Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristjan Dukaj: Punësimi i të rinjve shqiptarë- sfida për 2019

| E marte, 15.01.2019, 09:22 PM |


Punësimi i të rinjve shqiptarë- sfida për 2019

Nga Mr. Kristjan Dukaj, politolog

“E vetmja mënyrë për të pasur një mik, është të  jeni si një. Ne nuk mund të sigurojmë një paqe të qëndrueshme nëse i afrohemi asaj me dyshim, me mosbesim apo frikë.” Kështu fliste presidenti SHBA, F. Ruzvelt në vitin 1945.

Kur flasim për situatën politike në vend, gjithherë mendojmë për atë që është në interesin e popullatës shqiptare, si pjesëtarë i këtij komuniteti dhe, në anën tjetër, i vetëdijshëm se kjo drejtpërdrejtë, ka të bëjë me atë që janë pritjet nga politikëbërsit, ata që me veprimet ose mosveprimet e veta determinojnë  reagimet e opinionit, respektivisht votuesve. Prandaj, pa u thelluar në atë se “ç’farë do të ishte sikur të ishte”, mendoj se sot, pas një çerekshekulli të sistemit pluralist në këto hapësira, pas atyre vështirësive fillestare në jetësimin e rrethanave të reja të një sistemi të ri, s’do mend se tashmë ka ndryshuar mënyra e veprimit, në radhë të parë të strukturave politike partiake. Të adaptuarit në kushte dhe rrethana të reja; veprimtaria transparente, komunikimi i përditësuar  me elektoratin, bashkëpunimi jo vetëm me  strukturat formale të shoqërisë por edhe me individët e gatshëm të kontribuojnë  me qëllim të harmonizimit të interesave të përgjithshme dhe mundësive reale të veprimit, e bëjnë veprimtarinë politike më pragmatike duke e afruar drejtë sovranit- votuesit. Nëse çdo mendim ndryshe drejtë një qëllimi të caktuar, vlerësohet si diçka kundër ndonjë subjekti apo përfaqësuesi politik, kjo e dëshmon mungesën e gatishmërisë për bashkëveprim dhe besnikërinë ndaj vlerave të tejkaluara të politikëbërjes.

Të jemi objektiv! Brezi im kemi lindur më vonë se çka filluar  vetorganizimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi, në parti nacionale. Por, me gjithë atë, njeriu si qenie politike, i përcjell  rrjedhat në kohëra dhe periudha të ndryshme historike dhe politike,  duke filluar   nga literatura mësimore, disa nga vetëinteresimi, por disa të tjera nga rrethana të ndryshme;  familjare, nga ambienti ku jeton, mediat,  e kështu me radhë. S’ka nevojë të  diskutohet orientimi i partive nacionale shqiptare, pasi që ato me dokumentët e veta programore kanë orientimin e duhur dhe përafërsisht, të njëjtë, mos të themi identik.

Duke shpresuar që në vitin 2019 bashkëpunimi i subjekteve nacionale dhe institucioneve përkatëse të jetë sa më i dobishëm për punësimin e të rinjve shqiptar nga këto treva, do të ndërlidhem me thënien e famshme të ish presidentit amerikan, Barak Obama i cili thoshte: “Ne nuk e shohim të ardhmen si diçka që e kemi nën kontroll, por si diçka të cilën mund ta krijojmë me përpjekje të përbashkëta dhe kolektive “