E premte, 29.03.2024, 12:19 PM (GMT)

Kulturë

Mimoza Hysa: Me vend dhe pa vend në rrjedhën e kohës

E marte, 23.09.2008, 06:28 PM


Mimoza Hysa
Me vend dhe pa vend në rrjedhën e kohës

Nga Mimoza Hysa*

Të përpiqesh të ftillosh çka është koha në të cilën jeton është njëlloj si të duash ta ndalësh për pak anijen që çan dallgë kur ti je mbi të.
Vështirë, po megjithatë përpjekja ia vlen për të ndërtuar një trajektore sado të paplotë, po makar të përafërt që më pas kundruesit nga bregu ta vijëzojnë siç duhet në të ardhmen. E pra duket se zhvillimi marramëndës i shkencës dhe sidomos i kibernetikës bren papushim tokën e ngujuar poshtë nesh e kështu edhe mendja sillet ndryshe duke iu përgjigjur turrit pa ndalesa. A mundet në të vërtetë mendja njerëzore të arsyetojë kësisoj? Dua së pari t’i jap një përgjigje pyetjeve që na gëlojnë këtë fillim shekull kur përsërisim se asgjë nuk është më si më parë. Po në të vërtetë për çdo brez gjërat ndryshojnë. A nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe për kohën e rilindjes apo iluminizmit? A nuk ka ndodhur kështu dhe për brezin e dalë pas luftës që përjetoi makthin e mbylljes në rreth? Padyshim. Por lëvizjet e përparimet e asokohe ngjanin se bëheshin hap pas hapi dhe njërëzimi parapërgatitej ngadalë për përshtjatjen. Ose thënë më qartë dukej si luftë brenda llojit njerëzor për të zgjidhur probleme universale e të përhershme pushteti e lirie, ndërkohë kur ky fillim shekulli ndoshta ka të bëjë me luftën e kufinjve të njeriut me teknologjinë dhe kësisoj mendja njerëzore është vënë në një sprovë të papërvojë.
Ta shtrosh problemin është ndoshta hapi i parë për të thënë se ekziston, domethënë të rrekesh sa mudesh ta fokusosh apo ta fusësh në një rreth për ta parë më qartë. Po për këtë lloj ndryshimi është vështirë të përdoret peshorja jonë. Që këtu fillon gabimi, te këndvështrimi. Duhet filluar nga ndryshimi i njësisë matëse. Ç’domethënë: sistemi i vlerave tona të ngujuara në shtylla të drejta është zhvidhosur dhe kështu këndvështimi ynë është i gabuar. Është njëlloj si ta kesh të prishur aparatin fotografik, të shfokusuar dhe të përpiqesh të bësh fotografi të sakta. Po po të kujtojmë se kinemaja neorealiste e lindur në Itali gjatë luftës së dytë botërore, u përcaktua si e tillë vetëm pasi kishte përmbyllur harkun e zhvillimit, ma rrok mendja se të gjitha çka përcaktojmë sot do të pësojë ndryshim nesër. Po kjo nuk më shqetëson se me këtë mendësi do të shkruanim gjithnjë për probleme, zhvillime e rryma të mbyllura në qark. Pikërisht në këtë relativitet mendimi qëndron dhe ndryshimi i fokusit të problemeve. Mënyra e arsyetimit më ngjan se ka ndryshuar duke iu përputhur padashur shpejtësisë së zhvillimit dhe epokalipsit të shkurtimit të kohës dhe hapësirës. Tashmë brezi i sotëm po ndryshon pikërisht në mënyrën sesi përdor kohën dhe sesi përthith dijen duke e kthyer në energji për lëvizje: dija nuk është më për ta një gërrmim i gjatë, i mundimshëm, i lodhshëm, i përhershëm në një vend të mbyllur e rrethor, por një lundrim (jo më kot ka një term të tillë në internet edhe pse për konceptin tonë të ngujuar kërkimi në internet nuk përbën dije) nëpër dije përciptazi dhe shpejt për të marrë atë që u duhet e për të kaluar diku tjetër, me qëllim që të mbahet gjallë lëvizja. Pra thelbi i ndryshimit qëndron pikërisht te lëvizja dhe njëkohësisht komunikimi.
Për të shfajësuar mendësinë tonë do të gjeja prehje te libri i Petrarkës: “De vita solitaria” ku poeti gjakon të mbrojë idenë se për të kundruar, përshkruar e analizuar jetën, filozofit dhe shkrimtarit i duhet patjetër të bëjë një jetë të vetmuar e të izoluar, një jetë në përtaci fizike. Po flasim për shekullin e XIV në të vërtetë! Po flasim për metodologjinë e studimit të asokohe duke ndaluar kohën e veçuar sendet e ngjarjet me qëllim vëzhgimi, gjë që tashmë edhe nëse është e mundur (gjë që dyshoj) nuk përbën më dije për të gjithë, sepse kjo dije jorrjedhëse e jashtë komunikimit real të drejtpërdrejtë, e humbet vlerën. Për ta kuptuar më mirë po huazoj një shembull banal të shkrimtarit italian Baricco në një ese të kohëve të fundit: Nëse do të donim të dinim të vërtetën se çfarë i tha Materaci Zidanit gjatë ndeshjes, dhe për këtë gjë të shkruanim në Google fjalët kyçe për ta kërkuar, çfarë do të vërenim? Nëse thënia e saktë do të ishte shkruar në një gjuhë të rrallë (të themi shqip, edhe pse Baricco nuk u kujtua për ne), Google nuk do të na e shfaqte të parin, sepse fillimish do të na jepte atë çka kanë thënë për të njëjtën gjë faqet më të besueshme (që sipas logjikës moderne (dhe këtu vini vesh!) janë faqet më të klikuara, ku komunikimi është më i shpeshtë, gjetje kjo e programuesve me mendje të re), edhe pse ato faqe nuk përmbajnë thënien e saktë por diçka të përafërt. Kështu shkallën e së vërtetës nuk e vendos më thelbi i saj, por e vendos fakti sesa është në përdorim nga kërkuesit. Shumë e rëndësishme kjo gjë për të kuptuar kohën. Dija që është e pakomunikueshme dhe e mbyllur, del në konkluzion Baricco, nuk përbën më dije. Dije është ajo që shkon më shpejt te të gjithë e njëkohësisht komunikon me një sasi sa më të madhe njerëzish. Kritizerët do të hidheshin duke thënë se kërkimi në internet nuk është dije. Po kjo vlen për diskutim dhe është një tjetër trajektore që kërkon një artikull të dytë.
Mos u çudisni më kur thoni: Brezi ynë ka lexuar, kurse këta të sotmit nuk lexojnë! Këta të sotmit po jetojnë botën e sotme dhe jo tonën, na vjen apo nuk na vjen mirë neve. Sentimentalizmat kanë të bëjnë gjithnjë me keqardhje për të shkuarën dhe nuk ndihmojnë aspak për të kuptuar. Nëse dija jonë arrihej nëpërmjet një përqëndrimi absolut dhe shkëputje nga përqarku, i sotmi ndërkohë që shikon televizor, bën detyrat dhe i përgjigjet shokut nga ana tjetër e globit në messenger, ndërkohë që mban njërën dorë në patatina e veshin në telefon. E gabuar? Po rriten debilë? Me mendësinë tonë më mirë të bënte një gjë të vetme dhe mirë, e jo shumë e pa thellësi. Po pikërisht thellësia për ta do të thotë ndalesë dhe kjo është e papranueshme. Nuk dyshoj nw faktin e ekzistencws sw ekspertëve të mirëfilltë në fusha të ndryshme sot për sot, formim që e kanë arritur me vetëgjakim po dyshoj nëse në të ardhmen kjo përgatitje do të jetë po kaq e thellë apo e thellë aq sa nevojitet, që ka shumë ndryshim, e mirëplotësuar nga prurjet komunikative me përqarkun. Në një farë mënyre po i njëjti rezultat (në mos më i mirë) arrihet jo duke u zhytur në thellësi po duke u hapur në gjerësi, kësisoj humbjet në thellësi (që brejnë kohë) kompensohen nga denduria e komunikimit (me shtrirje në hapësirë). Përparimi i shkencës siç duket po i jep njeriut një metodologji të re për perceptimin e botës.
Po ta zgjeroja diskutimin edhe në kuptimin e ndarjes thelb/ përmbajtje sipas konceptit të derimësot do vëreja moskuptimin në po të njëjtën mënyrë dhe në mosndarjen që ky brez i bën këtyre nocioneve. Për të mos ndalur në vend brezit të sotëm i duhet të jetë një trup e mendje në lëvizje dhe për ta nuk ka shumë rëndësi se çfarë përbën formë e çfarë përbën përmbajtje në trajektoren lëvizëse. Pra nëse brezi ynë e ndjen se ku mbaron thelbi dhe fillon shfaqja, dukja, reklama, ekzibicionismi, për brezin e sotëm e gjitha është një: dukja, shfaqja, reklamimi janë në të njëjtën kohë përmbajtje. Pak vështirë për t’u kuptuar për një brez si ne që mësuesja e fillores e pastaj në vazhdimësi të tjerët e ka përgatitur ta konceptojë hartimin me pjesë: hyrja me lajle lule kornizuese, zhvillimi me shtjellimin e thelbit, mbyllja me daljen në kunkluzion duke i dhënë një furçë zbukurimi. Hidhini një sy arkitekturës së sotme, për shembull: ka forma e linja të drejta apo rrethore, që ndërsa janë të bukura për syrin janë njëkohësisht funksionale (flasim për ndërtesa të mjeshtrave nëpër botë dhe jo për ndërtesat tona të vobekta). Krahasojini me format e katedraleve gotike ku spërdredhjet përsipër ishin thjesht zbukurime për të çuar në idealizimin e një bote hyjnore, (ose në idealizimin e hiçin). Po gjithsesi një ndarje mirëfilli e formës me përmbajtjen. Ndërsa sot janë për t’u dhimbsur miset kur përsërisin fjalitë e ngurtësuara të nënave që bukuria nuk është gjithçka, por duhet të tregohemi edhe të mençura. Thellë – thellë, po të ishin të sinqerta me vetën (gjë që do t’i ndihte), edhe pse kjo veti origjinale i është përdhosur që në kopësht, do të thonin se bukuria dhe mençuria janë një gjë e vetme për të cilat mendon po njëlloj. E vështirë të përceptohet edhe për mua që po e shkruaj se, për dreq, më duhet të shkërrmoq një shkollë të tërë formimi. Për krijuesin ky ndryshim është kataklizmor për çka bën, ndaj është e kuptueshme dhe e pashmangshme shtrimi i pyetjeve. Ndryshimi në këndvështrim të ndihmon edhe për të hedhur ide të qëndrueshme qoftë edhe për problemet e ditës.
Më grishi për një gjë të tillë ndërhyrja e kreut të shtetit për gjallërimin e jetës së librit, gjë që është jetësore për një shoqëri. Nga vrasjamendja përfundova se përveç gjetjes së gabimeve që, vaj medet, shoqëria jonë i përsërit si fëmijë i rritur pa traditë, pra gabimit të zhdukjes së bibliotekave ashtu siç rrafshuam ndërmarrjet pas nëntëdhjetës, gabimit të rinisjes gjithnjë nga zeroja dhe asnjëherë nga tradita (siç duket ka bërë punën e vet vërejtja e prindërve: “Shih sa mirë mëson komshiu, bëhu si ai!” dhe asnjëherë “Sa mirë e paske bërë këtë (mi, a shtëpi, a dreq, po diçka ama) vetë; vazhdo kështu se mund të dalë bukur!), përpos të gjithë këtyre gjërave që po t’i rreshtojmë përsërisim të thënat e përhershme e mbetemi në rreth pa rrugëdalje, nuk vërej të shtrohet problemi një herë ndryshe, domethënë të mos kemi thjesht biblioteka si vendqëndrim libri, pra një godinë si muze relikesh që vetë koha e nxjerr jashtë binarëve, po një vatër që organizon takime shkrimtarësh, debate e kthehet në vendshkëmbimi mendimesh, kursesh apo konkursesh krijimtarie për të rijtë, me një axhendë dhe projekte të mirëstudjuara dhe të pasura. Është për t’u përshëndetur kthimi i vëmendjes nga libri, po ajo që më duket se kërkon diskutim është formulimi i politikave me një frymë të re, me qëllim që e gjitha kjo të mos jetë një farsë për të shfajësuar gabimet. Nuk mund të mohohet rëndësia e librit si burim dije (edhe pse tashmë duhet ta pranojmë se nuk është më i vetmi) si dhe roli i padiskutueshëm i tij në formimin dhe pasurimin e shpirtit njerëzor. Fakti që njeriu ka përballuar të gjitha luftrat, krizat, rrëmetet duke e ruajtuar e lartësuar shpirtin nëpërmjet kulturës, ku letërsia zë një vend parësor, na bën optimistë dhe na kujtoj thënien e pavdekshme të Proust-it: “Bota mund të bëjë shumë mirë pa letërsinë, ashtu si mund të bëjë edhe më mirë pa njeriun”.

*Përkthyese / Shkrimtare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora