E shtune, 24.10.2020, 03:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Kobellari: Zenel Bastari, vjershëtori kritik që tronditi Tiranën

E merkure, 16.01.2019, 09:57 PM


ZENEL BASTARI, VJERSHËTORI KRITIK QË TRONDITI TIRANËN

Botën e kam zgjedh për shpi,

tokën e ftohtë e kam nanë,

Qielli mu ka bo çati;

vllazën, motra gjith’ dynjanë.

Zenel Bastari

Nga Dr. Hysen Kobellari

Zenel Bastari (1808-1883) është një ndër vjershëtorët më të dalluar, më produktivë dhe më kritikë të shoqërisë shqiptare të shekullit të XIX-të; poet dhe intelektual me dimensione të gjera, ende të pazbuluara dhe të pandriçuara mirë. Megjithëse për personalitetin dhe krijimtarinë e tij nuk kanë munguar përshkrimet dhe vlerësimet, duhet përmendur se këtu kemi një mungesë serioze : veprat e këtij vjershëtori të talentuar dhe me prodhimtari të bollshme nuk janë ruajtur dhe gjetur origjinale e të dokumentuara, por janë mbledhur të transmetuara brez pas brezi, që prej një shekulli e gjysëm më parë…

Ai është mjeshtër i gjuhës dhe fjalës së mençur popullore, që me shkëlqim mahnitës e mprehtësi rrezëllitëse për kohën, përdor figura poetike me vlerë të qëndrueshme ndër kohra, të cilat pasqyrojnë realitetin social – historik të jetës së popullit të vet, vuajtjet e mëdha dhe padrejtësitë që bëheshin në kurriz të vegjëlisë pa përkrahje, botën e brendshme të pasur të poetit, synimet e tij për të transmetuar mesazhe të fuqishme filozofike, etj.

Prandaj me të drejtë R. Elsie shprehet se “Poezisë së Hasan Zyko Kamberit e madje asaj të Nezim Frakullës nuk i mungon kritika sociale, por duhet të vijmë te poeti bektashi Zenel Bastari që të gjejmë shprehjen e parë të vërtetë ideologjike të vetëdijes sociale në letërsinë e bejtexhinjve… “

Zenel Bastari (Hyka) është përfaqësues i vegjëlisë tiranase në kohën e shthurjes dhe degradimit të rendit feudal, këtu të papjekur plotësisht, si në të gjithë botën. Ai vinte nga radhët e zanatçinjve (rrobaqepës, gajtanxhi), si embrione të borgjezisë-së-vogël, megjithëse ishte shkolluar për hoxhë; duke mos qënë i varfër, ai ishte i pafrikshëm e guximtar deri në shkallën e kritikut dhe të të rebeluarit kryengritës. Vepra e Zenel Bastarit si edhe ajo e pararendësve të tij Hasan Zyko Kamberit me shokë, hodhi poshtë mendimin se vjershërimi alhamiado (gjuha vendase me shkronja (alphabet) arabe) paskesh qenë me shpirt të huaj dhe u bënte bisht halleve të mëdha të popullit tonë !

Vendorigjina. Njerëzit. Tiparet.

Rama (Ramadan, apo Ramazan), babai i Zenel Bastarit e kishte mbiemrin Hyka, vinte nga malësitë në veri të Tiranës, që njiheshin si Gegë. Shekuj më parë këto vendbanime thirreshin Bende (nga turqishtja bende=skllav, sipas fjalorit të Hysen Vocit). Ky emër mund të jetë vendosur në shekullin XIV-të ose XV-të, në kohën e pushtimeve osmane të këtyre trevave, në kuadër të sistemit skllavopronar. Edhe sot këto zona njihen me këtë emër, madje intelektuali i njohur Mehdi Hoxha prej kohësh boton gazetën interesante “Benda”, e cila përgatit dhe nxjer të dhëna interesante nga historia dhe njerëzit e kësaj zone, duke ndjekur hap pas hapi edhe jetën që zhvillohet sot atje.

Njerëzit e kësaj zone njihen ndër shekuj për inteligjencë të lindur, durimtarë të sprovuar dhe për zakone e tradita njerëzore të konsoliduara. Nga vegjëlia e kësaj treve kanë dalë figura të shquara, që kanë arritur poste të larta në Perandorinë Osmane e gjetkë, ku po përmend fare pak prej tyre: Islam Efendi Tufa (1880-1937) nga Selita e Malit, deputet , Zv.Ministër i parë i financave për 13 vjet rresht, njeriu i pestë më i fuqishëm i Turqisë së pas revolucionit 1924; Veli Efendi Haxhi Limani (Gega) (1765-1850), Shef i Thesarit të Valiut në Pashallëkun e Janinës të Ali Pash Tepelenës, etj. … Nga Bulçeshi i Ri i Krahinës Benda është edhe Dëshmori i Atdheut Ibrahim Basha.

Tiparet njerëzore të banorëve të kësaj treve kanë qenë dhe janë tipike të shqiptarit të lashtë: zgjuarsi natyrale, vullnet për të sakrifikuar në jetë, mikpritje, pasuri në talente, durim i mbështetur në besimin tek Zoti, etj. Këto tipare trashëgoi edhe Zenel Hyka, i cili u lind në Tiranë nga nëna tiranase e fisit të Kollçinjve, e cila ishte martuar me babë Ramën, burrë i nderuar nga Bastari, i njohur si bujk dhe bahçevan i zoti, fisnik e besnik.

Disa radhë për jetën e vjershëtorit të talentuar.

Zenal Bastari mendohet të jetë lindur në fillim të shekullit të XIX-të, mbase në vitin 1808 në Tiranë; kjo sepse ai jetoi rreth 75 vjet dhe thuhet se është ndarë nga kjo botë rreth vitit 1883, 5 vjet pas luftës ruso – turke (1878). Ai, ashtu si edhe i vëllai, Rexhepi, që ndoqi zanatin e të atit, si bujk e bahçevan, nuk u martuan. Të dhënat për biografinë e poetit janë nxjerë nga krijimtaria e gjetur.

Babai i vjershëtorit virtuoz, Rama, kishte zbritur nga fshati Bastar dhe dikur mbante mbiemrin Hyka, të cilin tiranasit ia zëvendësuan me emrin e vendlindjes, Bastari. Rama ishte bujk i mirë dhe bahçevan i talentuar e i papërtuar, si dhe fetar mysliman i përkushtuar. Duke patur këto cilësi të pëlqyeshme dhe të çmuara për kohën e vendin, djalit nga malësia vendalinjtë i dhanë nuse shpejt; Kollçinjtë e martuan me njërën nga vajzat më të mira të tyre. Nga kjo martesë linden dy djem, Zeneli dhe Rexhepi.

Zeneli ishte një fëmijë shumë i shkathët, kureshtar nga natyra,i zgjuar dhe i etur për dije e kulturë të kohës. Ai mësoi fillimisht në mejtep, ku doli shumë mirë me mësime, pastaj ndoqi studimet në medresenë e Tiranës, ku njohu kënaqshëm gjuhët arabe, perse dhe turke me mësues të aftë e me kulturë të gjerë. Mendohet se Zeneli ka pasur njohuri edhe të gjuhës frënge …

U përgatit si hoxhë, por nuk e punësuan në asnjë institucion fetar të kohës. Familja e tyre kishin miqësi dhe shkuarje të mirë me disa fise tiranase, por sidomos me fisin Jellaj, ( Një Rexhep Jella nga kjo familje ka pas qenë Prefekt i shtetit në Korçë, pas 1920-ës). Pengesë për mospunësimin e Zenel Hykës në ndonjë institucion fetar vendor si myezin ose imam, mund të kenë qënë klanet fetaro-fisnore, të cilët më vonë u bënë personazhe tipikë në vjershërimin satiro-humoristik të poetit, si përfaqësues të ndryshëm të fisit Toptani, Meti i Mulla Rexhepit, etj.

Sidoqoftë, Zenel Bastari nuk ndenji pa punë; që kur ishte nxënës në Medrese ai mësoi zanatin e gajtanxhiut, një punë dhe art mjaft i vështirë, por edhe fitimprurës për kohën. Gajtanari kryente disa procese pune për të përgatitur veshjet e rrobat në formën e Kostumeve tradicionale tiranase, për dhëndërr e nuse, për të dalë, për ndenjje, punë,etj. Ai ishte rrobaqepës dhe qëndistar …

Për nevoja pune poetit iu desh të udhëtonte disa herë jo vetëm në zonat e thella të vendlindjes së të atit, ku përpunohej leshi dhe përgatiteshin shajakrat, por edhe jashte vendit si në Stamboll, vendet e Gjirit Persik, madje edhe në disa vende europiane. Prej andej Zenel Bastari pruri literaturë të bollshme, së bashku me imitacionet e fijeve të arit, nizamkave (kopsat metalike), fijeve të pambukta, mëndafshit, etj.

Vjershërimin e nisi qysh kur ishte fëmijë dhe e përsosi dita-ditës derisa arriti kulmin në vitet e pleqërisë së thellë. Poezitë e asaj kohe, ose vjershat quheshin bejte=vjershë, nga turqishtja, ndërsa poetët ose vjershëtarët (vjershëtorët, siç i quan poeti N.Frashëri me përkëdheli) i thërrisnin bejtexhinj nga Shqipëria e Mesme dhe në Jug të vendit, e cila me kalimin e kohës mori konotacion negativist; kurse në Zonën e Shkodrës e sipër ata quheshin bejtarë.

Motivet e vjershave të Zenel Bastarit janë nga më të larmishmet, aq sa mund të themi se ai është poeti i kohëve të vjetra më i kompletuar në këtë aspekt. Mbi të gjitha Zeneli ishte poet virtuoz, i vetvetishëm, i lindur si i tillë, sepse vargu i tij rrjedh pa sforcim, si ujë burimi, që në ecje e sipër formon përrenj të furishëm, shndërrohet në lumë më të qetë, derisa përfundon në det, kur i këndon me adhurim Allahut dhe thur vargje nderimi e dashurie për profetin (a.s)…

Shembulli i Pjer Zhan Dë Beranzhe –së (1780-1857)

Në kohën kur jetoi dhe krijoi poeti i talentuar Zenel Bastari në Tiranë, në Francë një poet i madh i quajtur P.Zh. dë Beranzhe kishte arritur kulmin e lavdisë dhe nderimit si Shansonie, poet – këngëtar, autor këngësh sidomos satirike.Kjo krijimtari aq e pëlqyer për popujt ka rrezatuar në të gjithë botën, rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Dikush mund të thotë se është e tepërt të bëhen krahasime të tilla midis niveleve të arritura në krijimtari në vende si Franca, me krijimtarinë e poetëve të vendeve të prapambetura si Shqipëria e atyre viteve të pasmesjetës, me ndikime të forta orientale. Mendoj se një përqasje e tillë nuk është pa baza, se krijime si ato të Zenel Bastarit, H.Z.Kamberit, N.Frakullës, etj., ia vlen të ballafaqohen në thelbin e tyre me ato të më të mirëve të Europës. Me këto krijime të angazhuara e të mbështetura në jetën reale të popullit janë hedhur bazat e një realizmi militant, që do të zhvillohej në gjerësi dhe thellësi në të ardhmen...

Po t’i bëjmë një analizë të shkurtër vjershave satirike të Zenel Bastarit për jetën e mjeruar të popullit në përgjithësi, por sidomos përtalljes që poeti bën në këngë e vjersha të veseve të pasunarëve, qeveritarëve dhe pseudofetarëve të kohës, do të shohim shumë përgjasime të çuditshme me ato që krijoi në Francë Beranzheja i famshëm…

K’nej bejlerët me kërbaç,

A’nej hoxhët me qitap;

Ah, moj zemër ma mirë plaç,

Se të heqësh veç adhap !

Ose:

Flas për Metin e Mulla Rexhepit,

Bojalli, burrë me nishan;

Paska marrë ferman prej mbretit,

Që t’bahet mashkull azgan …

Veç me fetvanë e Sherijes, vazifen do ta shikojë;

Nobetçi i Islamijes, sa me duar, sa me gojë …

Portreti satirik “Meti i Mulla Rexhepit” është një nga figurat më interesante të letërsisë sonë të vjetër, poezi që shënjon kulmin e përqeshjes dhe thumbimit të njeriut të asaj kohe, të mbytur në vese, personazhit simbol dhe njëkohësisht real kleriko-feudal.

Ky portret është shumë më i ashpër nga portreti satirik i Beranzhesë te “Princi i Navarës…”, ngase edhe njeriu real që përshkruan Zenel Bastari ynë ishte i tillë, që e meritonte një sarkazëm të tillë therëse …

Me tingëllimë dhe përmbajtje të rëndësishme shoqërore dhe morale janë edhe poezitë satirike me qasje positive kushtuar njerëzve me virtute e vese të asaj kohe, si Hysen agë Jella, Ahmed bej Qorri, Usta Likë Cali, Kryeusta Adem Sylli, Selim pashë Toptani, portrete të tregëtarëve të vegjël, mullixhinjve në breg të lumit, etj., bejte e nofka të ngjitme, megjithëse ato kanë frymë polemizuese dhe qasje reale e affirmative, por mjeft të këndshme në ndjesi.

Elegjia “Vajtim për Shemimi Babanë e Fushë – Krujës” është ndër më të ndjerat vjersha dhe nder më të goditurat, ku protesta dhe revolta kalon deri në rrebelim; aty shpaloset shpirti i shqetësuar i poetit me rastin e vrasjes së Baba Shemimit, Baba i Teqesë në Fushë- Krujë nga Kapllan Pashë Toptani. Poeti bëhet njësh me njerëzit e shtypur e të revoltuar dhe është gati të kthehet në zjarr e vullkan ku të përcëllohen e digjen krejt vuajtjet, mjerimi dhe padrejtësitë shoqërore:

“ T’kisha forcë unë fatziu, / Ndihmë t’i baj ktij mileti ! “

Ashtu si Beranzheja tronditi Francën dhe shoqërinë e kohës me vargjet dhe këngët e tij satirike, Zenel Bastari tronditi Tiranën me vjershat (bejtet) e tij të famshme, që përcilleshin gojë më gojë e shtëpi më shtëpi, duke bërë mjaft miq, por edhe shumë armiq, të cilët shpifnin gjithfarë të pavërtetash e shanin ndyrë për të :

“ Deh, o xhan, ç’më zu belaja,/ Merre vesh në je irfan !/ Je pa fe, po m’thonë dyniaja,/ Nuk ke din, as s’ke iman … “ dhe “ Në dynia m’kan delendis/ se Zeneli s’njeh sheriatin/ K’ta s’e dinë se janë midis/ e s’e qesin kurrë hesapin ! … “

Poet i Divanit, kasideve, gazeleve, odeve, lirikave, elegjive, vjershave mistiko-fetare, satiro-humoristike, historike, portretizuese…

Zenel Bastari ka pas qenë poet me dimensione të gjera. Ai kishte një konsideratë të lartë për veten, respektivisht për njeriun, si krijesë e Zotit:

Unë jam diell, unë jam hanë;

Unë jam yll, unë jam ylber.

Unë jam mjaltë, unë jam zeher;

Unë jam ditë, unë jam natë …

Poeti këtu përshkruan rolin dhe detyrat e tij si misionar, illuminist dhe kritikues, ashtu siç bëri edhe poeti ynë i madh Naim Frashëri me vjershën misionaro-programore “Fjalët e qiririt”.

Zenel Bastari e ka pas ditur fjalën e urtë persiane “ Edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli “, të cilën e zbërdhen dhe e përthyen shumë herë me fjalë të tjera dhe me figura poetike konkrete situatash.

Ai ka marrë si modele vjershërimi vaprat e poetëve të njohur persianë: Sadi, Hafiz,Xhami,Hajami,Attari,Rumi, etj., pastaj i ka brumosur vargjet e veta plot frymëzim me miellin e jetës së vet dhe të shoqërisë ku jetoi e luftoi në emër të mirësisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Divani është një përmbledhje vjershash të sistemuara sipas një radhitjeje të veçantë. Ky nis, si rregull, me një lutje Krijuesit (Allahut), vazhdon me vargje për njeriun, dashurinë, kënaqësitë tokësor dhe mundimet e kësaj jete; trajton pastaj çështje të fesë, filozofisë, moralit, etikës dhe estetikës dhe mbyllet me ode panagjerike për Sulltanin dhe sundimtarët dhe padronët vendorë, të denjë për të hyrë në vjershë…

Divani i Zenel Bastarit ka pas qenë i përbërë nga rreth 200 strofa, prej të cilave 145 ode janë përcjellë deri në ditët tona. Disa nga vjershat zeneliane janë bërë këngë, duke u muzikuar nga orkestrantë popullorë…

Për mbledhjen e krijimtarisë së tij kanë punuar fillimisht rilindasi vullnetmirë Thimi Mitko, i cili i pandehu këto krijime si folklore, pastaj poeti dhe shkrimtari i ndritur Hafiz Ibrahim Dalliu; Ibrahim Hasanaj më 2003-shin botoi një liber me jetëshkrimin dhe 145 ode në formë Divani, Rexhepi Nizami, Ali Bixhiu, Hamid Ohri, Zyber Bakiu, Arif Gjyli, Mahmud Hysa, Jorgo Bulo, Abdullah Hamiti, etj.; një brigadë e tërë studiuesish dhe dashamirësish kanë marrë dritë nga vjershërimi i poetit të pavdekshëm Zenel Bastari.

Dhe drita e krijimtarisë të frymëzuar dhe me sens kritik e përtëritës të vjershëtorit Zenel Bastari do të vazhdojë të ndriçojë Tiranën dhe gjithë vendin me mirësinë, mesazhet e forta filozofiko-morale dhe dashurinë njerëzore që ajo mbart dhe rezaton…

Hysen Kobellari

TIRANA JONË SI MËSOI

Ymrin na i kanë shkurtue

Po na shtrydhin porsi rrush

Komplet zemra na u coptue

Me vner shpirti na u mbush.

Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,

Pa opinga, zbath e zhvesh;

Vetë janë mbulue me gjith’ t’mirat

Si katilat rrinë tue qesh !

Zenel Bastari



(Vota: 34 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora