia e njerëzimit vërtitej rreth një skeme bajate. Mjafton të lexoje një kapitull të saj dhe kishe në pëllëmbë të dorës tërë mekanizmin e progresit, a regresit historik shoqëror. Dhe kjo Histori kishte “paprekshmërínë” e një tabu-je. Kush dilte nga qerthulli i interpretimit të saj, dyshohej, shihej si armik dhe përndiqej.
Kështu Historiografia komuniste e ndau shoqërinë shqiptare në dy kampe armiqësore. Ajo thuajse i zhduku vlerat e vërteta të kombit dhe ngriti në piedestal shumë fundërrina. Kush i shërbente me përkushtim diktaturës dhe diktatorit, nderohej, merrte poste të larta, dekorohej dhe gëzonte shumë privilegje. Gjithë shtresat fisnike, ato që e kishin bërë Shqipërínë, përbuzeshin, urreheshin, izoloheshin dhe, në fund, edhe asgjësoheshin. Lum ai që kishte lindur në një familje pa emër, pa pronë, pa shtëpí e katandí, e cila kishte luftuar vetëm për bukën e gojës. Mjerë ata që kishin lindur në familje të pasura, a të varfra, por me figura të shquara historike dhe kontribute të spikatura atdhetare.
Gati të gjithë patriotët që u pushkatuan, që u varën, a u zhdukën pa gjyq, mbetën të akuzuar si njerëz që nuk meritonin të jetonin, apo si antikombëtarë e kriminelë. Në një kohë që ishin krejt të pafajshëm dhe, madjé, ajka e kombit. Shumë të tjerë u lanë dhe pa varre, pasi u pushkatuan edhe moralisht, duke u detyruar me tortura çnjerëzore të pranonin akuza të përbindshme. Ndërkohë historiografia komuniste mbushte kundër tyre libra të tërë me epitete nga më poshtërueset dhe “justifikonte” komunizmin për krimet e tij monstruoze. Bijve dhe bijave të këtyre “tradhtarëve”, të bindur për pafajësinë dhe ndershmërinë e prindërve, a gjyshërve të tyre, iu desh të përballonin me dinjitet stoik edhe përbuzjen e pamerituar të një ambienti të mashtruar nga Historia, e thurur nën diktatin e xhelatëve të komunizmit. Kështu kjo Historí e mbushur me shpifje dhe gënjeshtra, a me pohime fajtorësh të pafajshëm të nxjerra me “kopaçe”, u bë vegël e verbër e diktaturës më të egër për përçarjen dhe armiqësimin e shtresave të shoqërísë shqiptare. Për fat të keq, edhe sot, në demokraci, ruhen reminishenca të paragjykimeve klasore. Edhe sot gjen drejtues të P.S.-së, të cilët flasin me gjuhën e Historisë së deformuar prej komunizmit. Asnjë prej këtyre “intelektualëve” nuk ka dalë sot të kërkojë të falur për fyerjet dhe poshtërimet e pamerituara, që u ka bërë Historiografia komuniste, gjithë atyre individëve, familjeve, madje, dhe fiseve të tëra, të ndershme dhe patriote. Është e çuditshme të ketë sot djem të rinj, të angazhuar në politikën e majtë, të cilët pretendojnë se e kanë dënuar sistemin komunist, të arrijnë të gjykojnë endé me të njëjtat skema fatin tragjik të atyre shqiptarëve patriotë, që nuk kursyen asgjë për të mirën e Shqipërisë. Por, edhe më e pabesueshme është sjellja e disa deputetëve të majtë, të cilët, edhe kur hidhet ideja e rishikimit dhe rishkrimit të Historisë, ngulin këmbë që asaj të mos i bëhet asnjë ndryshim. Ky është një paradoks, sa i turpshëm, aq edhe i frikshëm! Ç’mendojnë, vallë, këta njerëz për kombin dhe të ardhmen e tij ? Si do të shkojmë kështu në Europë, duke mbrojtur me fanatizëm një Histori të përdhosur nga gënjeshtra komuniste ? Si do të bëhet realisht pajtimi dhe vëllazërimi kombëtar, pa u parë me drejtësí e paanësí gabimet, fajet, apo dhe krimet e kohërave që shkuan ?! Leon Tolstoi ka thënë: “Nuk ka më keq se kur njeriu fillon të ketë frikë nga e vërteta”. Të jetë, vallë, kjo lloj frike që i detyron socialistët të mbahen me thonj pas gënjeshtrës së zezë të historiografísë komuniste?!...

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora